Shumica e studiuesve bashkëkohorë nuk mendojnë se Shën Pjetri vetë i ka shkruar këto dy letra që mbajnë emrin e tij. Ata e konsiderojnë letrën e parë sikur vjen nga fundi i shekullit të parë dhe letrën e dytë nga gjysma e parë e shekullit të dytë. Por Tradita e Kishës mban dëshminë e vetë letrave, duke ia atribuar ato korifeut të apostujve të Krishtit i cili shkruante nga “Babilonia”, që ishte në Kishën e hershme emri për Romën, pak para martirizimit të tij në gjysmën e dytë të shekullit të parë (Shih 1 Pjetri 5:13; 2 Pjetri 1:14). Letra e parë e Shën Pjetrit është një thirrje plot pasion për të gjithë “Popullin e Perëndisë” që të bëhen të fortë në vuajtjet e tyre, duke imituar Krishtin dhe së bashku me Atë, duke mbajtur një “sjellje të mirë ndër kombet”, duke e nënshtruar veten pa ligësi dhe pa justifikime ndaj “çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit” (2:11,13).

    Instruksione dhe këshillime të veçanta për devotshmëri i drejtohen, së pari tërë Kishës e cila është “një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, popull i fituar (nga Perëndia)” (2:9) dhe pastaj shërbëtorëve (2:18), burrave dhe grave (3:1-7), si edhe presbiterëve (pleqëve) të cilët autori si një “shoku i tyre dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit” u bën thirrje që të “ruajnë grigjën e Perëndisë... jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, por me vullnet të mirë, dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për grigjën” (5:1-4). Nëpër tërë letrën, vazhdimisht bëhet analogji ndërmjet vuajtjeve të Krishtit dhe vuajtjeve të të krishterëve, që është për shpëtimin e tyre.

Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin, sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij”. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen; kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht. Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat. Sepse ju ishit si dele endacake, por tani ju u kthyet te bariu (fjalë për fjalë peshkopi) dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj (2:20-25).

       Letra e dytë e Shën Pjetrit konsiderohet ndonjëherë si një predikim drejtuar atyre që sapo ishin pagëzuar në besimin e krishterë. Autori dëshiron që para vdekjes së tij “të mbajë zgjuar... duke iu kujtuar” (1:13, 3:1) se çfarë ka bërë për ata që janë thirrur, që ata të mund “të bëhën pjesëtarë të natyrës hyjnore duke i  shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të dëshirimit të keq” (1:3-4). Ai i paralajmëron për shfaqjen e “profetëve të rremë” dhe “përqeshësit” të cilët do çojnë të zgjedhurin në rrugë të gabuar me anë të “herezive shkatërruese” të tyre dhe “duke mohuar Zotin që i bleu ata”, duke i bërë ata kështu të kthehen përsëri në një jetë mëkati dhe paditurie ashtu si thotë proverbi “qeni u kthye në të vjellat e tij dhe dosa si u la u zhgërrye në llucë” (2:1-22, 3:1-7). Autori paralajmëron në mënyrë të veçantë kundër shtrembërimit të shkrimeve të shenjta, si të Dhiatës së Vjetër ashtu edhe atyre të Shën Pavlit, “të cilat, të paditurit dhe të paqëndrueshmit, i shtrembërojnë për humbjen e vetes së tyre” (3:16, 1:20).

    Kapitulli i tretë i letrës së dytë të Shën Pjetrit është interpretuar ndonjëherë gabim si shkatërrimi tërësor i krijimit të Perëndisë në mbarim të botës. Interpretimi orthodhoks është që vetëm mëkati dhe e keqja do të “treten nga zjarri” në “ditën e Perëndisë”, dhe se “qiej të rinj dhe toka e re, në të cilët banon drejtësia” do të jetë e njëjta botë “shumë e mirë” e krijimit fillestar të Perëndisë, por e pastruar, e rinuar dhe shlyer nga gjithçka që është kundër mirësisë dhe shenjtërisë së Tij hyjnore (3:8-13; Shih Vëllimi I, Doktrina). Rikujtimi në letrën e dytë të Shën Pjetrit mbi shpërfytyrimin e Krishtit është apostulli që lexohet në Kishë në festën e kësaj ngjarjeje të shenjtë (1:16-18). Lexime nga të dyja letrat gjenden në leximin e Kishës, pjesë nga letra e parë lexohen në vigjiljen e festës së Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit.

Letra e pare e pergjithshme e Apostull Pjetrit

Kreu 1

jetri, apostull i Jisu Krishtit, atyre që banojnë në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoqi, Azi e Bitini, 2 të zgjedhur sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës, për bindje e spërkatje të gjakut të Jisu Krishtit; hir dhe paqe u shumofshin mbi ju.

3 Qoftë i bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili sipas përdëllimit të tij të shumtë na lindi përsëri në shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish, 4 për një trashëgim të paprishur e të papërlyer e të pavyshkur, që është ruajtur ndër qiejt për ne

 5 të cilët me fuqinë e Perëndisë ruhemi me anë të besimit, për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar në kohët e fundit. 6 Për këtë gëzohuni, ndonëse tani pakëz, po në u dashtë, hidhërohuni në çdo lloj ngasjesh, 7 që provimi i besimit tuaj që është shumë më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me anë zjarri, të gjendet për lëvdim dhe për nder e lavdi, kur të zbulohet Jisu Krishti, 8 të cilin, ndonëse s’e keni parë, e doni; tek i cili, ndonëse tani nuk e shihni, besoni dhe ngazëlloheni me gëzim të parrëfyeshëm e të lavdërueshëm, 9 duke marrë të pastajmen  e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave; 10 shpëtim për të cilin kërkuan dhe vëzhguan profetët që profetizuan për hirin që do të jepej mbi ju; 11 duke vëzhguar në cilën apo në çfarë kohe shfaqej Fryma e Krishtit që ishte mbi ata, kur dëshmonte që më përpara për pësimet e Krishtit dhe për lavditë pas tyre; 12 të cilëve iu zbulua jo për veten e tyre, po për ne i bënin ato, të cilat tani ju janë lajmëruar juve me anë të atyre që ju ungjillëzuan me anë të Frymës së Shenjtë, që u dërgua nga qielli, gjëra për të cilat engjëjt dëshirojnë të zgjaten për t’i parë.

13 Prandaj si të ngjishni meset e mendjes suaj, përmbani veten nga të ligat, edhe kini shpresë të plotë në hirin që do të vijë mbi ju, kur të zbulohet Jisu Krishti. 14 Si bij të dëgjueshëm, mos u bëni si në të njëjtën formë me dëshirimet e mëparshmeqë kishit në padijen tuaj. 15 Por siç është shenjt ai që ju thirri, kështu edhe ju bëhuni shenjtorë në gjithë sjelljen tuaj. 16 Sepse është shkruar: “Bëhuni shenjtorë, sepse unë jam shenjt” .

17 Edhe në quani Atë atë që gjykon pa mbajtur anë sipas punës së gjithësecilit, shkoni me frikë kohën e qëndrimit tuaj në këtë dhe të huaj; 18 duke ditur se nuk u çliruat nga jeta juaj e kotë që ju kanë lënë etërit me gjëra që prishen, me argjend ose me ar, 19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, si të një qengji patëmetë e të panjollë; 20 i cili qe paracaktuar përpara se të ngrihet bota, por u shfaq në kohët e fundit për ju, 21 që me anë të atij i besoni Perëndisë që e ngjalli atë prej së vdekurish, e i dha atij lavdi, që besimi dhe shpresa juaj të jetë në Perëndinë.

22 Si të pastroni pra shpirtrat tuaj me bindjen në të vërtetën me anë të Frymës, për një dashuri vëllazërore e pa dy faqe, të doni fort njëri-tjetrin me zemër të kthjellët; 23 sepse jeni lindur përsëri jo prej fare që prishet, po prej fare që s’prishet, me anë të fjalës së Perëndisë që rron e që mbetet për gjithë jetën. 24 Sepse “çdo mish është si bar, edhe çdo lavdi njeriu si lule bari; u tha bari, edhe lulja e tij ra. 25 Po fjala e Zotit mbetet për gjithë jetën”. Edhe kjo është fjala që u ungjillëzua tek ju.

Kreu 2

i të hidhni tej pra çdo ligësi e çdo mashtrim, edhe hipokrizira, edhe smira e çdo përfolje, 2 si foshnja të sapolindura, të dëshironi qumështin e thjeshtë të shpirtit, që të rriteni me anë të tij për shpëtim, 3 sepse e keni ngjëruar “se Zoti është i mirë”.

4 Duke u afruar pranë tij, gurit të gjallë, të hedhur tej nga njerëzit, por për Perëndinë i zgjedhur, i çmuar, 5 edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtohuni shtëpi shpirtërore, priftëri të shenjtë, që të blatoni therorë shpirtërorë, të pranuar tek Perëndia me anë të Jisu Krishtit. 6 Prandaj dhe thuhet në Shkrim: “Ja tek vë në Sion një gur kryeqosheje, të zgjedhur, të çmuar; edhe ai që i beson atij nuk do të turpërohet”. 7 Për ju pra që besoni, është i çmuar; po për të pabindurit “guri që hodhën tej ndërtuesit, ky u bë i qoshes dhe gur pengese e gur skandali”; 8 të cilët pengohen në fjalën, sepse nuk binden, gjë për të cilën edhe ishin caktuar. 9 Po ju jeni “brez i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë”, popull që fitoi Perëndia, që të tregoni vitytet e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme; 10 ju, të cilët dikur nuk ishit popull, por tani jeni popull i Perëndisë; ju që dikur nuk ishit të përdëllyer, po tani u përdëllyet.

11 Të dashur, ju lutem si të huaj e të ardhur që jeni, të hiqni dorë nga dëshirimet e mishit, të cilat janë në luftë kundër shpirtit. 12 Të keni sjellje të mirë ndër kombet, që, tek ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira, të lavdërojnë prej atyre Perëndinë në ditën e ardhjes së tij.

13 Bindjuni pra çdo pushteti njerëzor, për Zotin; 14 qoftë mbretit, se qëndron më lart nga të gjithë, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për shpagim ndaj keqbërësve, por edhe për të lëvdim të mirëbërësve. 15 Sepse kështu është vullneti i Perëndisë, që duke bërë mirë,  t’i mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të marrë; 16 si të lirë, e jo si njerëz që kanë lirinë për mbulesë të ligësisë, por si shërbëtorë të Perëndisë. 17 Nderoni të gjithë; të doni vëllazërinë; kini frikë Perëndinë; nderoni mbretin.

18 Ju shërbëtorët, bindjuni zotërve tuaj me çdo frikë, jo vetëm të mirëve e të butëve, po edhe të shtrembërve; 19 sepse ky është hir, të durojë njeriu hidhërime për ndërgjegjen në Perëndinë, duke pësuar padrejtësisht.

20 Sepse çfarë lavdie është, në durofshi, kur të rriheni për mëkate? Po në durofshi duke bërë mirë e duke pësuar, ky është hir pranë Perëndisë. 21 Sepse për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti pësoi për ju, edhe ju la një shembull, që të ecni pas gjurmëve të tij; 22 I cili “nuk mëkatoi, as nuk u gjet mashtrim në gojën e tij”, 23 që kur përqeshej nuk përqeshte, kur pësonte nuk frikësonte, por jepte veten në dorën e atij që gjykon me drejtësi, 24 që mbajti vetë mëkatet tona në trupin e tij mbi dru, që, si të vdesim në mëkatet, të rrojmë në drejtësi; “me plagët e të cilit u shëruat”. 25 Sepse ishit “si dhen të arratisur”, po tani u kthyet te bariu dhe mbikqyrësi i shpirtrave tuaj.

Kreu 3

jithashtu edhe ju gratë, ulini kryet burrave tuaj, që, edhe në mos iu bindshin disa fjalës, të fitohen pa fjalë nga sjellja e grave, 2 pasi të shohin sjelljen tuaj të dëlirë e me frikë. 3 Stolia juaj le të mos jetë e përjashtmja, ajo e gërshetimit të flokëve dhe e varjes së stolive të arta, ose e veshjes së rrobave, 4 por njeriu i fshehtë i zemrës, stolisur me paprishjen e shpirtit të butë dhe të qetë, që përpara Perëndisë është shumë i çmueshëm. 5 Sepse kështu dikur edhe gratë e shenjta, ato që shpresonin tek Perëndia, stolisnin veten e tyre, duke iu ulur kryet burrave të tyre; 6 siç i bindej Sara Abrahamit, duke e quajtur atë zot; bija të saj jeni ju, kur bëni mirë dhe nuk trembeni nga asnjë frikësim.

7 Ju burrat, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e nderuar gruan si enë më të brishtë dhe si bashkëtrashëgimtare të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.

8 Edhe së fundi, bëhuni të gjithë në një mendje, të dhembshur, vëlladashës, përdëllimtarë, të mirësjellshëm. 9 Mos shpaguani të keq me të keq, apo të sharë me të sharë; por përkundrazi, duke bekuar; sepse për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekim. 10 “Sepse kush do të dojë jetë, edhe të shohë ditë të bardha, le të pushojë gjuhën e tij nga e keqja, edhe buzët e tij të mos flasin mashtrim; 11 le të shmanget nga e liga, edhe le të bëjë mirë; le të kërkojë paqe, edhe le ta ndjekë atë. 12 Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët, edhe veshët e tij në lutjen e tyre; po fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të liga”.

13 Edhe kush do t’ju bëjë keq juve, nëse i bini prapa së mirës? 14 Po edhe nëse hiqni keq për drejtësinë, të lumur jeni, “edhe nga frika e tyre mos kini frikë, as mos u turbulloni”, 15 po “shenjtëroni Zotin, Perëndinë” në zemrat tuaja; edhe jini gati përherë të mbroheni me butësi e me frikë ndaj cilitdo që të kërkojë prej jush arsye për shpresën që është ndër ju; 16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, ndërsa, ju përflasin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Jisu Krishtin. 17 Sepse është më mirë të pësoni duke bërë mirë, në është kështu vullneti i Perëndisë, se sa duke bërë keq.

18 Sepse edhe Krishti vetëm një herë pësoi për mëkatet, i drejtë për të padrejtët, që të na sjellë tek Perëndia, duke vdekur në mish, por duke u bërë i gjallë me anë të Frymës; 19 me anë të të cilës shkoi të predikonte edhe tek frymërat që ishin në burg, 20 të cilat nuk u bindën dikur, kur i priste zemërgjerësia e Perëndisë, në ditët e Noes, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën të paktët, domethënë tetë shpirtra shpëtuan me anë të ujit, 21 shëmbëllesa e të cilit, pagëzimi, na shpëton tani edhe ne, - jo hedhja tej e ndyrësisë së mishit, por dëshmia e ndërgjegjes së mirë në Perëndinë, - me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit, 22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë, edhe të cilit iu nënshtruan engjëjt dhe pushtetet e fuqitë.

Kreu 4

asi pësoi pra Krishti në mish për ne, armatosuni edhe ju me po atë mendim; sepse ai që pësoi në mish, pushoi nga mëkati, 2 që ta shkoni jetën që ju mbetet në mish jo më në dëshirimet e njerëzve, po sipas dëshirës së Perëndisë. 3 Sepse mjaft është për ne koha e jetës që shkoi, që bëmë dëshirën e kombeve, duke ecur në ndyrësira, në dëshirime, në dehje, në argëtime, në të pira, edhe në idhujtarira të paudha. 4 Edhe prandaj u vjen çudi atyre, se nuk ecni bashkë me ata në po atë vërshim të plangprishjes, edhe ju shajnë juve. 5 Ata do t’i japin llogari atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur. 6 Sepse për këtë u predikua ungjilli edhe tek të vdekurit, që të gjykohen sipas njerëzve në mish, e të rrojnë sipas Perëndisë në frymë.

7 Edhe fundi i të gjithave u afrua; urtësohuni pra, e rrini zgjuar në lutje. 8 Edhe përmbi të gjitha kijeni të zjarrtë dashurinë në mes tuaj; sepse “dashuria do të mbulojë një mori mëkatesh”.  9 Të jeni mikpritës për njëri-tjetrin, pa ankesa.  10 Gjithësecili sipas dhuntisë që mori, sipas kësaj shërbejini njëri-tjetrit, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëllojshëm të Perëndisë. 11 Nëse flet ndonjë, le të flasë fjalë si fjalë Perëndie; nëse shërben ndonjë, le të shërbejë si prej fuqisë që i jep Perëndia, që mbi të gjitha të lavdërohet Perëndia me anë të Jisu Krishtit,  të cilit i përket lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.

12 Të dashur, mos t’ju vijë çudi për zjarrin që u bë tek ju për t’ju vënë në provë, si të ketë ngjarë tek ju ndonjë punë e çuditshme. 13 Por gëzohuni se jeni pjesëtarë të pësimeve të Krishtit, që të gëzoheni duke u ngazëlluar edhe në zbulimin e lavdisë së tij. 14 Nëse shaheni për emrin e Krishtit, jeni të lumur; sepse Fryma e lavdisë dhe ajo e Perëndisë prehet mbi ju; sipas atyre shahet, po sipas jush lavdërohet. 15 Sepse asnjë prej jush le të mos pësojë si vrasës, apo si vjedhës, apo si keqbërës, apo si ndërhyrës në punët e të tjerëve. 16 Edhe në pësoftë si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të lavdërojë Perëndinë për këtë. 17 Sepse arriti koha të nisë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; edhe në nistë më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që s’binden në ungjillin e Perëndisë? 18 Edhe “nëse i drejti mezi shpëton, i pabesi edhe mëkatari ku do të duket”? 19 Prandaj edhe ata që pësojnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’ia besojnë shpirtrat e tyre atij si krijues besnik, me vepra të mira.

Kreu 5

lutem pleqve që janë ndër ju unë plaku, shoku i tyre, edhe dëshmitar i pësimeve të Krishtit, edhe pjesëtar i lavdisë që është për t’u zbuluar: 2 Ruani grigjën e Perëndisë që është ndër ju, duke u kujdesur për atë jo me pahir, po me dëshirë; as për fitim të pndershëm, po me gatishmëri; 3 as si të jeni zotërinj mbi trashëgimin e Perëndisë, po duke u bërë shëmbuj për grigjën. 4 Edhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e pavyshkur të lavdisë.

5 Gjithashtu edhe ju më të rinjtë, ulini kryet pleqve; edhe të gjithë, duke i ulur kryet njëri-tjetrit, vishni mendjen e përulur; sepse “Perëndia u rri kundër kryelartëve, po të përulurve u jep hir”. 6 Përuluni pra nën dorën e fortë të Perëndisë, që t’ju lartësojë në kohën e duhur. 7 Edhe gjithë kujdesin tuaj hidheni mbi atë, sepse ai kujdeset për ju.

8 Përmbani veten, rrini zgjuar; sepse ndërgjyqësi juaj, djalli, si luan që ulërin, vjen përqark duke kërkuar cilin të gllabërojë. 9 Atij i rrini kundër duke qëndruar të fortë në besim, sepse e dini se po ato pësime u bëhen vëllezërve tuaj në botë. 10 Edhe Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themeloftë. 11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.

12 Me anë të Siluanit, vëllait besnik, kështu e mendoj, ju shkrova juve me pak fjalë, duke u lutur e duke dhënë dëshmi, se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë, ky në të cilin qëndroni. 13 Ju përshëndet kisha që është në Babilonë, që është e zgjedhur bashkë me ju, edhe Marku, biri im.  14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje dashurie.

Paqe mbi të gjithë ju që jeni në Jisu Krishtin. Amin.

Letra e dytë e përgjithshme e Apostull Pjetrit

Kreu 1

imon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jisu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë besim të çmuar sa edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jisu Krisht; 2 hir dhe paqe u shumoftë mbi ju me anë të njohjes së Perëndisë dhe të Jisu Krishtit, Zotit tonë.

3 Sikundër fuqia e tij hyjnore na fali të gjitha ato që duhen për jetëe shpresëtari me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdi e me virtyt; 4 me anë të të cilave na dhuroi premtimet më të çmueshme e më të mëdha, që me anë të këtyre të bëheni pjesëtarë të natyrës së Perëndisë, duke larguar prishjen që vjen në botë me anë të dëshirimit. 5 Edhe pikërisht për këtë, duke bërë çdo përpjekje, shtoni në besimin tuaj virtytin, edhe në virtytin diturinë, 6 edhe në diturinë vetëpërmbajtjen, edhe në vetëpërmbajtjen durimin, edhe në durimin shpresëtarinë, 7 edhe në shprestarinë vëllazërimin, dhe në vëllazërimin dashurinë. 8 Sepse po të jenë këto ndër ju dhe të shtohen, nuk do t’ju bëjnë të plogësht, as të pafrytshëm në njohjen e Zotit tonë Jisu Krisht. 9 Sepse ai, tek i cili nuk janë këto, është i verbër, dritëshkurtër, edhe harroi pastrimin e mëkateve të tij të vjetër. 10 Prandaj, o vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke bërë këto, nuk do të mëkatoni kurrë. 11 Sepse kështu do t’ju jepet juve plotësisht hyrja në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht.

12 Prandaj nuk do të përtoj t’jua kujtoj këto përherë, ndonëse i dini, edhe jeni të qëndrueshëm në këtë të vërtetë. 13 Por unë mendoj se është e drejtë, deri sa jam në këtë tendë, t’ju nxis duke jua sjellë ndërmend. 14 Sepse e di, se së shpejti do ta hedh tej tendën time, sikurse edhe Zoti ynë Jisu Krisht ma shfaqi. 15 Por do të kujdesem që ju, edhe pas vdekjes sime, të mundeni përherë t’i kujtoni ato.

16 Sepse jua bëmë të ditur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht jo duke shkuar pas përrallave të thurura me mjeshtëri, porduke ju treguar se me sytë tanë e pamë madhështinë e tij. 17 Sepse mori nder e lavdi prej Perëndisë Atë, kur i erdhi atij një zë i tillë prej lavdisë së madhërishme: 18 “Ky është Biri im i dashur, në të cilin unë gjeta pëlqim”. Edhe këtë zë e dëgjuam se erdhi nga qielli, kur ishim bashkë me të në malin e shenjtë.

19 Edhe kemi më të vërtetuar fjalën profetike, për të cilën bëni mirë të shikoni si në një kandil që ndrit në një vend të errët, deri sa të zbardhë dita, edhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja; 20 duke ditur së pari këtë, se asnjë profeci e shkrimit nuk bëhet me shpjegim vetjak. 21 Sepse kurrë nuk erdhi ndonjë profeci prej dëshire njeriu, por të shtyrë nga Fryma e Shenjtë folën njerëz të shenjtë të Perëndisë.

Kreu 2

or kanë qenë edhe profetë të rremë në popull, sikundër do të ketë edhe ndër ju mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezira humbjeje, duke mohuar edhe Zotin që i bleu ata, edhe duke tërhequr kështu mbi veten e tyre humbje të shpejtë.

2 Edhe shumë veta do të shkojnë pas humbjeve të atyre, për të cilët udha e së vërtetës do të blasfemohet. 3 Edhe për lakmi do t’ju tregtojnë me fjalë gënjeshtare; dënimi i qëmotshëm i të cilëve nuk vonon, edhe humbja e tyre nuk fle.

4 Sepse nëse Perëndia nuk kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në fund të dheut të lidhur me hekura errësire, e i dha që të ruhen për gjyq; 5 edhe nëse nuk kurseu botën e moçme, po pruri përmbytje mbi botën e të pabesëve, edhe ruajti Noen vetë i tetë, këtë predikues të drejtësisë; 6 edhe dënoi në humbje qytetet e Sodomës e të Gomorrës, edhe i bëri hi, shembull për ata që do të rronin me pabesi; 7 edhe shpëtoi Lotin e drejtë, që hidhërohej prej sjelljes së shthurur të njerëzve të pafre; 8 - sepse ky i drejtë, duke ndenjur ndërmjet tyre, vuante ditë për ditë në shpirtin e tij të drejtë duke parë e duke dëgjuar punët e tyre të paudha; 9 Zoti di të shpëtojë nga ngasja shpresëtarët, edhe të padrejtët t’i ruajë për ditën e gjyqit që të mundohen; 10 edhe më tepër ata që shkojnë prapa mishit me dëshirim ndyrësie, edhe nuk përfillin pushtetin; janë guximtarë të vrazhdë, dhe nuk tremben duke sharë pushtetet; 11 ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj në forcë e në fuqi nuk sjellin kundër tyre gjykim blasfemues përpara Zotit. 12 Po këta si kafshë pa mend prej natyre, që kanë lindur të kapen në lak e të prishen, flasin keq për gjëra që s’i dinë, edhe do të prishen në prishjen e tyre, 13 duke marrë pagën e padrejtësisë. Ata e quajnë kënaqësi shthurjen e përditshme; janë të njollosur e të fëlliqur; gëzohen me mashtrimet e tyre, kur hanë e pinë bashkë me ju. 14 Sytë i kanë plot me kurvëri dhe nuk pushojnë së mëkatuari; gënjejnë shpirtra të paqëndrueshëm, kanë zemër të ushtruar në lakmime, janë bij mallkimi. 15 Duke lënë udhën e drejtë, u gabuan, e shkuan pas udhës së Valaamit, birit të Vosorit, i cili deshi pagën e padrejtësisë; 16 por u qortua për paligjësinë e tij, sepse një kafshë pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit. 17 Këta janë kroje pa ujë, re që shtyhen prej ere të fortë, për të cilët është ruajtur errësirë e zezë për gjithë jetën.

18 Sepse duke folur fjalë shumë të mëdha kotësie, mashtrojnë me dëshirimet e mishit e me ndyrësitë ata që me të vërtetë shpëtuan prej atyre që e shkojnë jetën në mashtrim; 19 duke u premtuar atyre liri, ndërsa ata vetë janë robër të prishjes; sepse nga ai që mundet ndonjë, këtij i bëhet edhe rob. 20 Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht, në u ngatërrofshin përsëri në këto e të munden, gjendja e mëpasme e tyre bëhet më e keqe se e mëparshmja. 21 Sepse më mirë ishte për ata të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën të kthehen nga urdhërimi i shenjtë që iu dha atyre. 22 Edhe u ngjau atyre ajo që thotë e vërteta e proverbit: “Qeni u kthye në të vjellat e tij”, dhe: “Derri pasi u la, u zhgërrye në llucë”.

Kreu 3

o ju shkruaj tani juve, o të dashur, këtë letër të dytë, letra me të cilat zgjoj në mendjen tuaj kujtesë të kthjellët; 2 që të kujtoni fjalët që u parafolën nga profetët e shenjtë, edhe urdhërimin e ne apostujve të Zotit dhe Shpëtimtarit. 3 Dijeni së pari këtë, se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës, të cilët do të ecin pas dëshirimeve të tyre, 4 e do të thonë: Ky është premtimi i ardhjes së tij? Sepse që atë ditë që fjetën etërit, të gjitha mbeten siç ishin qysh në fillim të krijimit. 5 Sepse me dashje nuk e dinë këtë, se me fjalën e Perëndisë u bënë qiejt qëmoti, edhe toka që është bërë prej uji e me anë uji, 6 me anë të të cilave bota e atëhershme u mbulua me ujë dhe humbi. 7 Edhe qiejt e sotëm dhe toka me anë të po asaj fjale janë mbajtur si thesar, duke u ruajtur për zjarr në ditën e gjyqit e të humbjes së njerëzve të pabesë.

8 Edhe një, këtë mos e harroni, o të dashur, se pranë Zotit një ditë është si një mijë vjet, edhe një mijë vjet si një ditë. 9 Zoti nuk e vonon premtimin e tij, sikundër disa e numërojnë për vonesë; por tregon zemërgjerësi për ne, sepse nuk do që të humbasin disa veta, por të gjithë të vijnë në pendim. 10 Edhe dita e Zotit do të vijë si vjedhës natën; ditë në të cilën qiejt do të shkojnë me krismë, edhe elementet duke u ndezur do të treten, edhe dheu e veprat që janë në të do të digjen krejt. 

11 Kur pra këto të gjitha të treten, çfarë lloji njerëzish duhet të jeni ju në sjelljet e shenjta dhe në shpresëtaritë, 12 duke pritur e duke dëshiruar fort ardhjen e ditës së Perëndisë, në të cilën qiejt duke u djegur në zjarr do të treten, edhe elementët duke u ndezur do të treten? 13 Edhe sipas pemtimit të atij presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët rri drejtësia.

14 Prandaj, o të dashur, duke pritur këto, kujdesuni të gjendeni përpara atij në paqe, të panjollë e patëmetë. 15 Edhe zemërgjerësinë e Zotit tonë numerojeni për shpëtim, sikurse edhe vëllai ynë i dashur Pavël ju shkroi juve sipas diturisë që iu dha atij, 16 sikurse edhe në të gjitha letrat e tij, duke folur në ato për këto çështje, në mes të të cilave ka disa që janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit e të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse edhe shkrimet e tjera, për humbjen e vetes së tyre.

17 Ju pra, o të dashur, duke i ditur që përpara këto, ruhuni, që të mos tërhiqeni nga mashtrimi i të paligjëve, e të bini nga mbështetja juaj. 18 Edhe shtohuni në hir e në njohjen e Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht. Atij i qoftë lavdia edhe tani edhe në ditën e përjetshme. Amin.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com