Të gjitha Zoti Perëndi i bëri me dashuri dhe në shërbim të njeriut. Ndonëse ne njerëzit jemi krijesa më e lartë  në botë kemi për detyrë t’i respektojmë të gjitha krijesat e tjera dhe të marrim pjesë së bashku në adhurimin e Krijuesit. Në mesazhin e tij me numër 629/1989 i përkujtuarshmi, Patriku Ekumenik Dhimitër, caktoi ditën e parë të shtatorit të çdo viti, si ditën e mbrojtjes së ambientit natyror dhe dha bekimin patriarkal dhe atëror që këtë ditë, e gjithë bota orthodhokse të zhvillojë lutje për mbarë krijimin. Brenda këtij mesazhi, ai shprehet se po vëzhgon shkatërrimin e ambientit që po bën njeriu i sotëm dhe nxit gjithë besimtarët e botës që të kultivojnë veten si edhe të edukojnë fëmijët e tyre që të respektojnë dhe të ruajnë ambientin natyror.

    Edhe nga Kisha jonë janë marrë mjaft iniciativa serioze nën drejtimin personal të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili edhe në fjalime dhe mesazhe përcjellë rëndësinë ekologjike dhe rolin e njeriut në botë. (Klikoni - fragment nga një fjalim i Kryepiskopit Anastas mbajtur në një simpozium).

*   *   *

    Projekte ekologjike nga një zyrë e krijuar posaçërisht


    Konkretizimi i një projekti të madh studimor zuri të realizohet në marsin e vitit 2001 me formimin e disa kuadrove dhe fillimin e një programi mjedisor.

    Ai përfshinte edhe formimin pasuniversitar të të rinjve shqiptarë të diplomuar në: Biologji, Inxhinieri Pyjore dhe të Mjedisit. U realizuan projekte për mbrojtjen e ekosistemeve të zonës së Zvërnecit, rrjedhës së Vjosës dhe parkut të Llogarasë, si dhe për administrimin e mbeturinave të ngurta në dy qytete të Shqipërisë.

Më gjërë për këto klikoni

logo.jpg

*   *   *

Iniciativa rinore në pastrim dhe mbrojtje të mjedisit

    Të rinjtë tanë orthodhoksë janë aktivizuar në disa veprimtari brenda dhe jashtë komunitetit, duke dhënë një shembull të rëndësishëm për çdo brez. Vit pas viti, në temat e realizuara gjatë takimeve në Tiranë dhe në rrethe, ata janë sensibilizuar, jo vetëm duke u informuar, por edhe duke marrë pjesë në pastrimin dhe rregullimin e natyrës dhe ambientit përreth.

    Në qendrën rinore “Bethlehem” si dhe në qendrën studentore në Q. Studenti, folës të ndryshëm kanë referuar në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që disa fundjava brenda dhe jashtë kryeqytetit janë organizuar veprimtari për t’iu ardhur në ndihmë zonave më të ndotura. Vlen të përmenden projekte të tilla në Parkun Kombëtar të Llogarasë, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, në Malin e Dajtit, në Gjirin e Lalëzit si dhe në enori të tjera të Mitropolive të Kishës sonë, pa harruar edhe zonat ku zhvillohen kampet e përvitshme.

    Këto aktivitete i kanë aftësuar të rinjtë për të reflektuar edhe në jetën e përditshme, duke u përpjekur të krijojnë një mjedis sa më pak të ndotur dhe sa më shumë të dobishëm për të gjithë njerëzit. 

*   *   *

Sensibizilim përmes broshurave


    Një mjet ndërgjegjësues dhe me efekt të drejtpërdrejtë për të ndikuar në mbrojtjen e mjedisit kanë qenë edhe broshurat që janë botuar për t’iu shpërndarë mijëra qytetarëve anembanë Shqipërisë. Mënyrat e shprehura në këto fletëpalosje se si duhet mbrojtur mjedisi kanë qenë mjaft efikase, duke treguar rrugët praktike se si mund të kujdesen qytetarët e thjesht për të mbajtur pastër ambientin që i rrethon.

    Përmes projekteve të ndryshme që janë zbatuar nga Fondacioni “Frymë Dashurie”, në bashkëpunim dhe me organizma të tjerë ndërkombëtarë, këto mjete sensibilizuese kanë dhënë një kontribut të nevojshëm sidomos për komunitete të veçanta dhe të izoluara, si qytetet e largëta apo fshatrat e thellë të vendit tonë.

*   *   *

Artikuj dhe botime në gazeta


    Gazeta “Ngjallja”, revista rinore “Kambanat”, revista për fëmijë “Gëzohu” kanë pasqyruar herë pas here aktivitetet e larmishme, sikurse edhe mesazhe sensibilizuese në lidhje më problematikat e ambientit.

    Artikujt nga autorë të ndryshëm, krijimet në poezi dhe prozë janë shoqëruar edhe me pjesë nga fjalime të personaliteteve kishtare dhe kulturore. Këta artikuj kanë influencuar tek çdo lexues dhe janë vlerësuar për frymën krijuese dhe mbrojtëse ndaj kësaj dhurate të Zotit, siç është natyra dhe gjithçka që ajo përmban. Artikuj të kësaj natyre janë botuar edhe në gazeta periodike si “Enoria jonë”, “Fjala” etj.


*   *   *

Sensibizilim përmes valëve të radios “Ngjallja”, FM 88.5


    Ndjesia dhe mesazhi ambientalist është përcjellë dhe përcillet edhe nëpërmjet valëve në FM 88.5 të radios “Ngjallja”. Ky mjet i fuqishëm mediatik i përcjell këto mesazhe duke u bërë kështu bashkëpunëtor në jetën dhe kujdesin mjedisor të njeriut.

    Në këtë sektor do të dëgjoni 4 emisione të realizuara në bashkëpunim me studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit.

1. Ambienti i Perëndikrijuar dhe i domosdoshëm

............................................{mp3}1 - Ambjenti i perendikrijuar dhe i domosdoshem{/mp3}

2 .Nuk ekzistojmë në botë, por bashkekzistojmë në botë

.............................................{mp3}2 - Nuk egzistojme ne bote por bashkegzistojme ne bote{/mp3}

3. Porositë e Shkrimit të Shenjtë

............................................{mp3}3 - Porosite e Shkrimit te Shenjte{/mp3}

.4. Tendencat dhe detyrimet tona

............................................{mp3}4 - Tendencat dhe detyrimet tona{/mp3}


*   *   *

Bukuria e natyrës, temë kampi edhe në Kosovë


    Natyra shqiptare dallohet për bukuritë e saj. Sikurse në Shqipëri, edhe në Kosovë ka shumë vende të spikatura dhe të mahnitshme, të cilat kanë nevojë për kujdes.

   Që prej vitit 2001 kur janë organizuar kampe me tema të ndryshme, kampi i vitit 2010 i ishte kushtuar pikërisht bukurisë së natyrës dhe  mbrojtjes së saj.

    Me qindra fëmijë mësuan përmes lojërave, dramave, bisedave më të rinjtë vullnetarë të Kishës sonë. Fëmijët e treguan bujarinë e tyre ndaj natyrës duke pastruar ambientin e shkollave, ambientin rreth shtëpive të tyre, duke premtuar se do ta vazhdojnë ta bëjnë këtë veprimtari gjithmonë.

    Bukuria është një nga vlerat më të mëdha të jetës njerëzore. Ka shumë gjëra të bukura rreth e rrotull që duhet t’i vlerësojmë dhe ky kamp ndikoi në zhvillimin e tyre”.


*   *   *

    Në pikëpamjen e Kishës sonë, ambienti natyror konsiderohet një shtëpi gjigante që përbëhet nga qielli dhe toka. Shtëpia jonë, pra ambienti, sipas Shkrimit të Shenjtë dhe mësimit të etërve tanë është i Perëndikrijuar, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Në këtë kuadër një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe mësimdhënies së Kishës sonë te brezat e rinj, por edhe te grupmoshat e tjera që ata të kenë një kujdes të veçantë për mjedisin.

    Në vendin tonë, ambienti natyror është ndotur së tepërmi. Lumenjtë, liqenet, detet, ujërat e rrjedhshëm, po ndoten nga mbetjet industriale dhe nga pakujdesia jonë. Ndotja e atmosferës është gjithashtu reale. Kafshë po shkojnë drejt zhdukjes, është pakësuar gjelbërimi i tokës, duke e shndërruar thellësisht sintezën e sipërfaqes së saj.

    Një person me prirje frymore, mund të ndihet më i afërt me Perëndinë kur ndodhet në mes të duarve të Tij. Dostojevski thotë: “Duaje çdo grimcë të rërës, duaje çdo gjethe, çdo rreze drite të Zotit, duaji kafshët, bimët. Nëse ti do gjithçka do të marrësh misterin hyjnor të gjërave. Dhe në fund ju do të arrini ta doni botën me dashuri universale”.

    Të krishterët orthodhoksë e duan ambientin, prandaj një tjetër kontribut i veçantë është edhe lutja e Kishës dhe besnikëve të saj për këtë ambient të dhënë si dhuratë nga Perëndia. Kisha jonë praktikon një sërë lutjesh që kanë në qendër krijesën e Perëndisë. Në Meshën Hyjnore, prifti thotë: “Për erëra të mira dhe begati të pemëve të dheut dhe për kohë paqe le t’i lutemi Zotit”. 

    Shën Joan Gojarti përsëriste: “Toka është banesa jonë e përbashkët, edhe ushqim, edhe nënë, edhe varr”. Është detyra e ne të krishterëve orthodhoksë, që të bashkëpunojmë me Perëndinë në ruajtjen e krijimit të tij. Nuk na lejohet më që të qëndrojmë apatikë ose spektatorë të një gjendjeje që na kërcënon të gjithë ne.

    Në këtë gjendje kritike Kisha u kujton përherë besimtarëve të saj, detyrimet e tyre si të krishterë për mbrojtjen e të gjitha formave të jetës si dhe përgjegjësinë e tyre për çdo gjë që bën të mundur jetesën në këtë kohë brenda universit të pafund.

    Le të kujdesemi për mjedisin, për një jetë më të shëndetshme!
 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com