Secila nga të Dielat e Kreshmës së Madhe ka temën e saj të veçantë. E Diela e Parë është Festa e Triumfit të Orthodhoksisë. Ajo është një festë historike, që përkujton kthimin e ikonave nëpër kishat në vitin 843, mbas fitores kundër herezisë ikonoklaste. Tema shpirtërore e kësaj të Diele është, para së gjithash, fitorja e Besës së Vërtetë: "Kjo është fitorja që e mundi botën: besa jonë" (1 Joani 5:4). Së dyti, ikonat e shenjtorëve dëshmojnë që njeriu "i krijuar sipas shëmbëllesës dhe ngjashmërisë së Perëndisë" (Gjeneza 1:26), bëhet i shenjtë dhe i ngjashëm me Perëndinë, nëpërmjet pastrimit të vetvetes, si imazhi i gjallë i Perëndisë. E Diela e Dytë e Kreshmës përkujton Shën Grigor Pallamanë (v.1359). Ai dha një dëshmi të gjallë se si njerëzit mund të bëhen hyjnorë nëpërmjet hirit të Perëndisë, në Shpirtin e Shenjtë; dhe kjo në këtë jetë, nëpërmjet lutjeve dhe agjërimeve qeniet njerëzore mund të bëhen pjesëmarrës të dritës së pakrijuar të lavdisë hyjnore të Perëndisë.

    E Diela e Tretë është e Nderimit të Kryqit. Kryqi qëndron në mes të Kishës, pothuaj në mesin e kreshmës, jo vetëm thjesht për t’i kujtuar njerëzit për shpëtimin e bërë nga Krishti dhe për të mbajtur parasysh qëllimin e përpjekjeve të tyre, por edhe gjithashtu për ta nderuar, si atë realitet, me anë të cilit njeriu mund të rrojë dhe të shpëtohet. "Ai që nuk e merr kryqin e tij dhe nuk vjen pas meje nuk është i denjë për mua" (Mattheu 10:38). Sepse në Kryqin e Krishtit të kryqëzuar qëndrojnë "fuqia e Perëndisë dhe dituria e Perëndisë" për ata që janë shpëtuar (1 Korinthianët 1:24). E Diela e Katërt i kushtohet Shën Joanit të Shkallës (Klimakut), autorit të librit Shkalla e Ngjitjes Hyjnore. Igumeni i Manastirit të Shën Ekaterinës në malin e Sinait (shekulli i 6-të), qëndron si një dëshmitar për përpjekjet e forta që nevojiten për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë (Mattheu 11:12). Lufta shpirtërore e jetës së krishterë është reale, "jo kundër gjakut e mishit, por kundër... sunduesve të botës së errësirës së kësaj jete, kundër frymave të liga në vendet qiellore..." (Efesianët 6:12).Shën Joani i inkurajon besnikët në përpjekjet e tyre, sepse sipas Zotit, vetëm "kush do të durojë deri në fund ky do të shpëtojë" (Mattheu 24:13).

    E Diela e Pestë përkujton Shën Marinë e Egjiptit, laviren e penduar. Maria na tregon, para së gjithash, se sado të shumtë të jenë mëkatet, ato nuk mund ta mbajnë larg Perëndisë një njeri të penduar sinqerisht. Vetë Krishti erdhi për të "thirrur mëkatarët në pendim" dhe për t’i shpëtuar ata prej mëkateve të tyre (Lluka 5:32). Për më tepër, Shën Maria na tregon se kurrë nuk është vonë në jetë - apo në kreshmë - për t’u penduar. Krishti do t’i presë me gëzim të gjithë ata që do vijnë tek ai në orën e njëmbëdhjetë të jetës së tyre. Por ardhja e tyre duhet të jetë në një pendim serioz dhe të sinqertë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com