E Diela e Shën Thomait: Antipashka
     Në çdo ditë të javës mbas Pashkës, e quajtur nga kisha Java e Ndritshme, shërbesat paskale kremtohen me tërë shkëlqimin e tyre. Procesioni pagëzimor i Pashkës përsëritet çdo ditë. Dyert e Bukura të Hierores qëndrojnë të hapura. Gëzimi i Ngjalljes dhe dhurata e Mbretërisë së jetës së amëshuar vazhdon me bollëk. Pastaj, në fund të javës, të Shtunën në mbrëmje kremtohet kujtimi i shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma "mbas tetë ditësh" (Joani 20:26). Eshtë e rëndësishme të vihet re, që numri tetë ka një kuptim simbolik në traditën shpirtërore Judeo-Kristiane. Ai tregon diçka më tepër se sa plotësinë dhe përmbushjen; ai tregon Mbretërinë e Perëndisë dhe jetën e botës që vjen, meqenëse shtata është numri i kohës tokësore. Sabati, dita e shtatë, është dita e bekuar e pushimit në këtë botë, dita e fundit e javës. "Dita e parë e javës," dita "mbas Sabatit"; theksuar në të gjithë Ungjijtë si dita e Ngjalljes së Krishtit (Marku 16:1; Mattheu 28:1; Lluka 24:1; Joani 20:1, 19) është pra "dita e tetë", dita përtej kufijve të kësaj bote, dita që qëndron për jetën e botës së ardhshme, dita e pushimit të amëshuar e Mbretërisë së Perëndisë (Shih Hebrenjtë 4).

    E Diela mbas Pashke, e quajtur e Diela e dytë, është kështu dita e tetë e kremtimit paskal, dita e fundit e Javës së Ndritshme, prandaj edhe është quajtur Antipashka, sepse vetëm në këtë ditë në Kishën e vjetër, të porsa pagëzuarit i hiqnin rrobat e tyre të bardha të pagëzimit dhe hynin përsëri në jetën e kësaj bote. Në shërbesat e Kishës i vihet theksi shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma. Rëndësia e ditës vjen tek ne nëpërmjet fjalëve të Ungjillit: Pastaj i tha Thomait: "Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën e vëre në brinjën time; dhe mos u bëj i pabesë, por besëtar. Edhe Thomai u përgjigj e i tha: "Zoti im dhe Perëndia im!" Jisui i thotë: "Sepse më pe dhe besove, lum ata që nuk panë dhe besuan" (Joani 20:27-29)

    Ne nuk e kemi parë Krishtin me sytë fizikë dhe as e kemi prekur trupin e tij të ngjallur me duart tona, por në Shpirtin e Shenjtë ne e kemi parë dhe shijuar Fjalën e Jetës (1 Joani 1:1-4) dhe kështu ne besojmë. Në çdo shërbesë ditore deri në Ditën e Ngjitjes (Shestja), ne këndojmë Troparin e Pashkës. Në secilën nga shërbesat e të Dielave pas Pashke, duke filluar me të Dielën e Shën Thomait, ne këndojmë kanonin dhe himnet e Pashkës dhe përsërisim kremtimin e "ditës së parë të javës", në të cilën Krishti u ngjall së vdekurish. Këndimet e Apostullit janë prej Veprave të Apostujve, ku tregohet për të krishterët e parë, të cilët jetuan në Kungim me Zotin e Ngjallur. Këndimet e Ungjillit janë nga Ungjilli i Shën Joanit, konsideruar nga shumë, si një Ungjill që u shkruajt kryesisht për ata që janë të porsa pagëzuar në jetën e re të Mbretërisë së Perëndisë, nëpërmjet vdekjes dhe rilindjes në Krishtin, në emër të Trinisë së Shenjtë. Arsyeja për këtë opinion qëndron në faktin se të gjitha "shenjat", siç quhen mrekullitë në Ungjillin e Shën Joanit, kanë të bëjnë me temat misterore që përfshijnë ujin, verën dhe bukën. Kështu, secila nga të Dielat mbas të Dielës së Shën Thomait, me përjashtim të së tretës, i kushtohet kujtimit të njërës prej këtyre "shenjave".

E Diela e Myrrëprurseve
    E Diela e tretë mbas Pashke i kushtohet grave myrrëprurëse, të cilat u kujdesën për trupin e Shpëtimtarit në vdekjen e tij dhe ishin dëshmitaret e para të Ngjalljes së tij. Të tre troparet e të Premtes së Zezë këndohen përsëri dhe formojnë temën e ditës: Bujari Josif, pasi e zbriti trupin tënd prej Kryqit të Çmuar, e mbështolli me një savan të paqmë, e leu me vajëra erëmirë dhe e vuri në një varr të ri. Zbrite në vdekje dhe në varr për ne, ti o jetë e pavdekshme, Ferrin të vdekur e shtrive kur ndriçove si Perëndi. Një engjëll u qëndroi para grave myrrëprurëse dhe iu tha: Myrra është e përshtatshme për të vdekurit, por Krishti e tregoi veten të çliruar nga prishja! Prandaj shpallni: Zoti u ngjall dhe i fal botës mëshirë e shpëtim.

E Diela e Ulokut
    E Diela e katërt i kushtohet shërimit të ulokut prej Krishtit (Joani 5). Ky njeri u shërua nga Krishti ndërsa po priste që dikush ta zbriste në pellgun e ujit. Nëpërmjet Pagëzimit në Kishë, ne gjithashtu jemi shëruar dhe shpëtuar nga Krishti për jetën e amëshuar. Kështu, kjo ngjarje na tregon se edhe ne së bashku me ulokun duhet që "të mos mëkatojmë më që të mos na bëhet ndonjë gjë më e keqe" (Joani 5:14).

Festa e Mes-Rushajeve
    Në mes të javës së katërt, kremtohet solemnisht dita mes Pashkës dhe Rushajeve. Kjo quhet festa e Mes-Rushajeve, në të cilën Krishti "në mes të festës" i mëson njerëzit për misionin e tij shpëtimtar dhe i ofron të gjithëve "ujin e gjallë" (Joani 7:14, 38). Përsëri ne kujtohemi për praninë e Mësuesit dhe për premtimin e tij shpëtimtar: "Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë" (Joani 7:37). Ne mendojmë përsëri për vdekjen dhe ngjalljen tonë me Krishtin në Pagëzimin tonë dhe për marrjen e Shpirtit të Shenjtë prej Tij në Mirosjen. Ne "shohim mbrapa njerën dhe paramarrim tjetrën" siç thotë një nga himnet e festës. Ne e dimë që i përkasim mbretërisë së Krishtit të Ngjallur, ku "Shpirti dhe Nusja thonë ‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës" (Zbulesa 22:17; Isaia 55:1). Në mesin e festës, o Shpëtimtar, shuaje etjen e shpirtit tim me ujin e gjallë, siç i ke premtuar të gjithëve: Nëse dikush ka etje, le të vijë të pijë! O Krisht Perëndi, Burim i jetës, lavdi më Ty (Përlëshorja). Krishti Perëndi, Krijuesi dhe Zoti i të gjithave, i ftoi të gjithë në mes të festës: Ejani dhe pini ujin e pavdekësisë! Ne falemi para Teje dhe thërrasim plot besim: Falna mëshirat e tua, se Ti je Burimi i jetës sonë! (Shkurtorja).

E Diela e Samaritanes
    E Diela e pestë flet për një grua nga Samaria me të cilën Krishti foli në pusin e Jakovit (Joani 4). Edhe këtu tema është për "ujin e gjallë" dhe njohjen e Jisuit si Mesia i Perëndisë (Joani 4:10-11; 25-26). Kjo na kujton për jetën tonë të re në atë, për pirjen tonë nga "uji i gjallë", për adhurimin tonë të vërtetë të Perëndisë në kohën e krishterë mesianike, "në Frymë dhe në të Vërtetë" (Joani 4:23-24). Ne shohim gjithashtu që shpëtimi i ofrohet të gjithëve: Judejve dhe Kombeve, burrave dhe grave, shenjtorëve dhe mëkatarëve.

E Diela e të Verbërit
    E Diela e gjashtë përkujton shërimin e një njeriu që kishte lindur i verbër (Joani 9). Ne jemi të identifikuar me këtë njeri, i cili arriti të shohë dhe ta njohë Jisuin si Birin e Perëndisë. Zoti i ka lyer sytë tanë me dorën e tij hyjnore dhe i ka larë ato me ujin e pagëzimit (Joani 9:6-11). Jisui përdori baltë me pështymë dhe i tha të verbërit të shkonte e të lahej në pellgun e Siloamit. Ai e bëri këtë në ditën e Sabatit, ditë në të cilën, të pështyrët, baltëbërja dhe larja ishin të ndaluara. Duke i shkelur këto ligje rituale të Judejve, Jisui tregoi që Ai është me të vërtetë Zoti i Sabatit dhe, si i tillë, Ai është i barabartë me Perëndinë Atë, i Cili, sipas Traditës Judaike, është i vetmi që punon në ditën e Sabatit, duke drejtuar botën e tij.
    Pati një skandal në shërimin e të verbërit në ditën e Sabatit. Ai u nda nga sinagoga për shkak të besës së tij në Krishtin. E tëra Kisha e ndoqi këtë njeri në rrugën e saj, duke e ditur se ata që nuk e shohin Jisuin si Zot, janë me të vërtetë të verbër dhe mbeten në mëkatet e tyre (Joani 9:41). Të tjerët kanë dritën e jetës dhe mund ta shohin dhe ta njohin Birin e Perëndisë, sepse "ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet" (Joani 9:37). I Verbuar plotësisht, nga sytë e shpirtit, tek ty vij o Krishti im, porsi i verbëri në Ungjill dhe i penduar thërras me lot: Ndritmë në të errët, o dritë e qiellit!(Shkurtorja).

 
 
Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com