Roli i çmuar i Rinisë Orthodhokse si e tashmja dhe e ardhmja e Kishës dhe e përparimit shpirtëror të saj, u theksua nga Kryepiskopi Anastas që në fillimet e ringritjes së Kishës.

    Ai shprehu qëllimin kryesor të rinisë, i cili është bashkimi dhe pjesëmarrja në Trupin e Krishtit nëpërmjet katër aspekteve: Rritjes në Krishtin, Miqësisë, Dëshmisë dhe Shërbimit. Dhe në vazhdim e ka mbështetur rininë vazhdimisht financiarisht.

    Në vitin 1993 u krijua grupi i rinisë së Tiranës dhe në vitin 1994 ky grup krijoi qendrën e tij të parë rinore, e cila nisi të organizonte aktivitete të ndryshme. Ndërkohë që edhe në qytete të tjera të mëdha grupet katekitike filluan të organizoheshin në grupe rinore në bashkëpunim me bashkëpunëtorët misionarë dhe klerikët vendës. Në vazhdim krijimi i kuadrove nga Seminari Teologjik-Hieratik e më vonë Akademia Teologjike krijoi kushte më të mira për zhvillimin dhe organizimin e mëtejshëm të veprës katekitike dhe të të rinjve që merrnin pjesë në të.

    Kështu në vitin 1999 u krijua Zyra Qendrore Rinore, si dhe zyrat rinore në çdo dioqezë, qëllimi i të cilave ishte organizimi dhe koordinimi i aktiviteteve në rang republike dhe dioqeze. Zyra e Rinisë bashkëpunon ngushtë me klerikët, me Zyrat e Katekizmit, të Fëmijëve, Qendrën Studentore, Zyrën e Grave dhe Akademinë Teologjike, duke mbështetur secilin në veprën përkatëse dhe duke krijuar programe të përbashkëta. Në të gjithë vendin janë ngritur dhe funksionojnë shumë grupe rinore, të cilat kryejnë aktivitete të ndryshme shpirtërore dhe kulturore.

 

 Takime shpirtërore dhe katekizëm me të rinjtë

 

    Afrimi i sa më shumë të rinjve për të njohur nga afër dhe përjetuar besimin e krishterë orthodhoks si edhe jetën e krishterë në komunitet, udhëzimet shpirtërore gjatë përjetimit të tyre personal dhe komunitar të jetës së krishterë, janë ndër objektivat kryesorë të grupeve rinore.

    Këto objektiva realizohen kryesisht nëpërmjet takimeve të kryera zakonisht të dielave pas Liturgjisë Hyjnore ose edhe në ditë të tjera të javës, në bashkëpunim me katekistë dhe klerikë. Ato konsistojnë në fjalime, biseda dhe mësime, ku të rinjtë marrin përgjigje për çështje dhe tema shpirtërore dhe sociale që janë të interesuar, si dhe për probleme që i preokupojnë. Përveç këtyre takimeve ata kryejnë edhe shërbesa lutësore.

 

 Kontribut në koret kishtare

 

Në çdo famulli, të rinjtë orthodhoksë kanë dhënë një ndihmesë të veçantë në psaltir. Disa prej tyre kanë ndjekur kurset e mësimit të muzikës bizantine, ndërkohë që në qytetet kryesore të dioqezave janë formuar edhe koret e të rinjve. Qëllimi i tyre ka qenë pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore çdo të diel si edhe aktivizimi në festivalet e dioqezave.

Në Tiranë, përveç këtyre aktiviteteve, është ngritur edhe kori i Radios “Ngjallja”, përbërë nga të rinjtë orthodhoksë të kryeqytetit, i cili përveç ndihmesës muzikore në këtë radio, jep edhe koncerte në institucione të ndryshme si jetimore, azile e festa të ndryshme kombëtare e kishtare, ku përcillet mesazhi i dashurisë e i shpresës. Ky kor në bashkëpunim me orkestrën e të rinjve të Radios Ngjallja ka nxjerrë në qarkullim kaseta dhe CD me interpretimet e tyre.

 

Takime dhe konferenca

 

Takimet, ose siç janë konsideruar ndryshe Konferencat Rinore, kanë tërhequr interesin e rinisë që në fillim. Qëllimi i këtyre konferencave është t’i ndihmojnë të rinjtë të njohin më nga afër jetën e krishterë dhe t’i ndërgjegjësojnë ata për të ndihmuar njerëzit në nevojë, me një dëshmi të gjallë nga jeta e tyre. Takime të tilla organizohen disa herë në vit.

Programi i çdo takimi përqendrohet mbi një temë të caktuar, rreth së cilës zhvillohen edhe bisedat në grupe më të vogla. Pjesë e programit të këtyre takimeve janë dhe aktivitetet argëtuese, të cilat i ndihmojnë të rinjtë të njihen më mirë me njëri-tjetrin e të krijojnë shoqëri të reja. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë që të fitojnë një eksperiencë të mrekullueshme dhe ta ndajnë atë me të tjerët.

 

 Kampet verore

 

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit si dhe një nga aktivitetet më të pëlqyera nga të rinjtë janë kampet verore për vajza e djem. Kampi i parë i vajzave u organizua në Skrofotinë të Vlorës, në vitin 1995, ndërsa kampi i parë për djem u organizua, po në këtë vit, në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas të Fierit. Edhe pse Kryepiskopi kishte pak fonde për organizimin e kampit, ai ishte në gjendje të ofronte lehtësi për kampet, duke rikonstruktuar dy manastire. Kur punimet në manastire kishin përfunduar, kampet u transferuan në vendet e tyre të reja, ku vazhdojnë të kryhen edhe deri sot. Kampi i djemve u vendos në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në ishullin e Zvërnecit, në Vlorë, dhe kampi i vajzave në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, në Elbasan.

Qëllimi kryesor i këtyre kampeve është: Organizimi i aktiviteteve edukuese, shpirtërore dhe argëtuese, ofrimi i shpresës dhe inkurajimi i të rinjve për të krijuar marrëdhënien e tyre personale me Zotin. Në vazhdim, paralelisht me to filluan të zhvillohen edhe kampe të tjera lokale si në Manastirin e Shenjtë të Shën Gjergjit në Çukë të Sarandës, në Glikomil të Gjirokastrës, në Manastirin e Shenjtë të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë të Korçës etj. Kështu çdo vit organizohen rreth 10 kampe për djem dhe vajza, në të cilat marrin pjesë afërsisht 1500 persona. Gjatë stinës së dimrit, Kisha jonë organizon gjithashtu edhe dy kampe për djem dhe vajza.

 

 Festivale 

 

Në këtë eveniment sa artistik, aq edhe përfaqësues, paraqiten grupet rinore të të gjitha dioqezave me krijime dhe interpretime muzikore fetare, popullore tradicionale apo dhe të tjera. Festivali i parë i rinisë orthodhokse u zhvillua në vitin 1998, me pjesëmarrjen e 13 grupeve rinore nga e gjithë Shqipëria.

Sot organizohen edhe festivale lokale nëpër dioqeza. Tri grupet më të mira marrin pjesë në Festivalin Kombëtar, që organizohet në periudhën e Krishtlindjes. Festivalet, përveç krijueshmërisë dhe kultivimit artistik që sjellin tek të rinjtë, ndihmojnë në zgjerimin e miqësisë midis grupeve, duke u dhënë mundësinë për t’u mbledhur së bashku. Gjithashtu, nëpërmjet këtyre festivaleve, të rinjve u jepet mundësia të zbulojnë e të gjallërojnë traditat e hershme të vendit tonë, t’i mësojnë e t’i vlerësojnë ato.

 

Aktivitete ditore

 

Duke parë se numri i grupeve rinore po rritej dhe jo të gjithë të rinjtë kishin mundësi të merrnin pjesë në aktivitetet në rang republike për shkak të numrit të kufizuar, u organizuan aktivitetet ditore.

Këto aktivitete rinore janë organizuar veçanërisht për zonat rurale, meqenëse këto zona nuk kanë edhe shumë mundësi edukimi ose argëtimi. Këto aktivitete përfshijnë lutje, aktivitete shpirtërore dhe sociale në grupe të vogla. Gjatë një viti organizohen disa takime të tilla.

 

Ndihmë në kampet për fëmijë

 

Të rinjtë e qendrave të ndryshme rinore, me iniciativën e tyre, kanë ndihmuar dhe ndihmojnë vullnetarisht në organizimin e aktiviteteve dhe kampeve ditore për fëmijë në dioqeza të ndryshme.

Gjithashtu, që prej vitit 2002, ata kanë vazhduar bashkëpunimin me Zyrën Qendrore të Fëmijëve për të ndihmuar në kampet që organizon Kisha jonë në Kosovë.

 

Aktivitete me të rinj me aftësi të kufizuara

 

Një nga objektivat e Lidhjes Rinore Orthodhokse është t’u qëndrojë pranë njerëzve që janë në nevojë.

Për këtë arsye, Zyra Rinore në bashkëpunim me fondacionin “David Leka”, ka organizuar prej vitesh aktivitete të ndryshme për të rinjtë me aftësi të kufizuara.

Ndër të tjera, një aktivitet mjaft i rëndësishëm është organizimi i konferencave për këta persona, ku marrin pjesë rreth 50 të rinj. Gjatë ditëve të kësaj konference organizohen biseda në grupe, aktivitete argëtuese dhe sportive. Një natë e veçantë është nata e talenteve ku të rinjtë shpalosin aftësitë e tyre krijuese.

 

Punime kishtare

 

Grupet rinore, duke parë nevojën e madhe të punimeve kishtare, si edhe duke marrë eksperiencën nga kampet verore, kanë vazhduar aktivitetin e punimeve kishtare në qendrat e tyre.

Qëllimi i këtyre punimeve është që të rinjtë të shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë në një mënyrë sa më të dobishme si edhe të bashkëpunojnë për mbarëvajtjen e qendrës së tyre rinore, duke qenë se këto punime shiten tek besimtarët me një çmim simbolik.

Ata bëjnë punime të ndryshme si: komboskinë, ikona dhe zbukurim ikonash, qirinj për Pashkë e Krishtlindje, kryqe etj. Me të ardhurat nga këto punime, grupet rinore mbulojnë disa shpenzime nga aktivitetet e tyre. Puna e këtyre të rinjve ka ngjallur interes jo vetëm tek besimtarët, por edhe tek njerëz të tjerë jashtë Kishës.

 

Aktivitete për pastrimin e mjedisit

 

Qëllimi i këtij aktiviteti është të ndërgjegjësojë të rinjtë për problemet dhe pastërtinë lidhur me mjedisin në ditët e sotme.

Ky aktivitet për herë të parë u organizua në një nga parqet më tërheqëse të Shqipërisë, në Llogara, duke pastruar pjesë të këtij parku. Përgjatë viteve aktivitete të këtij lloji janë organizuar në vende të ndryshme.

 

Vizita tek njerëzit që janë në nevojë 

 

Rinia i ka dhënë prioritet edhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë. Vetë grupet rinore, por edhe në bashkëpunim me grupet e grave orthodhokse dhe klerikë ndërmarrin vizita në institucione të ndryshme sociale si: jetimore, spitale, burgje, azil, tek personat me aftësi të kufizuara etj.

 

Dhurim gjaku
 

Kjo përpjekje është bërë tashmë pjesë e traditës së rinisë orthodhokse, duke iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, duke kujtuar dashurinë dhe sakrificën e Krishtit.

Dhurimi i gjakut është konsideruar si një dëshmi e dukshme e dashurisë dhe një tregues i rëndësishëm i bamirësisë.

 

  Spartakiadat/Olimpiadat

 

Një tjetër aktivitet, i cili ka afruar shumë të rinj pranë qendrave rinore, ka qenë organizimi i lojërave olimpike dhe spartakiadave.

Këto janë lojëra popullore tradicionale të Shqipërisë të zhvilluara brez pas brezi. Për herë të parë, këto aktivitete u zhvilluan në vitin 2001, ku ndihmë të madhe për organizimin e tyre kanë dhënë njerëz profesionistë të kësaj fushe, dashamirës të Kishës si edhe vetë grupet rinore me kontributin e tyre.

 

Botime

 

Që në vitin 2002, grupi rinor i Tiranës dhe më pas Zyra Qendrore e Rinisë boton revistën rinore “Kambanat”. Kjo revistë është mjaft e pasur me materiale të ndryshme shpirtërore, sociale e kulturore. Janë vetë të rinjtë ata që marrin përsipër përgatitjen e materialeve si dhe botimin e saj.

Zyra Qendrore Rinore në fillim të çdo viti ka botuar kalendarin vjetor rinor, ku shënohen të gjitha aktivitetet kryesore që zhvillohen gjatë një viti në rang republike. Gjithashtu, ajo ka botuar edhe libra lutjesh, këngësh, etj.

 

Aktivitete jashtë vendit

 

Rinia orthodhokse e Shqipërisë është anëtare e Lidhjeve Rinore Orthodhokse Ndërkombëtare: botërore Syndesmos dhe të Ballkanit BOYA. Ajo merr pjesë çdo vit me përfaqësuesit e saj në aktivitetet që organizohen me të rinj orthodhoksë nga vende të ndryshme të botës.

 

Takime e konferenca me të rinjtë e besimeve të tjera të krishtera

 

Kjo konferencë organizohet një herë në vit, duke filluar që nga viti 2006. Qëllimi i kësaj konference është forcimi i harmonisë ndërfetare dhe bashkëpunimi me të rinjtë e komuniteteve të tjera të krishtera.

 

*   *   *

 

E gjithë kjo tërësi aktivitetesh ka dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen shpirtërore të të rinjve, rritjen e nivelit edukativ dhe kulturor, si edhe integrimin e tyre në jetën shoqërore. Gjithashtu, këto veprimtari kanë ndikuar edhe në lehtësimin e problemeve sociale, që ekzistojnë në shoqërinë e sotme shqiptare.

 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com