Lidhja e Grave Orthodhokse “Përhapja e dashurisë” ushtron veprimtari të larmishme shpirtërore e sociale. Grupi ushtron veprimtari në familje të varfra, në burgje dhe azile, te fëmijët jetim e gra të veja, të pastrehë e persona të braktisur, të sëmurë në spitale dhe në shtëpi, të moshuar dhe persona të vetmuar, të paaftë për punë e të depresuar, lypsa etj.

    Këto shërbime drejtohen nga një zyrë e cila shpeshherë kooperon me zyra sociale shtetërore, duke shkëmbyer përvoja në dobi të nevojtarëve. Ndihmat janë të llojeve të ndryshme si ushqime, veshmbathje, ndihmë financiare etj.

    Vlen të përmenden vizitat që bëhen në persona të sëmurë që lëngojnë në shtrat, bisedat që zhvillojmë me të moshuar të vetmuar që kanë ëndje për një fjalë të ngrohtë. Të burgosurit shijojnë lirinë kur marrin mesazhin e shpresës dhe fjalën e shpëtimit. Lypësit fitojnë dinjitet dhe provojnë barazinë kur dikush ndan bukën me ta. Çdo javë njerëz nevojtarë ndihmohen nga zyra e grave që financohet në masën 70% nga Kryepiskopi Anastas.

    Grupi i Grave Orthodhokse u krijua në vitin 1992. Që prej fillimit ka zhvilluar një aktivitet të madh me njerëzit në nevojë, duke shpërndarë pako me ushqime e veshmbathje nga ndihmat e shumta që vinin në fillim nga Greqia e Qipro e në vijim nga vende të tjera europiane dhe SHBA.

Veprimtaritë shpirtërore dhe sociale

    Gratë aktiviste të Kishës së Tiranës kryejnë me gjallëri dhe entuziazëm veprimtaritë e tyre shpirtërore dhe sociale. Ato  mblidhen çdo javë në takimet e tyre tradicionale të mërkurën pasdite nën drejtimin e theologëve dhe etërve shpirtërorë, duke biseduar me ta në një cikël të gjerë rreth besimit. Për të nxitur përpjekjen e tyre në falje e në lutje, shpesh ato bëhen inisiatore të agripnive, shërbesave të veçanta për besimtarë në nevojë, kryejnë pelegrinazhe dhe vizita në kishat dhe manastiret e ndryshme të vendit etj.

    Ndërkohë, aktivitete sociale janë organizuar ne disa drejtime të rëndësishme. Vlen të përmenden pritjet çdo javë që bëjnë punonjëset e zyrës me persona nevojtarë, të cilët vijnë nga familje shumë të varfra: jetimë, invalidë, të braktisur, persona depresivë, persona që lypin rrugëve etj. Çdo muaj, më shumë se 400 nevojtarë ndihmohen me ushqime, veshmbathje, ilaçe dhe mjete monetare.

    Gjithashtu një rëndësi e veçantë i është kushtuar vizitave tek personat e sëmurë në shtëpi dhe tek nënat e moshuara besimtare. Duke parë nga afër problemet e tyre është bërë e mundur të transmetohet ndihma e Kishës për zgjidhjen e vështirësive të tyre shpirtërore dhe ekonomike.

    Një tjetër veprimtari janë vizitat në burgun 325 të Tiranës që kryhen prej vitit 1998. Këto takime zhvillohen dy herë në muaj dhe mbajnë vazhdimisht të gjallë frymën e vullnetarizmit. Vizita kryhen edhe në dy strehat e të moshuarve (burra e gra) te motrat e Nënë Terezës ku janë shpërndarë fruta dhe ëmbëlsira për rreth 100 vetë.

    Janë organizuar gjithashtu edhe veprimtari argëtuese dhe Tryeza Dashurie, me pjesëmarrjen e të moshuarve në mjedise të ndryshme të Kishës, si në Qendrën shpirtërore - arsimore “Thavor”, në Tiranë ashtu edhe në manastirin e shën Vlashit, në Durrës.

Aktivitete të grave orthodhokse gjatë Pashkës

    Në periudhën e Kreshmës së Madhe dhe në pritje të vigjiljes së Pashkës, gratë orthodhokse zhvillojnë shumë aktivitete të larmishme shpirtërore dhe sociale. Ato marrin pjesë në takimet e të mërkurave, në lutjet dhe shërbesat e Kishës, iu përkushtohen mësimit të himneve dhe tropareve të zgjedhura, kushtuar Krishtit të Ngjallur, duke formuar edhe një kor të vogël.

    Ndër shërbimet sociale më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe kanë qenë vizitat te të sëmurët në shtëpi e në spitale. Të moshuarit, të cilët strehohen në azilin e motrave të nënë Terezës, janë përherë pjesë e vizitave dhe e kujdesit treguar nga grupi i grave orthodhokse. Kleriku, i cili shoqëron gratë vullnetare, kungon me Trupin dhe Gjakun e Krishtit të moshuarit. Në këto shërbime sociale, organizuar nga gratë orthodhokse, me rastin e Pashkës, marrin ndihma rreth 100 persona.

    Përmes ndihmës që jep komuniteti i Kishës së Ungjillëzimit, Tiranë, grumbullohet një fond, i cili shërben për drekën e organizuar për 30 të moshuar, në azilin shtetëror., e përgatitur nga gratë aktiviste të Kishës. Veprimtaria nis me vezët e kuqe dhe me lajmin festiv “Krishti u Ngjall!”. Gjithashtu, pako ushqimore shpërndahen edhe për rreth 500 persona dhe familje të varfra, të sëmurë, jetimë, të pastrehë, të paralizuar, të verbër, lypësa etj.

Veprimtari të larmishme në kuadër të Krishtlindjeve

    Krishtlindjet sjellin gëzim më të madh kur secili jep diçka nga vetja e tij. Ky parim mbetet burim frymëzimi për gratë vullnetare, të cilat shërbejnë në veprimtari të ndryshme në ndihmë të njerëzve në nevojë. Muaji dhjetor fillon me një program të pasur shpirtëror që paraprihet me agripninë (një seri shërbesash fetare që kryhen gjatë natës) organizuar në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, Tiranë. Gratë përgatisin bukët e ëmbla dhe grurin si edhe nxitin besimtarët të merrnin pjesë në agripni. Studimi biblik dhe bisedat e përjavshme nën drejtimin e teologëve janë një pjesë tjetër e rëndësishme e programit shpirtëror që ndikon në zgjerimin e njohurive fetare rreth kuptimit të festës së Krishtlindjes. 

    Një tjetër dimension i veprimtarive të grave vullnetare kanë qenë edhe pritjet e veçanta çdo të martë dhe të enjte gjatë gjithë me nevojtarët. Në këtë periudhë, gratë orthodhokse, të shoqëruara edhe nga klerikët, vizitojnë rreth 100 gra të moshuara dhe pleq të vetmuar në dy qendrat e shërbimit misionar të motrave të Nënë Terezës, duke u shpërndarë ëmbëlsira, detergjentë, veshmbathje, të cilat punohen dhe sigurohen vullnetarisht nga vetë gratë besimtare.

    Vizita urimi kryhen edhe në dy burgje të Tiranës, në burgun nr. 325 dhe në burgun nr. 313, ku shpërndahen rreth 700 pako me ëmbëlsirë e veshmbathje për të gjithë personat që vuajnë dënimin e tyre në këto burgje. Gjatë kësaj periudhe, një ndihmë të rëndësishme dha edhe komuniteti i besimtarëve në arkat e ndihmës për të varfrit në dy kishat e Tiranës.

Panair me punime artizanale

    Në kuadrin e festës së Ungjillëzimit, që prej vitit 2006 në ambientin hyrës të kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë zhvillohet një panair tre ditor. Organizimi dhe drejtimi i të gjitha etapave të kësaj veprimtarie kryhet nga Lidhja e Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë” Tiranë, e cila fillimisht përgatit njoftimet ku ftohen besimtarët të japin ndihmesën e tyre përmes blerjes së artikujve.

    Të ardhurat e siguruara nga panairi bëhen dhuratë me rastin e Pashkës për fëmijët e “Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës” në Shën Vlash, pranë Durrësit. Gratë ofrojnë punime dore të ndryshme si: kryqe me grep, triko për bebe, pupa, shall, qëndisje me gjilpërë, etj. dhe disa të tjera përgatitën lloje të ndryshme reçelësh, ëmbëlsira dhe byrekë kreshmorë. Në Panair ekspozohen gjithashtu artikuj fetarë si: kartolina me ikonën e Ungjillëzimit, ikona druri dhe letre, kryqe, komboskinë etj.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com