Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, krahas përpjekjeve për ringritjen nga themelet të strukturës kishtare të rrënuar plotësisht nga persekutimi ateist 46-vjeçar, që në vitet e para bëri përpjekjet sistematike edhe në fushën e kulturës. Në stadin e vështirë të rimëkëmbjes së saj, Shqipërisë i duhej që të nxirrte nga rrënjët e saj të traditës kulturore, frymëzim dhe fuqi për ecjen dhe përparimin e mëtejshëm. 

    Arti i krishterë dhe kultura në përgjithësi që është zhvilluar dhe u ka rezistuar agresioneve dhe stuhive të njëpasnjëshme në vend, është një element i çmuar, i pazëvendësueshëm i ndërgjegjes, por edhe i subkoshiencës së popullit shqiptar. Madje edhe në periudha krizash Kisha Orthodhokse u përpoq duke nxitur studime shkencore, duke grumbulluar fonde dhe duke ruajtur objektet me interesimin dhe restaurimin e monumenteve kulturore të krishtera, kisha dhe manastire.

    a) Kultivimi i artit kishtar

    Shqipëria historikisht ka marrë pjesë aktive në krijimtarinë e gjerë kulturore të perandorisë bizantine dhe ruajtjes së sendeve të shenjta për qytetërimin mbarë botëror. Eksponentët e artit bizantin si ikonat, mozaikët, ikonostaset, sendet e shenjta adhuruese etj. muzika, dorëshkrimet kanë një nënë që i ka lindur dhe kjo është Kisha. Ato nuk u krijuan nga artistë indiferentë, por u krijuan për qëllime adhuruese, duke u përdorur për jetën fetare dhe mbështetjen e popullit. Këta elementë të rëndësishëm të kulturës kishtare kanë dalë në dritë dhe janë risjellë pas një periudhe të gjatë heshtjeje pas viteve 90-të. Madje shteti dhe qytetërimi ynë shqiptar është bërë i njohur në botë dhe është krenuar me anën e tyre, duke shfaqur imazhin e tij kulturor përkrah kulturave të tjerave.  

    Krijimi, restaurimi dhe mirëmbajtja e monumenteve dhe veprave të artit kishtar. Kisha jonë ka krijuar prej vitesh sektorin e saj të krijimit, restaurimit dhe mirëmbajtjes së monumenteve dhe veprave kishtare. Me anë të Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore që merret me studimin dhe restaurimin e objekteve orthodhokse të kultit, që janë edhe monumente të kulturës kombëtare, janë restauruar 70 kisha e manastire-monument kulture, me një investim deri më sot me miliona euro, të gjitha këto të siguruar nga kryepiskopi Anastas. Brenda këtij kuadri restaurues punë e madhe është bërë edhe nga studioja e restaurim-konservimit të Kishës, duke restauruar një numër të madh veprash arti.

    Është treguar kujdes i madh për krijimin dhe afirmimin e një brezi të ri artistësh vendas, duke kultivuar fidanishte për rilindjen traditës orthodhokse të ikonografisë, gdhendjes në dru, etj. Studiot e ikonave, të afreskut, të mozaikut si edhe të gdhendjes së drurit (ikonostaseve) bëjnë të mundur realizimin e vazhdimësisë tradicionale në veprat e reja të këtyre artistëve për nevojat e shumta të adhurimit të pasur orthodhoks. Gjithashtu po nga Kisha u ngritën pranë Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie” dy degë artistike: ajo e restaurimit të ikonave dhe e ikonografisë. Këto degë janë në një bashkëpunim të ngushtë me punishtet e restaurimit e të konservimit dhe të ikonografisë në qendrën e punishteve Nazaret.  

    Koret kishtare.

    Me anë të këtyre koreve Kisha përcjell dhe shfaq thesarin e saj shekullor në muzikë. Kori kishtar bizantin “Joan Kukuzeli”, i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u formua në Tiranë, në vitin 1995. Pjesëmarrës në të janë kryesisht të rinj orthodhoksë, të cilët kanë mbaruar Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës, apo kurset e herëpashershme të muzikës bizantine në Tiranë. Disa prej tyre kanë mbaruar studime për muzikë bizantine jashtë vendit. Drejtues dhe themelues i korit është atë Justini, murg-prift nga Mali i Shenjtë, i cili shërben në vendin tonë që nga viti 1992.

    Gjithashtu ka realizuar edhe regjistrime të ndryshme dhe ka nxjerrë shtatë CD me himne kishtare në shqip, ka dhënë një program të veçantë në Televizionin Publik Shqiptar. Ndërkohë, përveç psaltësve nga të gjithë brezat, në të gjithë vendin janë ngritur mjaft kore kishtare, jo vetëm me muzikë bizantine por edhe me muzikë evropiane, si në Tiranë, Korçë etj. Koret gjithashtu kanë dhënë edhe shumë koncerte në qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë Shqipërisë.

    Dorëshkrimet Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri, që ende janë në pronësinë e shtetit, u prezantuan në një ekspozitë unikale organizuar në vitin 2010 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Fondacioni Grek i Kulturës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kujdesin e Kryeministrit, Prof. dr. Sali Berisha. Në të u paraqitën 44 kodikë, të shek. VI deri në shek. XVIII, mes tyre edhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESKO-s, që prej vitit 2005. Në këtë ekspozitë u paraqitën edhe 28 panele fotografike që jepnin një informacion më të detajuar dhe më të zgjeruar të brendësisë së kodikëve. Këto dokumente faktojnë kontributin e shqiptarëve për Krishterimin dhe qytetërimin. Ato kanë dhe një gjuhë tjetër, që dëshmojnë sesi shqiptarët, elita e tyre i ruajti dhe i përcolli ato brez pas brezi. Kjo ekspozitë u cilësua si një pasaportë e bukur e Shqipërisë dhe shqiptarëve. 
  Një ekspozitë e ngjashme u hap edhe në vitin 2003 në mjediset e Galerisë së Arteve Figurative në Tiranë “Miniaturat e Kodikëve të Shqipërisë”, ku paraqiteshin realizime të mrekullueshme të dorëshkrimeve të krishtera orthodhokse, që datonin nga shekulli VI. 

    b) Dokumentarë dhe simpoziume

    Përgjatë 20 viteve të fundit janë sponsorizuar nga Kisha Orthodhokse botime të rëndësishme shkencore, realizimi i filmave dokumentarë, organizimi i simpoziumeve shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare etj. Në kuadrin e programit kulturor të Kishës në vitin 2001, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, u promovua një dokumentar mjaft i arrirë i regjisorit të njohur Esat Musliu me skenar të Moikom Zeqos, kushtuar një prej figurave më të mëdha të kulturës shqiptare, ikonografit Onufrit. Gjithashtu janë realizuar ndër vite edhe një sërë dokumentarësh për kishat dhe manastiret, të cilët janë publikuar edhe në ekranet e televizioneve shqiptare dhe të huaja.

    Gjithashtu Kisha ka organizuar, vetë ose në bashkëpunim, veprimtari, konferenca, simpoziume shkencore dhe ndërfetare. Mes tyre përmendim “2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri”, që u zhvillua në vitin 2000 në Tiranë, Simpoziumi IV Ndërkombëtar, i ciklit “Feja, Shkenca dhe Mjedisi”, me temë: “Një det në rrezik, një qëllim i përbashkët” në 2002 në Durrës, në bashkëpunim me Patriarkanën Ekumenike dhe Bashkimin Evropian nën kujdesin e Presidentit të Komisionit Evropian. Gjithashtu konferenca “Marrëdhëniet ndëretnike dhe toleranca fetare” në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Studimeve Ballkanike, në Tiranë në 2002, konferenca shkencore “Terminologjia fetare dhe Gjuha shqipe” i organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Akademisë së Shkencave, në 2005.  Po kështu janë organizuar e sponsorizuar edhe botime shkencore, ekspozita ikonografike, punime fëmijësh etj. 

    c) Pjesëmarrje aktive në panairin e librit

    Në të gjitha edicionet e përvitshme të Panairit të Librit në Tiranë, Kisha jonë ka qenë pjesëmarrëse me botimet e saj. Ngjarja më e madhe kulturore e librit ka për qëllim kryesor ekspozimin dhe publikimin në mënyrë sa më të gjerë të botimeve shqiptare, ku një vend të veçantë zënë edhe ato fetare. Prej vitesh, kjo veprimtari shërben si vendtakimi më i madh dhe më i rëndësishëm i krijuesve të njohur dhe të rinj. Në stendat e këtij panairi ekspozohen edhe botimet e Kishës sonë. Përveç librave të publikuar më parë, një vend të rëndësishëm zënë edhe librat e rinj, të cilët tërheqin vëmendjen e publikut të gjerë. Në këtë kuadër hyjnë librat liturgjikë, librat e kryepiskopit dhe teologëve e shkrimtarëve të krishterë të përkthyer në shqip. 

    Njëkohësisht, një vend të veçantë në stendë kanë edhe CD-të me muzikë bizantine dhe muzikë të krishterë për të rritur e fëmijë si dhe DVD-të e reja me filma dhe dokumentarë që flasin për tematika të ndryshme shpirtërore dhe historike të Kishës. Ndihmën kryesore për mbarëvajtjen dhe prezantimin e stendës sonë e japin çdo vit të rinjtë orthodhoksë, të cilët me përkushtimin dhe vullnetarizmin e tyre ofrojnë një imazh cilësor para të pranishmëve. 

    ç) Program kualifikues dhe guidë për kulturën e turizmit  

   Në vitin 2003, Fondacioni “Fryma e Dashurisë” në bashkëpunim me Universitetin e Athinës dhe Shkollat e Edukimit Turistik të Sekretariatit të Përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit realizoi një program kualifikimi në fushën e kulturës së turizmitProgrami zgjati 10 muaj dhe u realizua në formën e seminareve në Agroturizëm, Turizëm Dimëror, Turizëm Fetar, Turizëm Ekspozitash, Ekoturizëm dhe Turizëm Kulturor. Seminari u zhvillua në Tiranë dhe grupi i kursantëve përbëhej nga 15 veta, të diplomuar në Universitetet e Shqipërisë, të cilët ose punonin në fushën e turizmit, ose dëshironin të zhvillonin aktivitet afarist në fushën e formave alternative të turizmit. 

    Objektivi i seminareve ishte që të kontribuonin në zhvillimin, formimin e kuadrove dhe përkrahjen e punësimit në fushën e formave të veçanta të turizmit në Shqipëri. Kjo veprimtari mundësoi edhe botimin e një guide turistike, e cila evidentoi monumentet fetare, kulturore, arkeologjike dhe natyrore të vendit. Gjithashtu kjo guidë shërbeu për informacione për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore, infrastrukturën materialo-teknike dhe turizmin. Objektivi i guidës turistike ishte evidentimi i peizazhit të pasur natyror të vendit, lokalizimi, regjistrimi dhe promovimi i monumenteve të rëndësishme natyrore dhe kulturore si dhe shfrytëzimi i tyre i butë, që do të kontribuojë në zhvillimin jetësor ekonomik dhe shoqëror të vendit dhe në fuqizimin e turizmit. Paralelisht, prezantimi i monumenteve fetare kontribuoi në shtrirjen e turizmit fetar dhe evidentoi rolin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe veprën e çmuar të Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

    d) Radio “Ngjallja”

    Një kontribut mjaft të vlefshëm kulturor Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka dhënë edhe përmes medias. Ky radiostacion, që nga prilli i vitit 1998 kur lëshoi sinjalin e saj nëpër aparatet radiofonikë të besimtarëve të Tiranës dhe Durrësit me “Ju flet Radio ‘Ngjallja’, në FM 88.5 Mhz”, pasqyron veprimtarinë e Kishës sonë dhe një program mjaft të gjerë kulturor. Përgjatë viteve, radioja ka evoluar si në programacion ashtu edhe në personelin e saj. Në stafin e kësaj radioje kanë punuar dhe kontribuojnë figura të njohura të fushës së kulturës e artit si edhe klerikë dhe teologë të njohur. 

    Që nga viti 2001 transmeton 24 orë, muzikë dhe emisione. Emisionet janë informative, ku përfshihen lajme, radio-kronika, radio-reportazhe, shërbesa kishtare, emisione social-kulturore, me karakter edukativ duke synuar rritjen e vlerave shpirtërore si dhe rritjen e njohurive në fushën e artit, kulturës, sportit, etj. Kjo radio përfshin të gjithë moshat.  

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com