Libri i Zbulesës, quajtur gjithashtu Apokalipsi, që do të thotë ajo që është zbuluar, i quajtur gjithashtu edhe Zbulesa e Shën Joanit, tradicionalisht mbahet të jetë vepra e nxënësit të Zotit, i cili, më vonë, shkroi ungjillin e katërt dhe letrat. Datohet në mes të gjysmës së dytë të shekullit të parë. Shën Joani e pati vizionin e tij “në ishullin Patmos”. Ai ishte “në Frymë ditën e Zotit” kur ai mori urdhërimin nga Perëndia që t’u shkruante letra “shtatë Kishave që janë në Azi” (1:4-10). Secili prej shtatë mesazheve përmban fjalët e Krishtit për kishën e veçantë (2-4). Pas shtatë letrave në librin e Zbulesës, apostulli tregon vizionin e tij të Perëndisë në fronin e Tij, në qiell, duke u himnuar pa pushim nga engjëjt, “krijesat e gjalla”, dhe “njëzet e katër pleqtë”: “I shenjt, i shenjt, i shenjt, është Zoti Perëndi i Tërëfuqishëm, që ishte, që është dhe që do të vijë” (4).

    Pastaj janë profecitë e shtatë vulave dhe shtatë engjëjve (5-11), dhe vizionet e “gruas veshur me diell” dhe Mikaelit dhe engjëjve të tij duke luftuar kundër “dragoit” (12). Më pas vijnë imazhet e “bishës që ngrihej prej detit” dhe ”bishës tjetër që ngrihej nga dheu” (13). Pastaj vjen vizioni i Qengjit dhe atyre që janë shpëtuar prej Perëndisë, si edhe i  engjëjve që vijnë nga qielli në tokë me “kupat e zemërimit” (14-16). Pason imazhi i “lavires së madhe” (17) i shoqëruar me profecinë finale rreth rënies së “Babilonës së madhe” (18). Fundi i librit të Zbulesës përshkruan vizionin e mahnitshëm të shpëtimit me morinë e atyre “të lumurve... që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit” në mes asamblesë së madhërishme qiellore të engjëjve, të cilët i këndojnë lavdi Perëndisë dhe Jisuit, Fjalës së Tij dhe Qengjit të Tij, Alfa dhe Omega, Mbretit të mbretërve dhe Zotit të zotërve. Është imazhi i Mbretërisë së Perëndisë dhe i Krishtit, Jerusalemit Qiellor, të paratreguar nga profetët e së kaluarës, në të cilin të drejtët do të mbretërojnë përjetë me Perëndinë (19-22).

    Aliluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi! Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe Nusja e tij (Kisha) është përgatitur...  (19:6-7). Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhé të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Joani, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (21:1-4). Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe Ai më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike” (21:5). Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap dhuratë nga burimi i ujit të jetës.  Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir” (21:6-7).

     Ka patur njëfarë hezitimi në Kishën e hershme për ta përfshirë librin e Zbulesës në shkrimet kanonike të Dhiatës së Re. Arsyeja për këtë ishte pa dyshim vështirësia e madhe për të shpjeguar simbolet apokaliptike të librit. Por, meqenëse dokumenti mbante emrin e apostullit Joan, dhe, meqenëse ishte frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë për mësimin dhe ndërtimin e Kishës, ai u bë libri i fundit në listën e Biblës, ndonëse nuk lexohet asnjëherë në liturgjinë e Kishës Orthodhokse. Është me të vërtetë e vështirë të shpjegohet libri i Zbulesës, sidomos nëse dikush nuk është familjar me imazhet dhe simbolet e shkrimeve apokaliptike të Biblës, domethënë të Dhiatës së Vjetër dhe të Traditës Judeo-Kristiane. Megjithatë, ekziston brenda Kishës një mënyrë  tradicionale e shpjegimit të librit, e cila afron një depërtim në kuptimin e tij për besimtarët.

    Metoda e gabuar e librit të Zbulesës është që t’i japësh një lloj kuptimi të vetëm vizioneve të tij të shumta, duke i barazuar ato me ngjarje dhe persona të veçantë, konkretë dhe historik, dhe që të mos kuptosh rëndësinë simbolike të shumë imazheve që janë përdorur nga autori, i cili ndjek burimet biblike dhe tradicionale. Para së gjithash, letrat drejtuar shtatë kishave, kanë si një kuptim historik ashtu edhe universal. Mesazhet janë të qarta dhe i përkasin situatave përkatëse, të cilat tashmë ekzistonin në Kishë dhe që ekzistojnë akoma. Për shembull, shumë kisha të vjetra gjatë gjithë kohës së historisë mund të identifikohen me Kishën e Efesit. Ato nën persekutim mund të krahasohen me Kishën e Smirnës. Dhe jo pak – ndoshta disa tani në Amerikë – mund të gjykohen me Kishën e Laodikeas. Shtatë letrat mbeten përgjithmonë si “prototipike” të kishave që do të ekzistojnë deri në ardhjen e Mbretërisë së Krishtit.

    Vizionet dhe profecitë e pjesës kryesore të librit të Zbulesës paraqesin vështirësi të mëdha, por shumica e atyre interpretuesve do të përpiqen t’i aplikojnë ato në njërën apo tjetrën ngjarje historike apo person historik. Nëse vizioni i përgjithshëm dhe profecia e librit shihet si diçka që zbulon lidhjen ndërmjet ngjarjeve “në qiell” dhe ngjarjeve “në tokë”, ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, ndërmjet fuqive të së mirës dhe fuqive të së keqes, atëherë, ndonëse pa dyshim mbeten shumë vështirësi, disa do të hiqen menjëherë. Në librin e Zbulesës, duhet kuptuar se Mbretëria e Perëndisë është gjithmonë para së gjithave dhe mbi të gjitha. Aty shihet, gjithashtu se beteja ndërmjet të drejtit dhe të keqit bëhet vazhdimisht. Ka gjithmonë besnikë që i përkasin Qengjit, duke u kurorëzuar dhe veshur prej Atij për fitoret e tyre. Ka gjithmonë “bisha” dhe “dragoj” të cilët duhen mundur. “Lavirja e madhe” dhe “Babilonia e madhe” duhet të shkatërrohen përgjithmonë. “Jerusalemi qiellor” vjen vazhdimisht, dhe një ditë do të vijë dhe fitoja përfundimtare do të jetë e plotë.

    Duhet vënë re gjithashtu, se ka një universalitet dhe finalitet rreth simboleve dhe imazheve të librit të Zbulesës, një kuptim që mund t’i aplikohet atyre që janë zbuluar tashmë në shkrimet e Dhiatës së Vjetër. Kështu, për shembull, imazhi i Babilonisë mbetet për çdo shoqëri që lufton kundër Perëndisë, çdo grup njerëzish që bashkohen në paudhësi dhe mishëri. Imazhi i lavirësisë i aplikohet universalisht të gjithë atyre që janë të korruptuar nga pasionet dhe epshet e tyre, jo besnikë ndaj Perëndisë, i Cili i ka krijuar dhe i do. Numerologjia simbolike mbetet gjithashtu konstante, me numrin 666 (13:18), për shembull, që simbolizon korruptimin, e kundërta e 7 që është simbol plotësisë; dhe numri 144 000 (14:3) është simboli i  i plotësisë totale dhe numri i plotë i të shpëtuarve, rezultat i shumëzimit  të 12 herë 12 – numri i fiseve të Izraelit dhe të apostujve të Krishtit. Kështu, nëpërmjet imazheve të librit të Zbulesës, zbulohet një thellësi depërtimi në realitetet universale shpirtërore që janë më të mëdha se çdo realitet i veçantë tokësor. Depërtimi në kuptimin e librit varet në frymëzimin e Perëndisë dhe në pastërtinë e zemrës së atyre që kanë sy për të parë, dhe veshë për të dëgjuar, dhe mendje të gatshme dhe të afta për të kuptuar.

    Në Kishën Orthodhokse, libri i Zbulesës ka një rëndësi të madhe liturgjike. Adhurimi i Kishës tradicionalisht është modeluar, krejt në mënyrë të ndërgjegjshme, sipas realiteteve të përjetshme dhe hyjnore të zbuluara në këtë libër. Lutja e Kishës dhe kremtimi i saj mistik janë një me lutjen dhe kremtimin e mbretërisë së qiejve. Kështu, në Kishë, me engjëjt dhe shenjtorët, nëpërmjet Krishtit, Fjalës dhe Qengjit, frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, besimtarët besnikë të bashkësisë së të shpëtuarve i blatojnë adhurim të vazhdueshëm Perëndisë Atit të Tërëfuqishëm (Shih Vëllimi II, Adhurimi). Libri i Zbulesës, ndonëse nuk lexohet asnjëherë në shërbesat e Kishës Orthodhokse, dëshmon për realitetin hyjnor që është vetë jeta e vërtetë e Kishës.

   Dhe Fryma dhe Nusja (Kisha) thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës. “Po unë po vij shpejt” (thotë Jisui, Zoti.) Amin. Eja, Zoti Jisu! (22:17,20).

Kreu 1

Parathënie

bulesa e Jisu Krishtit, të cilën ia dha atij Perëndia, që t’u tregojë shërbëtorëve të tij sa duhet të bëhen për së shpejti; edhe i dërgoi e ia shfaqi me anë të engjëllit të tij shërbëtorit të tij Joan, 2 i cili dëshmoi për fjalën e Perëndisë, edhe për dëshminë e Jisu Krishtit, edhe për gjithë sa pa. 3 Lum ai që lexon dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie, edhe ruajnë sa janë shkruar në atë; sepse koha është afër.

Përshëndetje të shtatë Kishave

4 Joani të shtatë kishave në Azi; hir dhe paqe qoftë në ju nga ai që është dhe që ishte dhe që vjen; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të atij; 5 edhe nga Jisu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish, edhe prijësi i mbretërve të dheut; atij që na deshi, edhe që na lau nga mëkatet tona me gjakun e tij, 6 edhe që na bëri mbretër dhe priftërinj të Perëndisë dhe Atit të tij, atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.

7 Ja tek vjen bashkë me retë, edhe do ta shohë atë çdo sy, edhe ata që e shpuan atë; edhe do të vajtojnë për atë gjithë fiset e dheut; po, amin.

8 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, thotë Zoti, Ai që është dhe që ishte dhe që vjen, i Gjithëpushtetshmi.

Krishti i shfaqet Joanit

9 Unë Joani, që jam edhe vëllai juaj, edhe pjesëtar bashkë me ju në shtrëngim dhe në mbretëri dhe në durim të Jisu Krishtit, qeshë në ujdhesën që quhet Patmo, për fjalën e Perëndisë, edhe për dëshminë e Jisu Krishtit. 10 Erdha në frymë ditën e dielë; edhe dëgjova prapa meje një zë të madh si trumbete, 11 i cili thoshte: “Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit. Edhe: Ç’sheh, shkruaji në libër, edhe dërgojua shtatë kishave, në Efes dhe në Smirnë dhe në Pergamë dhe në Tiatirë dhe në Sardë dhe në Filadelfi e në Laodiki.”

12 Edhe u ktheva të shoh zërin që foli me mua; edhe kur u ktheva, pashë shtatë kandilerë të artë. 13 Edhe në mes të shtatë kandilerëve një që ngjante me bir njeriu, veshur me një rrobë të gjatë deri në fund të këmbëve, edhe ngjeshur rreth gjoksit një brez të artë. 14 Edhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si dëborë; edhe sytë e tij si flakë zjarri. 15 Edhe këmbët e tij ngjanin me bronz të ndritshëm, si të ndezur në furrë; edhe zëri i tij si zë shumë ujërash. 16 Edhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje; edhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë me dy tehe; edhe fytyra e tij ndriste si dielli që ndrit në fuqinë e tij.

17 Edhe kur e pashë atë, rashë në këmbët e tij si i vdekur; edhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, e më tha: “Mos u frikëso, unë jam i pari dhe i fundit, 18 edhe ai që rron; edhe qeshë i vdekur, edhe ja tek jam i gjallë në jetë të jetëve. Amin. Edhe kam çelësat e hadit dhe të vdekjes. 19 Shkruaj ato që pe, edhe ato që janë, edhe ato që do të bëhen pas këtyre; 20 misterin e të shtatë yjeve që pe në të djathtën time, edhe të shtatë kandilerëve të artë. Të shtatë yjet janë engjëjt e të shtatë kishave; edhe të shtatë kandilerët janë të shtatë kishat.”

Kreu 2

Letra drejtuar kishës së Efesit

ngjëllit të kishës në Efes shkruaji:

Këto thotë ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij, ai që ecën në mes të shtatë kandilerëve të artë. 2 I di punët e tua, edhe mundimin tënd, edhe durimin tënd, edhe se s’mund të durosh të ligjtë, edhe se provove ata që thonë se janë apostuj, edhe nuk janë; edhe i gjete gënjeshtarë. 3 Edhe ke durim dhe je mbajtur dhe për emrin tim u mundove, edhe nuk u lodhe. 4 Po diçka kam kundër teje, sepse e le dashurinë tënde të parë. 5 Kujtohu pra se nga ke rënë, edhe pendohu, edhe bëj punët e para; në mos, do të vij shpejt tek ti, edhe do të luaj kandilerin tënd nga vendi i tij, në mos u pendofsh. 6 Por ke këtë të mirë, se i urren punët e Nikollaitëve, të cilat i urrej edhe unë.

7 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave: atij që fiton do t’i jap të hajë nga druri i jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.”

Letra drejtuar kishës së Smirnës

8 “Edhe engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji:

Këto thotë i pari dhe i fundit, i cili qe i vdekur edhe jetoi. 9 I di punët e tua dhe shtrëngimin dhe varfërinë, - por je i pasur, - edhe blasfeminë e atyre që thonë për veten e tyre se janë Judenj, edhe nuk janë, por janë sinagogë e satanait. 10 Mos u frikëso fare nga sa ke për të pësuar; ja, djalli ka për të vënë disa prej jush në burg, që të provoheni; edhe do të keni shtrëngim dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje, edhe do të të jap kurorën e jetës.

11 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave: Atij që fiton nuk do t’i bëhet keq nga vdekja e dytë.”

Letra drejtuar kishës së Pergamës

12 “Edhe engjëllit të kishës në Pergamë shkruaji:

Këto thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: 13 I di punët e tua, edhe ku banon, atje ku është froni i satanait; edhe mban fort emrin tim, edhe nuk mohove besën time, edhe në ato ditë që ishte Antipa, dëshmitari im besnik, i cili u vra ndër ju, atje ku banon satanai. 14 Por kam pak gjëra kundër teje, sepse ke atje disa që mbajnë mësimin e Balamit, i cili mësonte Balakun të bëjë skandal përpara bijve të Izraelit, që të hanë therorë idhujsh edhe të kurvërojnë. 15 Kështu ke edhe ti disa veta që mbajnë mësimin e Nikollaitëve që e urrej. 16 Pendohu; se në mos, vij shpejt tek ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.

17 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave: Atij që fiton do t’i jap të hajë nga manna që është fshehur, edhe do t’i jap një guralec të bardhë, edhe mbi guralec është shkruar një emër i ri, të cilin asnjë s’e njeh, veç atij që e merr.”

Letra drejtuar kishës së Tiatirës

18 “Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji:

Këto thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë e tij si flakë zjarri, edhe këmbët e tij të ngjashme me bronz të ndritshëm: 19 I di punët e tua, edhe dashurinë, edhe shërbesën, edhe besimin, edhe durimin tënd, edhe se veprat e tua të funditjanë më të shumta se të parat. 20 Por kam diçka kundër teje, se lejon gruan Jezabelë, që thotë për veten e saj se është profeteshë, të mësojë dhe të mashtrojë shërbëtorët e mi që të kurvërojnë dhe të hanë flijime idhujsh. 21 Edhe i dhashë kohë asaj të pendohet për kurvërinë e saj, edhe nuk u pendua. 22 Ja unë tek e flak atë në një shtrat vuajtjesh, edhe ata që kryejnë kurorëshkelje me të në shtrëngim të madh, në mos u pendofshin për punët e tyre. 23 Edhe të bijtë e saj do t’i vras me vdekje. Edhe gjithë kishat do të njohin se unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat; edhe do t’i jap gjithësecilit prej jush sipas veprave tuaja. 24 Edhe ju them juve dhe të tjerëve në Tiatirë, sa nuk kanë këtë mësim, të cilët nuk i njohën thellësitë e satanait, siç thonë: Nuk do të vë tjetër barrë mbi ju; 25 por atë që keni mbajeni, deri sa të vij.

26 Edhe atij që fitom dhe atij që ruan veprat e mia deri në fund, do t’i jap pushtet mbi kombet, 27 edhe “do t’i kullosë ata me shkop të hekurt; do të thyhen si enë balte”, siç e mora edhe unë prej Atit tim, 28 edhe do t’i jap atij yllin e mëngjesit. 29 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave.”

Kreu 3

Letra drejtuar kishës së Sardës

dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji:

Këto thotë ai që ka të shtatë frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet: I di punët e tua, se e ke emrin që rron po je i vdekur. 2 Rri zgjuar, edhe forco atë që ka mbetur, që është gati për të vdekur; sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosura përpara Perëndisë. 3 Kujtohu pra se si more dhe dëgjove, edhe ruaji, edhe pendohu. Nëse nuk rri pra zgjuar, do të vij tek ti si vjedhës, edhe nuk do të dish në ç’orë do të vij tek ti. 4 Por ke emra edhe në Sardë që nuk i ndynë rrobat e tyre; edhe do të ecin bashkë me mua me rroba të bardha, sepse janë të denjë.

5 Ai që fiton, ky do të vishet me rroba të bardha; edhe nuk do ta shuaj emrin e tij nga libri i jetës, edhe do ta rrëfej emrin e tij përpara Atit tim, edhe përpara engjëjve të tij. 6 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave.”

Letra drejtuar kishës së Filadelfisë

7 “Edhe engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji:

Këto thotë shenjti, i vërteti, ai që ka çelësin e Davidit; ai që hap, edhe askush s’mbyll; edhe mbyll, e askush s’hap: 8 I di punët e tua. Ja tek kam vënë përpara teje një derë të hapur, edhe asnjë s’mund ta mbyllë atë; sepse ke pak fuqi, edhe ruajte fjalën time, edhe nuk mohove emrin tim. 9 Ja tek do t’i bëj ata të sinagogës së satanait që thonë për veten e tyre se janë Judenj, edhe nuk janë, po gënjejnë; ja tek do t’i bëj ata të vijnë e të falen përpara këmbëve të tua, edhe të njohin se unë të desha ty. 10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e ngasjes që ka për të ardhur mbi gjithë botën, që të provojë ata që banojnë mbi dhe. 11 Ja tek vij shpejt; mbaj atë që ke, që të mos marrë ndonjë kurorën tënde.

12 Atë që fiton, atë do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, edhe nuk do të dalë më jashtë; edhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, edhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im, edhe emrin tim të ri. 13 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave.”

Letra drejtuar kishës së Laodikisë

14 “Edhe engjëllit të kishës në Laodikea shkruaji:

Këto thotë ai që është Amin, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, fillimi i krijimit të Perëndisë: 15 I di punët e tua, se nuk je as i ftohtë as i ngrohtë; më mirë të ishe i ftohtë ose i ngrohtë. 16 Por pasi je kështu i vakët, edhe as i ftohtë, as i ngrohtë, do të të vjell nga goja ime. 17 Sepse thua se jam i pasur dhe u pasurova, edhe nuk kam nevojë për asgjë, edhe nuk e di se ti je fatkeq, edhe i mjerë, edhe i varfër, edhe i verbër, edhe i zhveshur. 18 Të këshilloj ty të blesh prej meje ar të provuar në zjarr, që të bëhesh i pasur; edhe rroba të bardha, që t’i veshësh, edhe të mos duket turpëria e lakuriqësisë tënde; edhe lyeji sytë e tu me kolir që të shohësh. 19 Unë gjithë sa i dua, i qortoj edhe i ndëshkoj; bëhu i zellshëm pra dhe pendohu. 20 Ja tek rri në derë dhe trokas; në dëgjoftë ndonjë zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai, edhe do të darkoj me të, edhe ai me mua.

21 Atij që fiton do t’i jap të rrijë me mua në fronin tim, siç fitova edhe unë, edhe ndenja me Atin tim në fronin e tij. 22 Ai që ka veshë, le të dëgjojë ç’u thotë Fryma kishave.”

Kreu 4

Liturgjia qiellore

as këtyre pashë, edhe ja një derë e hapur në qiell. Edhe zëri i parë që dëgjova ishte si një trumbetë që fliste me mua, thoshte: “Ngjitu këtu, edhe do të të tregoj sa duhet të bëhen pas këtyre.”

2 Edhe përnjëherëerdha në frymë, edhe ja një fron ishte vendosur në qiell, edhe mbi fron ishte një i ulur. 3 Edhe ai që rrinte ngjante në pamje me gur diaspri dhe sardi; edhe ishte një ylber rreth fronit që ngjante në pamje me smerald. 4 Edhe përqark fronit ishin njëzet e katër frone; edhe në fronet rrinin ulur njëzet e katër pleq, veshur me rroba të bardha, edhe kishin mbi kryet e tyre kurora të arta. 5 Edhe nga froni dilnin vetëtima dhe bubullima e zëra. Edhe përpara fronit ishin shtatë llambadhe zjarri të ndezura, të cilat janë të shtatë frymërat e Perëndisë. 6 Edhe përpara fronit ishte një si det qelqi që ngjante me kristal; edhe në mes të fronit dhe rreth fronit katër qenie të gjalla, që ishin plot me sy përpara e prapa. 7 Edhe qenia e e parë ngjante me luan, edhe qenia e dytë ngjante me viç, edhe qenia e tretë e kishte fytyrën si njeri, edhe qenia e katërt ngjante me shqiponjë që fluturon. 8 Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila veçan nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy, edhe nuk pushojnë ditë e natë duke thënë: “Shenjt, shenjt, shenjt është Zoti Perëndi i Gjithëpushtetëshm”, ai që ishte edhe që është edhe që vjen.

9 Edhe kur do t’i japin qeniet e gjalla lavdi e nder e falënderim atij që ka ndenjur mbi fron, që rron në jetë të jetëve, 10 të njëzet e katër pleqtë do të bien përpara atij që ka ndenjur mbi fron, edhe do t’i falen atij që rron në jetë të jetëve, edhe do të vënë kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë: 11 “I denjë je, o Zot, të marrësh lavdinë edhe nderin e fuqinë; sepse ti i krijove të gjitha, dhe prej vullnetit tënd janë dhe u krijuan.”

Kreu 5

Libri dhe Qengji

dhe pashë në të djathtë të atij që kishte ndenjurmbi fron një libër shkruar brenda e jashtë, vulosur me shtatë vula. 2 Edhe pashë një engjëll të fuqishëm duke shpallur me zë të madh: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?” 3 Edhe asnjë nuk mundej në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, të hapë librin, as ta shohë atë. 4 Edhe unë qaja shumë, sepse asnjë nuk u gjet i denjë të hapë librin, as ta shohë atë. 5 Edhe një nga pleqtë më thotë: “Mos qaj. Ja tek mundi luani që është prej farës së Judës, rrënja e Davidit, të hapë librin, dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij.”

6 Edhe pashë, edhe ja në mes të fronit e të katër qenieve të gjalla, edhe në mes të pleqve, një Qengj që po rrinte si i therur, edhe që kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, të cilët janë të shtatë frymërat e Perëndisë të dërguar në gjithë tokën. 7 Edhe erdhi e mori librin prej së djathtës së atij që rrinte mbi fron.

8 Edhe kur mori librin, ranë përpara Qengjit të katër qeniet e gjalla edhe të njëzet e katër pleqtë, të cilët kishin gjithësecili harpa e kupa të arta mbushur me temianë, të cilat janë lutjet e shenjtorëve. 9 Edhe këndonin një këngë të re, duke thënë: “I denjë je të marrësh librin, edhe të hapësh vulat e tij; sepse u there dhe na shpërbleve tek Perëndia me gjakun tënd, prej çdo fisi e gjuhe dhe populli e kombi, 10 edhe na bëre mbretër e priftërinj tek Perëndia ynë dhe do të mbretërojmë mbi dhe.”

11 Edhe pashë, dhe dëgjova një zë shumë engjëjsh përqark fronit dhe qenieve të gjalla e pleqve. Edhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash, e mijëra mijërash, 12 që thoshin me zë të madh: “I denjë është Qengji i therur të marrë fuqinë, edhe pasurinë, edhe diturinë, edhe forcën, edhe nderin, edhe lavdinë, edhe bekimin.” 13 Edhe çdo krijesë që është në qiell e mbi dhe, e nën dhe, e sa janë në det, dhe gjithë sa janë në to, dëgjova që thoshin: “Atij që ka ndenjur mbi fron dhe Qengjit i qoftë bekimi e nderi dhe lavdia e pushteti në jetë të jetëve.” 14 Edhe të katër krijesat e gjalla thoshin: “Amin.” Dhe pleqtë ranë përmbys dhe iu falën atij që rron në jetë të jetëve.

Kreu 6

Shtatë vulat

dhe pashë, kur Qengji hapi njërën nga vulat, edhe dëgjova një nga të katër qeniet e gjalla që thoshte, si me zë bubullime: “Eja dhe shih.” 2 Edhe pashë, edhe ja një kalë i bardhë; edhe ai që kishte ndenjur mbi të kishte një hark; edhe iu dha atij një kurorë, edhe doli duke fituar, edhe që të fitojë.  

3 Edhe kur hapi vulën e dytë, dëgjova qenien e dytë, që thoshte: “Eja dhe shih.” 4 Edhe doli një tjetër kalë i kuq; edhe atij që kishte ndenjur mbi të iu dha të hiqte paqen nga dheu, edhe që njerëzit të therin njëri-tjetrin, edhe iu dha atij një shpatë e madhe.

5 Edhe kur hapi vulën e tretë, dëgjova të tretën qenie që thoshte: “Eja dhe shih.” Edhe pashë, dhe ja një kalë i zi, dhe ai që kishte ndenjur mbi të kishte një peshore në dorën e tij. 6 Edhe dëgjova një zë në mes të katër qenieve të gjalla që thoshte: “Një shinik gruri për një dinar; edhe tre shinikë elbi për një dinar; edhe vajit e verës mos i bëj dëm.”

7 Edhe kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e qenies së katërt që thoshte: “Eja dhe shih.” 8 Edhe pashë, edhe ja një kalë i zbehtë, edhe ai që kishte ndenjur mbi të quhej Vdekje, edhe Hadi vinte prapa bashkë me të, edhe iu dha atyre pushtet përmbi një të katërtën e dheut të vrasin me shpatë e me zi buke e me vdekje, edhe me bishat e dheut.

9 Edhe kur hapi vulën e pestë, pashë përposh therores shpirtrat e atyre që janë therur për fjalën e Perëndisë, edhe për dëshminë që kishin. 10 Edhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: “Deri kur, o Zot i shenjtë e i vërtetë, nuk do të gjykosh dhe nuk do të marrësh shpagim për gjakun tonë nga ata që rrinë mbi dhe?” 11 Edhe iu dhanë gjithësecilit stoli të bardha, edhe iu tha atyre të prehen edhe pak kohë, deri sa të plotësohen edhe bashkëshërbëtorët e tyre dhe vëllezërit e tyre, ata që do të vriten posi ata.

12 Edhe pashë, kur hapi vulën e gjashtë. Edhe ja tek u bë një tërmet i madh, edhe dielli u bë i zi si thes prej leshi, edhe hëna u bë si gjak. 13 Edhe yjet e qiellit ranë mbi dhe, si druri i fikut që hedh fiqtë e paarrirë, kur tundet prej ere të madhe. 14 Edhe qielli u tërhoq si një pergamenë kur mbështillet, edhe çdo mal e ujdhesë luajtën nga vendet e tyre. 15 Edhe mbretërit e dheut, edhe njerëzit e mëdhenj, edhe të pasurit, edhe kryemijësit, edhe të fuqishmit, edhe çdo skllav, edhe çdo i lirë, fshehën veten e tyre nëpër shpellat e nëpër shkëmbinjtë e maleve, 16 edhe u thonë maleve e shkëmbinjve: “Bini mbi ne, edhe na fshihni nga faqja e atij që ka ndenjur mbi fron, edhe nga zemërimi i Qengjit. 17 Sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij. Dhe kush mund të qëndrojë?”

Kreu 7

Vulosja e të 144 mijë vetëve

dhe pastaj pashë katër engjëj që rrinin mbi të katër cepat e dheut, edhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi çdo pemë. 2 Edhe pashë një tjetër engjëll që u ngjit nga lindja e diellit e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë, edhe u thërriti me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve iu qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin. 3 E thoshte: “Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, deri sa të vulosim shërbëtorët e Perëndisë tonë në ballet e tyre.” 4 Edhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur prej gjithë fiseve të bijve të Izraelit.

5 Prej fisit të Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Gadit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; 6 prej fisit të Aserit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Neftaliut, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Manasiut, dymbëdhjetë mijë të vulosur; 7 prej fisit të Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Isaharit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; 8 prej fisit të Zavulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Josifit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.

Turma e panumërt e besimtarëve

9 Pastaj pashë, edhe ja një turmë e madhe, të cilën asnjë s’mundej ta numëronte, prej çdo kombi e fisesh e popujsh e gjuhësh, që rrinin përpara fronit e përpara Qengjit, veshur me stoli të bardha, edhe me degë palmash në duart e tyre. 10 Edhe thërrisnin me zë të madh e thoshin: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që ka ndenjur mbi fron dhe i Qengjit.” 11 Edhe gjithë engjëjt rrinin përqark fronit dhe pleqve dhe të katër qenieve të gjalla, edhe ranë përmbys mbi fytyrat e tyre përpara fronit, e iu falën Perëndisë, 12 duke thënë: “Amin. Bekimi dhe lavdia dhe dituria dhe falënderimi dhe nderi dhe fuqia e forca janë mbi Perëndinë tonë në jetë të jetëve. Amin.”

13 Edhe u përgjigj një nga pleqtë, e më tha: “Cilët janë këta që janë veshur me stoli të bardha, edhe nga erdhën?” 14 Edhe i thashë atij: “Zot, ti e di.” Edhe më tha: “Këta janë ata që vijnë prej shtrëngimit të madh; edhe i kanë larë stolitë e tyre, edhe i kanë zbardhën ato në gjakun e Qengjit.

15 Prandaj janë përpara fronit të Perëndisë, edhe e adhurojnë ditë e natë në tempullin e tij. Edhe ai që ka ndenjur mbi fron do të shtrijë tendën e tij mbi ata.

 Ata nuk do të kenë uri, as nuk do të kenë më etje, as nuk do të bjerë dielli mbi ta, as ndonjë lloj vape.

17 Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i ruajë ata e do t’i udhëheqë ata në burime ujërash të gjalla dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.”

Kreu 8

Vula e shtatë dhe temjanica e artë

dhe kur hapi vulën e shtatë, u bë heshtje në qiell përrreth gjysmë ore. 2 Edhe pashë të shtatë engjëjt, të cilët rrinin përpara Perëndisë, edhe iu dhanë atyre shtatë trumbeta.

 3 Edhe erdhi një tjetër engjëll, edhe qëndroi mbi therore, e mbante një temjanicë të artë; edhe iu dhanë atij shumë temjanë, që t’i sjellë bashkë me lutjet e gjithë shenjtorëve mbi theroren e artë që është përpara fronit. 4 Edhe u ngjit tymi i temjanit me lutjet e shenjtorëve prej dorës së engjëllit përpara Perëndisë. 5 Edhe engjëlli mori temjanicën dhe e mbushi nga zjarri i therores dhe e hodhi në tokë. Edhe u bënë zëra e bubullima e vetëtima e tërmet.

Katër trumbetat e para

6 Edhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë trumbetat u bënë gati që t’u bien trumbetave.

7 Edhe engjëlli i parë i ra trumbetës, edhe u bë breshër e zjarr përzier me gjak, edhe u hodhën në dhe. Edhe një e treta e pemëve u dogj; edhe çdo bar i njomë u dogj tërësisht.

8 Edhe engjëlli i dytë i ra trumbetës, edhe diçka si një mal i madh që digjet me zjarr u hodh në det. 9 Edhe një e treta e detit u bë gjak; edhe vdiq një e treta e krijesave të gjalla që ishin në det; edhe një e treta e anijeve u shkatërruan.

10 Edhe engjëlli i tretë i ra trumbetës, edhe ra nga qielli një yll i madh që digjej si pishtar, edhe ra mbi një të tretën e lumejve, edhe mbi burimet e ujërave. 11 Edhe emri i yllit quhet Pelin; edhe një e treta e ujërave u bë pelin, edhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat, sepse u hidhëruan.

12 Edhe engjëlli i katërt i ra trumbetës, edhe u godit një e treta e diellit, edhe një e treta e hënës, edhe një e treta e yjeve, që të errësohet një e treta e atyre, edhe dita të mos ndriçojë një të tretën e saj, edhe nata gjithashtu.

13 Edhe pashë, edhe dëgjova një engjëll që fluturonte në mes të qiellit duke thënë me zë të madh: “Mjerë, mjerë, mjerë ata që rrinë mbi dhe nga të rënat e nbetura të trumpetës së tre engjëjve që do ti bien trumpetave.”

Kreu 9

Trumbeta e pestë

dhe engjëlli i pestë i ra trumbetës, edhe pashë se një yll kishte rënë nga qielli mbi tokë, edhe iu dha atij çelësi i pusit të pafundësisë. 2 Edhe hapi pusin e pafundësisë; edhe u ngrit tym nga pusi si tym i një furre të madhe; edhe u errësua dielli dhe ajri nga tymi i pusit. 3 Edhe nga tymi dolën karkaleca mbi dhe, edhe iu dha atyre pushtet, siç kanë akrepat e dheut. 4 Edhe iu tha atyre të mos dëmtojnë barin e dheut, as ndonjë gjelbërim, as ndonjë pemë, por vetëm njerëzit që s’kanë vulën e Perëndisë në ballet e tyre. 5 Edhe iu dha atyre të mos i vrasin ata, po t’i mundojnë pesë muaj; edhe mundimi i tyre ishte si mundim akrepi, kur pickon njeriun. 6 Edhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, edhe nuk do ta gjejnë; edhe do të dëshirojnë të vdesin, edhe vdekja do të ikë nga ata.

7 Edhe nga forma karkalecat u shembëllenin kuajve që janë bërë gati për luftë; edhe mbi krerët e tyre kishin si kurora që ngjanin me ar, edhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish. 8 Edhe kishin flokë si flokë grash; edhe dhëmbët e tyre ishin si të luanëve. 9 Edhe kishin parzmore si parzmore të hekurta; edhe zëri i krahëve të tyre ishte si zë karrocash me shumë kuaj kur sulen në luftë. 10 Edhe kishin bishta që shembëllenin me akrepa, edhe thumba kishte nëpër bishtat e tyre; edhe pushteti i tyre ishte t’u bëjnë dëm njerëzve pesë muaj. 11 Edhe kishin mbret mbi veten e tyre engjëllin e pafundësisë; i cili hebraisht e ka emrin Abadon, edhe në greqisht e ka emrin Apolion (prishës).

12 Një mjerim shkoi. Ja tek po vijnë edhe dy mjerime pas këtij.

Trumbeta e gjashtë

13 Edhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës, edhe dëgjova një zë nga të katër brirët e therores së artë që është përpara Perëndisë, 14 që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte trumbetën: “Zgjidh të katër engjëjt që janë lidhur mbi lumin e madh Eufrat.” 15 Edhe u zgjidhën të katër engjëjt që ishin bërë gati për orën e për ditën e për muajin e për vitin, që të vrasin një të tretën e njerëzve. 16 Edhe numri i kalorësve të ushtrisë ishte dyqind milionë, unë e dëgjova numurin e tyre. 17 Edhe kështu pashë kuajt në vegim dhe ata që rrinin mbi ata, se kishin parzmore prej zjarri e prej hiacinti e prej squfuri; edhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh, edhe nga goja e tyre dilte zjarr e tym e squfur. 18 Nga këta të tre u vranë një e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri që dilte nga gojët e tyre, 19 sepse pushtetet e tyre janë në gojët e tyre; sepse bishtat e tyre shembëllenin me gjarpërinj, edhe kishin krerë, edhe me ata dëmtonin. 20 Edhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, as nuk u penduan nga punët e duarve të tyre, që të mos u falen demonëve dhe idhujve të artë e të argjendtë e të bakërt e të gurtë e të drunjtë, të cilët as nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin. 21 Edhe nuk u penduan për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për kurvëritë e tyre, as për vjedhjet e tyre.

Kreu 10

Engjëlli me librin e hapur

dhe pashë një tjetër engjëll të fuqishëm duke zbritur nga qielli, imbështjellë në një re dhe me ylber mbi krye; edhe fytyra e tij ishte si dielli, edhe këmbët e tij si shtylla zjarri. 2 Edhe kishte në dorën e tij një libër të hapur; edhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det, edhe të majtën mbi dhe. 3 Edhe bërtiti me zë të madh si luani kur ulërin. Edhe kur bërtiti, folën të shtatë bubullimat me zërat e tyre. 4 Edhe kur folën të shtatë bubullimat, u gatita të shkruaja, por dëgjova një zë nga qielli që thoshte: “Vulos ato që folën të shtatë bubullimat, edhe mos i shkruaj ato.” 5 Edhe engjëlli që pashë duke ndenjur mbi det e mbi dhe ngriti dorën e tij të djathtë në qiell, 6 edhe u betua për atë që rron në jetë të jetëve, i cili krijoi qiellin dhe sa janë në të, edhe dheun dhe sa janë në të, edhe detin dhe sa janë në të, se kohë nuk do të ketë më, 7 po në ditët e zërit të engjëllit të shtatë, kur do t’i bjerë trumbetës, atëherë do të plotësohet misteri i Perëndisë, siç i kishte lajmëruar shërbëtorët e tij, profetëve.

8 Edhe zëri që dëgjova nga qielli, përsëri fliste me mua e thoshte: “Shko merr libërthin e hapur në dorën e engjëllit që ka ndenjur mbi det e mbi dhe.” 9 Edhe shkova tek engjëlli e i thashë: “Më jep libërthin.” Edhe ai më thotë: “Merre dhe haje atë, edhe do të hidhërojë barkun tënd, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjaltë.” 10 Edhe mora libërthin nga dora e engjëllit dhe e hëngra. Edhe ishte në gojën time i ëmbël si mjaltë; edhe kur e hëngra atë, u hidhërua barku im. 11 Edhe më thotë: “Duhet të profetizosh përsëri për shumë popuj e kombe e gjuhë e mbretër.” 

Kreu 11

Dy dëshmitarët

dhe m’u dha një kallam që ngjante me shkop; edhe engjëlli rrinte e thoshte: “Ngrihu dhe mat tempullin e Perëndisë dhe theroren dhe ata që falen në të. 2 Po avllinë që është përjashta tempullit lëre jashtë, edhe mos e mat, sepse iu dha kombeve, edhe qytetin e shenjtë do ta shkelin dyzet e dy muaj.

3 Edhe do t’u jap pushtet të dy dëshmitarëve të mi, edhe do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, veshur me thasë.” 4 Këta janë të dy drurët e ullirit, dhe të dy kandilerët që rrinë përpara Perëndisë së dheut. 5 Edhe në dashtë ndonjë t’u bëjë dëm atyre, zjarr del nga goja e tyre dhe ha armiqtë e tyre. Edhe në dashtë ndonjë t’u bëjë dëm atyre, kështu duhet të vritet ai. 6 Këta kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; edhe kanë pushtet mbi ujërat t’i kthejnë në gjak, edhe ta godasin dheun me çdo lloj plage, sa herë të duan.

7 Edhe kur të mbarojnë dëshminë e tyre, bisha që del nga pafundësia do të bëjë luftë me ata, edhe do t’i mundë, edhe do t’i vrasë. 8 Edhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, që quhet shpirtërisht Sodomë dhe Egjipt, ku edhe Zoti ynë u kryqëzua. 9 Edhe prej popujve dhe prej fiseve dhe prej gjuhëve e prej kombeve shumë veta do t’i shohin kufomat e tyre tri ditë e gjysmë, edhe nuk do t’i lënë kufomat e tyre të vihen në varre. 10 Edhe ata që rrinë mbi dhe do të gëzohen për ta, edhe do të gazmohen; edhe do t’i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit. Sepse këta dy profetë munduan ata që rrinë mbi dhe.

11 Edhe pas tri ditë e gjysmë hyri tek ata frymë jete prej Perëndisë; edhe qëndruan në këmbët e tyre, edhe frikë e madhe ra mbi ata që i shihnin. 12 Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli që u thoshte atyre: “Ngjituni këtu.” Edhe u ngjitën në qiell mbi re. Edhe armiqtë e tyre i panë ata. 13 Edhe atë ditë u bë tërmet i madh, edhe një e dhjeta e qytetit ra, edhe u vranë në tërmet shtatë mijë emra njerëzish; edhe të tjerët i mori frika, edhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.

14 Mjerimi i dytë shkoi. Ja tek po vjen shpejt mjerimi i tretë.

Trumbeta e shtatë

15 Edhe engjëlli i shtatë i ra trumbetës, edhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshin: “Mbretëritë e botës u bënë të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe do të mbretërojë në jetë të jetëve.” 16 Edhe të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre ranë përmbys mbi fytyrat e tyre, edhe iu falën Perëndisë, 17 duke thënë: “Të faleminderojmë ty, o Zot Perëndi i Gjithëpushtetshëm, i cili je ai që është dhe ai që ishte dhe ai që vjen; sepse more fuqinë tënde të madhe, dhe mbretërove. 18 Edhe kombet u zemëruan, edhe erdhi zemërimi yt, edhe koha e të vdekurve, që të gjykohen, edhe t’u japësh pagën shërbëtorëve të tu profetë, edhe shenjtorëve, edhe atyre që e kanë frikë emrin tënd, të vegjëlve e të mëdhenjve, edhe të prishësh ata që prishin dhenë.” 19 Edhe u hap tempulli i Perëndisë në qiell, dhe u duk arka e dhiatës së tij në tempullin e tij; edhe u bënë vetëtima e zëra e bubullima e tërmet e breshër i madh.

Kreu 12

Gruaja dhe dragoi

dhe u duk një shenjë e madhe në qiell, një grua që kishte veshur diellin, edhe hëna ishte poshtë këmbëve të saj, edhe mbi kryet e asaj një kurorë me dymbëdhjetë yje. 2 Edhe pasi ishte me barrëë, bërtiste nga shtrëngimet dhe dhimbjet e lindjes. 3 Edhe u duk një tjetër shenjë në qiell, edhe ja një dragua i madh i kuq, i cili kishte shtatë krerë e dhjetë brirë; edhe mbi krerët e tij shtatë kurora. 4 Edhe bishti i tij tërhiqte një të tretën e yjeve të qiellit, edhe i hodhi ata në dhe. Edhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, që të gllabëronte të birin e saj, kur ta kishte lindur. 5 Edhe lindi një fëmijë mashkull, i cili ka për të kullotur gjithë kombet me shkop të hekurt. Edhe djali i saj u rrëmbye tek Perëndia dhe tek froni i tij. 6 Edhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të bërë gati nga Perëndia, që ta ushqejnë atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

7 Edhe u bë luftë në qiell. Mihaili dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit, edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan. 8 Edhe nuk fituan, as u gjet vend për ata në qiell. 9 Edhe u hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i vjetër që quhet djall edhe Satana, ai që mashtron gjithë botën; u hodh poshtë në tokë, edhe engjëjt e tij u hodhën bashkë me të. 10 Edhe dëgjova një zë të madh që thoshte në qiell: “Tani u bë shpëtimi edhe fuqia edhe mbretëria e Perëndisë tonë, edhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste ata përpara Perëndisë tonë natë e ditë. 11 Edhe ata e mundën atë me gjakun e Qengjit, dhe me fjalën e dëshmisë së tyre; edhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje. 12 Prandaj gëzohuni, o qiej, edhe ju që rrini në ta. Mjerë toka e deti, se zbriti djalli tek ju, duke pasur zemërim të madh, sepse e di se ka pak kohë.”

13 Edhe kur pa dragoi se u hodh poshtë në dhe, ndoqi gruan që lindi mashkullin. 14 Edhe iu dhanë gruas dy krahë të shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë dhe dy kohë dhe gjysmë kohe, larg pranisë së gjarprit. 15 Edhe gjarpri lëshoi nga goja e tij prapa gruas ujë si lumë, që të bëjë ta marrë atë lumi. 16 Edhe dheu e ndihmoi gruan, edhe dheu hapi gojën e saj dhe e përpiu lumin që lëshoi dragoi nga goja e tij. 17 Edhe dragoi u zemërua kundër gruas, edhe shkoi të bëjë luftë bashkë me ata që mbetën prej farës së saj, të cilët ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jisuit.

Kreu 13

Dy bishat

dhe ndenja mbi rërën e detit; edhe pashë një bishë që dilte nga deti, që kishte shtatë krerë e dhjetë brirë; edhe mbi brirët e saj dhjetë kurora, edhe mbi krerët e saj një emër blasfemie. 2 Edhe bisha që pashë shembëllente me leopard, edhe këmbët e saj ishin si të ariut, edhe goja e saj si gojë luani; edhe dragoi i dha asaj fuqinë e tij dhe fronin e tij dhe pushtet të madh. 3 Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; edhe plaga e saj për vdekje u shërua; edhe gjithë dheu u mrekullua pas bishës. 4 Edhe iu falën dragoit që i dha pushtet bishës, edhe iu falën bishës, duke thënë: “Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë me të?”

5 Edhe iu dha asaj gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemira, edhe iu dha asaj pushtet të bëjë luftë dyzet e dy muaj. 6 Edhe hapi gojën e saj me blasfemi kundër Perëndisë, që të blasfemojë emrin e tij, edhe tendën e tij, edhe ata që rrinë në qiell. 7 Edhe iu dha asaj të bëjë luftë me shenjtorët dhe t’i mundë; edhe iu dha asaj pushtet mbi çdo fis dhe popull dhe gjuhë dhe komb. 8 Edhe do t’i falen asaj gjithë ata që rrinë mbi dhe, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit që është therur qëkurse është krijuar bota.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë. 10 Kush çon në robëri, në robëri do të shkojë; kush vret me thikë, me thikë duhet të vritet. Këtu është durimi dhe besimi i shenjtorëve.

11 Edhe pashë një tjetër bishë që dilte nga dheu, edhe kishte dy brirë si të një qengji, por fliste si dragua. 12 Edhe bënte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj; edhe bënte që dheu dhe ata që rrinë mbi të t’i falen bishës së parë, së cilës plaga për vdekje iu shërua. 13 Edhe bënte shenja të mëdha, kaq sa edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe përpara njerëzve. 14 Edhe mashtronte ata që rrinin mbi dhe me shenjat që iu dhanë asaj të bëjë përpara bishës, e u thoshte atyre që rrinin mbi dhe t’i bëjnë ikonë bishës që kishte plagën e thikës, edhe jetoi. 15 Edhe iu dha asaj t’i japë frymë ikonës së bishës, aq sa edhe të flasë ikona e bishës, edhe të bëjë që të vriten ata që s’i falen ikonës së bishës. 16 Edhe bënte të gjithë, të vegjlit e të mëdhenjtë, edhe të pasurit dhe të varfërit, edhe të lirët dhe skllevërit, të marrin një shenjë mbi dorën e tyre të djathtë, ose mbi ballet e tyre. 17 Edhe që të mos mundej ndonjë të blejë ose të shesë, përveç atij që ka shenjën, ose emrin e bishës, ose numrin e emrit të saj. 18 Këtu është dituria; ai që ka mend le të bëjë llogari numrin e bishës; sepse është numër njeriu, edhe numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.

Kreu 14

Kënga e të shpëtuarve

dhe pashë, edhe ja një Qengj tek rrinte mbi malin Sion, edhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë që kishin emrin e Atit të tij të shkruar mbi ballet e tyre. 2 Edhe dëgjova një zë nga qielli si zë shumë ujërash, edhe si zë bubullime të madhe; edhe zëri që dëgjova ishte si zë harpistësh që u binin harpave të tyre. 3 Edhe këndonin një këngë të re përpara fronit dhe përpara të katër krijesave të gjalla dhe pleqve; edhe askush s’mund ta mësonte këngën, veç të njëqind e dyzet e katër mijët, që ishin blerë prej dheut. 4 Këta janë ata që nuk u ndynë me gra, sepse janë të virgjër; këta janë ata që i shkojnë prapa Qengjit kudo që të shkojë; këta u blenë nga njerëzit, që të jenë fryti i parë tek Perëndia dhe tek Qengji. 5 Edhe në gojët e tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë  të paqortueshëm përpara fronit të Perëndisë.

Mesazhi i tre engjëjve

6 Edhe pashë një tjetër engjëll duke fluturuar në mes të qiellit, i cili kishte ungjillin e përjetshëm, që të ungjillëzojë mbi ata që rrinë mbi dhe, edhe mbi çdo komb e fis e gjuhë e popull. 7 E thoshte me zë të madh: “Kini frikë Perëndinë, edhe jepini lavdi atij, sepse erdhi ora e gjyqit të tij; edhe faljuni atij që bëri qiellin dhe dheun dhe detin dhe burimet e ujërave.”

8 Edhe një tjetër engjëll i shkoi pas, e thoshte: “Ra, ra Babilona e madhe; që bëri të pinë të gjithë kombet nga vera e zemërimit të kurvërimit të saj.”

9 Edhe një engjëll i tretë shkoi prapa tyre, duke thënë me zë të madh: “Kush t’i falet bishës dhe ikonës së saj, edhe të marrë shenjën mbi ballin e tij ose mbi dorën e tij, 10 edhe ai do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij; edhe do të mundohet me zjarr e me squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit. 11 Edhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në jetë të jetëve; edhe s’kanë prehje ditë e natë ata që i falen bishës e ikonës së saj dhe ai që merr shenjën e emrit të saj.” 12 Këtu është durimi i shenjtorëve; këtu janë ata që ruajnë porositë e Perëndisë dhe besimin e Jisuit.

13 Edhe dëgjova një zë nga qielli që thoshte: Shkruaj. “Të lumur janë që tani ata të vdekur që vdesin në Zotin.” “Po,” thotë Fryma, “që të prehen nga mundimet e tyre; edhe veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ata.”

Korrja dhe vjelja e botës

14 Edhe pashë, edhe ja një re e bardhë, edhe mbi re kishte ndenjur një që shembëllente me bir njeriu, edhe kishte mbi kryet e tij një kurorë të artë, edhe në dorën e tij një drapër të mprehtë. 15 Edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli duke i thirrur me zë të madh atij që kishte ndenjur mbi re: “Dërgo draprin tënd dhe korr; sepse erdhi ora të korrësh, sepse u poqën të korrat e dheut.” 16 Edhe ai që kishte ndenjur mbi re vuri draprin e tij mbi tokë; edhe toka u korr.

17 Edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli që ishte në qiell, duke pasur edhe ai një drapër të mprehtë. 18 Edhe doli nga theroreja një tjetër engjëll, i cili kishte pushtet mbi zjarrin; edhe i thërriti me zë të madh atij që kishte draprin e mprehtë, duke thënë: “Dërgo draprin tënd të mprehtë dhe vil rrushin e vreshtit të dheut, sepse u poq rrushi i tij”. 19 Edhe engjëlli vuri draprin e tij në tokë, edhe voli vreshtin e dheut, edhe hodhi rrushin në tirën e madhe të zemërimit të Perëndisë. 20 Edhe tira u shkel jashtë qytetit, edhe doli gjak nga tira deri tek frerët e kuajve, në një gjatësi prej një mijë e gjashtëqind stadesh.

Kreu 15

Shtatë engjëjt dhe shtatë plagët

dhe pashë në qiell një tjetër shenjë të madhe e të çuditshme, shtatë engjëj, të cilët kishin të shtatë plagët e fundit, sepse me ato u plotësua zemërimi i Perëndisë.

2 Edhe pashë një si një det të qelqtë, të përzier me zjarr; edhe ata që mundën bishën dhe ikonën e asajdhe shenjën e saj dhe numrin e emrit të saj, që po rrinin mbi detin prej qelqi, edhe kishin harpat e Perëndisë, 3 edhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngën e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha e të çuditshme janë punët e tua, o Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o mbret i shenjtorëve. 4 Cili nuk do të të ketë frikë ty, o Zot, edhe nuk do të lavdërojë emrin tënd? Sepse ti vetëm je shenjt; sepse gjithë kombet do të vijnë e do të falen përpara teje; sepse gjyqet e tua u shfaqën.”

5 Edhe pastaj pashë, edhe ja tek u hap tempulli i tendës së dëshmisë në qiell. 6 Edhe dolën nga tempulli të shtatë engjëjt që kishin të shtatë plagët, të veshur me li të pastër e të ndritshëm, edhe ngjeshur rreth kraharorëve breza të artë. 7 Edhe një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa të arta të mbushura me zemërimin e Perëndisë që rron në jetë të jetëve. 8 Edhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; edhe askush nuk mund të hynte në tempull, deri sa të mbaronin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.

Kreu 16

Shtatë shishet e zemërimit të Perëndisë

dhe dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: Shkoni e derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë.

2 Edhe shkoi i pari dhe derdhi kupën e tij mbi tokë; edhe iu bë një plagë e keqe dhe e ligë njerëzve që kishin shenjën e bishës dhe atyre që i faleshin ikonës së saj.

3 Edhe engjëlli i dytë derdhi kupën e tij në det dhe u bë gjak si i një të vdekuri; edhe çdo jetë e gjallë në det vdiq.

4 Edhe i treti derdhi kupën e tij nëpër lumejtë e nëpër burimet e ujërave; edhe u bë gjak. - 5 Edhe dëgjova engjëllin e ujërave që thoshte: “Ti je i drejtë o Zot, që je, që ishe dhe ai që do të jesh dhe Shenjti, sepse gjykove këto gjëra. 6 Sepse ata derdhën gjak shenjtorësh dhe profetësh, edhe gjak u dhe atyre të pinë; sepse këtë meritojnë.” - 7 Edhe dëgjova një tjetër nga theroreja që thoshte: “Po, o Zot Perëndi i Gjithëpushtetshëm, të vërteta dhe të drejta janë gjyqet e tua.”

8 Edhe i katërti derdhi kupën e tij mbi diellin; edhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr. 9 Edhe njerëzit u dogjën me një nxehtësi të madhe, edhe blasfemuan emrin e Perëndisë që ka pushtet mbi këto plagë; edhe nuk u penduan që t’i japin lavdi atij.

10 Edhe i pesti derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës; edhe u errësua mbretëria e saj; edhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga dhimbjet. 11 Edhe blasfemuan Perëndinë e qiellit për dhimbjet dhe për plagët e tyre, edhe nuk u penduan për veprat e tyre.

12 Edhe i gjashti derdhi kupën e tij mbi lumin e madh Eufrat; edhe uji i tij u tha, që të bëhet gati udha e mbretërve nga lindja e diellit. 13 Edhe pashë tri frymë të ndyra që shembëllenin me bretkosa, që dilnin nga goja e bishës dhe nga goja e profetit gënjeshtar; 14 sepse janë frymë demonësh që bëjnë shenja, të cilat shkojnë tek mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin ata për luftën e asaj dite të madhe të Perëndisë së Gjithpushtetshëm.

15 “Ja tek po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e tij, që të mos ecë zhveshur e të shohin turpin e tij.”

16 Edhe i mblodhën ata në vendin që Hebraisht quhet Armagjedon.

17 Edhe engjëlli i shtatë derdhi kupën e tij në erë; edhe doli një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, që thoshte: U bë. 18 Edhe u bënë zëra e bubullima e vetëtima, edhe u bë tërmet i madh, i tillë që nuk është bërë qëkurse njerëzit kanë qenë mbi dhe një tërmet kaq fort i madh. 19 Edhe qyteti i madh u nda në tri pjesë, edhe qytetet e kombeve ranë. Edhe Perëndisë iu kujtua Babilona e madhe, që t’i japë kupën e verës së furisë të zemërimit të tij. 20 Edhe çdo ujdhesë u zhduk, edhe malet nuk u gjetën. 21 Edhe një breshër i madh sa një talantë zbriti nga qielli mbi njerëzit; edhe njerëzit blasfemonin Perëndinë për plagën e breshërit, sepse plaga e tij ishte fort e madhe.

Kreu 17

Prostituta e madhe dhe Bisha

dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, edhe foli bashkë me mua, e më tha: “Eja, do të të tregoj gjyqin e lavirës së madhe që ka ndenjur mbi shumë ujëra, 2 me të cilën kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj.”

3 Edhe më çoi në frymë në një vend të shkretë; edhe pashë një grua që po rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie, që kishte shtatë krerë e dhjetë brirë. 4 Edhe gruaja ishte veshur me purpur e me të kuq të ndezur, edhe praruar me ar e me gurë të çmuar e me margaritarë, edhe kishte në dorën e saj një kupë të artë mbushur me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj. 5 Edhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: Mister, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut. 6 Edhe pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i dëshmitarëve të Jisuit.

Edhe kur e pashë atë,u çudita me çudi të madhe. 7 Edhe engjëlli më tha: “Pse u çudite? Unë do të të them ty misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka të shtatë krerët e të dhjetë brirët. 8 Bisha, që pe, ishte dhe nuk është, edhe do të dalë nga pafundësia, edhe do të shkojë në humbje; edhe do të çuditen ata që rrinë mbi dhe, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që kur është krijuar bota, kur të shohin bishën që ishte dhe nuk është, ndonëse është. 9 Këtu është mendja që ka dituri. Të shtatë krerët janë shtatë male, mbi të cilët rri gruaja. 10 Edhe janë shtatë mbretër; pesë ranë, edhe njëri është, edhe tjetri ende s’ka ardhur; edhe kur të vijë, pak kohë do të mbetet. 11 Edhe bisha që ishte e nuk është, edhe ky është i teti mbret, edhe është një nga të shtatët, edhe shkon në humbje. 12 Edhe të dhjetë brirët që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët ende s’kanë marrë mbretëri, por marrin pushtet si mbretër një orë bashkë me bishën. 13 Këta kanë një mendje, edhe do t’ia japin bishës fuqinë dhe pushtetin e tyre. 14 Këta do të luftojnë me Qengjin, dhe Qengji do t’i mundë ata, sepse është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; edhe ata që janë bashkë me të janë besnikë të thirrur e të zgjedhur.”

15 Edhe më thotë: “Ujërat që pe atje ku rri lavira, janë popuj dhe turma dhe kombe e gjuhë. 16 Edhe të dhjetë brirët që pe dhe bishën, këta do ta urrejnë lavirën dhe do ta bëjnë atë të shkretë dhe lakuriq, edhe do të hanë mishrat e saj, edhe atë do ta djegin në zjarr. 17 Sepse Perëndia dha në zemrat e tyre të bëjnë mendimin e tij, edhe të bëhen me një mendje, edhe mbretërinë e tyre t’ia japin bishës, deri sa të plotësohen fjalët e Perëndisë. 18 Edhe gruaja që pe është qyteti i madh që mbretëron mbi mbretërit e dheut.”

Kreu 18

Rënia e Babilonës

dhe pastaj pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, që kishte pushtet të madh; edhe dheu u ndriçua prej lavdisë së tij. 2 Edhe thirri me zë të fuqishëm, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhe, edhe u bë banesë demonësh dhe strofkë e çdo fryme të ndyrë, edhe strofkë e çdo lloj shpendi të ndyrë e të neveritshëm. 3 Sepse nga vera e zemërimit të kurvërimit të saj pinë gjithë kombet, edhe mbretërit e dheut kurvëruan me të, edhe tregtarët e dheut u bënë të pasur nga teprimi i shfrenimit të saj.”

4 Edhe dëgjova një tjetër zë nga qielli që thoshte: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos keni pjesë në mëkatet e saj, edhe të mos merrni nga plagët e saj. 5 Sepse mëkatet e saj arritën deri në qiell, edhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj. 6 Shpërblejeni atë, siç jua shpërbleu edhe ajo, edhe ia shpërbleni dyfish sipas veprave të saj. Me kupën, me të cilën gostiti, dyfish gostiteni atë. 7 Sa lavdëroi vetveten dhe u kënaq në epshet, aq mundim e vajtim jepini asaj; sepse thotë me zemrën e saj se po rri si mbretëreshë, edhe nuk jam e ve, edhe s’kam për të parë vajtim. 8 Prandaj në një ditë do të vijnë plagët e saj, vdekje dhe vajtim dhe zi buke; edhe do të digjet në zjarr, sepse i fortë është Zoti Perëndi, që e gjykon atë.

9 “Edhe do të qajnë për atë edhe do të mbajnë zi për të mbretërit e dheut, ata që kurvëruan me të dhe jetuan në shfrenim me të, kur të shohin tymin e djegies së saj, 10 duke qëndruar larg nga frika e mundimit të saj, e duke thënë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, Babilona, qyteti i fortë, sepse për një orë erdhi gjyqi yt.’

11 “Edhe tregtarët e dheut qajnë e vajtojnë për atë, sepse asnjë nuk ble më barrët e tyre: 12 barrë ari e argjendi, edhe gurësh të çmuar, edhe margaritarësh, edhe pëlhure liri të mirë, edhe purpuri, edhe mëndafshi dhe të kuqe; edhe çdo dru me erë të mirë, e çdo enë prej fildishi, e çdo enë prej druje të çmueshme, e bakri, e hekuri, e mermeri; 13 edhe kanellë, e erëza, e temian, e miro, e livan, e verë, e vaj, e majë mielli, e grurë, e bagëti, e dhen, e kuaj, e qerre, e trupa e shpirtra njerëzish. 14 Edhe frytet e dëshirimit të shpirtit tënd ikën prej teje, edhe gjithë të kushtueshmet e të ndritshmet ikën prej teje, edhe më nuk do t’i gjesh.

15 “Tregtarët e këtyre, që u bënë të pasur nga ajo, do të rrinë nga larg për frikën e mundimit të saj, duke qarë e duke vajtuar, 16 e duke thënë: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, që ishte veshur me vishnje e purpur e të kuqe, dhe praruar me ar e gurë të çmuar dhe margaritarë; 17 sepse për një orë u shkretua gjithë kjo pasuri.’

“Edhe çdo zot anijeje, dhe gjithë njerëzit që janë mbi to, edhe detarë, dhe gjithë sa punojnë detin, ndenjën nga larg, 18 edhe bërtisnin, kur shihnin tymin e djegies së saj, duke thënë: ‘Cili qytet ka qenë si ky qytet i madh?’ 19 Edhe hodhën pluhur mbi kokat e tyre, edhe bërtisnin duke qarë e duke vajtuar, e thoshin: ‘Mjerë, mjerë qyteti i madh, në të cilin u bënë të pasur nga pasuria e saj gjithë ata që kishin anije në det, sepse për një orë u shkretua.’

20 “Gëzohu për të, o qiell, dhe shenjtorë dhe apostuj dhe profetë, sepse Perëndia gjykoi gjyqin tuaj kundër saj.”

21 Edhe një engjëll i fortë ngriti një si gur mulliri të madh, edhe e hodhi në det, duke thënë: “Kështu do të rrokulliset me vrull Babilona, qyteti i madh, edhe nuk do të gjendet më. 22 Edhe zë harpistësh e muzikantësh e fyelltarësh e trumbetarësh nuk do të dëgjohet më tek ti; edhe çdo mjeshtër prej çdo lloj mjeshtërie nuk do të gjendet më tek ti; edhe zë mulliri nuk do të dëgjohet më tek ti; 23 edhe dritë kandili nuk do të ndriçojë më tek ti; edhe zë dhëndri e nuseje nuk do të dëgjohet më tek ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse me magjinë tënde u mashtruan gjithë kombet. 24 Edhe në të u gjet gjak profetësh e shenjtorësh dhe i gjithë atyre që janë therur mbi dhe.”

Kreu 19

dhe pastaj dëgjova si zë të madh turme të shumtë në qiell që thoshte: “Aliluia, shpëtimi dhe lavdia dhe nderi e fuqia i përket Zotit dhe Perëndinë tonë. 2 Sepse gjykoi lavirën e madhe që prishi dhenë me kurvërinë e saj, edhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij që u derdh prej dorës së saj.” 3 Edhe thanë për së dyti: “Aliluia! Edhe tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.” 4 Edhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë dhe të katër krijesat e gjalla, e iu falën Perëndisë që rrinte mbi fron, duke thënë: “Amin! Aliluia!”

Tryeza dasmore e Qengjit

5 Edhe doli nga froni një zë që thoshte: “Lavdëroni Perëndinë tonë gjithë ju shërbëtorët e tij, ju që e keni frikë atë, të vegjël e të mëdhenj.”

6 Edhe dëgjova si zë turme të shumtë, edhe si zë shumë ujërash, dhe si zë bubullimash të forta, që thoshin: “Aliluia! Se mbretëroi Zoti Perëndi i Gjithëpushtetshëm. 7 Le të gëzohemi, e le të ngazëllohemi, e le t’i japim atij lavdinë, sepse erdhi dasma e Qengjit, edhe gruaja e tij bëri gati veten e saj.” 8 Edhe iu dha asaj të vishet me li të mirë, të ndritshëm e të pastër; sepse liri i mirë është veprat e drejta të shenjtorëve.

9 Edhe më thotë: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në dasmën e Qengjit!” Edhe më thotë: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.” 10 Edhe rashë përpara këmbëve të tij që t’i falem; edhe më thotë: “Shiko  se mos e bën. Unë jam bashkëpunëtori yt dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jisuit. Perëndisë falju. Sepse dëshmia e Jisuit është fryma e profecisë.”

Kalorësi dhe kali i bardhë

11 Edhe pashë qiellin të hapur, edhe ja një kalë i bardhë, edhe ai që rrinte mbi të quhej Besnik dhe i Vërtetë, edhe me drejtësi gjykon e lufton. 12 Edhe sytë e tij ishin si flakë zjarri, edhe mbi kryet e tij kishte shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, të cilin asnjë s’e di veç atij. 13 Edhe ishte veshur me një rrobë lyer në gjak; edhe emri i tij quhet: Fjala e Perëndisë. 14 Edhe ushtritë që ishin në qiell i vinin prapa hipur mbi kuaj të bardhë, edhe veshur me li të mirë, të bardhë edhe të pastër. 15 Edhe prej gojës së tij dilte një shpatë e mprehtë, që t’u bjerë kombeve me atë; edhe ai “do t’i kullosë me shkop të hekurt”; edhe ai shkel tirën e verës së furisë të zemërimit të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm. 16 Edhe mbi rrobën e mbi kofshën e tij ka të shkruar emrin: Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.

17 Edhe pashë një engjëll që rrinte në diell; edhe thërriti me zë të madh, duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: “Ejani mblidhuni në darkën e Perëndisë së madh, 18 që të hani mishra mbretërish dhe mishra kryemijësish dhe mishra të fortësh dhe mishra kuajsh e të atyre që kanë ndenjur mbi ata, edhe mishra të të gjithëve, të lirësh e shërbëtorësh, të vegjëlish e të mëdhenjsh.”

19 Edhe pashë bishën dhe mbretërit e dheut, edhe ushtritë e tyre mbledhur, që të bënin luftë me atë që rrinte mbi kalë dhe me ushtrinë e tij. 20 Edhe u zu bisha, edhe bashkë me të profeti gënjeshtar, ai që bëri shenjat përpara saj, me të cilat mashtroi ata që morën shenjën e bishës, edhe ata që iu falën ikonës së saj. Të gjallë u hodhën që të dy në liqenin e zjarrit që digjet me squfur. 21 Edhe të tjerët u vranë me shpatën e atij që rrinte mbi kalë, e cila dilte prej gojës së tij; edhe gjithë shpendët u ngopën nga mishrat e tyre.

Kreu 20

Mbretëria njëmijëvjeçare

dhe pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, i cili kishte çelësin e pafundësisë, edhe një varg të madh në dorën e tij. 2 Edhe zuri dragoin, gjarpërin e vjetër, i cili është djalli dhe Satanai; edhe e lidhi atë një mijë vjet. 3 Edhe e hodhi në pafundësi dhe e mbylli, edhe e vulosi sipër tij, që të mos mashtrojë më kombet, deri sa të mbarojnë të një mijë vjetët; edhe pas këtyre duhet të zgjidhet për pak kohë.

4 Edhe pashë frone; edhe ata ndenjën mbi ato, edhe iu dha atyre të gjykojnë; edhe pashë shpirtrat e atyre që ishin therur për dëshminë e Jisuit, edhe për fjalën e Perëndisë, edhe të cilët nuk iu falën bishës, as ikonës së saj; edhe nuk morën shenjën mbi ballin e tyre dhe mbi dorën e tyre; edhe ata rrojtën e mbretëruan bashkë me Krishtin të një mijë vjetët. 5 Edhe të vdekurit e tjerë nuk u ngjallën, deri sa të mbushen të një mijë vjetët. Kjo është ngjallja e parë. 6 I lumur dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë. Mbi këta vdekja e dytë s’ka pushtet, por do të jenë priftërinj të Perëndisë, edhe do të mbretërojnë bashkë me atë një mijë vjet.

Disfata e Satanait

7 Edhe kur të mbarojnë të një mijë vjetët, do të zgjidhet Satanai nga burgu i tij. 8 Edhe do të dalë të mashtrojë kombet që gjenden në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë, numri i të cilëve është si rëra e detit. 9 Edhe u ngjitën mbi gjerësinë e dheut, edhe rrethuan ushtrinë e shenjtorëve, edhe qytetin e dashur; edhe zbriti zjarr prej qiellit nga Perëndia, edhe i përpiu. 10 Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; edhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.

Gjyqi i fundit

11 Edhe pashë një fron të bardhë të madh, edhe atë që rrinte mbi të, faqe të cilit iku dheu dhe qielli; edhe nuk u gjet vend për ata. 12 Edhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që rrinin përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; edhe u hap një libër tjetër, i cili është i jetës; edhe u gjykuan të vdekurit nga ato që ishin shkruar në librat, sipas veprave të tyre. 13 Edhe deti dha të vdekurit që ishin në të, edhe vdekja dhe hadi dhanë të vdekurit që ishin tek ata; edhe u gjykuan gjithësecili sipas veprave të tyre. 14 Edhe vdekja dhe hadi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë. 15 Edhe ai që nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit.

Kreu 21

Qielli i ri dhe toka e re

dhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkoi; edhe deti nuk është më. 2 Edhe unë Joani pashë duke zbritur prej qiellit nga Perëndia qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj. 3 Edhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, edhe do të rrijë bashkë me ata, edhe ata do të jenë populli i tij, edhe Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata. 4 Edhe do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, edhe vdekja nuk do të jetë më; as vajtim, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më; sepse të parat shkuan.”

5 Edhe tha ai që kishte ndenjur mbi fron: “Ja, të gjitha po i bëj të reja.” Edhe më thotë: “Shkruaj. Sepse këto fjalë janë të vërteta dhe të besueshme.” 6 Edhe më tha: “U bë. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi. Unë do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës atij që ka etje. 7 Ai që fiton do t’i trashëgojë këto, edhe unë do t’i jem Perëndi, edhe ai do të më jetë bir. 8 Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe kurvëruesit dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarët do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.”

Jerusalemi i ri

9 Edhe erdhi tek unë një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat e mbushura me të shtatë plagët e fundit, edhe foli bashkë me mua, duke thënë: “Eja, do të të tregoj ty nusen, gruan e Qengjit.” 10 Edhe më çoinë frymë në një mal të madh e të lartë, dhe më tregoi qytetin, Jerusalemin e shenjtë, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia, 11 që kishte lavdinë e Perëndisë; edhe ndriçimi i tij shembëllente me gur fort të çmueshëm, si me gur diaspri që shkëlqente si kristal. 12 Edhe kishte një mur të madh e të lartë, kishte edhe dymbëdhjetë engjëj, edhe emra të shkruar përsipër, të cilët janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. 13 Nga lindja, tri porta; nga veriu, tri porta; nga jugu, tri porta; nga perëndimi, tri porta. 14 Edhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, edhe në to ishin emrat e të dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.

15 Edhe ai që fliste bashkë me mua kishte një kallam të artë, që të maste qytetin dhe portat e tij dhe murin e tij. 16 Edhe qyteti ishte katror, edhe gjatësia e tij ishte sa gjerësia. Edhe mati qytetin me kallamin, edhe ishte dymbëdhjetë mijë stade. Gjatësia dhe gjerësia e lartësia e tij janë të barabarta. 17 Edhe mati murin e tij, njëqind e dyzet e katër kut, sipas masës së njeriut, domethënë të engjëllit. 18 Edhe ndërtimi i murit të tij ishte me diaspër; edhe qyteti ar i kulluar që shembëllente me qelq të kulluar. 19 Edhe themelet e murit të qytetit ishin stolisur me çdo lloj gurësh të çmuar: themeli i parë diaspër; i dyti, safir; i treti, kalcedon; i katërti, smerald; 20 i pesti, sardoniks; i gjashti, sard; i shtati, krizolit; i teti, beril; i nënti, topaz; i dhjeti, krizopas; i njëmbëdhjeti, jacint; i dymbëdhjeti, ametist. 21 Edhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, edhe secila portë ishte prej një margaritari; edhe udha e qytetit ishte ar i kulluar, si qelq i tejdukshëm.

22 Edhe tempull nuk pashë në të; sepse tempulli i atij është Zoti, Perëndia i Gjithëpushtetshëm, edhe Qengji. 23 Edhe qyteti s’ka nevojë për diell, as për hënë, që të ndriçojnë në të; sepse lavdia e Perëndisë e ndriti atë, edhe drita i tij është Qengji. 24 Edhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; edhe mbretërit e dheut sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të. 25 Edhe portat e tij nuk do të mbyllen ditën, sepse natë nuk do të ketë atje. 26 Edhe do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve në të. 27 Edhe nuk do të hyjë në të asgjë e fëlliqur dhe kush bën ndyrësi e gënjeshtër; por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës së Qengjit.

Kreu 22

dhe më tregoi një lumë të pastër me ujë jete, të ndritshëm si kristal, që buronte prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit. 2 Në mes të udhës së qytetit, edhe këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, duke bërë në çdo muaj frutin e tij; edhe fletët e drurit janë për shërim të kombeve. 3 Edhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; edhe froni i Perëndisë dhe i Qengjit do të jetë në të; edhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë atë. 4 Edhe do të shohin fytyrën e tij, edhe emri i tij do të jetë mbi ballet e tyre. 5 Edhe natë nuk do të ketë atje; edhe s’kanë nevojë për kandil e për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçoi ata; edhe do të mbretërojnë në jetë të jetëve.

Ardhja e Zotit

6 Edhe më tha: “Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.” Edhe Zoti, Perëndia i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, që t’u tregojë shërbëtorëve të tij sa duhet të bëhen për së shpejti. 7 “Ja tek po vij shpejt; lum ai që ruan fjalët e profecisë së këtij libri.”

8 Edhe unë Joani jam ai që pashë e dëgjova këto; edhe kur dëgjova e pashë, rashë të falem përpara këmbëve të engjëllit që më tregonte këto. 9 Edhe ai më thotë: “Shiko se mos e bën. Sepse jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu profetë, dhe i atyre që ruajnë fjalët e këtij libri. Perëndisë falju.” 10 Edhe më thotë: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër. 11 Ai që bën padrejtësi, le të bëjë padrejtësi edhe më; edhe ai që është i fëlliqur, le të fëlliqet edhe më; edhe i drejti le të bëhet edhe më i drejtë; edhe i shenjti le të shenjtërohet edhe më.”

12 “Edhe ja tek po vij shpejt; edhe paga ime është bashkë me mua, që t’ia shpërblejë gjithësecilit sipas veprës së tij. 13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit.”

14 Lum ata që bëjnë urdhërimet e tij, që të kenë pushtet në pemën e jetës, edhe me anë të portave të mund të hyjnë në qytet. 15 Edhe jashtë janë qentë dhe magjistarët e të përdalët e vrasësit e idhujtarët, edhe kushdo që do e bën gënjeshtrën.

16 “Unë Jisui e dërgova engjëllin tim që të dëshmojë tek ju për këto nëpër kishat. Unë jam rrënja dhe fara e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.” 17 Edhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja.” Edhe ai që dëgjon, le të thotë: “Eja.” Edhe ai që ka etje, le të vijë. Edhe ai që do, le të marrë dhuratë ujin e jetës.

Mbyllje

18 Unë i dëshmoj gjithësecilit që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri: Në shtoftë ndonjëri mbi këto, Perëndia do t’i shtojë atij plagët që janë shkruar në këtë libër. 19 Edhe në heqtë ndonjëri nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do të heqë pjesën e tij nga libri i jetës dhe nga qyteti i shenjtë, nga ato që janë shkruar në këtë libër.

20 Ai që dëshmon për këto thotë: “Po vij shpejt.” Amin. Po, eja, o Zoti Jisu.

21 Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me të gjithë shenjtorët. Amin.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com