https://lh5.googleusercontent.com/-_OIh3qNEPuY/VFNVTmXYD7I/AAAAAAAAEZw/YteJdiDZO4E/w448-h336-no/5.jpg    Me bekimin dhe fondet e siguruara nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopit Anastas, në verën e vitit 2003 filloi funksionimin si një shtëpi-familje “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”, pranë mjediseve të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës.

    Veprimtaria e saj nisi vetëm me tetë fëmijë, por shumë shpejt ky numër arriti deri në 30, që është edhe kapaciteti maksimal i shtëpisë.

    Të gjithë fëmijët, mosha e të cilëve shkon nga 5-18 vjeç, vijnë nga familje me vështirësi ekonomike ose fatkeqësi familjare, por edhe nga familje ku mungon një nga prindërit biologjikë. Nevojat tyre janë të shumta, por më tepër se çdo gjë tjetër ata kanë nevojë për dashuri të pakushtëzuar të njerëzve që i rrethojnë, kanë nevojë të ndihen të sigurt dhe të vlerësuar, të barabartë mes moshatarëve dhe të respektuar nga të tjerët. Të gjitha këto kanë qenë në fokusin e punës 4 vjeçare të stafit të kësaj shtëpi-familjeje.

    Aktualisht në të jetojnë 28 fëmijë, 19 vajza dhe 9 djem dhe të gjithë shkojnë në shkollë. Ata frekuentojnë nga klasa 2-të fillore deri në vitin e 2-të të shkollës së mesme.

    Kjo shtëpi ofron për të gjithë fëmijët:   

  • - Arsimim dhe edukim sa më të mirë
  • - Mbështetje psiko-sociale
  • - Ushqim, veshmbathje, shërbim mjekësor sipas standardeve
  • - Një jetë komode e të sigurt si në familje
  • - Veprimtari sportive, zbavitëse dhe formuese brenda kohës së lirë
  • - Stimulimin e marrëdhënieve të mira me prindërit dhe të afërmit

    Me rritjen e fëmijëve është rritur edhe përgjegjësia e punës dhe kujdesi nga ana e stafit. Gjithashtu, gjatë viteve ka ndryshuar edhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të kësaj qendre. Stafi është i impenjuar jo vetëm në plotësimin e kushteve materiale dhe ofrimit të një jete të qetë dhe komode, por është i përqendruar edhe në zhvillimin kompleks të fëmijëve, duke i mbështetur hap pas hapi për një rritje sa më të shëndetshme:

https://lh6.googleusercontent.com/-pXLhua2V2Qk/VFNVTXadGHI/AAAAAAAAEZo/ZLzCUBcE2pk/w448-h166-no/2.JPG    Nga ana mësimore – edukative: Fëmijët ndihmohen nga mësues privatë dhe edukatorët për arritjen e rezultateve sa më të mira në mësime. Është parë e domosdoshme për të pasur mbështetje të vazhdueshme, pasi një pjesë e tyre kur erdhën nga familjet e origjinës kishin mangësi të thella në njohuritë e përgjithshme. Disa fëmijë kanë qenë tërësisht analfabetë edhe në moshën shkollore. Kjo për shkak të arsyeve të ndryshme si: mosfrekuentimi i rregullt i shkollës, mungesa e interesit të familjarëve për ecurinë e tyre, pamundësia për vazhdimin e shkollës për arsye të ndryshme etj.

    Sot, ata ndjekin rregullisht shkollën sipas klasave përkatëse dhe me rezultate të kënaqshme. Disa prej tyre janë edhe nxënës të shkëlqyer në klasat dhe shkollat ku mësojnë.

    Nga ana fiziko - shëndetësore: Shëndeti i fëmijëve është në qendër të vëmendjes. Për të përmbushur sa më mirë këtë qëllim, një pjesë të veçantë në veprimtaritë e ditës e zënë aktivitetet sportive, argëtuese dhe çlodhëse. Gjithashtu, të gjithë fëmijëve u bëhen rregullisht vizita të ndryshme mjekësore etj.

https://lh5.googleusercontent.com/-2s1jhkd8t3k/VFNVTNfQDAI/AAAAAAAAEZ0/UdWSoXQlOIw/w300-h250-no/4.jpg    Nga ana emocionale: Fëmijët janë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmohen përmes trajtimeve psiko-sociale për kalimin e traumave të përjetuara në familjet e tyre, përmes nxitjes së vlerësimit të vetvetes dhe mundësive për përmirësim të vazhdueshëm në jetë.

    Ndryshimet që vërehen tek këta fëmijë janë shumë domethënëse. Nga fëmijë me probleme të theksuara emocionale, agresivë ose shumë të ndrojtur, të paaftë për të zotëruar aftësi thelbësore sociale, me sjellje antisociale dhe vetëshkatërruese etj., sot janë fëmijë dhe adoleshentë të shoqërueshëm, me mendime të qarta, që nuk ngurrojnë t’i shprehin hapur. Kanë dëshirat e tyre dhe janë integruar mirë në shoqëri, duke ecur me hapat e kohës si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

https://lh5.googleusercontent.com/-Syh6G77Boq4/VFNVTb4h0QI/AAAAAAAAEZk/cbasGwtf6hc/w448-h336-no/3.JPG    Një tjetër qëllim i “Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës” është edhe përgatitja dhe krijimi i kushteve për rikthimin e këtyre fëmijëve (kur ekziston mundësia) në familjet e tyre biologjike. Në përputhje edhe me ligjet në fuqi të shtetit për këto raste, bëhet një punë shumë e madhe nga ana e stafit për mbështetjen e familjeve të fëmijëve për të mundësuar përmirësimin e kushteve në to dhe krijimin e një mjedisi familjar të sigurt dhe të qëndrueshëm, që do të mundësojë edhe rikthimin e fëmijëve në një të ardhme të afërt.

    “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës” kujdeset për ecurinë e fëmijëve jo vetëm brenda mjediseve të saj. Ky kujdes vazhdon edhe pasi ata largohen nga qendra, duke u interesuar për mirëqenien dhe shkollimin e tyre, siç është rasti i dy fëmijëve të rikthyer në familjen biologjike gjatë vitit të kaluar dhe rasti tjetër, i një vajze e cila është tashmë maturante me rezultate mjaft të mira dhe banon në një nga konviktet e Kishës sonë.

    Në “Shtëpinë Orthodhokse të Shpresës” fëmijët rriten si individë unikë, duke iu respektuar të gjitha të drejtat dhe nevojat e tyre, si materiale dhe shpirtërore, gjithmonë me qëllimin e vetëm, që të jenë një forcë dhe zë i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare.

 

 

 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com