Kryepiskopi Anastas, duke kujtuar Urdhëresën e Jisuit për të sëmurët dhe duke parë nevojën e madhe që kishte populli ynë në vitet e para të demokracisë, për ndihmë, ilaçe dhe vizita mjekësore, theksoi se Kisha jonë do të mjekojë jo vetëm plagët e shpirtit por edhe të trupit.

    - Me iniciativën e tij u ngrit dhe filloi nga puna poliklinika orthodhokse "Shën Llukai", në Tiranë, në 1 nëntor 1994, në një shtëpi të vogël. Stafi i saj prej mjekësh mjaft të njohur ofronte shërbim të lartë mjekësor në disa specialitete: pathologji, pediatri, kardiologji, okulistike, neurologji, mikrokirurgji, echo abdominale, echo zemre për fëmijë.

    E pajisur mirë me aparatura të kohës si ECHO, EKG, llampa kirurgjikale, pajisje okulistike, autoklave, elektrobisturi, gjeneratorë,  etj. dhe me të gjithë pajisjet dhe orenditë e duhura deri  në  maj 1998 u shërbeu shumë pacientëve, duke i vizituar dhe duke i dhënë mjekim.

    Për  pacientët e saj u vunë në dispozicion medikamente falas dhe gjatë viteve 1994-1996 shumë nëna me fëmijë 0-12 muajsh, në bazë të kartelave klinike, u trajtuan me ushqime: qumësht dhe kremra. Në vitin 1997 klinika u pajis edhe me një ambulancë të re për shërbime ndaj të sëmurëve.

    Në krizën e viteve 1997-1998, kur njerëzit të demoralizuar përpiqeshin të largoheshin jashtë vendit, Kryepiskopi investoi akoma më shumë për të ndihmuar: në zbutjen e dhimbjes njerëzore, për të rritur besimin për të ardhmen e Shqipërisë. 

*  *  *

    - Në vitin 1999 kjo poliklinikë zmadhua, u rrit dhe u zëvendësua nga Qendra Orthodhokse Diagnostike "Ungjillëzimi", në një ndërtesë të re, mbresëlënëse, me gjashtë kate, duke u pajisur me të gjithë personelin dhe aparaturat e nevojshme bashkëkohore. Kjo qendër është një investim shumë i madh në dobi të shëndetit dhe mjekësisë së vendit tonë.

    Në këtë qendër punojnë shumë mjekë të njohur të vendit, që ofrojnë eksperiencën e tyre në më shumë se 24 specialitete, ku vizitohen çdo muaj rreth 6 mijë pacientë, pa dallim besimi fetar. Qendra ofron shërbime shëndetësore nga më bashkëkohoret.

    Në vitin 2000, u krijua një staf dhe një sallë kirurgjie ditore (përvojë amerikane).

    Përvoja e madhe dhe e dokumentuar, mjekët e mirë, puna e palodhur e mjekëve dhe e personelit, kushtet e përkryera dhe aparatet bashkëkohore i kanë dhënë një imazh dhe besueshmëri këtij institucioni. Gjatë periudhës 10-vjeçare të saj janë vizituar 760.400 pacientë. Për më tepër shih Qendra Diagnostike Orthodhokse "Ungjillëzimi"

    Gjatë funksionimit të saj prej 10 vjetësh (1999-2009) Qendra Diagnostike Orthodhokse "Ungjillëzimi", përveç aktivitetit të saj diagnostikues në këtë ndërtesë, ka dhuruar medikamente të ndryshme pacientëve: të Qendrës sonë Diagnostike, pacientëve të qendrave të tjera shëndetësore, personave në nevojë (të cilëve u janë dhuruar edhe paterica, karroca invaliditeti etj).

    Gjithashtu po gjatë kësaj periudhe ka dhuruar disa herë në vit ilaçe të llojeve të ndryshme, pambuk, garza, ankerplast, dizifektant, allci, serume, vegla kirurgjie etj. në këto institucione: Klinikës Orthodhokse në Korçë e Kavajë; Kishës dhe kopshtit të fëmijëve të Vlorës; Spitaleve të Vlorës, Beratit, Korçës, Elbasanit, Kavajës, Fierit, Lezhës, Selenicës së Vlorës, Kirurgjisë së Durrësit, Spitalit Ushtarak të Tiranës, Qendrës Spitale Universitare "Nënë Tereza" të Tiranës, Spitalit Distrofik të Tiranës, Spitalit Psikiatrik të Tiranës, Sanatoriumit të Tiranës; Poliklinikës së lagjes nr. 10 të Tiranës; Qendrës së Zhvillimit Rezidencial të Beratit, Q.K.M.Z.R.F., Shtëpisë së Fëmijëve "Zyber Hallulli"; Shoqatës Kombëtare të Invalidëve; Burgut 325 dhe 313 në Tiranë; fshatrave Armenj, Lubonjë, Karbunarë; invalidëve të dërguar nga vetë Kisha jonë.

*  *  *

    - Në vitin 1997 u hap poliklinika orthodhokse në qytetin e Kavajës, (pranë kishës "Shën Nikolla") me mjekët e njohur: Dr. Margarita Kostaqi, Dr. Milto Kostaqi, Dr. Klement Shteto, Dr. Anita Moci etj.

*  *  *

    - Në vitin 1997 u hap poliklinika orthodhokse në qytetin e Korçës, (pranë Mitropolisë) me mjekët e njohur: Dr.Silvana Muli, Dr. Ilia Skendi, Dr. Gjergj Mikerezi, Dr. Lirika Lika etj.

*  *  *

    - Në vitin 1998 fillon aktivitetin Njësia Dentare Lëvizëse me një aktivitet në të gjithë vendin, duke shkuar pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në shumë fshatra, shkolla, qendra, fondacione, institucione publike dhe kisha orthodhokse.

    Në kuadër të ndihmës humanitare, mjekësore e shpirtërore që Kisha Orthodhokse e Shqipërisë u ofroi refugjatëve kosovarë në 1999 në dy kampet e saj u vu në dispozicion edhe kjo Njësi Dentare e Lëvizëse.

*  *  *

    - Në vitin 2003 u hap poliklinika orthodhokse në Jergucat të Gjirokastrës, me mjekë të njohur të Gjirokastrës, si dhe mjekë nga 2 spitalet e Janinës.  

*  *  *

    - Në vitin 2006 u hap poliklinika orthodhokse në Lushnje , (pranë kishës "Shën Gjergji") me mjekët e njohur: Dr. Vasil Lushnjari, Dr. Koli Prifti, Dr. Petraq Allkanjari, Dr. Viktor Zegali, Dr. Gjergji Liko, Dr. Drita Lushnjari etj.

*  *  *

    E gjithë kjo përpjekje e madhe e kujdesit shëndetësor që tregon Kisha jonë drejtohet nga Fondacioni i saj "Klinikat Orthodhokse të Ungjillëzimit", Tiranë.

*  *  *

    - Ky kujdes shëndetësor është shtrirë nga Qendra Diagnostike edhe në a) programe kualifikuese të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, për specialitete të ndryshme; b) programe sensibilizuese dhe edukuese për edukimin shëndetësor (në shkolla, në kampe dhe fshatra); 3) Botime (fletë palosje, broshura, libra).

 *  *  *

    - Por kujdesi dhe ndihma shëndetësore që ofron Kisha jonë është edhe nëpërmjet programeve të ndryshme që projekton dhe realizon Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë) që është zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës.

    Me rënien e sistemit komunist, shumë mjekë që ishin emëruar në zonat rurale u kthyen në qytete, duke lënë pa përkujdesje shëndetësore këto zona. "Shërbimi i Dashurisë" (Diakonia Agapes) ka mjaft kohë që kontribuon në shtimin e rolit të infermierëve dhe mamive, duke ofruar projekte trajnimi dhe ndihma.  Po ashtu janë hapur shumë infermieri lokale. Për me tepër, libri "Aty ku nuk ka mjekë" (i përkthyer në shqip) jep informacion se si të ekzaminohen dhe të trajtohen sëmundjet më të zakonshme. Ky është shpërndarë falas në këto zona.

    Hapësira e programeve të përkujdesjeve shëndetësore përfshin a) përmirësimin e elementëve të kujdesit të shëndetit parësor të grave dhe vajzave në zona rurale dhe kontributin në procesin e shoqërizimit të tyre për të përballuar problemet e tyre sociale; b) kontributin në përmirësimin e edukimit shëndetësor të fëmijëve të zonave rurale dhe në pasurimin e jetës së tyre me aktivitete sociale e kulturore; c) rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve me qëllim uljen e rasteve me IST, HIV/SIDA, drogës dhe alkoolit.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com