Ka qenë vënë në dyshim nëse “Juda, shërbëtori i Jisu Krishtit dhe vëllai i Jakovit” që shkroi letrën e Shën Judës është “Juda, vëllai i Jakovit” (Lluka 6:16; Veprat 1:13), njëri prej dymbëdhjetë apostujve, “jo Iskarioti” (Joani 14:22). Në Traditën e Kishës, të dy janë identifikuar, zakonisht si i njëjti person. Letra e Shën Judës është një letër e përgjithshme për të cilën autori e “ndjen të nevojshme t’iu shkruaj atyre që janë thirrur,” duke iu kërkuar atyre “të luftojnë për besimin, që u qe përcjellë shenjtorëve njëherë e përgjithmonë” (1-3). 

   Sepse depërtuan ndërmjet jush disa njerëz, që qenë shënuar qëmoti për këtë dënim, të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zot Perëndi, dhe Zotin tonë Jisu Krisht (4). 

   Këta “tallës”, disa prej të cilëve besimtarët mund të jenë në gjendje t’i shpëtojnë “duke ia rrëmbyer zjarrit” (23), janë ata që “ndyjnë mishin, përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve” (8). Ata janë ata që “ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë... (dhe) që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën” (18-19) që kanë hyrë në Kishë. Juda u bën thirrje atyre që janë besnikë t’u qëndrojnë të paudhëve. 

    Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë, ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jisu Krisht, për jetën e përjetshme... (21). 

       Me interes të veçantë në letër, të cilët disa e lexojnë në Kishë, është përmendja e Kryeengjëllit Mikael (9), si edhe e engjëjve të këqinj “që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë (me Perëndinë) dhe Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe” (6). Në përgjithësi ka një ton të përcaktuar apokaliptik në letrën e Shën Judës.

Kreu 1

uda, shërbëtor i Jisu Krishtit, edhe i vëllai i Jakovit, të thirrurve që janë të shenjtëruar prej Perëndisë Atë edhe të ruajtur prej Jisu Krishtit, 2 përdëllim dhe paqe e dashuri, u shumoftë në ju.

3 Të dashur, pasi bëj çdo kujdes t’ju shkruaj juve për shpëtimin e përbashkët, pata nevojë t’ju shkruaj e t’ju lutem të luftoni për besimin që iu dha një herë e mirë shenjtëve. 4 Sepse hynë fshehurazi disa njerëz, të cilët ishin shënuar që më parë për këtë dënim, njerëz të pabesë, që kthejnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje, edhe mohojnë të vetmin  Kryezot Perëndi, dhe Zotin tonë Jisu Krisht.

5 Edhe dua t’ju kujtoj, ndonëse ju e dini mirë këtë, se Zoti, si shpëtoi popullin nga dheu i Egjiptit, pastaj i humbi ata që nuk besuan. 6 Edhe engjëjt që nuk ruajtën gjendjen e tyre të parë, por lanë banesën e tyre, i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm nën errësirë, për gjyqin e ditës së madhe. 7 Porsi Sodoma e Gomorra edhe qytetet rreth tyre, që u dhanë në kurvëri në mënyrë të ngjashme me të atyre, edhe shkuan prapa tjetër mishi, janë vënë përpara si shembull duke u munduar me zjarr të përjet-shëm. 8 Gjithashtu edhe këta, duke parë ëndrra, ndotin trupin dhe nuk përfillin pushtetin, edhe ofiqet i blasfemojnë. 9 Edhe Mihaili, kryeengjëlli, kur duke luftuar për trupin e Moisiut hahej me djallin, nuk guxoi të bjerë kundër atij ndonjë dënim blasfemie, por tha: Zoti të qortoftë. 10 Edhe këta për gjëra që nuk i dinë blasfemojnë; edhe prishen për ato që i dinë prej natyre, porsi shtazët pa mend. 11 Mjerë ata! Sepse ecën në udhën e Kainit, edhe për fitim u derdhën me vrap pas mashtrimit të Balaamit, edhe humbën në kundërshtimin e Koreut.

12 Këta janë njolla në gostitë e dashurisë suaj, kur hanë e pinë bashkë me ju pa frikë, edhe kullosin veten e tyre; janë re pa ujë që sillen andej e këtej prej erërave; janë drurë vjeshte të pafrytshëm, dy herë të vdekur, të shkulur nga rrënjët; 13 valë deti të egra që shkumëzojnë turpet e tyre; yje që enden andej e këtej, për të cilët është ruajtur errësira e zezë për gjithë jetën.

14 Edhe për këta profetizoi edhe Enohu, i shtati nga Adami, duke thënë: “Ja tek erdhi Zoti me mijëra prej shenjtorëve të tij, 15 që të bëjë gjyq për të gjithë, edhe të qortojë gjithë të pabesët në mes të atyre, për gjithë veprat e pabesisë së atyre që punuan me pabesi, edhe për të gjitha fjalët e ashpra që mëkatarët e pabesë folën kundër tij”.  16 Këta janë murmuritës, qaramanë, që ecin sipas dëshirave të tyre; edhe goja e tyre flet fjalë fort të fryra, edhe përkëdhelin njerëz, që të kenë përfitim nga ata.

17 Po ju, o të dashur, kujtoni fjalët që u parathanë nga apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht, 18 se ju thoshin juve: “se në kohën e fundit do të ketë përqeshës që do të ecin sipas dëshirimeve të pabesive të tyre”.

19 Këta janë ata që përçajnë, gjallësorë, që s’kanë Frymë.

20 Po ju, o të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj fort të shenjtë, e duke u lutur me Frymë të Shenjtë, 21 ruani veten tuaj në dashurinë e Perëndisë, duke pritur përdëllimin e Zotit tonë Jisu Krisht për jetë të përjetshme. 22 Edhe disa përdëllejini, kur hahen me ju; 23 edhe të tjerë shpëtojini me frikë, duke i rrëmbyer nga zjarri, edhe duke urryer edhe rrobën që është fëlliqur nga mishi.

24 Edhe atij që mund t’ju ruajë të pafajshëm dhe t’ju paraqesë përpara lavdisë së tij faqebardhë e me ngazëllim, 25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, fuqi dhe pushtet, edhe tani edhe në gjithë jetët. Amin. {tabs}

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com