«Të barabartë midis të barabartëve»
    Nën kujdesin atëror të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas dhe me nismën e Grupit të Grave Orthodhokse të qytetit të Tiranës u hap Përkujdesja  Ditore e parë më 10 Tetor 1994. Përkujdesje Ditore u hapën në vazhdim edhe në qytete të tjera. Në fillim programi kishte për qëllim të ofronte një program edukues të shëndetshëm dhe të përshtatshëm, veçanërisht për fëmijët që kishin nënat në punë, familjet me një prind, familjet me të ardhura të pakta dhe për fëmijët jetimë. Përkujdesjet kishin për qëllim të integronin në shoqëri edhe fëmijët që nuk kishin motra ose vëllezër. Përkujdesjet ditore janë të hapura për të gjithë fëmijët pa dallim race apo feje.

    Në përkujdesjet ditore janë të mirëpritur fëmijët e familjeve në nevojë si: familjet me të ardhura të pakta, familjet me prindër të divorcuar, familjet me një prind (jetimët), familjet ku nënat janë me nivel të ulët edukimi, familjet me prindër emigrantë ku fëmijët jetojnë me gjyshërit dhe familjet e nënave në punë.

    Hapja e Përkujdesjes së parë në Tiranë u pasua nga hapja e dy përkujdesjeve të tjera në Durrës dhe Korçë, përkatësisht më 5 Dhjetor 1994 dhe 14 Qershor 1995. Aktualisht funksionojnë 14 Përkudjesje Ditore në qytetet: Tiranë, Durrës, Korçë, Kavajë, Lushnjë, Vlorë, Gjirokastër (2), Sarandë,  Elbasan, Pogradec, Shkodër, Përmet dhe Berat.

    Gjatë këtyre viteve programi ka qenë i suksesshëm dhe ka një përvojë të mirë. Një nga elementët që e provon këtë është edhe kërkesa e madhe për të regjistruar fëmijët në kopshtet tona. Suksesi i programit është evidentuar gjithashtu edhe në rezultatet e larta në klasën e parë të fëmijëve që kanë frekuentuar përkujdesjet tona. Po kështu, mësueset e klasave të para shkojnë në kopshtet tona dhe zgjedhin fëmijët që do të shkojnë në klasën e parë për t’i regjistruar në klasën e tyre.

    Një eveniment shumë i rëndësishëm është festimi i 10-vjetorit të hapjes së Përkujdesjeve Ditore në Tiranë, Durrës, por sidomos në Korçë. Në Korçë ky përvjetor u festua me madhështi ku morën pjesë personalitete të rëndësishme të Kishës, Drejtorisë Arsimore, të përfaqësive Diplomatike të qytetit dhe personalitete të shquara. Po kështu ishin ftuar fëmijë të talentuar që kishin frekuentuar përkujdesjen gjatë këtyre 10 vjetëve. Kjo festë i dha një pamje tjetër programit të përkujdesjeve në qytetin e Korçës, dhe ishte një përvojë mjaft e mirë edhe për të tjerët.

    Programi i Përkujdesjeve Ditore, që prej vitit 2002 është pjesë e Fondacionit "Frymë Dashurie". Shumica e përkujdesjeve janë ngritur pranë ambienteve të kishave orthodhokse. Aktiviteti i tyre mbështetet financiarisht nga:

  • Fondacioni "Frymë Dashurie";

  • Programi i Tryezës së Rrumbullakët të Këshillit Botëror të Kishave, nëpërmjet zyrës Diakonia Agapes;

  • Kontributi i prindërve.

    Gjatë këtyre viteve Përkujdesjet i kanë ofruar shërbim rreth 8100 fëmijëve të moshave 4–6 vjeç, nga të cilët rreth 65% u përkasin familjeve më të ardhura të pakta, 2.5% familjeve me prindër të divorcuar, 2.7% jetimë, 4.5% me prindër emigrantë që jetojnë me gjyshërit dhe rreth 45.5% nënave që punojnë.    

    Përkujdesjet tona janë të licensuara nga Ministria e Arsimit. Ato vizitohen rregullisht nga Drejtoritë Arsimore të rretheve përkatëse, të cilat i kanë vlerësuar si për programin ashtu edhe për ambientin dhe materialet edukuese dhe didaktike që disponojnë. Fëmijët e përkujdesjeve tona kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nga Drejtoritë Arsimore si: konkurse, festivale, shfaqje etj., ku janë nderuar edhe me çmime.

    Reputacioni i Përkujdesjeve Ditore të Kishës Orthodhokse ka bërë që ato të zgjidhen nga Drejtoritë Arsimore si qendra kualifikimi dhe praktike për studentët e Degës së Arsimit Parashkollor në Universitet dhe për stafin mësimdhënës të kopshteve të tjera publike të qytetit. Gjatë viteve të fundit edukatoret janë atestuar nga Drejtoritë Arsimore dhe kanë fituar shkallët e kualifikimit sipas legjislacionit në fuqi.
    
   Në të gjitha përkujdesjet punon një staf i kualifikuar prej afro 60 vetësh, i përbërë nga edukatore, ndihmës-edukatore dhe kuzhiniere. Përveç kësaj, secila përkudjesje ka mjekun pediatër, i cili viziton fëmijët rregullisht dhe kujdeset për shëndetin e tyre. Secili fëmijë ka kartelën e tij shëndetësore që plotësohet nga mjeku i përkujdesjes. Mjekët zhvillojnë me fëmijët biseda rreth higjenës, rëndësisë së ushqimeve, përkujdesjes ndaj vetes etj., ndërsa në bashkëpunim edhe me Zyrën Koordinuese mjekët përgatisin tema shëndetësore në lidhje më sëmundjet e moshës parashkollore, shkaqet, parandalimin dhe mjekimin e tyre. Këto tema të përgatitura prej mjekëve, shtypen dhe shpërndahen nga Zyra Koordinuese në të gjitha kopshtet dhe u jepen të gjithë prindërve. Ato tema janë informacion i rëndësishëm për prindërit në rastet kur fëmija i tyre sëmuret. Po kështu ka patur raste që mjekët e përkujdesjeve kanë zbuluar tek fëmijët probleme shëndetësore të trashëguara që nga lindja dhe që prindërit nuk ishin në dijeni.

    Prandaj edhe kopshtet tona quhen përkujdesje ditore sepse përmbajnë përkujdesje në të gjitha aspektet: mësimdhënie, kujdes shëndetësor, përmirësim ambientesh dhe ushqim cilësor.

    Shumica e kopshteve ndodhen pranë kishave të qyteteve përkatëse. Ambientet e tyre janë bashkëkohore dhe të pajisura me të gjitha kushtet. Kushtet e mira në to janë një arsye më tepër për t’i bërë të kërkuara nga të gjithë.  

    Në fillimet e saj zyra drejtohej nga Motër Filothei, e cila ishte iniciatorja dhe organizatorja e hapjes së përkujdesjeve ditore të para në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Kavajë. Më pas zyra u drejtua nga Motër Galini.Aktualisht zyra drejtohet nga znj. Nafsika Melo, drejtoreshë e të gjitha përkujdesjeve ditore. Znj. Melo ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit si mësuese dhe ka asistuar në hapjen e përkujdesjeve që në fillimet e tyre. Zyra e Përkujdesjeve Ditore përbëhet edhe nga 2 pjesëtare të tjera, znj. Merijada (Urani) Dusha dhe znj. Marjeta Gorreja. Në sajë të përkushtimit në punë të stafit të Zyrës, përkujdesjet ditore janë të suksesshme.

    Zyra e Koordinimit si organizatore e gjithe aktivitetit    

    Gjithë organizimi i punës në të gjitha përkujdesjet bëhet i mundur nga Zyra e Koordinimit të Përkujdesjeve Ditore në Tiranë.
  

    Disa nga aktivitetet e Zyrës Koordinuese janë:

  1. Kualifikimi i  stafit mësimdhenës
  2. Përgatitja e programeve mësimore edukative
  3. Organizimi i punës në të gjitha përkujdesjet
  4. Përgatitja dhe botimi i librave te fëmijëve
  5. Blerja dhe furnizimi me materiale edukuese dhe didaktike
  6. Hartimi i projekteve për financimin e mëtejshëm të programit të përkujdesjeve ditore
  7. Hartimi i progres raporteve për zyrën Dikonia Agapes dhe donatorët e tryezës së Rrumbullakët të Këshillit botëror të Kishave (WCC)
  8. Shkrimi përgatitja dhe shpërndarja e temave të shëndetit për të gjitha kopshtet
  9. Përgatitja maksimale në njohjen e shkronjave dhe matematikës për fëmijët që shkojnë në klasën e parë
  10. Organizimi i shkëmbimit të eksperiencës me kopshtet simotra në Greqi
  11. Organizimin e ekspozitave me punime të fëmijëve

 

    Seminare
    Një nga aktivitetet më të rëndësishme të Zyrës së Koordinimit është kualifikimi i stafit mësimdhënës. Që në vitet e para të veprimtarisë së përkujdesjeve ditore zyra ka organizuar seminare kualifikuese për stafin. Natyra dhe forma e organizimit të seminareve kualifikuese ka evoluar nga viti në vit.

    Seminaret e kualifikimit organizohen duke marrë në konsideratë kërkesat dhe nevojat e stafit mësimdhënës. . Në këto seminare edukatoret njihen me metodat më bashkëkohore të mësimdhënies si dhe me teoritë e ndryshme për mirërritjen e fëmijëve. Seminaret janë mbajtur nga psikologë dhe specialistët më të njohur vendas dhe të huaj për problemet e mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve.. 

    Trajnime
    Një forme e re e kualifikimit të stafit mësimdhënës janë edhe trajnimet. Zyra ka organizuar cdo vit workshope në lidhje me organizimin e punës në kopshte dhe me shkëmbimin e eksperiencës midis tyre. Trajnimet janë organizuar në bazë të dioqezave për arsye të shpërndarjes gjeografike. Që prej vitit 2004 trajnimet janë organizuar në formën e mësimeve të hapura nëpër kopshte me qëllim shkëmbimin e eksperiencës. Pas mësimit të hapur është bërë analiza ku janë diskutuar pikat e forta dhe të dobta të organizimit dhe janë trajtuar edhe probleme të ndryshme që ka patur secili kopësht. Zyra ka patur bashkëpunim shumë të mirë me zyrën Diakonia Agapes, anëtarë të të cilës kanë drejtuar disa trajnime për stafin mësimdhënës.

    Shkëmbim eksperience me kopshte greke

    Që nga viti 2001 ekziston një bashkëpunim midis zyrës sonë dhe disa kopshteve greke. Ky bashkëpunim bëhet i mundur nëpërmjet znj. Papavasiliu. Çdo vit 3 edukatore dhe një anëtar i Zyrës së Koordinimit shkojnë në Greqi ku marrin eksperiencë për një periudhë 2 javore. Kjo eksperiencë u shpërndahet stafit mësimdhënës të të gjitha kopshteve tona nëpër seminare dhe workshope. Kryesisht shkëmbimi i eksperiencës ne Greqi bëhet me kopshtet “Αρσακειο”, “Ελλινικη Παιδεια”, kopshtin e Mitropolisë së Pireut dhe kopshtin “Η ζωη του παιδιου”.

    Përgatitje programesh mësimore edukative

    Që në fillimet e saj zyra ka përgatitur programet me të cilat do të funksiononin kopshtet. U përkthyen dhe u përshtatën programe nga Greqia dhe Amerika duke u bazuar në programin tradicional shtetëror të edukimit parashkollor. Çdo vit është punuar për gjetjen e metodave të reja të mësimdhënies.  

    Zyra ka përgatitur dhe publikuar librat mësimorë të fëmijëve. Në fillim programi ishte konceptuar vetëm për moshat parashkollore. Duke parë që numri i kërkesave për frekuentimin e kopshteve të Kishës rritej, u pa e domosdoshme që të mos fokusoheshim vetëm në moshën parashkollore, por programi të shtrihej edhe për grupin e dytë. Kështu, në disa workshope që u bënë për vlerësimin e programit u bë një analizë dhe një ndarje e tij sipas grupmoshave. Aktualisht fëmijët kanë në dorë nga 6 libra personale:

 

  “LIBRI IM ” (për 4-5 vjeç dhe 5-6 vjeç)   “ FLETORE DIDAKTIKE (për 4-5 vjeç dhe 5-6 vjeç)


  “MATEMATIKA” (për 4-5 vjeç dhe 5-6 vjeç)  “FLETORE PUNE MATEMATIKE ”(për 4-5 vjeç dhe 5-6 vjeç)


 

  Pas seminarit në dhjetor 2006 zyra po bën përshtatjen e programeve sipas standarteve shtetërore. 

   Kopshtet tona janë vlerësuar si kopshtet që kanë materiale didaktike nga më të bollshmet, duke filluar që nga librat e deri te mjetet konkretizuese didaktike.

 

“FLETE PUNE ME KAFSHE, BIME DHE PROFESIONE”

                     

    Një punë e mirë është bërë për përgatitjen e fëmijëve për në klasën e parë. Janë blerë libra për mësimin e shkronjave për secilin fëmijë. Edhe në matematikë po punohet me metodat më bashkëkkohore për njohjen, kuptimin e numrave dhe shkrimin e tyre.

    Ka tashmë tre vjet që Zyra e Koordinimit të përkujdesjeve ditore ka publikuar kalendarin e kopshteve. Në këtë kalendar pasqyrohen të dhëna për kopshtet, për fëmijët dhe punën që bëhet në to. Kalendari i jepet çdo fëmije në secilin kopësht, pasi çdo fëmijë gjen veten e tij në të.

 
******
Dioqeza e Tiranës
**********
          
   
Përkujdesja ditore - Tiranë

    Pranë kishës orthodhokse "Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari" në rrugën e Kavajës ndodhet Përkujdesja ditore e fëmijëve ose Kopshti i Kishës siç quhet ndryshe. Kjo përkujdesje funksionon që nga tetori i vitit 1994 dhe mirëpret fëmijë të moshës 4-6 vjeç, pa dallim race e besimi. Kopshti ka tre klasa mësimi dhe një oborr të këndshëm me pemë dhe lodra ku fëmijët kalojnë një pjesë të orës së lirë.

                                                      
                                                              
                                                                  
                                                                                             
    Përkujdesja ditore - Durrës
    Përkujdesja ditore në Durrës ndodhet në lagjen nr. 1, në një ndërtesë të re bashkëkohore pranë kishës së Shën Gjergjit. Kjo përkujdesje zhvillon veprimtarinë e saj, që nga dhjetori i vitit 1994. Përkujdesja ka tre grupe fëmijësh.
                                                             
 

                                                  
    Përkujdesja ditore - Kavajë
    Kjo përkujdesje është hapur në mars të vitit 1997 dhe ndodhet pranë kishës së Shën Nikollës. Është një ndërtesë bashkëkohore, me kushte optimale dhe ambiente shumë të përshtatshme për edukimin e fëmijëve. Përkujdesja përbëhet nga tre grupe. Është një nga kopshtet model jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe në vend.
                                                      


 
    Përkujdesja ditore - Shkodër
    Përkujdesja ditore në Shkodër ndodhet në lagjen "Rus i Madh", rruga "Kozej", nr.3. Eshtë një shtëpi përdhese ku zhvillon veprimtarinë e saj kjo përkujdesje që nga nëntori i vitit 2001. Përkujdesja ka dy grupe fëmijësh.
 
    Përkujdesja ditore - Elbasan
    Përkujdesja ditore e Elbasanit ndodhet pranë kishës orthodhokse "Shën Nikolla" të qytetit. Ka filluar funksionimin në dhjetor 1999. Ndërtesa është ndërtuar me të gjitha parametrat bashkëkohorë për kopësht dhe ka ambiente të përshtatshme dhe kushte optimale. Përbëhet nga tre grupe fëmijësh.  
                                   
 
 
 ******
Dioqeza e Beratit
  ********** 
 
                                                                     
    Përkujdesja ditore - Lushnjë
    Përkujdesja ditore e Lushnjës ndodhet pranë kishës orthodhokse "Shën Gjergji", në qendër të qytetit. Ka filluar funksionimin më 15 shkurt 1998. Ndërtesa është ndërtuar më të gjitha parametrat bashkëkohorë për kopësht dhe ka ambiente të përshtatshme dhe kushte optimale. Përbëhet nga tre grupe fëmijësh.
                                                         
       
                                                                                  
     Përkujdesja ditore - Vlorë
    Përkujdesja ditore në Vlorë është hapur në nëntor të vitit 2000. Ndodhet në rrugën "Lef Sallata", nr.46, pranë kishës orthodhokse të Shën Theodhorëve. Ka tre grupe fëmijësh.

                                                               
    Përkujdesja ditore - Berat

    Përkujdesja ditore në Berat u hap në mars të vitit 2006. Ndodhet pranë kishës katedrale orthodhokse të Shën Dhimitrit në qendër të qytetit. Ndërtesa është bashkëkohore, me kushte optimale dhe ambiente shumë të përshtatshme për edukimin e fëmijëve, me klasa dhe oborr të bollshëm për të luajtur.        
                                                             
 
 
******
Dioqeza e Gjirokastrës
**********
 
    Përkujdesja ditore - Gjirokastër                                                                       
    Në Gjirokastër ka dy ndërtesa të përkujdesjes ditore, ndaj mund të quhen edhe dy kopshte. Në të dy kopshtet ambienti është shumë i përshtatshëm, me të gjitha kushtet që nevojiten. Kopshti i Gjirokastrës funksionon që prej vitit 1997.
    Njëra nga ndërtesat i vjen në ndihmë lagjeve periferike që nuk kanë mundësi t’i çojnë fëmijët e tyre tek ndërtesa tjetër, e cila është më në qendër të qytetit. Ky kopësht ndodhet pranë ndërtesës së Mitropolisë së Vjetër, në lagjen "Pazar i Vjetër". Kopshti tjetër ndodhet pranë ndërtesës së Mitropolisë së Re dhe Shkollës së Mesme Kishtare "Kryqi i Nderuar", në lagjen "11 Janari".

   Përkujdesja ditore - Sarandë
    Përkujdesja ditore e Sarandës është me të vërtetë një ndërtesë e këndshme, ashtu siç është dhe qyteti i bukur i Sarandës. Ndodhet përballë kishës orthodhokse të Shën Harallambit dhe funksionon që prej vitit 1999. Përbëhet nga dy grupe fëmijësh. Ambientet e kësaj përkujdesjeje janë me të vërtetë të bukura dhe të përshtatshme. Puna e palodhur e stafit bën që kjo përkujdejse t’i plotësojë optimalisht të gjitha aspektet e përkujdesjes.
                                                                                                                                                               
    Përkujdesja ditore - Përmet
   Përkujdesja ditore e Përmetit ndodhet pranë kishës orthodhokse "Shën Maria e Pazarit", në qendër të qytetit. Ka filluar funksionimin në vitin 2001. Përbëhet nga dy grupe fëmijësh.
                                                               

 
 
******
Dioqeza e Korçës
**********
                        
  
    Përkujdesja ditore - Korçë
    Përkujdesja ditore e Korçës është hapur e treta pas Tiranës dhe Durrësit, në 14 qershor 1995. Përkujdesja ditore e Korçës ndodhet në rrugën "Alqi Kondi", pranë ndërtesës së Mitropolisë së Hirshme. Kopshti përbëhet nga tre grupe fëmijësh. Ambientet janë të përshtatshme dhe me të gjtha kushtet për një përkujdesje të shëndoshë.
                                                                        
                                                                                                 
     Përkujdesja ditore - Pogradec      
     Është një nga institucionet parashkollore më të mira në qytetin e Pogradecit për vetë kushtet, përkushtimin e stafit dhe programin shumë të mirë që ofron. Ka filluar funksionimin në vitin 1999. Ndodhet pranë kishës së vjetër "Fjetja e Hyjlindëses Mari". Ka vetëm dy grupe fëmijësh.
Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com