Me rifitimin e lirisë së besimit, pas persekutimit të egër shumëvjeçar (1945-1991), dhe me ardhjen e Kryepiskopit Anastas Janullatos, e drejtuar dhe organizuar prej tij, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u ngjall përsëri.

    Megjithë pengesat e shumëllojshme që ka përballuar herë pas here, ajo u ringrit nga gërmadhat dhe me hirin e Perëndisë dhe dhuratat bujare të shumë e shumë njerëzve, u zhvillua e po zhvillohet me ritme të shpejta dhe me zhvillim të pandërprerë e të gjithanshëm. Ajo duke jetuar me vështirësitë, shqetësimet dhe vuajtjet e popullit, u përpoq duke kontribuar edhe në rimëkëmbjen shoqërore e shpirtërore të vendit.

    Ngritja e strukturave

   U riorganizuan 460 enori (famulli) orthodhokse dhe zhvillohet veprimtari liturgjike, predikuese dhe katekiste në qytete e fshatra me pjesëmarrjen e klerikëve dhe laikëve. U organizuan lidhjet e Grave, të Rinisë dhe të Intelektualëve, të cilat ndihmojnë në veprën kishtare.

    Në vitin 1998, u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë nga Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Episkopi i Apollonisë Kozmai (fjeti në vitin 2000) dhe me Kryesekretar Protopresviter Jani Trebicka.

    Në vitin 2006 u dorëzuan edhe tre episkopë të rinj: Arkimandrit Dhimitër Sinaiti, Mitropolit i Gjirokastrës; Arkimandrit Nikolla Hyka, i cili mori titullin Episkop i Apollonisë; dhe Arkimandrit Andon Merdani, i cili mori titullin Episkop i Krujës (dy të fundit janë episkopë ndihmës të Kryepiskopit).

    Nga 3-4 nëntor 2006, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës, e përbërë nga 257 anëtarë, e cila shqyrtoi nen për nen dhe pranoi unanimisht Statutin e ri të Kishës. Më 6 nëntor, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Më 24 nëntor 2008, u nënshkrua marrëveshja, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, marrëveshje që u aprovua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe u bë ligj i Shtetit Shqiptar, me nr.10057, më 22.01.2009.

    Në vitin 2012 u dorëzuan edhe dy episkopë të rinj: Arkimandrit Nathanail Lavrioti si Episkop i Amantias dhe Arkimandrit Asti Bakallbashi si Episkop i Bylisit. Të dy këta episkopë janë episkopë ndihmës të Kryepiskopit. Me këto dy dorëzime Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhet për herë të parë në historinë tij nga 8 hierarkë.

     Përgatitja e kuadrove dhe arsimimi kishtar

    Krahas klerikëve moshuar që kishin mbetur gjallë, u përgatit një brez i ri klerikësh. Me kujdesin e Kryepiskopit u arsimuan dhe u hirotonis ky brez i ri klerikësh, të gjithë nënshtetas shqiptarë. Sot shërbejnë 151 klerikë (të të gjitha gradave), me arsim të lartë. (Ndërkohë kanë ndërruar jetë 17 klerikë).

  Që prej vitit 1992, funksionon Akademia Teologjike Orthodhokse "Ngjallja e Krishtit", në të cilën përgatiten klerikët dhe kuadro të rinj për katekizëm dhe shërbime në aktivitete të ndryshme të Kishës. Ndërkohë po kualifikohen më tej në universitete të njohura teologjike jashtë vendit dhe studentë të tjerë.

    Rinia Orthodhokse

    U krijuan dhe funksionojnë më shumë se 50 qendra rinore në qytete e fshatra. Çdo vit organizohen veprimtari rinore të larmishme si: kampingjet verore e dimërore, konferenca, veprimtari sportive, aktivitete me të rinj me aftësi të kufizuara, festivale rinore etj. Kampingje verore organizohen edhe në Kosovë.

     Vepra ndërtuese

    U ndërtuan nga themelet mbi 150 kisha të reja (të mëdha e të vogla), u restauruan 60 kisha e manastire-monument kulture dhe u rikonstruktuan e u riparuan mbi 160 kisha.

    U ngritën dhjetëra ndërtesa të reja dhe u blenë e u rikonstruktuan mjaft godina për qëllime të ndryshme (kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfërit etj.). Gjithsej 70 godina. Për disa vjet rresht prej vitit 1995 funksionoi edhe një kurs arkitekture, ku çdo vit merrnin njohuri të ndryshme për ndërtimet dhe arkitekturën kishtare 40 të rinj. 

    E tërë vepra ndërtuese arrin mbi 450 objekte.

    Nga viti 1995 funksionoi për disa vjet kursi i arkitekturës, në të cilë çdo vit 40 të rinj përfitonin njohuritë përkatëse në lidhje me arkitekturën dhe ndërtimet orthodhokse.

    Shtypi dhe botimet

    Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj me makineri moderne dhe boton gazetën e përmuajshme "Ngjallja", revistën për fëmijë "Gëzohu!", revistën rinore "Kambanat",  libra të ndryshëm liturgjikë, shpirtërorë, shkencorë etj..

    Në vitin 2009 nisi të botohej edhe revista periodike "Kërkim", me artikuj në teologji, shkencë, kulturë, aktualitet. Në Korçë, që prej vitit 2000, botohet revista “Tempulli”, revistë periodike kulturore; ndërsa në Gjirokastër botohet buletini “Enoria Jonë” dhe në Akademinë Teologjike buletini studentor “Fjala”.

    Kujdesi shëndetësor

    Kryepiskopi Anastas duke parë nevojën e madhe që kishte populli ynë në vitet e para të demokracisë, për ndihmë mjekësore si në vizita mjekësore, ilaçe, u bë e mundur hapja e klinikës së parë orthodhokse me emrin ''Shën Llukai'', në vitin 1994. Në nëntor të vitit 1999 kjo klinikë u zëvendësua nga Qendra Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi, një poliklinikë moderne në të gjithë kushtet dhe shërbimet që ofronte.

   Qendra Diagnostike Orthodhokse "Ungjillëzimi", në Tiranë, me 23 specialitete ofron shërbime bashkëkohore mjekësore, me kontributin e mjekëve të njohur, e një personeli të specializuar dhe me aparatura  mjekësore të teknologjisë së fundit, për të gjithë popullsinë, pa dallim besimi. Në nëntor 2011 nisi të funksionojë Qendra Okulistike dhe Otorinolaringologjike në Tiranë, duke ofruar shërbimet e saj me pajisjet mjekësore më moderne.

    Qendra të kujdesit parësor shëndetësor (Poliklinika) funksionojnë në Kavajë, Korçë, Jorgucat dhe Lushnjë. Ndërsa një njësi ambulante dentare ofron shërbimin e saj në qytete dhe fshatra (sidomos për fëmijë).

    Ndërkohë edhe Zyra “Diakonia Agapes” (Shërbimi i Dashurisë) ka mjaft kohë që po kontribuon në shtimin e rolit të infermierëve dhe mamive, në zonat rurale, duke ofruar projekte trajnimi dhe ndihma, madje duke botuar edhe një libër praktik "Aty ku nuk ka mjekë", që jep informacion rreth ekzaminimit dhe trajtimit të sëmundjeve më të zakonshme, duke e shpërndarë falas në këto zona.

      Arsimi

    Për arsimin kishtar përveç Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit, funksionojnë edhe 2 shkolla të mesme kishtare me emrin “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër (1998) dhe në Sukth të Durrësit (2007), të vendosur në godina me kushte bashkëkohore e me konvikt.

    Në 2012 u hap në qendrën "Thavor", në Tiranë, shkolla e parë e Muzikës Kishtare Bizantine, me konvikt.

    Përveç tyre janë ngritur edhe institucione të tjera arsimore.

  Janë ngritur dhe funksionojnë 20 përkujdesje ditore (kopshte), në Tiranë(2), Durrës, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Elbasan(2), Gjirokastër (2), Sarandë, Dervician, Pogradec, Shkodër, Vlorë, Përmet, Berat, Tepelenë, Cërrik, Gramsh ku kanë përparësi fëmijët e familjeve në nevojë.

    Funksionojnë tri shkolla 9-vjeçare: në Tiranë, Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” (në vitin 2001); në Durrës, Shkolla shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (në vitin 2005); në Gjirokastër, Shkolla shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (në vitin 2008).

     Funksionojnë dy shkolla të mesme: në Tiranë, Gjimnazi i Shkollës shqiptaro-amerikane “Protagonistët” (në vitin 20012); në Mesopotam të Delvinës Shkolla e Mesme Teknike “Apostull Pavli”, shkollë profesionale me disa degë: informatikë, instalime elektrike, instalime hidraulike dhe instalime frigoriferike-kondicionimi (në vitin 2005).

    Në Bularat të Gjirokastrës funksionon konvikti për vajza i shkollës së mesme. Në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit, në Durrës, funksionon shtëpia e fëmijës “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”.

   U është dhënë mbështetje teknike e materiale shumë shkollave publike. Njëkohësisht u riparuan disa ndërtesa të shkatërruara universitare në Tiranë e Gjirokastër, u rikonstruktuan 10 shkolla, midis tyre edhe konviktin e fëmijëve që nuk flasin e nuk dëgjojnë, dhe 6 përkujdesje ditore (kopshte), si edhe sheshi sportiv i Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë.

    Nga viti 2000 - 2010 funksiononte në Tiranë - me filial edhe në Gjirokastër (në vitin 2002 - 2011) - Instituti i Formimit Profesional "Frymë Dashurie", i pari i këtij lloji në vend.

    Nga viti 2010, funksionon në Tiranë Shkolla e Lartë Private “Logos”, me disa fakultete.

    Veprimtari e gjerë sociale

    Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi (1992, 94, 97), Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sociale dhe humanitare, duke siguruar dhe shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj., vetëm në vitin 1997 shpërndau mijëra tonë ushqime, veshmbathje dhe ilaçe.

    Kisha jonë ka përkrahur një numër të madh programesh sociale, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtime rrugësh e ujësjellësash, programe shëndeti dhe shoqërizimi për gratë në zonat rurale, program për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe ngritje qendrash shëndetësore në fshatra, kontributi për shkolla, jetimore, spitale, ndihma për institutet për persona me aftësi të kufizuara, azilet, për të burgosurit (p.sh. u financua ndërtimi i një serre, ku punojnë të burgosurit dhe të ardhurat u shërbejnë atyre, ndërtimi i një fushë lojërash (minikalçeto) dhe kompjutera për të burgosurit), dreka dhe ndihma për të varfrit etj.

    Gjatë vitit 1999, kur vendi ynë priti valët e refugjatëve kosovarë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me donatorë dhe organizma fetare ndërkombëtare (sidomos me programin ACT, të Këshillit Botëror të Kishave) organizoi një program të gjerë ndihme, prej më shumë se 12 milion dollarësh, duke ndihmuar më shumë se 33 mijë të ardhurve nga Kosova, me ushqime, veshmbathje, ndihma shtëpiake, mjekësore, strehim (në dy kampe) etj. Kampi i fundit për strehimin e tyre, që u mbyll në qershor 2001, administrohej nga Kisha.

    Kisha Orthodhokse dha kontributin e vet edhe për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga përmbytjet e jashtëzakonshme të vitit 2002, në rrethet e Lezhës, Beratit e Gjirokastrës si edhe në vitin 2010 në qytetin e Shkodrës.

    Gjatë vitit 2008, pas tragjedisë në fshatin Gërdec, Kisha jonë dha kontributin e saj material dhe njerëzor, që në çastet e para, si dhe bëri thirrje dhe mblodhi ndihma të ndryshme nga besimtarët orthodhoksë brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilat iu shpërndanë të dëmtuarve, si dhe u rindërtua plotësisht kopshti i fshatit Muçaj.

    Kontributi për kulturën

    U ngrit Zyra e Trashëgimisë Kulturore, e cila merret me objektet orthodhokse të kultit, që janë edhe monumente të kulturës kombëtare, për riparimin e të cilave Kryepiskopi Anastas ka përdorur deri më sot miliona euro.

    U ngritën kore në mjaft kisha, si dhe u formua e funksionon një kor bizantin, që ka nxjerrë tashmë 6 kaseta/CD. Gjithashtu, ka dhe një program për rigjallërimin e muzikës tradicionale kishtare. Janë ngritur studio për realizimin dhe restaurimin e ikonave, për përgatitjen e një brezi të ri artistësh, që do të rigjallërojë traditën tonë shumë të pasur të ikonografisë.

   Funksionon stacioni radiofonik "Ngjallja", i cili ka filluar transmetimet në vitin 1998, në valët FM 88.5 MHz. Ky stacion transmeton 24 orë programe të ndryshme kulturore, sociale dhe fetare.

    Janë sponsorizuar botime të rëndësishme shkencore, realizimi i filmave dokumentarë, organizimi i simpoziumeve shkencore, ekspozitave të ndryshme si ato ikonografike, me punime të fëmijëve etj.

    Kujdesi për mjedisin

    Në marsin e vitit 2001 filloi "Programi për ruajtjen e mjedisit dhe përgatitjen e kuadrove". Ai përfshiu edhe formimin pasuniversitar të të rinjve shqiptarë, të diplomuar në biologji, inxhinieri pyjore dhe të mjedisit.

    Programi përgatiti studime për mbrojtjen e disa ekosistemeve të zonës së Zvërnecit në Lagunën e Nartës, rrjedhës së Vjosës dhe parkut të Llogarasë, si dhe për administrimin e mbeturinave të ngurta në disa qytete.

    Marrëdhëniet ndërkombëtare

    Kisha jonë merr pjesë në të gjitha mbledhjet dhe veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në mbarë botën.

    Ajo është anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave (Kryepiskopi Anastas ishte zgjedhur zëvendëspresident për periudhën 2003-2009), anëtare e Këshillit Botëror të Kishave (në vitin 2006 Kryepiskopi Anastas u zgjodh një nga tetë Presidentët i tij), dhe e organizatës më të madhe ndërfetare në botë Konferencës së Feve për Paqen (Fortlumturia e Tij Anastasi u zgjodh në vitin 2006 President Nderi i saj), duke qënë kështu e pranishme në veprimtari të ndryshme ekumenike dhe duke kontribuar në përpjekjet për bashkëpunim paqësor dhe solidaritet në rajonin tonë dhe më gjerë.

 

*   *   *

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me praninë dhe aktivitetin e saj, që nga viti 1991 e deri më sot, kontribuoi në mënyrë thelbësore në zhvillimin shpirtëror e social të vendit. Me veprën e saj të gjerë ndërtuese, arsimore, dhe në fushën e shëndetësisë punësoi miijëra njerëz në nevojë duke fuqizuar kështu ndjeshëm ekonominë e vendit.

 

 Janar 2015

 

 

 

 

 

 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com