Libri i Veprave të Apostujve u shkrua nga Shën Lluka në fund të shekullit të parë, si pjesë e dytë e historisë për Teofilin, rreth Krishtit dhe Kishës së Tij. Libri fillon me një tregim të ngjitjes së Zotit dhe zgjedhjes së Matias për të marrë vendin e Judas, si një anëtar i dymbëdhjetë apostujve. Pastaj vazhdon me ngjarjet e ditës së Pentekostisë, kur Shpirti i Shenjtë i premtuar erdhi mbi nxënësit e Krishtit, duke i fuqizuar ata për të predikuar ungjillin e jetës së re në Shpëtimtarin e ngjallur, te populli i Jerusalemit. Kapitujt e parë të librit tregojnë historinë e ditëve të para të Kishës në Jerusalem dhe na japin një pikturë të gjallë të komunitetit të parë të krishterë, i ngritur nëpërmjet veprës së apostujve. Tregohet për njerëzit e pagëzuar dhe pajisur me dhuratën e Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet pendimit dhe besimit në Krishtin, duke vazhduar me ngulm në përkushtimin e tyre ndaj “mësimit të apostujve dhe, në bashkësi, në thyrjen e bukës dhe në lutjet” (Veprat 2:42). 
    Duke vazhduar përshkrimin e martirizimit të dhiakonit Stefan, i pari që dha jetën e tij për Krishtin, Veprat tregojnë kthimin e persekutuesit Saul në apostullin e zellshëm Pavël. Ato tregojnë, gjithashtu ngjarjet me anë të të cilave paganët e parë u sollën në Kishë, nëpërmjet veprimit të drejpërdrejt të Perëndisë. Pastaj vazhdohet me një tregim të aktiviteteve të para misionare të Shën Pavlit dhe Shën Barnabës dhe me të famshmin kapitull të pesëmbëdhjetë, në të cilin përshkruhet Sinodi i Parë i Kishës në Jerusalem, sinodi që caktoi kushtet në të cilat paganët mund të hynë në Kishë, përkundrejt ligjit të Moisiut të cilin të gjithë judenjtë e krishterë po e zbatonin në atë kohë. 
    Gjysma e dytë e librit përshkruan aktivitetet misionare të apostullit Pavël nëpër Siri dhe Qiliqi, në Maqedoni dhe Greqi dhe përsëri nëpër Efes në Jerusalem. Pastaj tregon arrestimin e Shën Pavlit në Jerusalem dhe mbrojtjen e tij para autoriteteve atje. Libri mbaron me përshkrimin e udhëtimit të Shën Pavlit në Romë për t’u gjykuar, duke u mbyllur me njoftimin se ai “ndenji atje plot dy vjet . . . duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Jisu Krishtit me guxim dhe pa ndalim” tek ata që vinin tek ai në shtëpinë ku mbahej i burgosur (Veprat 28:30).  Libri i Veprave të Apostujve formon leximin e Apostullit të liturgjisë së Kishës gjatë kohës prej Pashkës në Pentekosti. Pjesë prej tij lexohen edhe në festa të tjera të Kishës, p.sh. Festën e Shën Stefanit. Gjithashtu, është zakon i Kishës të lexohet libri i Veprave mbi varrin e Krishtit gjatë të Premtes së Madhe dhe mbi varrin e një prifti të fjetur në vigjiljen para varrimit të tij.

Kreu 1

regimin e parë, o Theofil, e bëra për gjithë sa nisi Jisui edhe të bëjë edhe të mësojë, 2deri në atë ditë që u mor lart në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime me anë të Frymës së Shenjtë apostujve që pati zgjedhur; 3tek të cilët edhe e tregoi veten e tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të tij, duke iu shfaqur atyre dyzet ditë, e duke folur për punët e mbretërisë së Perëndisë. 4Edhe duke ndenjur bashkë me ata i porositi të mos largohen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit “që e dëgjuat, u tha, prej meje. 5sepse Joani pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë jo pas shumë ditësh”.

6Ata pra, kur u mblodhën bashkë me të, e pyesnin duke thënë: Zot, vallë, në këtë kohë do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit? 7Edhe ai u tha atyre: Nuk është për ju të njihni  kohët a motet, që Ati i ka vënë në pushtetin e vet. 8Por do të merrni fuqi, kur të vijë Fryma e Shenjtë mbi ju; edhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut.

9Edhe si tha këto, ndërsa ata po shihnin u ngrit lart, dhe një re e mori nga sytë e tyre. 10Edhe ndërsa ata ishin duke vështruar në qiell, kur po shkonte ai, ja dy burra me rrobë të bardhë tek qëndruan pranë tyre, 11të cilët edhe u thanë: O burra Galileas, pse rrini e vështroni në qiell? Ky, Jisui që u mor prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, siç e patë atë duke shkuar në qiell.

12Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullishtes, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune. 13Edhe kur hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku po rrinin edhe Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Vartholomeu dhe Matheu, Jakovi i biri i Alfeut dhe Simon Zeloti, edhe Juda, i vëllai i Jakovit. 14Këta të gjithë vazhdonin me ngulm me një mendje në falje e në lutje, bashkë me gratë, edhe me Marinë, të ëmën e Jisuit, edhe bashkë me të vëllezërit e tij.

15Edhe në këto ditë si u ngrit Pjetri në mes të nxënësve, - edhe turma e të mbledhurve atje ishin rreth njëqind e njëzet veta, - edhe tha:

16O burra vëllezër, duhej të përmbushej ky shkrim, të cilin e paratha Fryma e Shenjtë me anë të Davidit për Judën që u bë udhërrëfyes i atyre që zunë Jisuin, 17sepse qe i numëruar bashkë me ne dhe pati marrë pjesën e kësaj shërbese.

18Ky pra fitoi një arë nga paga e paudhësisë, edhe duke rënë përmbys plasi në mes, edhe iu derdhën gjithë të brendshmet. 19Edhe kjo u bë e ditur tek të gjithë ata që rrinin në Jerusalem, kaq sa ajo arë u quajt në gjuhën e tyre Akeldama, që do me thënë arë gjaku.

20Sepse është shkruar në librin e Psalmeve: “U shkretoftë shtëpia e atij dhe mos ndenjtë njeri në të”; edhe: “Tjetër e marrtë shërbesën e tij”. 21Pra nga burrat që na shoqëruan ne gjithë kohën, në të cilën Zoti Jisu hyri e doli tek ne, 22duke nisur që nga pagëzimi i Joanit e deri në atë ditë në të cilën u mor lart prej nesh, një nga këta duhet të bëhet dëshmitar bashkë me ne për ngjalljen e tij.

23Edhe paraqitën dy veta, Josifin që quhej Barsaba, i cili u mbiquajt Just, edhe Matinë. 24Edhe ata duke u lutur thanë: Ti, o Zot, zemërnjohës i të gjithëve, trego një nga këta të dy, atë që  ke zgjedhur, 25 që të marrë pjesën e kësaj shërbese e apostolie, prej së cilës u largua Juda, që të shkojë në vendin e tij. 26Edhe u dhanë atyre shorte; edhe shorti i ra Matisë, edhe u numërua bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.

Kreu 2

dhe kur erdhi dita e Pendikostisë, ishin të gjithë me një zemër, në të njëjtin vend. 2Edhe papritur u bë një oshëtimë nga qielli si e një ere që fryn me fuqi, edhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur. 3Edhe u dukën mbi ta gjuhëra posi prej zjarri që ndaheshin, edhe ndenjën mbi gjithsecilin prej tyre. 4Edhe u mbushën të gjithë me Frymë të Shenjtë, e zunë të flisnin me gjuhë të tjera, sikundër Fryma u jepte të flisnin.

5Edhe po rrinin në Jerusalem Judenj, burra me frikë Perëndie prej çdo kombi nën qiell. 6Edhe kur u bë ky zë, u mblodh turma dhe u turbullua; sepse gjithësecili i dëgjonte ata duke folur në gjuhën e tij. 7Edhe të gjithë habiteshin e çuditeshin, duke i thënë njëri-tjetrit: Ja, a nuk janë Galileas të gjithë këta që flasin? 8Edhe si gjithësecili nga ne dëgjojmë në gjuhën tonë, në të cilën kemi lindur? 9Partë e medë e elamitë, edhe ata që rrinë në Mesopotami e në Jude e në Kapadoki, në Pont e në Azi, 10në Frigji e në Pamfili, në Egjipt e në anët e Libisë pranë Kirenës, edhe të ardhurit nga Roma, judenj e prozelitë, 11kretas e arabë, i dëgjojmë ata duke folur në gjuhët tona madhëritë e Perëndisë. 12Edhe të gjithë mahniteshin dhe vrisnin mendjen duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, ç’të jetë kjo? 13Edhe të tjerë duke i përqeshur thoshin se janë mbushur me verë të ëmbël.

14Po Pjetri qëndroi bashkë me të njëmbëdhjetët, edhe ngriti zërin e tij edhe u ligjëroi atyre:

O burra Judenj dhe gjithë sa rrini në Jerusalem, le të jetë e ditur kjo ndër ju, e vëruni veshin fjalëve të mia. 15Sepse këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju; sepse tani është ora e tretë e ditës. 16Po kjo është ajo që është thënë me anë të profetit Joel: 17“Edhe në ditën e fundit, thotë Perëndia, do të derdh nga Fryma ime mbi çdo mish; edhe do të profetizojnë bijtë tuaj dhe bijat tuaja, edhe djemtë tuaj do të shohin vegime, edhe pleqtë tuaj do të ëndërrojnë ëndrra. 18Edhe mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia në ato ditë do të derdh nga Fryma ime; edhe do të profetizojnë. 19Edhe do të bëj çudira lart në qiell dhe shenja poshtë mbi dhe, gjak e zjarr e avull tymi. 20Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë e madhja dhe e shquara ditë e Zotit. 21Edhe kushdo që të thërresë në emrin e Zotit, do të shpëtojë”.

22O burra izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë: Jisu Nazaretasin, një njeri të dëshmuar tek ju nga Perëndia me fuqira e me çudira e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të tij në mes tuaj, siç e dini dhe vetë, 23këtë që ju qe dhënë sipas qëllimit të caktuar dhe sipas paranjohjes së Perëndisë, ju e zutë dhe me duar paudhësie e gozhduat dhe e vratë. 24Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhimbjet e  forta të vdekjes, se nuk mund të mbahej ai prej saj. 25Sepse Davidi thotë për të: “Shihja Zotin përpara meje gjithnjë, sepse është nga e djathta ime, që të mos tundem. 26Prandaj u gëzua zemra ime, dhe gjuha ime u ngazëllua; por edhe mishi im do të prehet me shpresë. 27Sepse nuk do të braktisësh shpirtin tim në had, as do të lesh shenjtin tënd të shohë prishje. 28Më tregove udhë jete; do të më mbushësh me gëzim me fytyrën tënde”.

29O burra vëllezër, mund t’ju them me guxim për kryeatin  David, se ai edhe vdiq edhe u varros, dhe varri i tij është tek ne deri në këtë ditë. 30Po duke qenë profet, dhe duke ditur se Perëndia me betim i premtoi se nga fryti i mesit të tij, do të ngjallë Krishtin, sipas mishit,  që ta ulë në fronin e tij, 31 e pa që më përpara dhe foli për ngjalljen e Krishtit, se shpirti i tij nuk u la në had, as mishi i tij nuk pa prishje. 32Perëndia e ngjalli këtë Jisu, për të cilin ne të gjithë jemi dëshmitarë. 33Si u ngrit pra lart me të djathtën e Perëndisë dhe mori nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi këtë që ju tani shihni e dëgjoni. 34Sepse Davidi nuk u ngjit në qiejt; po ai thotë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time, 35deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”.

36Le ta dijë pra fort mirë gjithë shtëpia e Izraelit se këtë Jisuin, të cilin ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot dhe Krisht.

37Edhe si dëgjuan këto, u mallëngjyen në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: C’të bëjmë, o burra e vëllezër?

38Atëherë Pjetri u tha atyre: Pendohuni, edhegjithësecili prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; edhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. 39Sepse premtimi është mbi ju dhe mbi bijtë tuaj dhe mbi të gjithë ata që janë larg, sa ka për të thirrur Zoti Perëndia ynë. 40Edhe me shumë fjalë të tjera dëshmonte dhe i nxiste ata, duke thënë: Shpëtoni nga ky brez i shtrembër.

41Ata pra që pritën me gëzim fjalën e tij u pagëzuan; edhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt.

42Edhe ata qëndronin me përkushtim në mësimin e apostujve dhe në shoqëri dhe në thyerjen e bukës e në lutje. 43Edhe çdo shpirti i hyri frikë; edhe shumë çudira e shenja bëheshin me anë të apostujve. 44Edhe të gjithë ata që besonin ishin bashkë, edhe të gjitha i kishin të përbashkëta. 45Edhe shisnin pronat e pasuritë, e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. 46Edhe përditë të përkushtuar dhe me një zemër në tempull, thyenin bukë shtëpi më shtëpi dhe hanin me gëzim e me kthjelltësi zemre, 47duke himnuar  Perëndinë e duke pasur hir përpara gjithë popullit. Dhe Zoti shtonte përditë në kishë ata që shpëtonin.

Kreu 3

dhe Pjetri e Joani po ngjiteshin bashkë në tempull për lutjen e orës së nëntë. 2Edhe po e sillnin një njeri, që ishte i çalë që nga barku i së ëmës. Këtë e vinin përditë në derën e tempullit që quhej dera e Bukur, që të lypte lëmoshë nga ata që hynin në tempull. 3Ky, kur pa Pjetrin dhe Joanin se do të hynin në tempull, lypte të marrë lëmoshë nga ata. 4Po Pjetri bashkë me Joanin hodhi sytë mbi të e tha: Shiko te ne. 5Edhe ai i shikonte ata me vëmendje, duke shpresuar të marrë gjësendi nga ata. 6Atëherë Pjetri tha: Argjend dhe ar nuk kam; po atë që kam, këtë ta jap. Në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, ngrihu dhe ecë. 7Edhe si e kapi atë prej dorës së djathtë e ngriti; edhe përnjëherë iu forcuan tabanet e nyjet e këmbëve; 8Edhe duke kërcyer përpjetë qëndroi më këmbë dhe ecte; edhe hyri bashkë me ata në tempull, duke ecur e duke kërcyer e duke lavdëruarPerëndinë. 9Edhe gjithë populli e pa atë duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. 10Edhe e njihnin atë, se ky ishte ai që rrinte në derën e Bukur të tempullit për lëmoshë; edhe u mbushën me çudi e me habi për këtë punë që i ngjau atij.

11Edhe ndërsa i çali që u shërua mbahej pas Pjetrit dhe Joanit, gjithë populli, i habitur shumë, rendi bashkë drejt tyre në portikun që quhet i Solomonit,.

12Edhe Pjetri kur pa, iu përgjigj popullit:

O burra Izraelitë, pse çuditeni për këtë? Dhe pse na vështroni ngultas, sikur ne me fuqinë ose me besëtarinë tonë e kemi bërë këtë njeri të ecë? 13Perëndia i Abrahamit dhe i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë, lavdëroi Birin e tij Jisu, të cilin ju e dorëzuat, edhe e mohuat përpara Pilatit, ndonëse ai e pa të udhës  ta lëshonte. 14Po ju e mohuat Shenjtin dhe të Drejtin, edhe kërkuat t’ju jepet juve një burrë vrasës. 15Edhe vratë kreun e jetës, që Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, të cilit ne i jemi dëshmitarë. 16Edhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë që shihni dhe e njihni, emri i tij e forcoi, edhe besimi që është me anë të tij i dha këtij shëndet të plotë përpara gjithë jush.

17Edhe tani, o vëllezër, e di se e bëtë nga padija, sikurse edhe të parët tuaj. 18Po Perëndia sa paralajmëroi me anë të gojës së gjithë profetëve të tij, se Krishti kishte për të pësuar, i përmbushi kështu.

19Pendohuni pra dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, 20 që të vijnë kohë prehjeje prej faqes së Zotit, edhe të dërgojë Jisu Krishtin, që ju është predikuar juve që përpara; 21të cilin duhet ta mbajë  qielli deri në në kohët e rivendosjes së gjithë atyre gjërave që foli Perëndia që në fillim të jetës me anë të gojës së gjithë shenjtorëve të tij profetë.

22Sepse Moisiu u tha etërve “Se Zoti Perëndia do të ngrejë ndër ju nga vëllezërit tuaj një profet si unë; atë dëgjoni për të gjitha ato që t’ju flasë juve. 23Edhe çdo shpirt që nuk do të dëgjojë atë profet, do të shuhet nga populli”. - 24Edhe gjithë profetët sa folën që nga Samueli e këtej lajmëruan edhe për këto ditë. 25Ju jeni bijtë e profetëve dhe të dhiatës që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: “Edhe në farën tënde do të bekohen gjithë fiset e dheut.” 26Te ju më parë Perëndia, pasi e ngjalli Birin e tij Jisu, e dërgoi që t’ju bekojë ju, duke e kthyer gjithësecilin prej jush nga ligësitë tuaja.

Kreu 4

dhe ndërsa ata ishin duke i folur popullit, ia behën mbi ata priftërinjtë dhe kryeroja i tempullit e Saduqenjtë, 2shumë të shqetësuar, sepse mësonin popullin dhe shpallnin ngjalljen prej së vdekurish me anë të Jisuit, 3edhe vunë duart mbi ata, edhe i vunë nën ruajtje deri të nesërmen; sepse tashmë ishte ndaj të ngrysur. 4Edhe shumë nga ata që dëgjuan fjalën besuan; edhe u bë numri i njerëzve rreth pesë mijë.

5Edhe të nesërmen u mblodhën në Jerusalem të parët e tyre dhe pleqtë e shkruesit, 6edhe Ana kryeprifti e Kaiafa e Joani e Aleksandri, edhe gjithë sa ishin prej fare kryepriftërore. 7Edhe si i vunë ata në mes, i pyesnin: Me çfarë fuqie e në emër të kujt e bëtë ju këtë? 8Atëherë Pjetri u mbush me Frymë të Shenjtë, e u tha atyre: O të parë të popullit dhe pleq të Izraelit, 9në qoftë se ne pyetemi sot për një vepër të mirë që u bë mbi një njeri të sëmurë, me çfarë u shërua ky, 10 le të jetë e ditur për gjithë ju dhe për gjithë popullin e Izraelit, se në emrin e Jisu Krisht Nazaretasit, të cilin ju e kryqëzuat, po të cilin Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, me anë të këtij qëndron ky tani përpara jush i shëndoshë. 11Ky është guri që s’u përfill prej jush që ndërtoni, i cili u bë Kreu i qoshes. 12Edhe nuk ka shpëtim me anë të asnjë tjetri; sepse nuk ka tjetër emër nën qiell që t’u jetë dhënë njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtojmë.

13Edhe duke vështruar guximin e Pjetrit e të Joanit, edhe duke kuptuar, se ishin njerëz të pashkollë e të zakonshëm, çuditeshin, po i njihnin se kishin qenë bashkë me Jisuin. 14Edhe si shihnin njeriun e shëruar duke ndenjur bashkë me ata, s’kishin se ç’të thoshin kundër. 15Atëherë i urdhëruan ata të dalin jashtë këshillit, dhe dhanë e morën në mes tyre, 16duke thënë: ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse një çudi e njohur u bë me anë të tyre, kjo është e dukshme për të gjithë ata që rrinë në Jerusalem, edhe nuk mund ta mohojmë. 17Po që të mos përhapet më tepër në mes të popullit, le t’i kërcënojmë fort, që asnjë njeriu të mos i flasin më për këtë emër. 18Edhe i thërritën e i porositën të mos flasin fare, as të mos mësojnë në emrin e Jisuit. 19Po Pjetri e Joani iu përgjigjën atyre, e u thanë: Në është e udhës përpara Perëndisë sonë t’ju dëgjojmë ju më tepër se Perëndinë, gjykoni. 20Sepse ne nuk mund të mos flasim për sa pamë e dëgjuam. 21Edhe ata, si i kërcënuan përsëri, i lëshuan, sepse nuk gjenin se si t’i ndëshkonin ata, për shkak të popullit, sepse të gjithë lavdëronin Perëndinë për atë që u bë. 22Sepse njeriu, tek i cili u bë kjo çudi e shërimit, ishte më tepër se dyzet vjeç.

23Edhe si u lëshuan, erdhën tek të tyret, dhe njoftuan për gjithë sa u thanë atyre kryepriftërinjtë dhe pleqtë. 24Edhe ata kur dëgjuan, me një mendje ngritën zërin tek Perëndia, dhe thanë: O Zot, ti je Perëndia, që bëre qiellin dhe tokën dhe detin, dhe gjithë sa janë në to; 25ti që ke thënë me anë të gojës së shërbëtorit tënd David: “Përse shfrynë kombet dhe popujt menduan kotësira? 26Mbretërit e dheut u rreshtuan para dhe prijësit u mblodhën bashkë kundër Zotit, edhe kundër Krishtit të tij”, 27sepse me të vërtetë u mblodhën kundër birit tënd të shenjtë Jisu, të cilin e leve me vaj, edhe Herodi edhe Ponti Pilat bashkë me kombet e me popujt e Izraelit, 28që të bëjnë gjithë sa dora jote dhe këshilla jote paracaktoi të bëhen, 29dhe tani, o Zot, vështro në kërcënimet e tyre ndaj nesh, dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çdo guxim, 30duke zgjatur dorën tënde për shërim e që të bëhen shenja e çudira në emër të birit tënd të shenjtë Jisu.

31Edhe si u lutën ata, u tund vendi ku ishin mbledhur, edhe u mbushën që të gjithë me Frymë të Shenjtë, edhe flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.

32Edhe numuri i madh i atyre që kishin besuar ishte me një zemër dhe me një shpirt; edhe askush nuk thoshte për ndonjë gjë nga pasuritë e tij se është e vetja, po të gjitha i kishin të përbashkëta. 33Edhe me fuqi të madhe apostujt jepnin dëshminë e ngjalljes së Zotit Jisu; edhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata. 34Sepse asnjë në mes tyre nuk ishte në nevojë; sepse gjithë sa zotëronin toka a shtëpi, i shisnin dhe sillnin vlerën e atyre që shisnin, 35edhe i vinin në këmbët e apostujve; edhe i jepej gjithësecilit sipas nevojës që të kishte.

36Edhe Josiu, i cili prej apostujve u mbiquajt Barnaba, që e përkthyer do me thënë Bir Ngushëllimi, i cili ishte Levit qipriot nga prejardhja, 37shiti një arë që kishte dhe pruri paratë e i vuri në këmbët e apostujve.

Kreu 5

o një burrë që e kishte emrin Anania, bashkë me gruan e tij,Safira, shiti një pronë;   2edhe mbajti nga vlera, duke e ditur edhe gruaja e tij; edhe pruri një pjesë nga paratë, edhe e vuri në këmbët e apostujve. 3Po Pjetri tha: Anania, përse mbushi satanai zemrën tënde që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash nga vlera e arës? 4Nëse mbetej  e pashitur, a nuk ishte jotja? Edhe si u shit, a nuk ishte në zotërimin tënd? Përse e vure në zemër këtë punë? Nuk gënjeve njerëz, po Perëndinë. 5Edhe Anania, duke dëgjuar këto fjalë, ra përdhe e dha shpirt, edhe u hyri frikë e madhe të gjithë atyre që i dëgjuan këto. 6Edhe më të rinjtë u ngritën, edhe e mbështollën dhe e nxorën jashtë dhe e varrosën.

7Edhe si shkuan rreth tri orë, hyri edhe gruaja e tij pa ditur se ç’kishte ndodhur. 8Edhe Pjetri i tha asaj: Thuajmë, nëse për kaq e shitët tokën? Edhe ajo tha: Po, për kaq. 9Atëherë Pjetri i tha asaj: Përse lidhët fjalë të ngisni Frymën e Zotit? Ja në derë janë këmbët e atyre që varrosën burrin tënd, edhe do të të nxjerrin jashtë edhe ty. 10Edhe menjëherë ajo ra pranë këmbëve të tij, e dha shpirt; edhe të rinjtë, kur hynë, e gjetën të vdekur, edhe si e nxorën jashtë, e varrosën pranë burrit të saj. 11Edhe i hyri frikë e madhe gjithë kishës, edhe gjithë atyre që i dëgjonin këto.

12Edhe me anë të duarve të apostujve bëheshin shumë shenja e çudira në mes të popullit; edhe ishin me një zemër të gjithë në portikun e Solomonit. 13Edhe nga të tjerët asnjë s’guxonte të bashkohej me ta; por populli i madhëronte ata. 14Edhe shtoheshin më shumë duke besuar në Zotin turma burrash e grash; 15aq sa nxirrnin jashtë nëpër rrugë të sëmurët, edhe i vinin mbi shtresa e mbi shtretër, që kur të shkonte Pjetri të paktën hija e tij të zinte ndonjë nga ata. 16Edhe mblidheshin në Jerusalem të gjitha qytetet për rreth, edhe sillnin të sëmurët edhe ata që ngiteshin prej frymësh të ndyra, të cilët shëroheshin të gjithë.

17Atëhere u ngrit kryeprifti dhe gjithë ata që ishin bashkë me të, të cilët ishin sekt i Saduqenjve, edhe u mbushën me smirë; 18edhe vunë duart e tyre mbi apostujt, edhe i vunë në burgun publik. 19Po një engjëll i Zotit natën hapi dyert e burgut, edhe si i nxori jashtë, tha: 20Shkoni, edhe rrini e i flisni popullit në tempull gjithë fjalët e kësaj jete. 21Edhe si dëgjuan, hynë në tempull ndaj të gdhirë, edhe mësonin. Po kur erdhi kryeprifti dhe ata që ishin bashkë me të, thirrën kuvendin dhe gjithë pleqësinë e bijve të Izraelit, edhe dërguan në burg, që t’i sillnin ata. 22Po shërbëtorët, kur shkuan, nuk i gjetën ata në burg; edhe u kthyen e i njoftuan 23duke thënë se burgun e gjetëm të mbyllur me çdo siguri, edhe rojet duke ndenjur jashtë përpara dyerve; po kur e hapëm, brenda nuk gjetëm asnjeri.

24Edhe kur dëgjuan këto fjalë edhe kryeprifti i vitit, edhe kryeroja i tempullit dhe kryepriftërinjtë, vrisnin mendjen për ta se si do t’i bëhet kësaj pune. 25Atëherë erdhi një njeri e i lajmëroi ata, se ata burra që vutë në burg ja tek janë duke qëndruar në tempull e po mësojnë popullin.

26Atëherë shkoi kryeroja bashkë me shërbëtorët e i pruri, por jo me dhunë, se kishin frikë nga populli se mos i vrasë me gurë. 27Edhe si i prunë, i nxorën përpara këshillit; dhe kryeprifti i pyeti ata, 28duke thënë: A nuk ju porositëm rreptësisht të mos mësoni në këtë emër? Dhe ja tek mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj, edhe doni të hidhni mbi ne gjakun e këtij njeriu.

29Atëherë Pjetri dhe apostujt u përgjigjën e thanë: Duhet t’i bindemi Perëndisë më tepër se njerëzve. 30Perëndia i etërve tanë ngjalli Jisuin, të cilin ju, si e varët mbi dru, e vratë. 31Këtë Perëndia e lartësoi me anë të së djathtës së tij, si prijës dhe shpëtimtar, që t’i japë pendim Izraelit dhe ndjesë mëkatesh. 32Edhe ne jemi dëshmitarët e atij për këto fjalë, si edhe Fryma e Shenjtë, të cilin Perëndia ua dha atyre që i binden atij.

33Edhe ata kur dëgjuan u tërbuan, edhe u morën vesh t’i vrasin. 34Atëherë u ngrit në kuvend një Farise, që quhej Gamaliel, mësues i ligjit, dehe i nderuar nga i gjithë populli, edhe urdhëroi t’i nxjerrin jashtë apostujt për një copë herë. 35Edhe u tha atyre: O burra Izraelitë, kujdes se ç‘keni ndërmend t’u bëni këtyre njerëzve.   36Sepse para pak kohësh u ngrit Tevdau, duke thënë për veten e tij se është dikushi, edhe iu ngjitën prapa rreth katërqind burra; ai u vra dhe gjithë sa i bindeshin atij u shpërndanë; edhe u bënë për asgjë. 37Pas këtij u ngrit Juda Galileasi, në ditët e regjistrimit të popullsisë, edhe tërhoqi pas vetes mjaft popull; edhe ai humbi, edhe gjithë sa iu bindën atij u shpërndanë. 38Edhe tani po ju them juve, rrini larg nga këta njerëz, edhe lërini; sepse në kjo është mendim apo veprim prej njerëzish, do të prishet; 39po në është nga Perëndia, nuk mund ta prishni atë; dhe kujdes se mos gjendeni në luftë edhe me Perëndinë.

40Edhe ata iu bindën atij; edhe si thërritën apostujt, i rrahën e i urdhëruan të mos flasin në emrin e Jisuit, edhe i lëshuan. 41Ata pra ikën duke u gëzuar nga faqja e kuvendit, se u bënë të denjë të çnderohen për emrin e atij. 42Edhe përditë në tempull e nëpër shtëpi nuk pushonin duke mësuar e duke dhënë lajmin e mirë për Jisu Krishtin.

Kreu 6

dhe në ato ditë kur po shumoheshin nxënësit, u bë një ankim prej Greqishtarëve kundër Hebrenjve, se të vejat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm. 2Atëherë të dymbëdhjetët thërritën grupin e nxënësve, e thanë: Nuk është e pëlqyeshme për ne të lëmë fjalën e Perëndisë, e të shërbejmë nëpër tryezat.  3Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë. 4Kurse ne do të qëndrojmë në falje e në shërbesën e fjalës.

5Edhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë grupit; dhe zgjodhën Stefanin, burrë plot me besim e me Frymë të Shenjtë, edhe Filipin e Prohorin e Nikanorin e Timonin e Parmenain, edhe Nikollën që ishte prozelit nga Antiokia; 6të cilët i vunë para apostujve; edhe pasi u lutën, vunë duart mbi ata. 7Edhe fjala e Perëndisë shtohej, edhe numri i nxënësve shumohej fort në Jerusalem; edhe një shumicë e madhe nga priftërinjtë dëgjonin besimin.

8Edhe Stefani plot me besim e me fuqi, bënte çudira e shenja të mëdha në popull. 9Po u ngritën disa nga sinagoga që quhet e Libertinëve, edhe e Kireneasve, edhe e Aleksandrinëve, edhe të atyrenga Kilikia e nga Azia, e diskutonin me Stefanin. 10Edhe nuk mundnin të dilnin kundër urtësisë edhe Frymës, me të cilin fliste. 11Atëherë vunë njerëz të thonë se e dëgjuam duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe Perëndisë. 12Edhe ngritën në këmbë popullin e pleqtë e shkruesit, edhe duke u hedhur mbi atë e mbërthyen, edhe e prunë në kuvend. 13Edhe nxorën përpara dëshmitarë të rremë, që thoshin: Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë, edhe kundër ligjit. 14Sepse e dëgjuam atë duke thënë se Jisu Nazaretasi do ta prishë këtë vend, edhe do të ndërrojë zakonet që na ka lënë Moisiu. 15Edhe gjithë ata që rrinin në kuvend, kur hodhën sytë tek ai, panë fytyrën e tij si fytyrë engjëlli.

Kreu 7

tëherë kryeprifti tha: Vallë, a janë këto kështu?

2Edhe ai tha: O burra vëllezër dhe etër, pa dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit, kur ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, 3edhe i tha: “Dil prej dheut tënd e prej farefisit tënd, edhe eja në atë dhe që do të të tregoj ty”. 4Atëherë ai doli nga dheu i Kaldenjve dhe shkoi e banoi në Haran. Edhe që andej, pas vdekjes së të atit, e pruri të banojë në këtë dhe, në të cilin banoni ju tani. 5Edhe nuk i dha atij trashëgim në të as një këmbë dhe; po i premtoi se do t’ia japë për zotërim atij, edhe farës së tij pas atij, ndonëse s’kishte ende fëmijë. 6Perëndia foli kështu, “Se fara e atij do të shkojë e të banojë për një kohë në dhe të huaj, edhe do ta bëjnë rob dhe do ta mundojnë katërqind vjet. 7Edhe kombin, tek i cili do të jenë robër do ta gjykoj unë, tha Perëndia; edhe pastaj do të dalin e do të më adhurojnë në këtë vend”. 8Edhe i dha atij dhiatën e rrethprerjes; edhe kështu i lindi Isaku, edhe e rrethpreu në të tetën ditë; edhe Isakut i lindi Jakovi, edhe Jakovit të dymbëdhjetë kryeetërit.

9Edhe kryeetërit, pasi e kishin smirë Josifin, e shitën në Egjipt. Po Perëndia ishte bashkë me të, 10edhe e shpëtoi nga gjithë shtrëngimet e tij, edhe i dha hir e dituri përpara Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e vuri atë të parë përmbi Egjiptin dhe përmbi gjithë shtëpinë e tij.

11Edhe u bë një zi në gjithë dhenë e Egjiptit e të Kanaanit, edhe një shtrëngim i madh; edhe etërit tanë nuk gjenin ç’të hanin. 12Po Jakovi kur dëgjoi se kishte grurë në Egjipt, dërgoi të parën herë etërit tanë. 13Edhe të dytën herë Josifi u njoh nga të vëllezërit e tij, edhe iu bë e shfaqur Faraonit fara e Josifit. 14Edhe Josifi dërgoi e thërriti të atin e tij, Jakovin, edhe gjithë njerëzit e tij, shtatëdhjetë e pesë shpirt. 15Edhe zbriti Jakovi në Egjipt, dhe vdiq ai dhe etërit tanë. 16Edhe u prunë në Sikem dhe u vunë në atë varr që pati blerë Avraami me çmim argjendi prej bijve të Emorit, të atit të Sikemit.

17Po kur u afrua koha e premtimit për të cilin i qe betuar Perëndia Avraamit, u shtua populli dhe u shumua në Egjipt, 18deri sa u ngrit një tjetër mbret, i cili nuk e njihte Josifin. 19Ky, duke përdorur dinakërira kundër kombit tonë, i mundoi etërit tanë, kaq sa të hedhin foshnjat e tyre, që të mos mbeten të gjallë.

20Në këtë kohë lindi Moisiu dhe kishte bukuri Perëndie; i cili u ushqye tre muaj në shtëpinë e të atit. 21Edhe kur u hodh, e mori atë e bija e Faraonit dhe e rriti për bir të saj. 22Edhe Moisiu u mësua në gjithë dituritë e Egjiptianëve, edhe ishte i fortë në fjalë e në vepra.

23Edhe kur po mbushte dyzet vjeç, i erdhi në zemër të shkojë e të shohë vëllezërit e tij, të bijtë e Izraelit. 24Edhe kur pa një që po i bëhej keq, e mbrojti, edhe mori shpagim për atë që mundohej, duke vrarë Egjiptianin. 25Edhe pandehte se vëllezërit e tij do të kuptonin se Perëndia u jep atyre shpëtim me anë të dorës së tij; po ata nuk kuptuan. 26Edhe ditën tjetër u duk tek ata kur po ziheshin, edhe i nxiti në pajtim, duke thënë: O burra, ju jeni vëllezër; pse i bëni keq njëri-tjetrit? 27Po ai që i bënte keq të afërmit e shtyu dhe tha: Cili të vuri të parë dhe gjykatës mbi ne? 28Mos do ti të më vrasësh, siç vrave dje Egjiptianin? 29Atëherë Moisiu iku për këtë fjalë, edhe ndenji i huaj në dheun Madiam, ku i lindën dy bij.

30Edhe pasi u mbushën dyzet vjet, iu shfaq atij në shkretëtirën e malit Sinai një engjëll i Zotit në flakën e zjarrit të një ferre. 31Edhe Moisiu kur e pa, u çudit për pamjen; edhe tek afrohej që të vështrojë, erdhi zë prej Zotit tek ai: 32“Unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Avraamit dhe Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakovit”. Edhe Moisiu u tremb e s’guxonte të vështrojë. 33Atëherë Zoti i tha: “Zgjidh sandalet e këmbëve të tua, sepse vendi, përmbi të cilin ke ndenjur, është i shenjtë. 34Pashë, pashë mundimin e popullit tim në Egjipt, edhe dëgjova rënkimin e tyre, edhe zbrita që t’i shpëtoj; edhe tani eja, do të të dërgoj në Egjipt”.

35Këtë Moisi që e mohuan, duke thënë: Cili të vuri të parë dhe gjykatës? Këtë Perëndia e dërgoi të parë dhe shpërblimtar me anë të dorës së engjëllit që iu shfaq atij në ferrë. 36Ky i nxori ata, pasi bëri çudira e shenja në dheun e Egjiptit e në Detin e Kuq dhe në shkretëtirë dyzet vjet. 37Ky është Moisiu që u tha bijve të Izraelit: “Zoti Perëndia juaj do t’ju ngrejë juve prej vëllezërve tuaj një profet si unë; atë të dëgjoni”. 38Ky është ai që qe në bashkëmbledhjen në shkretëtirë me engjëllin, që i fliste atij në malin Sina, edhe me etërit tanë, i cili priti fjalë të gjalla, për të na i dhënë neve. 39Etërit tanë nuk deshën ta dëgjojnë, po e hodhën tej, edhe me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt, 40duke i thënë Aronit: “Bëna perëndira, të cilët të ecin përpara nesh; sepse këtij Moisiut, që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë se ç’i ngjau”. 41Edhe bënë një viç në ato ditë, edhe i prunë theror idhullit, edhe gëzoheshin për punët e duarve të tyre. 42Atëherë Perëndia u kthye dhe i la të adhurojnë ushtrinë e qiellit, siç është shkruar në librin e profetëve: “Mos më prutë mua të therura dhe flijime në shkretëtirë dyzet vjet, o shtëpi e Izraelit? 43Po ngritët lart tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, shembëlltyrat që bëtë për t’ju falur atyre; prandaj do t’ju ngre e do t’ju çoj përtej Babilonës”.

44Tenda e dëshmisë ishte ndër etërit tanë në shkretëtirë, siç urdhëroi ai që i fliste Moisiut, ta bëjë atë sipas shembëllesës që kishte parë. 45Këtë e morën etërit tanë me vete dhe bashkë me Jisuin e Naviut e prunë në dheun e kombeve, të cilët Perëndia i përzuri prej faqes së etërve tanë, deri në ditët e Davidit, 46i cili gjeti hir përpara Perëndisë, edhe kërkoi të gjejë banesë për Perëndinë e Jakovit. 47Edhe Solomoni i ndërtoi atij shtëpi. 48Po i Larti nuk rri në tempuj që bëhen me dorë, siç thotë profeti: 49“Qielli është froni im, edhe dheu nënkëmbëse e këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të ndërtoni për mua? thotë Zoti; ose cili është vendi i prehjes sime? 50A nuk i ka bërë dora ime këto të gjitha?”

51O zverkashpër dhe të parrethprerë në zemër e në veshë, ju gjithnjë i rrini kundër Frymës së Shenjtë; si etërit tuaj, kështu edhe ju.   52Cilin nga profetët nuk përndoqën etërit tuaj? Po edhe i vranë ata që paralajmëruan për ardhjen e të Drejtit, të cilit ju tani iu bëtë tradhtarë e vrasës, 53ju që morët ligjin prej porosive të engjëjve dhe nuk e ruajtët.

54Edhe ata kur dëgjonin këto, u tërbuan në zemrat e tyre, edhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij. 55Po ai, që ishte plot me Frymë të Shenjtë, hodhi sytë në qiell, e pa lavdinë e Perëndisë, edhe Jisuin duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë, 56edhe tha: Ja tek po shoh qiejt të hapur dhe të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e Perëndisë. 57Atëherë ata bërtitën me zë të madh, e zunë veshët e tyre, edhe me një mendje u vërsulën mbi të. 58Edhe pasi e nxorën jashtë qytetit, e qëllonin me gurë. Dhe dëshmitarët lanë rrobat e tyre pranë këmbëve të një djaloshi që quhej Saul. 59Edhe qëllonin Stefanin me gurë tek lutej e thoshte: O Zoti Jisu, prano shpirtin tim. 60Edhe si u ul në gjunjë, thirri me zë të madh: O Zot, mos ua zër atyre këtë mëkat; edhe duke thënë këtë fjeti.

Kreu 8

dhe Sauli e miratonte vrasjen e tij. Edhe atë ditë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jerusalem. Edhe të gjithë u shpërndanë nëpër vendet e Judesë e të Samarisë, përveç apostujve.

2Edhe disa burra besëtarë e ngritën Stefanin, edhe bënë vajtim të madh mbi të.

3Edhe Sauli kryente bastisje ndaj kishës, duke hyrë nëpër shtëpitë, e duke hequr zvarrë burra e gra i hidhte në burg. 4Ata pra që u shpërndanë përshkuan vendin, duke ungjillëzuar fjalën.

5Edhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikonte atyre Krishtin. 6Edhe turmat me një zemër u vinin veshin atyre që thoshte Filipi, sepse dëgjonin e shihnin çuditë që bënte. 7Sepse prej shumë vetash që kishin frymë të ndyra dilnin këto duke thërritur me zë të madh; edhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. 8Edhe u bë gëzim i madh në atë qytet.

9Edhe ishte prej kohësh në atë qytet një njeri që quhej Simon, i cili bënte magji dhe e linte pa mend popullin e Samarisë, duke thënë për veten e tij se është një njeri i madh, 10të cilit të gjithë, i madh e i vogël, i vinin veshin, e thoshin: Ky është fuqia e madhe e Perëndisë. 11Edhe i vinin veshin, sepse mjaft kohë i kishte lënë pa mend me magjitë. 12Po kur i besuan Filipit që jepte lajmin e mirë për punët e mbretërisë së Perëndisë dhe për emrin e Jisu Krishtit, pagëzoheshin burra e gra. 13Po edhe Simoni vetë besoi, edhe si u pagëzua, rrinte bashkë me Filipin, edhe duke parë se bëheshin çudira të mëdha mahnitej.

14Edhe apostujt që ishin në Jerusalem, kur dëgjuan se Samaria e pranoi fjalën e Perëndisë, dërguan tek ata Pjetrin dhe Joanin, 15të cilët zbritën e u lutën për ata, që të marrin Frymë të Shenjtë, 16sepse ende s’kishte zbritur as mbi ndonjë nga ata, po vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jisu. 17Atëherë vinin duart mbi ata dhe merrnin Frymë të Shenjtë.

18Edhe Simoni kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepet Fryma e Shenjtë, u pruri atyre pará, 19duke thënë: Jepmani dhe mua këtë pushtet, që mbi cilindo që të vë duart, të marrë Frymë të Shenjtë. 20Po Pjetri i tha atij: Argjendi yt humbtë bashkë me ty, sepse pandehe se dhurata e Perëndisë fitohet me pará. 21Ti s’ke pjesë as short në këtë fjalë; sepse zemra jote s’është e drejtë përpara Perëndisë. 22Pendohu pra nga kjo ligësia jote, edhe lutju Perëndisë, mbase të ndjehet kjo shpikje e zemrës sate; 23sepse po të shoh se je në vrer hidhërimi dhe në lidhje paudhësie. 24Atëherë Simoni u përgjigj e tha: Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos vijë mbi mua asnjë nga ato që thatë.

25Ata pra, pasi dhanë dëshmi dhe folën fjalën e Zotit, u kthyen në Jerusalem, edhe dhanë lajmin e mirë nëpër shumë fshatra të Samaritanëve.

26Edhe një engjëll i Zotit i foli Filipit duke thënë: Ngrihu e shko nga jugu, në rrugën që zbret prej Jerusalemit në Gazë. Kjo është shkretëtirë. 27Edhe ai u ngrit e shkoi.

Edhe ja një njeri, Etiopian, eunuk, ofiqar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së Etiopianëve, i cili ishte mbi gjithë thesarët e saj; ky kishte ardhur që të falet në Jerusalem. 28Edhe në kthim, duke ndenjur mbi qerren e tij, po lexonte profetin Isaia. 29Edhe Fryma i tha Filipit: Afrohu e ngjitju kësaj qerreje. 30Edhe Filipi shkoi me vrap afër, e dëgjoi atë duke lexuar profetin Isaia, edhe tha: A i kupton vallë ato që lexon? 31Edhe ai tha: E si mundem, në mos më udhëzoftë njeri? Edhe iu lut Filipit të hipë e të rrijë bashkë me të. 32Edhe pjesa e shkrimit që po lexonte ishte kjo: “U pru si dele për therje, edhe si qengj pa zë përpara atij që e qeth, kështu nuk hap gojën e tij. 33Në përuljen e tij u ngrit gjyqi i tij; edhe brezin e tij kush do ta tregojë? Sepse ngrihet prej dheut jeta e tij”. 34Edhe eunuku u përgjigj e i tha Filipit: Të lutem, për cilin e thotë profeti këtë? Për veten e tij, apo për ndonjë tjetër? 35Atëherë Filipi hapi gojën e tij, edhe duke u nisur nga ky shkrim i dha atij lajmin e mirë për Jisuin.

36Edhe tek po ecnin udhës, erdhën pranë një uji; edhe eunuku thotë: Ja ujë, çfarë më ndalon të pagëzohem? Edhe Filipi i tha: Në beson me gjithë zemër, mundesh. 37Edhe ai u përgjigj e tha: Besoj se Jisu Krishti është i Biri i Perëndisë. 38Edhe urdhëroi të qëndrojë qerrja; edhe zbritën të dy në ujë, Filipi dhe eunuku; edhe e pagëzoi. 39Edhe kur dolën nga uji, Fryma e Zotit rrëmbeu Filipin dhe eunuku s’e pa më, por shkonte udhës së tij duke u gëzuar. 40Edhe Filipi u gjend në Azot, edhe duke shkuar jepte lajmin e mirë nëpër gjithë qytetet, deri sa erdhi në Qesari.

Kreu 9

dhe Sauli, ende duke shfryrë kërcënime e vrasje kundër nxënësve të Zotit, erdhi te kryeprifti, 2edhe kërkoi prej atij letra për sinagogat në Damask, që nëse gjen disa që janë të kësaj udhe, burra a gra, t’i sjellë lidhur në Jerusalem. 3Edhe duke shkuar, tek afrohej në Damask, papandehur vetëtiu rreth tij një dritë prej qiellit. 4Edhe ai si ra përdhe, dëgjoi një zë që i thoshte atij: Saul, Saul, pse më përndjek? 5Edhe ai tha: Cili je ti, o Zot? Edhe Zoti tha: Unë jam Jisui që ti përndjek. Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma. 6Edhe ai duke u dridhur e duke u habitur tha: Zot, ç’do që të bëj unë? Edhe Zoti i tha: Ngrihu e hyr në qytet, edhe do të të thuhet ç’duhet të bësh. 7Edhe burrat që udhëtonin bashkë me të, rrinin të habitur, sepse zërin e dëgjonin, po asnjë nuk shihnin. 8Edhe Sauli u ngrit nga dheu, dhe ndonëse i kishte sytë të hapur, nuk shihte asnjë; edhe duke e hequr atë prej dore, e prunë në Damask. 9Edhe tri ditë nuk shihte; edhe as hëngri, as piu.

10Edhe ishte në Damask një nxënës që quhej Anania, edhe Zoti i tha në ëndërr: Anania. Edhe ai tha: Ja kujam, Zot. 11Edhe Zoti i tha: Ngrihu e shko në rrugën që quhet e Drejtë, edhe kërko në shtëpinë e Judës një Tarsiot që quhet Saul; sepse ja tek po lutet, 12edhe ka parë në ëndërr një njeri që quhet Anania, se hyri dhe vuri dorën mbi të, që t’i vijnë sytë përsëri. 13Atëherë Anania u përgjigj: Kam dëgjuar prej shumë vetash për këtë njeri, sa të këqija u bëri shenjtëve të tu në Jerusalem. 14Edhe këtu ka pushtet nga kryepriftërinjtë të lidhë të gjithë ata që thërresin në emrin tënd. 15Po Zoti i tha: Shko, se ky më është një enë e zgjedhur për të mbajtur emrin tim përpara kombeve e mbretërve, edhe bijve të Izraelit. 16Sepse unë do t’i tregoj atij sa duhet të pësojë për emrin tim.

17Edhe Anania shkoi e hyri në shtëpi; edhe si vuri duart mbi të, tha: Saul vëlla, Zoti më ka dërguar, Jisui që t’u shfaq udhës, kur ishe duke ardhur, që të të hapen sytë përsëri, edhe të mbushesh me Frymë të Shenjtë. 18Edhe përnjëherë ranë nga sytë e tij diçka si luspa, edhe i erdhën sytë menjëherë; edhe u ngrit e u pagëzua. 19Edhe si hëngri, mori fuqi.

Edhe Sauli ndenji disa ditë bashkë me nxënësit që ishin në Damask. 20Edhe menjëherë predikonte Jisuin nëpër sinagogat, se ky është i Biri i Perëndisë. 21Edhe të gjithë ata që dëgjonin mahniteshin e thoshin: A nuk është ky ai që prishi në Jerusalem ata që thërrisnin në këtë emër, edhe këtu për këtë kishte ardhur, që t’i çojë ata lidhur te kryepriftërinjtë? 22Po Sauli më tepër forcohej, edhe i turbullonte Judenjtë që rrinin në Damask, duke treguar se ky është Krishti.

23Edhe si shkuan mjaft ditë, Judenjtë u morën vesh ta vrasin. 24Po vendimi i tyre i ra në veshë Saulit; edhe ruanin dyert ditë e natë që ta vrisnin. 25Atëherë nxënësit e morën natën, edhe e zbritën nga muri, duke e varur atë në një shportë. 26Edhe Sauli, si erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënësit; po të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin se është nxënës. 27Po Varnava e mori, edhe e pruri tek apostujt dhe u tregoi atyre si pa Zotin në udhë, edhe se i foli atij, edhe si në Damask fliste me guxim në emrin e Jisuit. 28Edhe ishte duke hyrë e duke dalë bashkë me ata në Jerusalem, edhe duke folur me guxim në emrin e Zotit Jisu. 29Edhe fliste e hahej me Greqishtarët; po ata kërkonin ta vrisnin. 30Edhe vëllezërit kur e morën vesh, e zbritën në Qesari, edhe e dërguan në Tars.

31Kishat pra nëpër gjithë Judenë e Galilenë e Samarinë kishin paqe, edhe ishin duke u ndërtuar e duke ecur me frikën e Zotit, edhe me anë të ngushëllimit të Frymës së Shenjtë shumoheshin.

32Edhe Pjetri, duke shkuar nëpër gjithë ato vende, zbriti edhe tek shenjtët që ishin në Lidë. 33Edhe atje gjeti një njeri që e quanin Enea, i cili ishte i paralizuar e prej tetë vitesh i dergjur në shtrat. 34Edhe Pjetri i tha: Enea, Jisu Krishti të shëron. Ngrihu dhe shtro shtratin tënd. Edhe ai përnjëherë u ngrit. 35Edhe e panë atë gjithë ata që rrinin në Lidë e në Saron, edhe u kthyen në Zotin.

36Edhe në Jopë ishte një nxënëse që quhej Tavità, që e përkthyer do me thënë Sorkadhe; ajo ishte plot me punë të mira e me lëmosha që bënte. 37Edhe në ato ditë qëlloi të sëmuret e të vdesë; edhe si e lanë e vunë në një dhomë të sipërme. 38Edhe pasi Lida ishte afër Jopës, nxënësit, kur dëgjuan se Pjetri është në të, dërguan dy burra tek ai, duke iu lutur atij të mos përtojë të vijë deri tek ata. 39Edhe Pjetri u ngrit e shkoi bashkë me ta; sapo erdhi atë e ngjitën në dhomën e sipërme dhe i dolën përpara gjithë të vejat duke qarë e duke treguar këmishë e rroba, të cilat i bënte Sorkadhja, kur ishte bashkë me to. 40Po Pjetri, pasi i nxori të gjithë jashtë, u ul në gjunjë dhe u lut; edhe si u kthye nga trupi, tha: Tavità, ngrihu. E ajo hapi sytë e saj, edhe kur pa Pjetrin, u ngrit e ndenji. 41Edhe ai i dha dorën dhe e ngriti; edhe si thërriti shenjtërit e të vejat, e nxori përpara të gjallë. 42Edhe kjo u mor vesh nëpër gjithë Jopën; edhe shumë veta besuan në Zotin. 43Edhe Pjetri qëndroi mjaft ditë në Jopë, pranë një farë Simon lëkurëregjësi.

Kreu 10

dhe ishte një njeri në Qesari që quhej Kornel, kryeqindës prej kohortës që quhej Italike. 2Ky ishte besëtar dhe kishte frikë nga Perëndia bashkë me gjithë shtëpinë e tij, edhe i jepte shumë lëmosha popullit, edhe i lutej Perëndisë gjithnjë. 3Ky rreth orës së nëntë të ditës pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai, e i tha: Kornel. 4Edhe kur hodhi sytë në atë, e zuri frika, edhe tha: Ç’është, o Zot? Edhe ai i tha atij: Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua u ngjitën për kujtim përpara Perëndisë. 5Edhe tani dërgo njerëz në Jopë, edhe thirr Simonin që mbiquhet Pjetër. 6Ky ka rënë tek njëfarë Simon lëkurëregjësi, i cili e ka shtëpinë pranë detit. Ky do të të thotë ç’duhet të bësh. 7Edhe si iku engjëlli që ishte duke i folur Korneilit, thirri dy nga shërbëtorët e tij, edhe një ushtar shpresëtar nga ata që rrinin përherë pranë tij. 8Edhe si ua tregoi atyre të gjitha, i dërgoi në Jopë.

9Edhe të nesërmen, tek ishin duke udhëtuar e po afroheshin në qytet, Pjetri u ngjit në dhomë të lutet, afër orës së gjashtë. 10Edhe e mori uria dhe donte të hante; po ndërsa ata po e bënin gati, ai ra në ekstazë. 11Edhe sheh qiellin të hapur, edhe një enë duke zbritur mbi të si një pëlhurë e madhe, lidhur nga të katër cepat, e duke rënë mbi dhe. 12Brenda në të ishin gjithë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat dhe zvarranikët dhe zogjtë e qiellit. 13Edhe erdhi një zë tek ai: Ngrihu, Pjetër, ther e ha. 14Po Pjetri tha: Qoftë larg, o Zot! Sepse kurrë s’kam ngrënë gjë të ndyrë a të papastër. 15Po përsëri për së dyti erdhi një zë tek ai: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra. 16Edhe kjo u bë tri herë; edhe përsëri ena u mor lart në qiell.

17Edhe ndërsa Pjetri ishte duke vrarë mendjen me veten e tij, vallë, ç’do të jetë ky vegim që pa, ja burrat, që ishin dërguar nga Korneli, pasi pyetën për shtëpinë e Simonit, arritën në portë, 18edhe duke thirrur pyetnin në ka rënë këtu Simoni që mbiquhet Pjetër.

19Edhe ndërsa Pjetri ishte duke menduar për vegimin, Fryma i tha: Ja tek po të kërkojnë tre burra. 20Ngrihu pra e zbrit, edhe shko bashkë me ata, pa pasur fare dyshim; sepse unë i kam dërguar ata. 21Edhe Pjetri, pasi zbriti tek njerëzit që ishin dërguar tek ai nga Korneli, tha: Ja, unë jam ai që kërkoni; për ç’punë keni ardhur? 22Edhe ata thanë: Korneli, kryeqindësi, që është njeri i drejtë dhe ka frikë nga Perëndia, edhe për të cilin jep dëshmi të mirë gjithë kombi i Judenjve, u urdhërua me anë të një engjëlli të shenjtë, që të të thërresë në shtëpinë e tij, edhe të dëgjojë fjalë prej teje. 23Ai pra i thërriti ata brenda e i gostiti. Edhe të nesërmen doli Pjetri bashkë me ata, dhe ca nga vëllezërit që ishin nga Jopa erdhën bashkë me atë. 24Edhe të nesërmen hynë në Qesari. Dhe Kornili ishte duke i pritur ata, edhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e ngushtë.

25Edhe sapo hyri brenda Pjetri, Korneli i doli përpara, e i ra ndër këmbë, edhe iu fal. 26Po Pjetri e ngriti, duke thënë: Ngrihu, sepse edhe unë jam njeri. 27Edhe duke folur bashkë me të hyri brenda, edhe gjen mbledhur shumë veta.

28Edhe u tha atyre: Ju e dini se nuk është e lejueshme për një njeri Jude të shoqërojë a të shkojë tek njeri prej tjetër kombi. Po Perëndia më tregoi të mos them për asnjë njeri se është i ndyrë apo i papastër. 29Prandaj, sapo u thirra, edhe erdha pa bërë fjalë. Pyes pra, për ç’fjalë dërguat e më prutë? 30Edhe Korneli tha: Katër ditë më parë deri në këtë orë isha duke agjëruar, edhe në të nëntën orë po lutesha në shtëpinë time; edhe ja një njeri me rroba të ndritura tek qëndroi përpara meje, 31edhe thotë: Kornel, u dëgjua lutja jote dhe lëmoshat e tua u përmendën para Perëndisë. 32Dërgo pra në Jopë e thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër. Ky ka rënë në shtëpinë e Simon lëkurëregjësit pranë detit. Ai, kur të vijë, do të të flasë. 33Përnjëherë pra dërgova tek ti; dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani pra ne të gjithë jemi përpara Perëndisë, që të dëgjojmë gjithë ç’të janë urdhëruar prej Perëndisë.

34Atëherë Pjetri hapi gojën e tha: Me të vërtetë po e marr vesh se Perëndia s’mban anë njeriu; 35po në çdo komb ai që ka frikë prej tij dhe punon drejtësi, është i mirëpritur tek ai. 36Fjalën që u dërgoi bijve të Izraelit duke ungjillëzuar paqe me anë të Jisu Krishtit, - ky është Zoti i të gjithëve, - 37këtë fjalë ju e dini, që u përhap nëpër gjithë Judenë, duke nisur nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Joani; 38si vajosi Perëndia Jisuin nga Nazareti me Frymë të Shenjtë e me fuqi, i cili përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar gjithë ata që mundoheshin prej djallit; sepse Perëndia ishte bashkë me të, 39edhe ne jemi dëshmitarë për gjithë ato që bëri edhe në dhe të Judenjve edhe në Jerusalem; të cilin e vranë duke e varur mbi dru; 40këtë Perëndia e ngjalli të tretën ditë, edhe e bëri atë të duket, 41jo në gjithë popullin, po në dëshmitarët e parazgjedhur prej Perëndisë, do me thënë tek ne që hëngrëm e pimë bashkë me të, pasi u ngjall prej së vdekurish; 42edhe na porositi ne të predikojmë në popull e të dëshmojmë se ai është ai që qe urdhëruar prej Perëndisë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve. 43Për këtë dëshmojnë gjithë profetët, se me anë të emrit të tij do të marrë ndjesë mëkatesh kushdo që i beson atij.

44Ndërsa Pjetri ishte duke folur këto fjalë, ra Fryma e Shenjtë mbi gjithë ata që dëgjonin fjalën. 45Edhe u mahnitën besimtarët që ishin prej rrethprerjes, sa kishin ardhur bashkë me Pjetrin, se edhe në kombet u derdhka Fryma e Shenjtë. 46Sepse i dëgjonin ata duke folur gjuhë, e duke madhëruar Perëndinë. 47Atëherë Pjetri u përgjigj: Mos mundet uji të ndalojë ndonjë që të mos pagëzohen këta, të cilët morën Frymën e Shenjtë, si edhe ne? 48Edhe i urdhëroi ata të pagëzohen në emrin e Zotit. Atëherë iu lutën të qëndrojë pak ditë tek ata.

Kreu 11

dhe apostujt e vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet pranuan fjalën e Perëndisë. 2Edhe kur u ngjit Pjetri në Jerusalem, haheshin me të ata që ishin prej rrethprerjes, 3duke thënë se hyre ndër njerëz të parrethprerë, e hëngre bashkë me ta.

4Po Pjetri zuri e u tregoi atyre sa u bënë një nga një, 5duke thënë: Unë isha duke u lutur në qytetin e Jopës; edhe në ekstazë pashë një vegim, një enë që zbriste si një pëlhurë e madhe, e cila lidhur nga të katër cepat lëshohej poshtë nga qielli, dhe erdhi deri tek unë; 6në të cilën, kur hodha sytë, vura re e pashë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat dhe zvarranikët dhe zogjtë e qiellit. 7Edhe dëgjova një zë që më thoshte: Ngrihu Pjetër, ther e ha. 8Po unë thashë: Qoftë larg, o Zot! Se gjë e ndyrë a e papastër, kurrë s’ka hyrë në gojën time. 9Po zëri m’u përgjigj për së dyti nga qielli: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra. 10Edhe kjo u bë tri herë; dhe përsëri u hoqën të gjitha lart në qiell. 11Edhe ja ku në po atë orë në shtëpinë që isha arritën tre burra, të dërguar nga Qesaria tek unë. 12Edhe Fryma më tha të shkoj bashkë me ta pa pasur fare dyshim; dhe erdhën bashkë me mua edhe këta gjashtë vëllezër, dhe hymë në shtëpinë e atij njeriut. 13Edhe ai na tregoi si kishte parë një engjëll që qëndronte në shtëpinë e tij, i cili i tha: Dërgo në Jopë e thirr Simonin që mbiquhet Pjetër, 14edhe ai do të të flasë ty fjalë, me anë të të cilave do të shpëtosh ti dhe gjithë shtëpia jote. 15Edhe unë posa zura të flas, Fryma e Shenjtë ra mbi ata, sikurse edhe mbi ne herën e parë. 16Atëherë më ra ndër mend fjala e Zotit që thoshte: Joani pagëzoi me ujë, po ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë. 17Në u dha pra Perëndia atyre dhuratën njëlloj si edhe neve, sepse i besuan Zotit Jisu Krisht, cili isha unë që të mund të ndaloj Perëndinë?

18Edhe ata si dëgjuan këto fjalë, u qetësuan dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë: Edhe kombeve pra u paska dhënë Perëndia pendimin për jetë.

19Ata pra që u shpërndanë nga përndjekja që u bë për Stefanin shkuan deri në Finikë e në Qipro e në Antioki, edhe asnjeriu s’ia predikonin fjalën, veç vetëm Judenjve. 20Edhe disa nga ata ishin njerëz Qipriotë e Qireneas, të cilët, si hynë në Antioki, u flisnin Greqishtarëve, duke dhënë lajmin e mirë për Zotin Jisu. 21Edhe dora e Zotit ishte bashkë me ta; dhe një numër i madh besuan, e u kthyen në Zotin. 22Atëherë fjala për ata u dëgjua në veshët e kishës që ishte në Jerusalem; edhe dërguan Varnavën të shkojë  deri në Antioki. 23Ai, si erdhi dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiste të gjithë të qëndronin me dëshirë zemre në Zotin, 24sepse ishte njeri i mirë dhe plot me Frymë të Shenjtë e me besim. Edhe u shtua mjaft popull në Zotin.

25Atëherë Varnava doli në Tars, për të kërkuar Saulin; edhe si e gjeti, e pruri në Antioki. 26Edhe një vit të tërë mblidheshin në kishë dhe mësuan mjaft njerëz; edhe nxënësit në Antioki për të parën herë u quajtën të Krishterë.

27Edhe në ato ditë zbritën nga Jerusalemi profetë në Antioki. 28Edhe u ngrit një nga ata që quhej Agaf, edhe shënoi me anë të Frymës se do të bëhej një zi e madhe në gjithë dhenë, e cila edhe u bë në kohën të Qezar Klaudit. 29Prandaj nxënësit vendosën që gjithësecili nga ata, sipas gjendjes së tij, t’u dërgojnë ndihmë vëllezërve që rrinin në Jude, 30gjë të cilën edhe e bënë, duke ua dërguar pleqve me dorën e Varnavës e të Saulit.

Kreu 12

ë atë kohë mbreti Irod vuri duart t’u bëjë keq disave prej kishës. 2Edhe vrau me thikë Jakovin, të vëllain e Joanit. 3Edhe kur pa se kjo është e pëlqyeshme për Judenjtë, vuri ndër mend të zërë edhe Pjetrin; dhe ishin ditët e të pabrumëtave. 4Edhe e zuri atë dhe e vuri në burg, edhe ua dorëzoi katër palë ushtarëve prej katër vetash secila, që ta ruajnë, sepse pas pashkës donte ta nxirrte përpara popullit. 5Pjetri pra po ruhej në burg; po prej kishës bëhej pa pushim lutje për të.

6Edhe kur do ta nxirrte atë Irodi përpara, atë natë Pjetri lidhur me dy vargonj ishte duke fjetur në mes të dy ushtarëve, edhe rojet ruanin burgun përpara derës. 7Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi papandehur, edhe dritë ndriti në atë vend; edhe si i ra Pjetrit në brinjë, e zgjoi, duke thënë: Ngrihu shpejt. Edhe i ranë vargonjtë nga duart. 8Edhe engjëlli i tha: Ngjishu, edhe mbath sandalet e tua; edhe ai bëri ashtu. Edhe i thotë: Vish rrobën tënde, edhe eja pas meje. 9Edhe ai si doli, i vinte pas, edhe nuk dinte se ishte e vërtetë kjo që bëhej prej engjëllit, po pandehte se sheh vegim. 10Edhe si kaluan rojen e parë e të dytë, erdhën në portën e hekurt që çon në qytet, e cila iu hap atyre prej vetiu; edhe si dolën, shkuan nëpër një rrugë; edhe përnjëherë engjëlli u nda nga ai. 11Edhe Pjetri, si erdhi në vete, tha: Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Irodit dhe nga gjithë shpresa e popullit të Judenjve. 12Edhe pasi u mendua me vete, erdhi në shtëpinë e Marisë, të ëmës së Joanit që mbiquhej Mark, ku ishin mjaft veta mbledhur dhe po luteshin. 13Edhe kur trokiti ai në portën e avllisë, erdhi një shërbëtore që quhej Roda, për të dëgjuar. 14Edhe kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk hapi portën, po shkoi me vrap brenda e lajmëroi se Pjetri po rri përpara portës. 15Edhe ata i thanë asaj: Shkallove. Po ajo këmbëngulte se kështu është. Edha ata thoshnin se është engjëlli i tij. 16Por Pjetri vazhdonte të trokiste, dhe si hapën derën, e panë atë dhe u mahnitën. 17Po ai u bëri atyre shenjë me dorë të mos bëjnë zë, e u tregoi si e nxori Zoti nga burgu. Dhe tha: Lajmëroni Jakovin dhe vëllezërit për këto. Edhe doli e shkoi në vend tjetër.

18Edhe si u bë ditë, u bë shumë trazirë ndërmjet ushtarëve, vallë, ç’u bë Pjetri. 19Edhe Irodi kur e kërkoi e s’e gjeti, pasi pyeti rojet, urdhëroi të vriten, edhe zbriti nga Judea në Qesari dhe shkonte kohën atje.

20Edhe Irodi ishte zemëruar fort me Tirasit e me Sidonasit; po ata erdhën me një zemër tek ai, dhe si i mbushën mendjen Vlastit, kujdestarit të dhomës së mbretit, kërkonin paqe; sepse vendi i tyre ushqehej prej vendit të mbretit. 21Edhe një ditë të caktuar Irodi veshi rrobë mbretërore, edhe ndenji në fron e u ligjëronte atyre. 22Edhe populli me zë të madh thoshte: Ky është zë Perëndie e jo njeriu. 23Edhe menjëherë një engjëll i Zotit e goditi atë; sepse nuk i dha lavdinë Perëndisë; edhe si e hëngrën krimbat dha shpirt.

24Edhe fjala e Perëndisë shtohej e shumohej. 25Edhe Varnava e Sauli, u kthyen nga Jerusalemi, pasi mbaruan shërbesën, duke marrë me vete Joanin që mbiquhej Mark.

Kreu 13

dhe në kishën që ishte në Antioki ishin disa profetë e mësues, Varnava dhe Simeoni që quhej Nigjer, dhe Luçi Qireneasi, edhe Manaini që ishte rritur bashkë me Irod tetrarkun, edhe Sauli. 2Edhe ndërsa ata ishin duke i shërbyer Zotit e duke agjëruar, Fryma e Shenjtë tha: M’i ndani veç Varnavën dhe Saulin për atë punë që i kam thirrur ata. 3Atëherë si agjëruan e u lutën dhe vunë duart mbi ta, i lëshuan.

4Këta pra pasi u dërguan nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Selefki, edhe prej andej lundruan për në Qipro. 5Edhe kur erdhën në Salaminë, predikuan fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e Judenjve; dhe kishin edhe Joanin ndihmës. 6Edhe si kaluan ujdhesën deri në Pafë, gjetën njëfarë magjistari profet të rremë Judeas, që e kishte emrin Barjisu, 7i cili ishte bashkë me guvernatorin Sergj Pavli, një burrë i mençur. Ky thërriti Varnavën dhe Saulin, dhe kërkoi të dëgjojë fjalën e Perëndisë. 8Po Elimas magjistari, se kështu përkthehet emri i tij, i kundërshtonte ata dhe kërkonte ta kthejë guvernatorin nga besimi.

9Po Sauli, që quhej edhe Pavël, u mbush me Frymë të Shenjtë, e si hodhi sytë mbi të, 10tha: O ti që je plot me çdo mashtrim e me çdo farë intrige, bir i djallit, armiku i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së prishuri udhët e drejta të Zotit? 11Edhe tani ja dora e Zotit tek është mbi ty; edhe do të mbetesh i verbër, e nuk do të shohësh diellin deri në një kohë. Edhe përnjëherë ra mbi të një mjegull e errësirë, edhe duke ardhur rrotull kërkonte njerëz që ta hiqnin prej dore. 12Atëherë kur pa guvernatori se ç’u bë, besoi, edhe çuditej për mësimin e Zotit.

13Edhe Pavli dhe ata që ishin rreth tij, pasi u ngritën me anije nga Pafa, erdhën në Pergë të Pamfilisë; edhe Joani u nda nga ata e u kthye në Jerusalem.

14Edhe ata pasi ikën nga Perga, erdhën në Antioki të Pisidisë, dhe si hynë në sinagogë ditën e shtunë, ndenjën. 15Edhe pas leximit të ligjit dhe të profetëve, të parët e sinagogës dërguan tek ata, duke thënë: O burra vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për t’ia mësuar popullit, thuajeni.

16Atëherë Pavli si u ngrit e bëri shenjë me dorë, tha: O burra Izraelitë, dhe ju që keni frikë Perëndinë, pa dëgjoni. 17Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi etërit tanë, edhe ngriti popullin që rrinte i huaj në dhe të Egjiptit, e me krahë të lartë i nxori ata prej tij. 18Edhe deri në dyzet vjet duroi sjelljet e tyre në shkretëtirë. 19Edhe pasi prishi shtatë kombe në dhe të Kanaanit, u ndau atyre me short dheun e tyre. 20Edhe pastaj për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet u dha atyre gjykatës deri në kohën e profetit Samuil. 21Edhe pastaj kërkuan mbret, dhe Perëndia u dha atyre Saulin, të birin e Kisit, një burrë prej farës së Beniaminit, për dyzet vjet. 22Edhe si e hoqi atë, u ngriti atyre Davidin për mbret, për të cilin edhe dëshmoi, duke thënë: “Gjeta Davidin, të birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë dëshirat e mia”. 23Prej farës së këtij Perëndia sipas premtimit, i ngriti Izraelit shpëtimtar Jisuin, 24pasi Joani predikoi, para se të vinte ai, pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit. 25Edhe Joani, kur po mbaronte udhën e tij, thoshte: Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam ai; po ja tek vjen pas meje ai, të cilit nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve.

26O burra vëllezër, bijtë e farës së Avraamit, edhe sa janë ndër ju që kanë frikë Perëndinë, te ju u dërgua fjala e këtij shpëtimi. 27Sepse ata që rrinë në Jerusalem dhe të parët e tyre, pasi nuk e njohën këtë, as fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë, i përmbushën ato, kur e gjykuan, 28edhe ndonëse s’gjetën asnjë faj për vdekje, kërkuan prej Pilatit që të vritet. 29Edhe pasi mbaruan gjithë ato që ishin shkruar për të, e zbritën prej drurit dhe e vunë në varr. 30Po Perëndia e ngjalli prej së vdekurish. 31Edhe ai u duk për shumë ditë tek ata që u ngjitën bashkë me të prej Galilesë në Jerusalem, të cilët janë dëshmitarë të tij tek populli. 32Edhe ne po ju japim juve lajmin e mirë për premtimin që u qe bërë etërve, se këtë Perëndia e përmbushi te ne bijtë e tyre, duke ngjallur Jisuin, 33siç është shkruar edhe në Psalmin e dytë: “Ti je Biri im; unë sot të kam lindur”. 34Edhe se e ngjalli prej së vdekurish, që të mos kthehet më në prishje, ka thënë kështu: “Se do t’ju jap juve premtimet e Davidit që i premtova me besë”. 35Prandaj edhe në një tjetër Psalm thotë: “Se nuk do të lesh Shenjtin tënd të shohë prishje”. 36Sepse Davidi, pasi në brezin e tij i shërbeu vullnetit të Perëndisë, fjeti dhe u vu tek etërit e tij, edhe pa prishje. 37Kurse Ai, të cilin e ngjalli Perëndia, nuk pa prishje.

38Le të jetë pra e ditur për ju, o burra vëllezër, se me anë të këtij ju predikohet juve ndjesë mëkatesh, 39edhe prej gjithë atyre punëve që nuk mundët të drejtësoheni me anë të ligjit të Moisiut, me anë të këtij kushdo që beson drejtësohet. 40Shikoni pra se mos vijë te ju ajo që është thënë prej profetëve: 41“Shikoni ju që më përçmoni dhe çudituni dhe humbisni; sepse unë do të bëj një punë në ditët tuaja, një punë që nuk do ta besoni, në jua tregoftë ndonjë juve”.

42Edhe kur po dilnin nga sinagoga e Judenjve, u luteshin kombet t’u thuhen edhe atyre këto fjalë të shtunën që vjen. 43Edhe si u shpërnda sinagoga, shumë prej Judenjve dhe prej prozelitëve besëtarë shkuan prapa Pavlit e Varnavës, të cilët duke u folur atyre i bindën të mbeten në hirin e Perëndisë. 44Edhe të shtunën tjetër u mblodh pothua gjithë qyteti, që të dëgjonin fjalën e Perëndisë. 45Po Judenjtë, kur panë turmat, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Pavlit, duke folur kundër e duke blasfemuar. 46Atëherë Pavli e Varnava folën me guxim dhe thanë: Për ju ishte e nevojshme më parë të flitej fjala e Perëndisë; po pasi e hidhni poshtë, dhe nuk e gjykoni veten tuaj të denjë për jetën e përjetshme, ja tek po kthehemi te kombet; 47sepse kështu na ka porositur Zoti: “Të kam vënë për dritë të kombeve, që të jesh ti për shpëtim deri në anë të dheut”.

48Edhe kombet kur dëgjuan, gëzoheshin e lavdëronin fjalën e Zotit; edhe sa ishin caktuar për jetën e përjetshme besuan. 49Edhe fjala e Zotit përhapej nëpër gjithë atë vend. 50Po Judenjtë shtynin gratë e nderuara e me sjellje të mira, si dhe të parët e qytetit, edhe ngritën përndjekje kundër Pavlit e Varnavës, edhe i nxorën nga kufijtë e tyre. 51Po ata shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër atyre dhe erdhën në Ikoni. 52Edhe nxënësit mbusheshin me gëzim me Frymë të Shenjtë.

Kreu 14

dhe në Ikoni hynë bashkë në sinagogën e Judenjve, dhe folën kështu, sa besuan një shumicë e madhe prej Judenjve e prej Grekëve. 2Po Judenjtë që nuk bindeshin ndezën dhe prishën shpirtrat e kombeve kundër vëllezërve. 3Mjaft kohë pra ndenjën atje duke folur me guxim për Zotin, i cili dëshmonte për fjalën e hirit të tij dhe jepte të bëhen shenja e çudira me anë të duarve të tyre. 4Edhe shumica e qytetit u përça; e disa ishin me Judenjtë, e disa me apostujt. 5Edhe kur vërshuan kombet e Judenjtë bashkë me të parët e tyre, që t’i shajnë e t’i vrasin me gurë, 6ata e morën vesh, dhe ikën në qytetet e Likaonisë, Listër e Dervë, edhe në vendet për rreth. 7Dhe atje predikonin Ungjillin.

8Edhe në Listër rrinte një njeri i dobët nga këmbët, sepse ishte i çalë që nga barku i së ëmës, i cili kurrë s’kishte ecur. 9Ky dëgjonte duke folur Pavlin, i cili, si hodhi sytë mbi të dhe pa se kishte besim për të shpëtuar, 10tha me zë të madh: Ngrihu drejt më këmbë. Edhe ai kërcente dhe ecte. 11Edhe turmat kur panë se ç’bëri Pavli, ngritën zërin e tyre, duke thënë Likaonisht: Perënditë u shembëllyen me njerëz e zbritën te ne. 12Edhe e quanin Varnavën Zeus, edhe Pavlin Hermes; sepse ky ishte folësi i parë. 13Atëherë prifti i Zeusit që ishte përpara qytetit të tyre pruri dema e kurora përpara dyerve, dhe bashkë me turmën donte të bënte flijime. 14Po apostujt Varnava dhe Pavli, kur dëgjuan, çorën rrobat e tyre e u hodhën në mes turmës, duke thirrur, 15E duke thënë: O burra, pse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz që pësojmë si edhe ju, dhe ju predikojmë të ktheheni nga këto kotësi në Perëndinë e gjallë, që bëri qiellin e dhenë dhe detin edhe gjithë ç’janë në to; 16i cili në brezat që shkuan la gjithë kombet të ecin në udhën e tyre; 17ndonëse nuk e la veten e tij pa dëshmi, duke bërë mirë e duke na dhënë neve nga qielli shira e kohëra frutdhënëse, e duke mbushur zemrat tona me ushqim e me gëzim. 18Edhe duke thënë këto, mezi ndaluan turmën që të mos u bëjnë atyre flijime.

19Edhe në këto e sipër erdhën disa Judenj nga Antiokia e nga Ikonia, dhe i mbushën mendjen turmës, e goditën me gurë Pavlin dhe e zvarritën jashtë qytetit, sepse pandehën se vdiq. 20Po kur e qarkuan nxënësit, u ngrit e hyri në qytet, dhe të nesërmen doli bashkë me Varnavën në Dervë.

21Edhe pasi predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë mjaft nxënës, u kthyen në Listër e në Ikoni e në Antioki, 22duke forcuar shpirtrat e nxënësve, e duke i nxitur ata të qëndrojnë në besim, edhe se me shumë shtrëngime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. 23Edhe si u dorëzuan atyre pleq në çdo kishë, edhe u lutën me agjërime, i lanë te Zoti që i kishin besuar. 24Edhe si shkuan nëpër Pisidi, erdhën në Pamfili; 25edhe si folën fjalën në Pergë, zbritën në Atali. 26Edhe së andejmi lundruan për në Antioki, atje ku ishin dhënë në hirin e Perëndisë për punën që mbaruan.

27Edhe si erdhën, mblodhën kishën, dhe u treguan atyre sa bëri Perëndia me anë të tyre, edhe se hapi në kombet derën e besimit. 28Edhe ndenjën atje shumë kohë bashkë me nxënësit.

Kreu 15

dhe ca veta që zbritën nga Judea mësonin vëllezërit se në mos u rrethprefshi sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoni. 2Po pasi Pavli dhe Varnava u qëndruan kundër dhe u hëngrën jo pak me fjalë me ata, vendosën që Pavli e Varnava dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten tek apostujt dhe te pleqtë në Jerusalem për këtë çështje. 3Ata pra si u përcollën nga kisha, shkonin nëpër Finikë e nëpër Samari, duke treguar kthimin e kombeve; dhe u sillnin gëzim të madh gjithë vëllezërve. 4Edhe kur erdhën në Jerusalem, u pritën prej kishës e prej apostujve e prej pleqve, edhe njoftuan për gjithë sa bëri Perëndia me anë të tyre. 5Po u ngritën disa nga sekti i Farisenjve që kishin besuar, e thoshin se duhet t’i rrethpresim ata e t’i porositim të ruajnë ligjin e Moisiut.

6Edhe u mblodhën apostujt e pleqtë të shikojnë për këtë çështje.

7Edhe pasi u bënë shumë diskutime, u ngrit Pjetri, e u tha atyre: O burra vëllezër, ju e dini se që në ditët e lashta Perëndia në mes tonë zgjodhi që me anë të gojës sime të dëgjojnë kombet fjalën e ungjillit dhe të besojnë. 8Edhe zemërnjohësi Perëndi dha dëshmi tek ata, duke u dhënë atyre Frymën e Shenjtë sikurse edhe neve. 9Edhe nuk bëri ndonjë dallim në mes tonë e atyre, duke pastruar zemrat e tyre me anë të besimit. 10Tani pra përse ngisni Perëndinë, e kërkoni të vini mbi qafën e nxënësve një zgjedhë, të cilën as etërit tanë as ne nuk mundëm ta mbajmë? 11Po me anë të hirit të Zotit Jisu Krisht besojmë se do të shpëtojmë, sikurse edhe ata.

12Edhe gjithë populli heshti dhe dëgjonin Varnavën e Pavlin që tregonin sa shenja e çudira bëri Perëndia me anë të tyre në mes kombeve.

13Edhe si pushuan ata, u përgjigj Jakovi, duke thënë: O burra vëllezër, pa më dëgjoni. 14Simeoni shpjegoi me çfarë mënyre Perëndia të parën herë hodhi sytë mbi kombet, që të marrë prej tyre një popull për emrin e tij. 15Edhe me këtë janë një fjalët e profetëve, siç është shkruar: 16“Pas këtyre do të kthehem e do të ndërtoj përsëri tendën e Davidit që është rrëzuar; edhe rrënojat e saj do t’i ndërtoj përsëri, edhe do ta ngre atë më këmbë; 17që të kërkojnë Zotin njerëzit e tjerë dhe gjithë kombet, në të cilët thërritet emri im, thotë Zoti që i bën këto të gjitha”. 18Që prej jete i janë të njohura Perëndisë gjithë punët e tij. 19Prandaj unë e shoh të udhës të mos i ngasim ata që kthehen nga kombet tek Perëndia. 20Po t’u shkruajmë atyre të heqin dorë nga ndyrësitë e idhujve dhe ngakurvëria dhe nga kafsha e mbytur dhe nga gjaku. 21Sepse Moisiu që prej brezash të lashtë ka në çdo qytet ata që e predikojnë atë nëpër sinagogat, ku lexohet çdo të shtunë.

22Atëherë iu duk e pëlqyeshme apostujve dhe pleqve bashkë me gjithë kishën të zgjedhin burra nga mesi i tyre, dhe t’i dërgojnë në Antioki bashkë me Pavlin e me Varnavën; dhe zgjodhën Judën e mbiquajtur Varsava, dhe Silën, njerëz të parë ndër vëllezërit. 23Edhe u shkruan me anë të dorës së tyre këto:

Apostujt dhe pleqtë e vëllezërit, vëllezërve prej kombeve nëpër Antioki e nëpër Siri e nëpër Kiliki, përshëndetje. 24Pasi dëgjuam se erdhën disa prej nesh, e ju turbulluan ju me fjalë, edhe prishën shpirtrat tuaj, duke thënë të rrethpriteni e të ruani ligjin, të cilët ne nuk i porositëm për këtë; 25na u duk e pëlqyeshme neve që jemi mbledhur bashkë me një zemër, të zgjedhim njerëz, edhe t’i dërgojmë te ju bashkë me të dashurit tanë Varnavë dhe Pavël, 26njerëz që kanë dhënë jetët e tyre për emrin e Zotit tonë Jisu Krisht. 27Dërguam pra Judën dhe Silën, që t’ju thonë edhe ata me gojë po ato. 28Sepse iu duk e pëlqyeshme Frymës së Shenjtë edhe neve, të mos ju vëmë juve tjetër barrë përveç këtyre që janë të nevojshme: 29Të hiqni dorë nga kurbanët e idhujve dhe nga gjaku dhe nga kafsha e mbytur dhe nga imoraliteti; nëse ruani veten tuaj nga këto, do të bëni mirë. Qofshi me shëndet.

30Këta pra si u dërguan, erdhën në Antioki; dhe mblodhën njerëzit e u dorëzuan atyre letrën. 31Edhe ata, si e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin. 32Edhe Juda dhe Sila, që edhe ata ishin profetë, ngushëlluan vëllezërit me shumë fjalë, e i forcuan. 33Edhe si ndenjën atje disa kohë, u dërguan prapë me paqe nga vëllezërit tek apostujt. 34Po Silës i pëlqeu të mbetet aty. 35Edhe Pavli e Varnava rrinin në Antioki, duke mësuar e duke predikuar fjalën e Zotit, bashkë me shumë të tjerë.

36Edhe pas disa ditësh Pavli i tha Varnavës: Le të kthehemi tani të shohim si janë vëllezërit tanë në çdo qytet ku dhamë lajmin e mirë për Zotin. 37Edhe Varnava donte të marrë me vete Joanin që quhej Mark. 38Po Pavlit nuk iu duk e pëlqyeshme të marrë me vete atë që qe ndarë prej tyre nga Pamfilia, dhe nuk erdhi me ta në punë. 39Ndodhi pra një grindje, kaq sa ata u ndanë njëri prej tjetrit; edhe Varnava mori me vete Markun dhe lundroi për në Qipro.

40Po Pavli zgjodhi Silën dhe doli, si u dorëzua prej vëllezërve në hir të Perëndisë. 41Edhe shkuan nëpër Siri e nëpër Kiliki, duke forcuar kishat.

Kreu 16

dhe arriti në Dervë e në Listër; dhe ja tek ishte atje një nxënës që quhej Timothe, i biri i një gruaje Judease besimtare, dhe i një ati Grek, 2për të cilin jepej dëshmi e mirë prej vëllezërve që ishin në Listër e në Ikoni. 3Këtë e deshi Pavli që të dalë bashkë me të; dhe si e mori, e rrethpreu, për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e njihnin të atin e tij se ishte Grek. 4Edhe duke shkuar nëpër qytetet, u linin atyre porosi të ruajnë dogmat që ishin urdhëruar nga apostujt e nga pleqtë që ishin në Jerusalem. 5Kishat pra forcoheshin në besim e përditë shtoheshin nga numri.

6Edhe pasi shkuan nëpër Frigji e nëpër dheun e Galatisë, sepse u ndaluan nga Fryma e Shenjtë të predikonin fjalën në Azi, erdhën në Misi, 7edhe kërkonin të shkonin në Bitini, po Fryma nuk i la. 8Edhe si shkuan nëpër Misi, zbritën në Troadë. 9Edhe Pavlit iu shfaq natën një vegim: një njeri Maqedonas rrinte përpara duke iu lutur e duke thënë atij: Kalo në Maqedoni, e ndihmona. 10Edhe posa pa vegimin, përnjëherë kërkuam të shkojmë në Maqedoni, sepse e morëm me mend se Zoti po na thërret t’u japim atyre lajmin e mirë.

11Si lundruam pra nga Troada e morëm udhën drejt për në Samotrakë, edhe të nesërmen për në Neapoli, 12dhe së andejmi për në Filipë, që është qyteti kryesor i asaj ane të Maqedonisë, një koloni Romakësh; edhe ndenjëm disa ditë në këtë qytet.

13Edhe ditën e shtunë dolëm jashtë qytetit pranë një lumi, ku ishte zakon të bëhet lutje, edhe ndenjëm e flisnim me gratë që ishin mbledhur atje. 14Edhe një grua që quhej Lidia, nga qyteti i Tiatirës, e cila shiste purpur e nderonte Perëndinë, po dëgjonte; sepse Zoti i hapi zemrën t’u mbajë vesh fjalëve që fliste Pavli. 15Edhe si u pagëzua ajo dhe shtëpia e saj, na lutej, duke thënë: Nëse më keni gjykuar se jam besimtare në Zotin, hyni në shtëpinë time dhe rrini; edhe na detyroi të pranojmë.

16Edhe kur po vinim ne për t’u lutur, u takua me ne një shërbëtore që kishte frymë Pitoni, e cila u jepte shumë fitim zotërinjve të saj duke u rrëfyer njerëzve fatin. 17Ajo duke shkuar pas Pavlit e nesh, bërtiste, duke thënë: Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së lartë, të cilët na tregojnë udhën e shpëtimit. 18Edhe këtë e bënte shumë ditë me radhë. Edhe Pavli si u rëndua, u kthye e i tha frymës: Të urdhëroj në emër të Jisu Krishtit të dalësh prej saj. Edhe doli që atë orë.

19Edhe zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, zunë Pavlin dhe Silën e i sollën në treg tek të parët. 20Edhe si i prunë ata përpara të mëdhenjve, thanë: Këta njerëz, duke qenë Judenj, turbullojnë qytetin tonë, 21edhe mësojnë zakone që s’është e udhës t’i pranojmë ne; as t’i bëjmë, sepse jemi Romakë. 22Edhe turma bashkarisht u sul mbi ta, edhe të mëdhenjtë u grisën rrobat e urdhëruan t’i rrahin me shkopinj. 23Edhe si i bënë me shumë plagë, i vunë në burg, edhe porositën rojen e burgut t’i ruajë me siguri. 24Ky si mori një porosi të këtillë, i vuri në burgun e brendshëm e u shtrëngoi këmbët në dru.

25Edhe në mes të natës Pavli dhe Sila luteshin e i këndonin himne Perëndisë; dhe të lidhurit u mbanin vesh atyre. 26Edhe papandehur u bë një tërmet i madh, kaq sa u tundën themelet e burgut; edhe përnjëherë u hapën të gjitha dyert, dhe të gjithëve iu zgjidhën hekurat. 27Edhe roja i burgut kur u zgjua, edhe pa dyert e burgut të hapura, nxori thikën e donte të vriste veten, sepse pandehte se kishin ikur të lidhurit. 28Po Pavli thërriti me zë të madh, duke thënë: Mos i bëj ndonjë të keqe vetes sate, sepse të gjithë jemi këtu. 29Atëherë ai kërkoi dritë e kërceu brenda, edhe duke u dridhur u ra ndër këmbë Pavlit dhe Silës. 30Edhe si i nxori ata jashtë, tha: Zotërinj, ç’duhet të bëj unë, që të shpëtoj? 31Edhe ata i thanë: Beso Zotin Jisu Krisht, dhe do të shpëtosh ti dhe shtëpia jote. 32Edhe i folën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij. 33Edhe ai i mori me vete që në atë orë të natës e u lau plagët; edhe përnjëherë u pagëzua ai dhe gjithë të tijtë. 34 Edhe si u ngjit sipër në shtëpinë e tij, u shtroi tryezë, edhe u gëzua me gjithë shtëpinë, sepse besoi Perëndinë.

35Edhe si u gdhi, të mëdhenjtë dërguan shkopmbajtësit, duke thënë: Lëshoi ata njerëz. 36Edhe roja i burgut i dha zë Pavlit për këto fjalë, se të mëdhenjtë kanë dërguar që të liroheni. Tani pra dilni e shkoni në paqe. 37Po Pavli u tha atyre: Pasi na rrahën në sy të botës pa gjykuar, ne që jemi njerëz Romakë e na vunë në burg, dhe tani na nxjerrin fshehurazi? 38Edhe shkopmbajtësit lajmëruan të mëdhenjtë për këto fjalë; edhe ata u frikësuan, kur dëgjuan se janë romakë. 39Edhe erdhën e iu lutën atyre, edhe si i nxorën, u luteshin të dalin nga qyteti. 40Edhe ata si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias; edhe kur panë vëllezërit, i ngushëlluan e ikën.

Kreu 17

dhe si kaluan nëpër Amfipoli e nëpër Apoloni, erdhën në Thesalonik, ku ishte sinagoga e Judenjve. 2Edhe Pavli sipas zakonit të tij hyri tek ata, edhe tri të shtuna me radhë diskutonte me ta prej shkrimeve, 3duke zgjidhur e duke u treguar se Krishti duhej të pësonte e të ngjallej prej së vdekurish, edhe se ky është Krishti Jisu, që po ju predikoj unë juve. 4Edhe disave nga u bindën, edhe u bashkuan me Pavlin e me Silën, si dhe një shumicë e madhe nga Grekët shpresëtarë, edhe jo pak nga gratë e parisë.

5Po ata Judenj, të cilët nuk bindeshin, patën smirë, edhe morën me vete ca njerëz të këqij nga ata të tregut, edhe mblodhën njerëz, edhe trazonin qytetin; edhe u sulën në shtëpinë e Jasonit, edhe kërkonin që t’i sillnin ata në popull. 6Po pasi nuk i gjetën, hoqën zvarrë Jasonin dhe ca vëllezër tek të parët e qytetit, duke bërtitur se këta që kthyen përmbys botën, kanë ardhur edhe këtu, 7të cilët Jasoni i priti në shtëpi; dhe të gjithë këta punojnë kundër urdhëresave të Qezarit, duke thënë se është një tjetër mbret, Jisui. 8Edhe përzien turmën dhe të parët e qytetit që i dëgjonin këto. 9Edhe si u siguruan prej Jasonit e prej të tjerëve, i lëshuan.

10Edhe vëllezërit përnjëherë natën dërguan jashtë Pavlin dhe Silën në Verje, të cilët kur erdhën, shkuan në sinagogën e Judenjve. 11Por këta ishin më të fisëm se ata të Thesalonikut, sepse e pranuan fjalën me gjithë zemër, duke vëzhguar përditë shkrimet, në janë kështu këto punë. 12Shumë pra nga ata besuan, si dhe nga gratë e nderuara të Grekëve, edhe nga burrat jo pak. 13Po kur morën vesh Judenjtë nga Thesaloniku se edhe në Verje u predikua fjala e Perëndisë prej Pavlit, erdhën edhe atje dhe turbulluan gjindjen. 14Edhe atëherë përnjëherë vëllezërit e dërguan Pavlin jashtë që të shkojë deri në det; po Sila e Timotheu mbetën atje. 15Edhe ata që i hiqnin udhën Pavlit e çuan deri në Athinë; dhe si morën porosi për Silën e Timotheun, që të vijnë sa mundet më shpejt tek ai, shkuan.

16Edhe ndërsa Pavli po priste ata në Athinë, i përvëlonte brenda në shpirt kur shikonte qytetin plot me idhuj. 17Fliste pra në sinagogë me Judenjtë e me ata me frikë Perëndie dhe në treg çdo ditë me ata që haste. 18 Edhe disa filozofë nga Epikurianët e nga Stoikët diskutonin me të; edhe disa thoshin: Vallë, ç’do të thotë ky fjalaman? Dhe të tjerë thoshin: Duket se është zëdhënës i perëndive të huaja; sepse u predikonte atyre Jisuin dhe ngjalljen. 19Edhe ata e kapën dhe e çuan në Areopag, duke thënë: A mund të marrim vesh, ç’është ky mësim i ri që flitet prej teje? 20Sepse ti na sjell ca gjëra të çuditshme në veshët tanë. Duam pra të marrim vesh, ç’do të jenë këto. 21Sepse gjithë Athinasit dhe të huajt që rrinin atje nuk kishin nge për ndonjë tjetër gjë, veç të thonë e të dëgjojnë ndonjë fjalë më të re.

22Atëherë Pavli qëndroi në mes të Areopagut, e tha: O burra Athinas, shikoj se mbi të gjitha jeni tepër besimtarë. 23Sepse, duke shkuar e duke vënë re vendet e adhurimit tuaj, gjeta edhe një altar, mbi të cilin është shkruar: Perëndisë së Panjohur. Atë pra që nuk e njihni dhe e adhuroni, këtë po ju tregoj unë juve. 24Perëndia që bëri botën dhe gjithë sa janë në të, ky, duke qenë Zot i qiellit e i dheut, nuk rri në tempuj të bërë me dorë, 25as nuk shërbehet nga duar njerëzish, si të ketë nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë dhe shpirt dhe gjithçka. 26Edhe bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi gjithë faqen e dheut, edhe paracaktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre; 27që të kërkojnë Zotin, se mos ndoshta e takojnë dhe e gjejnë, ndonëse ai s’është larg prej secilitdo prej nesh; 28sepse me anë të tij rrojmë, dhe lëvizim, dhe jemi, sikurse edhe disa nga poetët tuaj kanë thënë: “Sepse edhe jemi farë e tij”. 29Duke qenë pra farë e Perëndisë, nuk duhet të pandehim se Perëndia ngjan me ar a me argjend a me gur të latuar me mjeshtëri e shpikje njeriu. 30Perëndia pra, i cili nuk vuri re kohët e paditurisë, tani porosit gjithë njerëzit në çdo vend të pendohen; 31sepse caktoi një ditë, në të cilën do të gjykojë botën me drejtësi me anë të një njeriu, të cilin e caktoi për këtë, edhe këtë ua vërtetoi të gjithëve, duke e ngjallur atë prej së vdekurish.

32Edhe kur dëgjuan ngjallje prej së vdekurish, disa e përqeshnin, po disa thanë: Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë. 33Edhe kështu Pavli doli nga mesi i tyre. 34Edhe disa burra iu ngjitën dhe besuan; në mes tyre ishte edhe Dionis Areopagjiti, dhe një grua që quhej Damarida, edhe të tjerë bashkë me ata.

Kreu 18

dhe pas këtyre Pavli, si iku nga Athina, erdhi në Korint; 2edhe si gjeti një Jude që quhej Akila, lindur në Pont dhe ardhur rishtazi nga Italia me gruan e tij, Priskilën, sepse Klaudi kishte urdhëruar të ikin të gjithë Judenjtë nga Roma, erdhi tek ata. 3Edhe pasi kishte po atë mjeshtëri, mbeti pranë tyre dhe punonte; sepse mjeshtëria e tyre ishte të bëjnë tenda. 4Edhe fliste në sinagogë çdo të shtunë dhe i bindte Judenj e Grekë. 5Edhe kur zbritën nga Maqedonia Sila e Timotheu, Pavli vuante në shpirt e jepte dëshmi tek Judenjtë se Jisui është Krishti.

6Po meqenëse ata i kundërviheshin dhe blasfemonin, shkundi rrobat e tij e u tha atyre: Gjaku juaj qoftë mbi kryet tuaj; unë jam i kulluar; që tani e tutje do të shkoj nëpër kombet.

7Edhe si iku së andejmi, erdhi në shtëpinë e dikujt që quhej Just, i cili druhej nga Perëndia, edhe shtëpia e tij ishte ngjitur përkrah me sinagogën. 8Edhe Krispi, i pari i sinagogës, i besoi Zotit me gjithë shtëpinë e tij; dhe shumë veta prej Korintianëve duke dëgjuar besonin dhe pagëzoheshin. 9Edhe Zoti i tha Pavlit natën me anë të një vegimi: Mos u frikëso, po fol dhe mos pusho; 10sepse unë jam bashkë me ty dhe asnjë nuk do të vërë dorë mbi ty, që të të bëjë keq; sepse kam shumë popull në këtë qytet. 11Edhe ndenji atje një vit e gjashtë muaj, duke u mësuar atyre fjalën e Perëndisë.

12Edhe kur ishte Galioni guvernator i Akaisë, Judenjt me një mendje u ngritën kundër Pavlit dhe e prunë në gjykatë, 13duke thënë se ky u mbush mendjen njerëzve të adhurojnë Perëndinë kundër ligjit. 14Edhe kur Pavli do të hapte gojën Galioni u tha Judenjve: Po të ishte ndonjë padrejtësi a punë e keqe, o Judenj, do të kisha shkak t’ju duroj ju. 15Po në është çështje për fjalë e për emra e për ligjin tuaj, vështrojeni ju vetë; sepse unë s’dua të jem gjykatës i këtyre punëve. 16Edhe i përzuri ata nga gjykatorja. 17Edhe gjithë Grekët zunë Sostenin, të parin e sinagogës, edhe e rrihnin përpara gjykatores. Edhe Galioni s’donte të dinte fare për këto.

18Edhe Pavli, pasi priti edhe mjaft ditë, u la shëndet vëllezërve dhe lundroi për në Siri, edhe bashkë me të edhe Priskila dhe Akila, pasi qethi kryet në Qenkre, sepse kishte bërë një zotim. 19Edhe arriti në Efes dhe ata i la aty, po vetë hyri në sinagogë e fliste me Judenjtë. 20Edhe ata iu lutën të qëndrojë më tepër kohë pranë tyre, po nuk u bind; 21por u la shëndet atyre, duke thënë: Pa fjalë duhet ta bëj të kremten që vjen në Jerusalem, dhe do të kthehem përsëri te ju, në dashtë Perëndia. Edhe lundroi prej Efesit. 22Edhe si doli në tokë në Qesari, u ngjit në Jerusalem, edhe si përshëndeti kishën, zbriti në Antioki. 23Edhe pasi ndenji ca kohë atje, doli e shkonte me radhë nëpër gjithë vendin e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë nxënësit.

24Edhe një Judeas që quhej Apollo, lindur në Aleksandri, i cili ishte njeri i zoti në fjalë dhe i fortë në shkrimet, zbriti në Efes. 25Ky ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe i nxehtë në shpirt, fliste e mësonte me saktësi punët e Zotit, duke ditur vetëm pagëzimin e Joanit. 26Edhe ky zuri të flasë me guxim në sinagogë. Edhe Akila e Priskila, kur e dëgjuan atë, e morën me vete dhe i treguan udhën e Perëndisë më qartë. 27Edhe pasi donte të shkonte në Akai, vëllezërit u shkruan nxënësve e i këshillonin ta presin. Ky, kur erdhi, u ndihmoi shumë atyre që kishin besuar me anë të hirit. 28Sepse me shumë fuqi ua zbulonte Judenjve botërisht, duke treguar me anë të shkrimeve se Jisui është Krishti.

Kreu 19

dhe kur ishte Apolloi në Korint, Pavli, pasi shkoi nëpër anët e sipërme, erdhi në Efes; edhe si gjeti disa nxënës, 2u tha atyre: A morët Frymë të Shenjtë, kur besuat? Edhe ata i thanë: Por as nuk kemi dëgjuar në ka Frymë të Shenjtë. 3Edhe ai u tha atyre: Në se pra u pagëzuat? Edhe ata i thanë: Në pagëzimin e Joanit. 4Edhe Pavli tha: Joani pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit t’i besojnë atij që do të vinte pas atij, domethënë Jisu Krishtit. 5Edhe ata si dëgjuan, u pagëzuan në emrin e Zotit Jisu. 6Edhe si vuri Pavli duart mbi ata, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta, dhe flisnin gjuhë e profetizonin. 7Edhe gjithë këta ishin rreth dymbëdhjetë burra.

8Edhe si hyri në sinagogë, u fliste me guxim, duke kuvenduar tre muaj me radhë e duke i bindur për punët e mbretërisë së Perëndisë. 9Po pasi disa nga ata ashpërsoheshin e s’u mbushej mendja dhe flisnin keq për udhën e Zotit përpara turmës, u largua prej tyre, edhe ndau nxënësit, duke kuvenduar përditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran. 10Edhe kjo u bë dy vjet me radhë; kaq sa të gjithë ata që rrinin në Azi, Judenj e Grekë, dëgjuan fjalën e Zotit Jisu. 11Edhe çudi të mëdha bënte Perëndia me anë të duarve të Pavlit, 12aq sa edhe mbi të sëmurët çonin shami a përparëse nga trupi i tij, edhe sëmundjet iknin nga ata, edhe frymët e liga dilnin prej tyre.

13Edhe disa nga Judenjtë djajnxjerrës shëtitësnisën të zënë në gojë emrin e Zotit në ata që kishin frymë të liga, duke thënë: Ju përbetojmë në Jisuin që predikon Pavli. 14Edhe ata që bënin këtë ishin shtatë bij të një Judeu kryeprift që quhej Sqevà. 15Edhe fryma e ligë u përgjigj e tha: Jisuin e njoh, edhe Pavlin e di; po ju cilët jeni? 16Edhe ai njeriu, tek i cili ishte fryma e ligë, u hodh mbi ta, edhe si i mundi, doli më i fortë se ata, kaq sa lakuriq e të plagosur ikën prej shtëpisë së tij. 17Edhe kjo u bë e ditur tek të gjithë Judenjtë e Grekët që rrinin në Efes; edhe ra frikë tek të gjithë ata, edhe madhërohej emri i Zotit Jisu. 18Edhe shumë nga ata që kishin besuar vinin duke rrëfyer e duke treguar punët e tyre, 19Edhe mjaft veta nga ata që bënin magji sillnin librat e tyre e i digjnin përpara të gjithëve; edhe pasi numëruan vlerat e tyre, i gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë argjende. 20Kështu fort shtohej e forcohej fjala e Zotit.

21Edhe si u mbaruan këto, Pavli e vuri ndër mend, pasi të kalojë nëpër Maqedoni e nëpër Akai, të shkojë në Jerusalem, dhe tha se si të shkoj atje, duhet të shoh edhe Romën. 22Edhe dërgoi në Maqedoni dy veta nga ata që i shërbenin, Timotheun dhe Erastin, po ai vetë qëndroi ca kohë në Azi.

23Edhe në atë kohë u bë jo pak trazirë për këtë udhë. 24Sepse një argjendar që quhej Dhimitër, duke bërë tempuj të argjentë të Artemidës, u jepte mjeshtërve jo pak përfitim. 25Ky si i mblodhi këta dhe ata që punonin të tilla, tha: O burra, e dini mirë se prej kësaj pune është mirëqenia jonë. 26Edhe vini re e dëgjoni, se shumë njerëzve jo vetëm të Efesit, po edhe të gjithë Azisë pothuaj, ky Pavli u mbushi mendjen e i ktheu, duke thënë se nuk janë perëndi ata që bëhen me duar. 27Edhe jo vetëm kjo mjeshtëria jonë është në rrezik të bjerë poshtë, po edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemida të mos llogaritet fare, edhe do të humbasë madhëria e saj, të cilën gjithë Azia dhe bota e nderon.

28Edhe ata kur dëgjuan, u mbushën me zemërim e bërtisnin duke thënë: E madhe është Artemida e Efesianëve. 29Edhe tërë qyteti u mbush me pështjellim; dhe si mbërthyen Gain e Aristarkun, Maqedonas, shokë udhe të Pavlit, u sulën bashkarisht në teatër. 30Edhe Pavli kur donte të hynte në mes gjindjes, nxënësit nuk e linin. 31Edhe disa nga të mëdhenjtë e Azisë, që ishin miq të atij, dërguan tek ai dhe i luteshin të mos dalë në teatër. 32Të tjerë pra thërrisnin për një gjë, e të tjerë për tjetër; sepse bashkëmbledhja ishte pështjelluar fort dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.

33Edhe prej turmës nxorën përpara Aleksandrin që të fliste, sepse Judenjtë e kishin vënë përpara, edhe Aleksandri duke tundur dorën donte të mbrohej para popullit. 34Po pasi e njohën se është Judeas, u bë një zë nga të gjithë, duke bërtitur afër dy orë: E madhe është Artemida e Efesianëve.

35Edhe shkruesi i qytetit, si zbuti turmën, thotë: O burra Efesianë, cili është ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve i shërben tempullit të perëndeshës së madhe Artemida dhe idhullit që zbriti nga Zeusi? 36Pasi pra këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe asgjë të mos bëni me rrëmbim. 37Sepse keni prurë këta njerëz, të cilët as kanë vjedhur gjë nga tempulli, as perëndeshën tuaj nuk kanë blasfemuar. 38 Në qoftë pra se Dhimitri dhe mjeshtërit që janë bashkë me të kanë fjalë kundër ndonjërit, ka ditë gjyqi, ka edhe gjykatës; le të padisin njëri-tjetrin. 39Por nëse kërkoni gjë për të tjera çështje, kjo do të zgjidhet në bashkëmbledhjen. 40Sepse jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për trazirën e sotme, sepse s’ka ndonjë lloj shkaku, me anë të të cilit të mund të justifikohemi për këtë trazirë. 41Edhe duke thënë këto, la mbledhjen.

Kreu 20

dhe pasi pushoi turbullimi, Pavli thërriti nxënësit e u përshëndet me ta, edhe doli të shkojë në Maqedoni. 2Edhe si shkoi nëpër ato anë e i ngushëlloi me shumë fjalë, erdhi në Greqi.

3Edhe bëri atje tre muaj. Edhe pasi kundër tij u bë një pritë prej Judenjve, kur do të lundronte për në Siri, u vendos të kthehet nëpërmjet Maqedonisë. 4Edhe i shkoi pas deri në Azi Sopatri nga Veriea, edhe Aristarku e Sekundi nga Selaniku, edhe Gai nga Derva, edhe Timotheu; edhe nga Aziatikët Tihiku e Trofimi. 5Këta shkuan më parë dhe na prisnin në Troadë. 6Edhe ne lundruam në Filipë pas ditëve të të pabrumëtave, edhe për pesë ditë erdhëm tek ata në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.

7Edhe ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur nxënësit për të thyer bukën, Pavli kuvendonte me ata, sepse kishte për të ikur të nesërmen; edhe e zgjati fjalën deri në mes të natës. 8Edhe në dhomën e sipërme ku ishin mbledhur, ishin mjaft qirinj të ndezur. 9Edhe një djalosh që quhej Eutik, duke ndenjur mbi dritare, e mori një gjumë i rëndë, tek po kuvendonte Pavli gjerë e gjatë, edhe si e zuri gjumi, ra poshtë prej katit të tretë, edhe e ngritën të vdekur. 10Edhe Pavli, si zbriti, ra mbi të, edhe si e pushtoi, tha: Mos u shqetësoni, sepse shpirti i tij është tek ai. 11Edhe si u ngjit dhe theu bukë e hëngri, edhe foli mjaft deri në të zbardhëlluar, pastaj shkoi. 12Edhe e prunë djalin të gjallë, edhe u ngushëlluan tepër fort.

13Edhe ne shkuam më parë në lundër dhe lundruam për në Asë, dhe andej do të merrnim Pavlin; sepse kështu kishte porositur, sepse ai donte të vinte më këmbë. 14Edhe si u takua me ne në Asë, e morëm e erdhëm në Mitilinë, 15edhe që andej lundruam dhe të nesërmen erdhëm përballë Hios; dhe ditën tjetër arritëm në Samo; dhe si qëndruam në Trogjili, të nesërmen erdhëm në Militë. 16Sepse Pavli e kishte parë të udhës të lundrojë anash Efesit, që të mos e humbte kohën në Azi; sepse nxitonte, në ishte e mundur për të, ditën e Pendikostisë të gjendet në Jerusalem.

17Edhe prej Militës dërgoi në Efes e thirri pleqtë e kishës. 18Edhe kur këta erdhën tek ai, u tha atyre: Ju e dini që ditën e parë që shkela në Azi se si e shkova gjithë kohën bashkë me ju, 19duke i shërbyer Zotit gjithë përulësi e me shumë lot e me ngasje, të cilat më ndodhën nga dredhitë e Judenjve kundër meje; 20edhe se nuk fsheha gjë nga ato që ishin për të mirën tuaj, po jua tregova e jua mësova juve në sy të botës e nëpër shtëpitë, 21duke dhënë dëshmi në Judenj e në Grekë për pendimin në Perëndinë dhe për besimin në Zotin tonë Jisu Krisht. 22 Edhe tani ja unë tek po shkoj në Jerusalem lidhur në shpirt, pa ditur se ç’do të më ngjasë në të, 23Përveç kësaj, Fryma e Shenjtë jep dëshmi në çdo qytet, duke thënë se po më presin vargonj e shtrëngime. 24Po s’dua të di fare për ndonjë nga këto, as jetën s’e kam të çmuar në veten time kaq, sa të mbaroj udhën time me gëzim, dhe atë shërbesën që mora prej Zotit Jisu, të jap dëshmi për ungjillin e hirit të Perëndisë. 25Edhe tani ja unë tek e di se më s’keni për ta parë faqen time ju të gjithë, në mes të të cilëve shkova duke predikuar mbretërinë e Perëndisë. 26Prandaj ju jap dëshmi sot në këtë ditë, se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve. 27Sepse unë nuk u tërhoqa që të mos ju rrëfej juve gjithë vullnetin e Perëndisë. 28Kini pra kujdes për veten tuaj dhe për gjithë tufën, mbi të cilën Fryma e Shenjtë ju vuri ju kujdestarë, që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën e fitoi me gjakun e tij. 29Sepse unë e di këtë, se pas ikjes sime kanë për të hyrë tek ju ujqër të këqij, të cilët s’kanë për ta kursyer tufën. 30Edhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz duke folur gjëra të shtrembëra, që të tërheqin nxënësit pas vetes së tyre. 31Prandaj rrini zgjuar e sillni ndër mend se tre vjet natë e ditë s’pushova duke këshilluar me lot gjithësecilin. 32Edhe tani, o vëllezër, ju lë juve në Perëndinë, edhe në fjalën e hirit të tij, i cili mund t’ju ndërtojë e t’ju japë juve trashëgim në mes të gjithë të shenjtëruarve. 33Argjend ose ar ose rrobë të askujt nuk dëshirova. 34Edhe ju vetë e dini se këto duart e mia kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. 35Me çdo mënyrë ju tregova juve se kështu duke u munduar duhet t’u ndihmoni të pafuqishmëve, edhe të kujtoni fjalët e Zotit Jisu, se ai vetë tha: “Lumturi më e madhe është të japë njeriu se të marrë”.

36Edhe si tha këto, u ul në gjunjë e u fal bashkë me ata të gjithë. 37Edhe ata të gjithë qanë mjaft dhe e përqafuan Pavlin dhe e puthnin; 38edhe hidhëroheshin fort për fjalën që kishte thënë, se s’kanë për ta parë më faqen e tij. Edhe e përcillnin në lundër.

Kreu 21

dhe si u ndamë nga ata, lundruam e duke marrë udhën drejt erdhëm në Ko, edhe ditën tjetër në Rodos, edhe që andej në Patara. 2Edhe si gjetëm një lundër që kishte për të shkuar në Finikë, hipëm në të e lundruam. 3Edhe kur pamë për së largu Qipron, dhe e lamë në të majtë, lundruam për në Siri, edhe dolëm në Tir; sepse atje lundra kishte për të shkarkuar ngarkesën. 4Edhe si gjetëm nxënësit, qëndruam atje shtatë ditë; edhe ata i thoshin Pavlit me anë të Frymës, që mos ngjitet në Jerusalem. 5Edhe si i mbaruam ato ditë, dolëm e shkonim, edhe ata të gjithë me gra e me fëmijë na përcillnin deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm mbi gjunjë në buzë të detit, u falëm. 6Edhe si përshëndetëm njëri-tjetrin hipëm në lundër, dhe ata u kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

7Edhe ne si mbaruam lundrimin prej Tirit arritëm në Ptolemaidë, e si përshëndetëm vëllezërit, qëndruam një ditë pranë tyre. 8Edhe të nesërmen, dolëm e erdhëm në Qesari dhe si hymë në shtëpinë e Filip Ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, qëndruam pranë tij. 9Edhe ky kishte katër bija virgjëresha që profetizonin. 10Edhe ndërsa ne ishim duke qëndruar atje mjaft ditë, zbriti nga Judea një profet që quhej Agaf. 11Edhe si erdhi tek ne, mori brezin e Pavlit dhe si lidhi duart e këmbët e tij tha: Këto thotë Fryma e Shenjtë, kështu do ta lidhin Judenjtë në Jerusalem atë burrë, i të cilit është ky brez, edhe do t’ua dorëzojnë kombeve. 12Edhe kur dëgjuam këto, i luteshim edhe ne edhe vendasit të mos ngjitet ai në Jerusalem. 13Po Pavli u përgjigj: Ç’bëni kështu duke qarë e duke copëtuar zemrën time? Sepse unë jam gati jo vetëm të lidhem, po edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jisu. 14Edhe pasi nuk i mbushej mendja, pushuam, duke thënë: Le të bëhet dëshira e Zotit. 15Edhe pas këtyre ditëve bëmë gati plaçkat e u ngjitëm në Jerusalem. 16Edhe erdhën bashkë me ne edhe disa nxënës nga Qesaria, edhe prunë një farë Mnason Qipriani, një nxënës të vjetër, në shtëpinë e të cilit do të qëndronim.

17Edhe si erdhëm ne në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. 18Edhe ditën tjetër Pavli shkoi bashkë me ne te Jakovi; edhe erdhën gjithë pleqtë. 19Edhe si i përshëndeti, u tregonte atyre një nga një gjithë sa bëri Perëndia ndër kombet me anë të shërbesës së tij. 20Edhe ata kur dëgjuan, lavdëronin Zotin; dhe i thanë: E shikon, o vëlla, sa shumë mijëra Judenj janë që kanë besuar; dhe të gjithë janë zelltarë të ligjit. 21Edhe morën vesh për ty se mëson gjithë Judenjtë që janë ndër kombet të largohen prej Moisiut, duke thënë të mos rrethpresin djemtë, as të mos ecin sipas zakoneve. 22Çfarë pra? Pa fjalë turma do të mblidhet, sepse do të dëgjojnë se ke ardhur. 23 Bëj pra këtë që të themi. Janë tek ne katër burra, që kanë një betim mbi veten e tyre. 24Merri këta edhe pastrohu bashkë me ta, dhe prish për ta, që të rruajnë kryet, dhe të gjithë ta dinë se s’janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, po se edhe ti vetë je duke ruajtur gjithnjë ligjin? 25Sa për ata kombet që kanë besuar, ne u shkruajtëm, pasi e pamë të udhës ata të mos ruajnë asgjë të këtillë, veç të ruhen prej flijimeve të idhujve dhe prej gjakut dhe prej kafshës së mbytur dhe prej imoralitetit. 26Atëherë Pavli i mori me vete ata burrat, dhe ditën tjetër, si u pastrua bashkë me ata, hyri në tempull, dhe lajmëron kur mbushen ditët e pastrimit, kur do të sillej dhuratë për secilin prej tyre.

27Edhe kur do të mbusheshin të shtatë ditët, ata Judenjtë që ishin nga Azia, kur e panë atë në tempull, trazuan gjithë turmën, edhe vunë duart mbi të, 28duke bërtitur: O burra Izraelitë, ndihmonani. Ky është ai njeriu që mëson kudo gjithë njerëzit kundër popullit dhe ligjit dhe këtij vendi; dhe madje edhe Grekë futi në tempull, dhe ndoti këtë vend të shenjtë. 29Sepse kishin parë më parë Trofim Efesianin bashkë me të në qytet, të cilin pandehnin se Pavli e kishte futur në tempull. 30Edhe u tund gjithë qyteti, dhe u mblodh populli; dhe si zunë Pavlin, e hoqën jashtë tempullit; dhe përnjëherë u mbyllën dyert.

31Edhe tek kërkonin ta vrisnin, shkoi fjala te kryemijësii kohortës, se gjithë Jerusalemi është trazuar. 32Ky përnjëherë mori me vete ushtarë e kryeqindës e u sul poshtë mbi ata. Edhe ata kur panë kryemijësin edhe ushtarët, pushuan së rrahuri Pavlin. 33Atëherë kryemijësi u afrua dhe e zuri dhe urdhëroi të lidhet me dy vargje hekurash, dhe pyeste, cili ishte ai dhe ç’kishte bërë. 34Edhe në mes të turmës bërtisnin disa për një, e të tjerë për tjetër punë; edhe pasi nuk mundi të marrë vesh të vërtetën për trazirën, urdhëroi të sillet në fortesë. 35Edhe kur erdhi tek shkallët, u desh të mbahej nga ushtarët përshkak të dhunës nga ana e turmës. 36Sepse turma e popullit vinte pas duke bërtitur: Ngrije atë.

37Edhe Pavli, kur do të hynte në fortesë, i thotë kryemijësit: A më lejohet të të them diçka? 38Edhe ai tha: A di greqisht? Vallë, mos je ti ai Egjiptiani, që ngriti krye para pak kohësh dhe nxori në shkretëtirë katër mijë njerëz gjakësorë? 39Edhe Pavli tha: Unë jam një njeri jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti me emër të Kilikisë; edhe të lutem, jepmë leje t’i flas popullit. 40Edhe si i dha leje ai, Pavli qëndroi mbi shkallë, i bëri popullit shenjë me dorë dhe si u bë heshtje e madhe, foli në gjuhë hebraishte, duke thënë:

Kreu 22

burra vëllezër dhe etër, pa dëgjoni mbrojtjen time përpara jush. 2Edhe kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhë hebraishte, heshtën më tepër. Dhe thotë:

3Unë jam një njeri jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet pranë këmbëve të Gamalielit, mësuar me kujdes në ligjin e etërve, dhe isha i zellshëm për Perëndinë, siç jeni ju të gjithë sot. 4Edhe këtë udhë e përndoqa deri në vdekje duke lidhur e duke dhënë në burgje burra e gra, 5siç dëshmon edhe kryeprifti për mua dhe gjithë pleqësia, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkoja në Damask që të sillja të lidhur edhe ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin. 6Edhe duke bërë udhë tek afrohesha në Damask, afër mesditës, papandehur prej qielli vetëtiu një dritë e madhe rreth meje. 7Edhe rashë përdhe, dhe dëgjova një zë që më thoshte: Saul, Saul, pse më përndjek? Edhe unë u përgjigja: Cili je ti, o Zot? 8Edhe ai më tha: Unë jam Jisu Nazaretasi, të cilin ti e përndjek. 9Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën fort; po zërin e atij që më fliste nuk e dëgjuan. 10Edhe unë thashë: Ç’të bëj, o Zot? Zoti më tha: Ngrihu e shko në Damask dhe atje do të të flitet për gjithë sa janë urdhëruar të bësh. 11Edhe pasi nuk shihja nga ndriçimi i asaj drite, duke u hequr prej dore nga ata që ishin bashkë me mua, erdha në Damask.

12Edhe njëfarë Ananie, burrë shpresëtar pas ligjit e me dëshmi të mirë prej gjithë Judenjve që rrinin atje, 13erdhi tek unë dhe ndenji përpara e më tha: Saul, vëlla, hap sytë. Edhe unë në po atë çast hapa sytë dhe e pashë atë. 14Edhe ai tha: Perëndia i etërve tanë të zgjodhi të njohësh dëshirën e tij, edhe të shohësh të Drejtin, dhe të dëgjosh zë prej gojës së tij. 15Sepse do të jesh dëshmitar i atij tek të gjithë njerëzit për sa pe e dëgjove. 16Edhe tani ç’pret? Ngrihu e pagëzohu dhe lahu nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit.

17Edhe pasi u ktheva në Jerusalem, tek isha duke u falur në tempull, rashë në ekstazë, 18edhe e pashë atë duke më thënë: Nxito, dhe dil shpejt nga Jerusalemi; sepse s’kanë për ta pranuar dëshminë tënde për mua. 19Edhe unë thashë: Zot, ata e dinë se unë isha ai që burgosja e që rrihja nëpër sinagoga ata që besonin në ty. 20Edhe kur derdhej gjaku i Stefanit, dëshmitarit tënd, edhe unë vetë isha atje përpara duke pëlqyer vrasjen e tij, edhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin. 21Edhe më tha: Shko, se unë kam për të të dërguar ndër kombe larg.

22Edhe deri në këtë fjalë e dëgjonin; po atëherë ngritën zërin e tyre, duke thënë: Ngrije prej dheut të këtillin; sepse nuk duhet të rrojë. 23Edhe meqenëse ata bërtisnin dhe shkundnin rrobat e tyre dhe hidhnin pluhur në ajër, 24kryemijësi urdhëroi të sillet në fortesë, edhe tha ta pyesin me të rrahura, që të marrë vesh për ç’shkak bërtisnin kështu kundër atij. 25Edhe si e shtriu të lidhur me rripa, Pavli i thotë kryeqindësit që rrinte atje: Eshtë vallë e lejueshme për ju të rrihni një njeri Romak, dhe pa e gjykuar? 26Edhe kryeqindësi kur dëgjoi këto, shkoi e i tregoi kryemijësit, duke thënë: Shiko ç’je duke bërë; sepse ky njeri është romak. 27 Edhe kryemijësi erdhi e i tha: Thuajmë, romak je ti? Edhe ai tha: Po. 28Edhe kryemijësi u përgjigj: Unë me një shumë të madhe e fitova këtë qytetari. Edhe Pavli tha: Kurse unë kam lindur romak. 29Përnjëherë pra u larguan prej tij ata që do ta mundonin. Po edhe kryemijësi u frikësua, se mori vesh që është romak, edhe sepse e kishte lidhur.

30Edhe të nesërmen duke dashur të marrë vesh të vërtetën për ç’punë akuzohet nga Judenjtë, e zgjidhi nga vargonjtë, dhe urdhëroi të vijnë kryepriftërinjtë dhe gjithë kuvendi i tyre; edhe zbriti Pavlin dhe e vuri përpara tyre.

Kreu 23

dhe Pavli hodhi sytë në kuvend, e tha: Burra vëllezër, unë deri në këtë ditë kam ecur përpara Perëndisë me gjithë ndërgjegjen e mirë. 2Edhe kryeprifti Anania i urdhëroi ata që rrinin pranë atij t’i bien gojës. 3Atëherë Pavli i tha: Perëndia do të të bjerë, o mur i lyer me gëlqere; e ti rri të më gjykosh sipas ligjit, dhe duke shkelur ligjin urdhëron të më bien? 4Edhe ata që rrinin pranë, thanë: Kryepriftin e Perëndisë shan? 5Edhe Pavli tha: Nuk e dija, vëllezër, se është kryeprift; sepse është shkruar, “Mos fol keq për të parin e popullit tënd”.

6Dhe Pavli, si e kuptoi se njëra pjesë ishte prej Saduqenjsh, dhe tjetra prej Farisenjsh, bërtiti në kuvend: Burra vëllezër, unë jam Farise, bir Fariseu. Unë po gjykohem për shpresë e për ngjalljen e të vdekurve. 7Edhe si foli ai këtë, u bë një grindje në mes të Farisenjve e të Saduqenjve, edhe mbledhja u përça. 8Sepse Saduqenjtë thonë se s’ka ngjallje, as engjëll, as shpirt; kurse Farisenjtë i pohojnë që të dyja. 9Edhe u bë një trazirë e madhe, dhe shkruesit e anës së Farisenjve u ngritën e grindeshin, duke thënë: Asgjë të keqe s’gjejmë te ky njeri; po nëse i foli atij ndonjë shpirt a engjëll, le të mos luftojmë kundër Perëndisë. 10Edhe pasi u bë trazirë e madhe, kryemijësi pati frikë se mos shqyhet Pavli prej tyre, dhe urdhëroi të zbresë ushtria e ta rrëmbejë nga mesi i tyre, dhe ta çojë në fortesë.

11Edhe natën pas asaj dite iu duk Zoti e i tha: Ki zemër, Pavël, se siç dëshmove për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë.

12Edhe si u bë ditë, disa nga Judenjtë u lidhën me be në mes tyre e mallkuan veten e tyre, duke thënë as të mos hanë as të mos pinë, deri sa të vrasin Pavlin. 13Edhe ata që kishin bërë këtë përbetim ishin më shumë se dyzet veta, 14të cilët erdhën te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, e thanë: Me mallkim kemi nëmur veten tonë të mos vëmë gjë në gojë, deri sa të vrasim Pavlin. 15Tani pra ju me këshillin lajmëroni kryemijësin ta zbresë nesër tek ju, sikur doni të merrni vesh më mirë punët e tij; edhe ne, para se të afrohet ai, jemi gati ta vrasim.

16Po si dëgjoi për këtë pritë, i biri i së motrës së Pavlit, shkoi e hyri në fortesë e i tregoi Pavlit. 17Edhe Pavli thërriti një nga kryeqindësit e tha: Dërgojeni këtë djalosh te kryemijësi, sepse ka diçka për t’i thënë atij. 18Ai pra si e mori me vete, e pruri te kryemijësi, edhe thotë: Pavli që është në burg më thirri, e m’u lut të sjell këtë djalosh tek ti, sepse ka diçka për të të thënë ty. 19Edhe kryemijësi si e mori prej dore, edhe u hoq mënjanë, e pyeste: Ç’është ajo që ke për të më treguar? 20Edhe ai tha se Judenjtë lidhën fjalë të të luten që nesër ta zbresësh Pavlin në këshill, sikur kanë për të pyetur diçka më saktësisht për të. 21Po ti mos i dëgjo ata; sepse atë e presin në pritë më shumë se dyzet prej tyre, të cilët kanë nëmur veten e tyre as të mos hanë as të mos pinë, deri sa ta vrasin atë; edhe tani janë gati duke pritur fjalë prej teje.

22Kryemijësi pra e lëshoi djaloshin, duke e porositur atë: Mos i thuaj asnjeriu se më tregove këto. 23Edhe thirri dy veta nga kryeqindësit, e u tha atyre: Bëni gati dyqind ushtarë për të shkuar deri në Qesari, edhe shtatëdhjetë kalorës, edhe dyqind shtizëtarë, që në të tretën orë të natës. 24Bëni gati edhe kafshë, që të hipin Pavlin e ta çojnë me siguri te qeveritari Feliks. 25Edhe shkroi një letër që kishte këto fjalë:

26“Klaud Lisia të pushtetshmit qeveritar Feliks, përshëndetje. 27Këtë njeri që u zu prej Judenjve dhe do të vritej prej tyre, unë arrita bashkë me ushtrinë dhe e shpëtova, sepse mora vesh se është romak. 28Edhe duke dashur të marr vesh për ç’shkak e akuzonin, e zbrita në kuvendin e tyre. 29Edhe gjeta se akuzohej për çështje të ligjit të tyre, po s’ka ndonjë faj për vdekje a për t’u lidhur me hekura. 30Edhe pasi më lajmëruan se do të bëhej pritë prej Judenjve kundër njeriut, menjëherë e dërgova tek ti, edhe i porosita edhe ata që e akuzojnë atë të thonë përpara teje ç’fjalë kanë kundër tij. Qofsh me shëndet.”

31Ushtarët pra, siç qenë urdhëruar, morën Pavlin dhe e prunë natën në Antipatridë. 32 Edhe të nesërmen, si lanë kalorësit të shkojnë bashkë me të, u kthyen në fortesë. 33Ata, si hynë në Qesari dhe dhanë letrën në dorë të qeveritarit, nxorën përpara tij edhe Pavlin. 34Edhe qeveritari si e lexoi, dhe pyeti nga ç’provincë është, edhe kur dëgjoi se është nga Kilikia, 35tha: Do të të dëgjoj, kur të vijnë edhe ata që të akuzojnë. Edhe urdhëroi të ruhet në gjykatën e Irodit.

Kreu 24

dhe pas pesë ditësh zbriti kryeprifti Anania bashkë me pleqtë e me njëfarë oratori që quhej Tertil, të cilët dolën përpara qeveritarit kundër Pavlit. 2Edhe si u thirr ai, Tertili zuri të akuzojë, duke thënë: 3O i pushtetshëm Feliks, shumë qetësi kemi prej teje, edhe punë të mëdha bëhen në këtë komb me përkujdesin tënd, edhe përherë e kudo i presim këto me shumë falënderime. 4Po që mos të të rëndoj tepër, të lutem të na dëgjosh pak fjalë me butësinë tënde. 5Pasi e gjetëm këtë njeri se është murtajë, edhe se nxit trazirë në mes të gjithë Judenjve që janë nëpër botë, edhe se është i pari i sektit të Nazaretasit, 6që edhe tempullin deshi ta ndyjë, të cilin edhe e zumë dhe deshëm ta gjykojmë sipas ligjit tonë. 7Po erdhi Lisia, kryemijësi, edhe na e rrëmbeu prej duarve me shumë dhunë, 8duke urdhëruar që akuzuesit e tij të vijnë përpara teje; prej të cilit ti vetë, si ta pyesësh, do të mundësh të marrësh vesh për gjithë këto që e akuzojmë ne. 9E miratuan atë edhe Judenjtë, duke thënë se këto kështu janë.

10Atëherë Pavli, pasi i bëri shenjë qeveritari të flasë, u përgjigj: Pasi e di se prej shumë vitesh je gjykatës në këtë komb, me besim do ta mbroj veten time, 11sepse mund të marrësh vesh se nuk janë më tepër se dymbëdhjetë ditë që kur se u ngjita në Jerusalem për t’u falur. 12Edhe as në tempullnuk më gjetën duke kuvenduar me ndonjë njeri, ose duke ngritur më këmbë popullin, as nëpër sinagogat, as në qytet. 13As mund t’i vërtetojnë ato gjëra për të cilat më akuzojnë tani. 14Por pohoj këtë tek ti, se sipas udhës, që këta i thonë herezi, kështu adhuroj Perëndinë e etërve të mi, duke besuar në të gjitha ato që janë shkruar në ligj e në profetët. 15Edhe kam shpresë tek Perëndia, të cilin edhe këta vetë e presin, se do të bëhet ngjallja e të vdekurve, të drejtëve e të padrejtëve. 16Edhe për këtë unë po përpiqem, që të kem përherë ndërgjegje pa qortim përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve. 17Edhe tani pas shumë viteve erdha për t’i bërë kombit tim lëmosha e dhurata. 18Po në mes të këtyre gjërave më gjetën të pastruar në tempull, jo me shumë njerëz, as me trazirë, disa Judenj nga Azia, 19të cilët duhej të dilnin përpara teje e të më akuzonin, në kishin gjë kundër meje. 20Ose këta vetë le të thonë në gjetën ndonjë padrejtësi tek unë, kur dola përpara kuvendit, 21veç në është për këtë zë të vetëm, që thërrita në mes tyre, se për ngjalljen e të vdekurve po gjykohem unë sot prej jush.

22Edhe Feliksi, si dëgjoi këto, e la gjyqin e tyre për një ditë tjetër, sepse i dinte më hollë punët e kësaj udhe, dhe tha: Kur të zbresë kryemijësi Lisia, do t’i marr vesh mirë punët tuaja. 23Edhe urdhëroi kryeqindësin të ruhet Pavli e të ketë lehtësira, edhe të mos ndalojnë ndonjë prej njerëzve të tij t’i shërbejë ose të vijë tek ai.

24Edhe pas disa ditësh erdhi Feliksi bashkë me gruan e tij, Drusilën, e cila ishte Judease, edhe dërgoi e thërriti Pavlin, edhe dëgjoi nga ai për besimin në Krishtin. 25Edhe ndërsa ai fliste për drejtësi e vetpërmbajtje dhe për gjyqin që do të vijë, Feliksit i hyri frikë, e u përgjigj: Tani shko, po kur të kem kohë, do të të thërres prapë. 26Sepse njëkohësisht edhe shpresonte se Pavli do t’i jepte para, që ta lëshojë; prandaj më shpesh e thërriste dhe fliste me të.

27Po pasi u mbushën dy vjet, Feliksin e pasoi Port Festi; edhe Feliksi, duke dashur t’u bëjë nder Judenjve, e la Pavlin të lidhur.

Kreu 25

esti pra, si erdhi në provincë, pas tri ditësh u ngjit nga Qesaria në Jerusalem. 2Edhe kryeprifti dhe të parët e Judenjve që ishin kundër Pavlit u paraqitën përpara tij, 3edhe i luteshin, duke kërkuar një nder kundër tij, që të dërgojë e ta bjerë atë në Jerusalem, sepse kishin bërë pritë që ta vrasin gjatë udhës. 4Edhe Festi u përgjigj se Pavli ruhet në Qesari, dhe se ai vetë kishte për të shkuar shpejt atje. 5Le të zbresin pra, tha, ata që munden prej jush, bashkë me mua, dhe në ka gjë të keqe te ky njeri, le ta akuzojnë.

6Edhe pasi ndenji tek ata më tepër se dhjetë ditë, zbriti në Qesari, dhe të nesërmen, si ndenji në gjykatë, urdhëroi të sillet Pavli. 7Edhe si erdhi ai, dolën përpara Judenjtë që kishin zbritur nga Jerusalemi, edhe thoshin kundër Pavlit shumë akuza të rënda, të cilat s’mund t’i vërtetonin, 8sepse ai, për të mbrojtur veten, thoshte se as në ligjin e Judenjve, as në tempullin, as në Qezarin nuk bëra ndonjë faj. 9Po Festi, pasi donte t’u bëjë nder Judenjve, iu përgjigj Pavlit, e tha: A dëshiron të ngjitesh në Jerusalem dhe atje të gjykohesh për këto përpara meje? 10Edhe Pavli tha: Unë po qëndroj përpara gjykatës së Qezarit, ku duhet të gjykohem. Judenjve asnjë të keqe s’u kam bërë, siç e di edhe ti fort mirë. 11Sepse, nëqoftëse kam faj dhe nëse kam bërë gjë për vdekje, nuk i trembem vdekjes; po në mos pastë asgjë nga ato që më akuzojnë këta, asnjë nuk mund të më falë tek ata. Thërres në Qezarin. 12Atëherë Festi, si foli me kuvendin, u përgjigj: Në Qezarin thërrite? Tek Qezari do të shkosh.

13Edhe si kaluan disa ditë, mbreti Agripa dhe Vernika erdhën në Qesari, për të përshëndetur Festin. 14Edhe si ndenjën atje shumë ditë, Festi i tregoi mbretit për Pavlin, duke thënë: Një njeri është lënë këtu i lidhur prej Feliksit; 15për të cilin, kur shkova në Jerusalem, u paraqitën kryepriftërinjtë dhe pleqtë e Judenjve dhe kërkuan dënim kundër tij. 16Këtyre iu përgjigja se nuk është zakon ndër Romakët të jepet ndonjë njeri në vdekje, para se i akuzuari të ketë përballë ata që e akuzojnë, edhe para se të ketë rast të mbrohet për fajin e tij. 17Pasi pra ata u mblodhën këtu, pa vonuar fare, të nesërmen ndenja në gjykatë dhe urdhërova të sillet njeriu, 18për të cilin ata që e akuzonin, si dolën përpara meje, nuk prunë ndonjë akuzë nga ato që mendoja unë. 19Po kishin kundër tij ca çështje për besimin e tyre, edhe për njëfarë Jisui që kishte vdekur, për të cilin Pavli thoshte se rron. 20Edhe unë, pasi s’dija se ç’të bëj për një çështje të tillë, i thashë nëse dëshiron të shkojë në Jerusalem, dhe atje të gjykohet për këtë. 21Po pasi Pavli thirri të ruhet për gjykim tek Perandori, urdhërova të ruhet ai, deri sa ta dërgoj tek Qezari. 22Edhe Agripa i tha Festit: Desha edhe unë ta dëgjoj këtë njeri. Edhe ai tha: Nesër do ta dëgjosh.

23Të nesërmen pra, kur erdhi Agripa edhe Vernika me shumë madhështi, edhe hynë në sallën e gjykatës bashkë me kryemijësit e me burrat e shquar të qytetit, Festi urdhëroi e u soll Pavli. 24Atëherë Festi thotë: O mbret Agripa, dhe gjithë burrat që jeni këtu bashkë me ne, e shihni këtë, për të cilin gjithë turma e Judenjve më folën edhe në Jerusalem edhe këtu, duke bërtitur se ai nuk duhet të rrojë më. 25Po unë pasi gjeta se s’ka bërë gjë për vdekje, dhe ai vetë thirri në Perandorin, e pashë të udhës ta dërgoj; 26për të cilin s’kam asgjë të vërtetë që t’i shkruaj perandorit; prandaj e solla atë përpara jush, edhe më tepër përpara teje, o mbret Agripa, që të kem se ç’të shkruaj, pasi të bëhet hetimi. 27Sepse më duket punë pa mend të dërgoj një njeri të lidhur, pa shënuar edhe akuzat kundër tij.

Kreu 26

dhe Agripa i tha Pavlit: Ke leje të flasësh për veten tënde. Atëherë Pavli, si shtriu dorën u mbrojt:

2O mbret Agripa, e quaj veten time të lumtur, sepse do të mbrohem përpara teje sot për gjithë sa akuzohem nga Judenjtë, 3po më tepër sepse ti i di gjithë zakonet dhe çështjet e Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me zemërgjerësi. 4Jetën time që prej djalërisë, të cilën e jetova që në fillim në mes të kombit tim në Jerusalem, e dinë të gjithë Judenjtë, 5sepse më njohin që herët, në qoftë se duan të dëshmojnë, se jetova Farise sipas sektit më të rreptë të fesë sonë. 6Edhe tani rri përpara e gjykohem për shpresën e premtimit që iu bë nga Perëndia etërve tanë. 7Në këtë premtim të dymbëdhjetë fiset e kombit tonë, duke adhuruar Perëndinë pa pushim ditë e natë, shpresojnë të arrijnë; për këtë shpresë akuzohem, o mbret Agripa, prej Judenjve. 8Çfarë? E pabesueshme gjykohet nga ju se Perëndia ngjall të vdekur? 9Sa për mua, unë mendohesha me veten time se duhej të bëja shumë punë kundër emrit të Jisu Nazaretasit, 10gjë të cilën edhe e bëra në Jerusalem dhe shumë nga shenjtërit unë i mbylla në burgje, pasi mora pushtet nga kryepriftërinjtë; edhe kur vriteshin, kisha dhënë votën kundër tyre. 11Edhe shumë herë nëpër gjithë sinagogat, duke i munduar ata, i detyroja të blasfemonin; edhe duke u tërbuar pa masë kundër tyre, i përndiqja edhe deri në qytetet e jashtme.

12Edhe mbi këto e sipër, kur isha duke shkuar në Damask me pushtet e me porosi nga ana e kryepriftërinjve, 13në mes të ditës, rrugës pashë, o mbret, se prej qielli një dritë, që e kalonte ndriçimin e diellit, ndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin bashkë me mua. 14Edhe si ramë të gjithë përdhe, dëgjova një zë që më fliste mua e që thoshte në gjuhën hebraishte: Saul, Saul, pse më përndjek? Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma. 15Edhe unë thashë: Cili je ti, o Zot? Edhe ai tha: Unë jam Jisui, të cilin ti po përndjek. 16Po ngrihu dhe qëndro në këmbët e tua; sepse për këtë u shfaqa tek ti, që të vë ty shërbëtor dhe dëshmitar edhe të atyre që pe edhe të atyre me të cilat do të të shfaqem ty. 17Duke të zgjedhur ty nga populli e nga kombet, tek të cilët tani po të dërgoj, 18që të hapësh sytë e tyre, që të kthehen nga errësira në dritë, dhe nga pushteti i Satanait tek Perëndia, që të marrin ndjesë mëkatesh, edhe trashëgim në mes të të shenjtëruarve me anë të besimit tek unë.

19Prandaj, o mbret Agripa, nuk u bëra i pabindur në këtë vegim nga qielli, 20por u predikoja më parë atyre në Damask e në Jerusalem, edhe nëpër gjithë dheun e Judesë, edhe pastaj në kombet, të pendohen dhe të kthehen tek Perëndia, duke bërë punë të denja për pendim. 21Për këto Judenjtë më zunë në tempull e donin të më vrisnin. 22Po me ndihmën që m’u dha prej Perëndisë po qëndroj deri në këtë ditë, duke u dhënë dëshmi të vegjëlve e të mëdhenjve, pa thënë gjë tjetër veç atyre që folën profetët dhe Moisiu se do të bëheshin, 23se Krishti do të pësonte, dhe se i pari do të ngjallej prej së vdekurish, edhe se do të predikonte dritë në popull e në kombet.

24Edhe ndërsa ai po mbrohej kështu për veten e tij, Festi tha me zë të madh: Je i marrë, Pavël. Mësimet e shumta të bënë të marrosesh. 25Edhe ai tha: Nuk jam i marrë, o i pushtetshëm Fest, por flas fjalë të vërteta dhe prej mendjeje të shëndoshë. 26Sepse i di këto punë mbreti, të cilit edhe i flas me guxim; sepse jam i bindur se s’ka asnjë nga këto që të mos e dijë; sepse kjo nuk është bërë në ndonjë qoshe. 27A u beson profetëve, o mbret Agripa? E di se u beson. 28Edhe Agripa i tha Pavlit: Për pak po më bind të bëhem i krishterë. 29Edhe Pavli tha: I lutem Perëndisë, që jo vetëm ti, po edhe gjithë ata që më dëgjojnë sot të bëhen shpejt a vonë të tillë siç jam edhe unë, përveç këtyre vargonjve.

30Edhe si tha ai këto, u ngrit mbreti dhe qeveritari, dhe Vernika, dhe ata që kishin ndenjur bashkë me ta. 31Edhe si ikën, flisnin njëri me tjetrin, duke thënë se ky njeri s’ka bërë asgjë për vdekje a për hekura. 32Edhe Agripa i tha Festit: Ky njeri mund të lëshohej, po të mos kishte thirrur në Qezarin.

Kreu 27

dhe pasi u pa e udhës të lundrojmë për në Itali, dorëzuan Pavlin dhe disa të lidhur të tjerë tek një kryeqindës që quhej Jul, prej kohortës Augustiane. 2Edhe si hipëm në një lundër adramitine, u ngritëm me mendim të lundrojmë afër vendeve të Azisë. Edhe Aristark Maqedonasi prej Thesalonikut ishte bashkë me ne. 3Edhe ditën tjetër arritëm në Sidonë; edhe Juli u soll njerëzisht me Pavlin, edhe e la të shkojë te miqtë e tij që të kujdeseshin për të. 4Edhe si u ngritëm që andej lundruam nën Qipro, sepse erërat ishin kundër. 5Edhe si kaluam detin e Kilikisë e të Pamfilisë, erdhëm në Mirë të Likisë. 6Edhe atje kryeqindësi gjeti një lundër aleksandrine, që lundronte për në Itali dhe na vuri brenda në të. 7Edhe duke lundruar mjaft ditë ngadalë mezi arritëm në Knidë, edhe pasi nuk na linte era, lundruam nën Kretë nga ana e Salmonës. 8Edhe pasi e kapërcyem atë me mundim, erdhëm në një vend që quhet Limanet e Mira, afër të cilit ishte qyteti Lasea.

9Edhe pasi pati shkuar mjaft kohë dhe lundrimi tani ishte i rrezikshëm, sepse edhe agjërimi tani kishte kaluar, Pavli i këshillonte, 10duke u thënë atyre: Burra, shoh se ky lundrim do të bëhet me mundime e me shumë dëm, jo vetëm të ngarkesës e të lundrës, po edhe të jetëve tona. 11Po kryeqindësi dëgjonte më tepër kapedanin dhe të zotin e lundrës se fjalët e Pavlit. 12Edhe pasi limani s’ishte i mirë për të dimëruar, më të shumtët dhanë këshillë të ngrihen që andej, që të arrijnë, në qoftë se mundnin, në Finikë, që është një liman i Kretës që sheh nga jugperëndimi e nga veriperëndimi, edhe atje të dimërojnë. 13Edhe kur fryu lehtë erë jugu, pandehën se arritën dëshirën, u ngritën dhe lundronin pranë Kretës.

14Po pas pakëz here doli kundër saj një erë stuhie, ajo që quhet verilindore. 15Edhe pasi u rrëmbye lundra dhe s’mundej t’i qëndronte erës, e lamë dhe silleshim prej erës andej e këtej. 16Edhe si shkuam nën një ujdhesë të vogël që quhet Klauda, mezi mundëm të zotëronim varkën e shpëtimit, 17të cilën si e ngritën, përdorën për ndihmë litarë duke e lidhur lundrën që përposh; dhe meqenëse kishin frikë se mos ngecin në Ranishtet e Sirtes, ulën velat, dhe kështu silleshin andej e këtej. 18Edhe pasi motin e kishim fort të keq, ditën tjetër derdhëm mallin në det. 19Edhe ditën e tretë i hodhëm pajisjet e lundrës me duart tona. 20Edhe meqenëse për shumë ditë nuk dukeshin as dielli as yjet, edhe moti ishte fort i keq, çdo shpresë shpëtimi u hoq prej nesh.

21Edhe si kishin shumë ditë pa ngrënë, atëherë Pavli qëndroi në mes tyre, e tha: Duhej, o burra, të më dëgjonit, edhe të mos ngriheshit nga Kreta, dhe të mos hiqnim këto të këqija e këtë dëm. 22Edhe tani ju këshilloj të gëzoheni, sepse nuk do të humbë asnjë shpirt prej jush, veç lundrës. 23Sepse këtë natë m’u duk një engjëll i Perëndisë, i të cilit jam, të cilin edhe e adhuroj, 24edhe tha: Mos ki frikë, Pavël. Ti duhet të dalësh përpara Qezarit. Edhe ja Perëndia t’i ka falur ty të gjithë ata që lundrojnë bashkë me ty. 25Prandaj gëzohuni, o burra, sepse besoj në Perëndinë, se kështu do të jetë, siç më është folur mua. 26Edhe duhet të zëmë tokë në një ujdhesë.

27Edhe kur erdhi nata e katërmbëdhjetë, tek po silleshim andej-këtej në detin Adriatik, rreth mesit të natës detarët sikur kuptonin se po afrohen në një tokë. 28Edhe kur hodhën thellësimatësin, gjetën njëzet pashë ujë; dhe si shkuan pakëz më tej, hodhën prapë thellësimatësin, dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë. 29Edhe pasi kishin frikë se mos binin në vende shkëmbore, hodhën katër spiranca prej kiçit të lundrës, edhe luteshin të bëhet ditë.

30Po pasi detarët kërkonin të iknin nga lundra, dhe zbritën varkën në det, gjoja se do të hidhnin spiranca nga bashi i lundrës, 31Pavli i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: Në mos qëndrofshin këta në lundër, ju nuk do të mund të shpëtoni. 32Atëherë ushtarët prenë litarët e varkës, edhe e lanë të bjerë jashtë

33Edhe deri sa të bëhej ditë, Pavli u lutej të gjithëve të hanë diçka, duke thënë: Sot është dita e katërmbëdhjetë që jeni duke pritur, të uritur e pa ngrënë gjë. 34Prandaj ju lutem të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; se asnjërit prej jush nuk do t’i bjerë asnjë qime prej kokës. 35Edhe si tha këto, mori bukë e falënderoi Perëndinë përpara të gjithëve, dhe si e theu, zuri të hajë. 36Edhe si morën të gjithë zemër, morën edhe ata dhe hëngrën. 37Edhe ishim të gjithë në lundër dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë shpirt. 38Edhe si u ngopën me ushqim, lehtësonin lundrën duke hedhur grurin jashtë në det. 39Edhe kur u gdhi, nuk e njihnin vendin, por dallonin një gji, që kishte breg, edhe në të menduan, po të mundnin, ta nxirrnin lundrën. 40Edhe si tërhoqën lart spirancat, e lanë lundrën në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë lidhjet e timonëve; edhe si ngritën velën e mesme nga frynte era, ia mbajtën drejt bregut. 41Edhe si ranë në një vend me det nga të dy anët, shtynë lundrën jashtë; dhe balli i lundrës, si u mbështet, mbeti i patundur, po kiçi shkallmohej nga furia e valëve. 42Edhe ushtarët bënë këshillë të vrisnin të lidhurit, që të mos ikte ndonjë duke bërë not. 43Po kryeqindësi duke dashur të shpëtojë Pavlin, ua ndaloi këtë synim, edhe urdhëroi ata që mundeshin të bëjnë not të hidhen më parë e të dalin në tokë. 44Edhe të tjerët dolën, disa mbi dërrasa, e disa mbi pjesë të lundrës.

Edhe kështu shpëtuan të gjithë në tokë.

Kreu 28

dhe si shpëtuan, atëherë e njohën se ujdhesa quhet Melitë. 2Edhe barbarët rrëfyen për ne mirësi jo të pakët; sepse ndezën zjarr e na morën brenda të gjithë, sepse binte shi e ishte ftohtë.

3Edhe kur mblodhi Pavli ca shkarpa dhe i vuri në zjarr, doli nga të nxehtit një nepërkë e iu ngjit atij në dorë. 4Edhe barbarët, si panë bishën që varej nga dora e tij, i thoshin njëri-tjetrit: Me të vërtetë ky njeri qenka vrasës, të cilin, ndonëse shpëtoi prej detit, drejtësia nuk e la të rrojë. 5Po ai e shkundi bishën në zjarr dhe nuk pësoi ndonjë gjë të keqe. 6Edhe ata pritnin të ënjtej ose papandehur të binte përdhe i vdekur; po pasi pritën shumë kohë dhe shihnin se asnjë e keqe s’iu bë, ndërruan mendje e thoshin se është perëndi.

7Edhe rreth atij vendi ishin ara të të parit të ujdhesës që quhej Publi, i cili na priti e na mbajti në shtëpi miqësisht tri ditë. 8Edhe qëlloi i ati i Publit të dergjet i sëmurë prej ethesh e prej barkut të keq; tek i cili Pavli, si hyri, u lut, edhe vuri duart mbi të, edhe e shëroi. 9Edhe si u bë kjo, edhe të tjerët, gjithë sa kishin sëmundje në ujdhesë, vinin tek ai dhe shëroheshin. 10Këta edhe na nderuan me shumë ndere, edhe kur do të iknim, na dhanë ato që kishim nevojë.

11Edhe pas tre muajsh ikëm me një lundër aleksandrine me shenjën e Dioskurëve, që kishte dimëruar në ujdhesë. 12Edhe si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë. 13Edhe që andej duke ardhur rrotull arritëm në Rexhio; edhe pas një dite pasi fryu erë jugu, për dy ditë erdhëm në Puteoli. 14Atje gjetëm vëllezër, të cilët na u lutën të qëndrojmë tek ata shtatë ditë, edhe kështu u nisëm për në Romë. 15Edhe që andej, kur dëgjuan për ne, na dolën përpara deri në Foro Apio e deri në të Tri Tavernat, vëllezërit, të cilët kur i pa Pavli, falënderoi Perëndinë, edhe mori zemër.

16Edhe kur erdhëm në Romë, kryeqindësi ia dorëzoi të lidhurit komandantit të rojeve; po Pavlit iu dha leje të rrijë më vete bashkë me ushtarin që e ruante. 17Edhe pas tri ditësh Pavli thërriti të parët e Judenjve; edhe si u mblodhën ata, u thoshte: Burra vëllezër, ndonëse unë s’kam bërë gjë kundër popullit ose kundër zakoneve të etërve tanë, më dhanë nga Jerusalemi të lidhur në duart e romakëve, 18të cilët si më morën në pyetje, deshën të më lëshonin, sepse s’kishte asnjë shkak për vdekje tek unë. 19Po pasi Judenjtë flisnin kundër, u detyrova të thërres në Qezarin, jo se kam për të akuzuar për gjë kombin tim. 20Për këtë punë pra ju thirra ju, që t’ju shoh e t’ju flas; sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këtë varg hekurash.

21Edhe ata i thanë: Ne as letra nuk kemi marrë për ty nga Judea, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të tregojë a të flasë gjë të keqe për ty. 22Po duam të dëgjojmë prej teje ç’ke ndër mend; sepse për këtë sekt ne dimë se kudo kundërshtohet.

23Edhe pasi i caktuan atij një ditë, erdhën më shumë veta tek ai atje ku kishte qëndruar, të cilëve ai u tregonte me dëshmime mbretërinë e Perëndisë, duke i bindur për punët e Jisuit dhe nga ligji i Moisiut dhe nga profetët, që në mëngjes e deri në mbrëmje. 24Edhe disa bindeshin në ato që u thoshte, po të tjerë nuk besonin. 25Edhe si nuk ishin në një fjalë në mes tyre, iknin, pasi tha Pavli një fjalë, se mirë u foli Fryma e  Shenjtë etërve tanë me anë të profetit Isaia, 26duke thënë: “Shko te ky popull dhe thuaj:Për të dëgjuar do të dëgjoni, dhe nuk do të merrni vesh; dhe duke parë do të shihni, dhe nuk do të shikoni. 27Sepse u trash zemra e këtij populli, edhe me veshët rëndëdëgjuan, edhe sytë e tyre i mbyllën; se mos ndonjëherë shohin me sytë dhe dëgjojnë me veshët, dhe kuptojnë me zemrën, dhe kthehen,e ishëroj ata”. 28Le të jetë pra e ditur për ju, se shpëtimi i Perëndisë iu dërgua kombeve; ata edhe do ta dëgjojnë. 29Edhe si tha këto, Judenjtë ikën, duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin. 30Edhe Pavli qëndroi dy vjet plot në një shtëpi të veçantë me qira; edhe priste gjithë ata që vinin tek ai, 31duke predikuar mbretërinë e Perëndisë e duke u mësuar ato punë që kishin të bënin me Zotin Jisu Krisht, me gjithë guxim e pa pengesë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com