Kremtimi i festës së Lindjes së Krishtit, në Kishën Orthodhokse është modeluar sipas kremtimit të festës së Ngjalljes së Zotit. Festa paraprihet nga një agjërim dyzetëditësh, me ditë të veçanta përgatitore, të cilat lajmërojnë afrimin e Lindjes së Shpëtimtarit. Kështu, në ditën e Shën Andreas (30 nëntor) dhe në ditën e Shën Nikollës (6 dhjetor), këndohen këngë që lajmërojnë ardhjen e ditëlindjes së Zotit. Stolisu o Shpellë, bëhu gati o Grazhd. O Barinj dhe ju o Magë, sillni dhuratat dhe jipni dëshmi. Sepse Virgjëresha do të lindë Krishtin... (Himn Mbrëmësor i së Kremtes të Shën Nikollës). 

    Në vigjiljen e Krishtlindjes, këndohen Orët Mbretërore dhe bashkë me Mbrëmësoren shërbehet Mesha Hyjnore e Shën Vasilit. Në këtë shërbesë këndohen profecitë e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15)Perëndia është me ne, merreni vesh ju të gjithë o kombe dhe nënshtrohuni, sepse Perëndia është me ne (Isaia 8:9)Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

    Vigjilja e Krishtlindjes fillon me Pasdarkën e madhe, ku theksohet përsëri me një këndim solemn se Perëndia është me ne, si dhe fjalët e profecisë së Isaisë. Në Pasdarkën, gjithashtu këndohen Përlëshorja dhe Shkurtorja e festës, të shoqëruara me himne të veçanta, që lavdërojnë Lindjen e Shpëtimtarit. Thuhen, gjithashtu litani të veçanta dhe të gjata ndërmjetësimi, si dhe bëhet bekimi i pesë bukëve, grurit dhe verës, që ndahen ndërmjet besnikëve dhe vajit, me të cilin lyhen besnikët. Kjo pjesë e vigjiljes, që bëhet në çdo festë të madhe quhet litia ose artoklasia ose bekimi i pesë bukëve. Në fillim të Mëngjesores së Krishtlindjes, e cila së bashku me Pasdarkën formon Vigjiljen e Krishtlindjeve, këndohen gjashtë psalmet mëngjesorë, duke filluar si zakonisht me fjalët: Lavdi Perëndisë në të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje (Lluka 2:14).

    Në shërbesat e Krishtlindjes, këto fjalë të këngës engjëllore, normalisht këndohen me një solemnitet më të madh se zakonisht. Mëngjesorja e Krishtlindjes vazhdon si zakonisht. Këndimi i Ungjillit prej Mattheut (1:18-25) tregon lindjen e Krishtit dhe gjithë himnet e vargjet lavdërojnë ardhjen e tij në tokë. Krishti lindet, lavdërojeni. Krishti prej qiellit vjen përpara dilini. Krishti mbi dhé, lartësohuni. Këndojini Zotit tërë dheu. Dhe me ngazëllim përhimnojeni popuj. Se u lavdërua (Kënga e Parë e Kanonit të Krishtlindjes)Mesha e Krishtlindjes fillon me psalmet e lavdërimit. Përlëshorja dhe Shkurtorja shënojnë hyrjen me Ungjillin. Rreshtat, që flasin për Pagëzimin, prej Galatianëve 3:27, përsëri zëvendësojnë Trishenjtorin. Apostulli është nga Galatianët. Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpërblente ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: "Aba! Atë!". Prandaj, ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir je dhe trashëgimtar (Galatianët 4:4-7).

    Këndimi i Ungjillit është historia familjare e Krishtlindjes nga Ungjilli i Mattheut (2:1-12) dhe Mesha vazhdon normalisht. Pastaj, kemi një kremtim të veçantë dyditësh, kushtuar Marisë Hyjlindëse dhe Shën Stefanit, Dëshmorit të Parë. Periudha e gëzuar e Krishtlindjes shtrihet deri në Ujin e Bekuar. Gjatë kësaj kohe këndohen këngë, dhe agjërimi dhe rënia në gjunjë nuk kërkohet nga Kisha. Festa e Krishtlindjes titullohet zyrtarisht Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Në Krishtlindje ne kremtojmë lindjen si njeri të Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve. Prandaj ne këndojmë në Kishë:

    Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjtë, me barinjtë po lavdërojnë, Magët, pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetëshmi Zot. Festa e Krishtlindjes, për katër shekujt e parë, nuk ishte një festë e ndarë e Kishës. Ajo kremtohej së bashku me Epifaninë (Ujin e Bekuar), në një nga festat më të mëdha, të shfaqjes së Perëndisë në tokë në formën njerëzore të Mesias së Izraelit. Krishtlindja filloi të festohej si e tillë në 25 dhjetor, për të kundërballancuar festivalin pagan të Diellit të Pamposhtur. Ajo u vendos nga Kisha në mënyrë të ndërgjegjshme, si një orvajtje për të mundur besimin e rremë të paganëve. Prandaj, në përlëshoren e festës, gjejmë një polemikë kundër adhurimit të diellit dhe të yjeve dhe thirrjen për adhurimin e Krishtit, Diellit të Vërtetë të Drejtësisë (Malakia 4:2), i cili është adhuruar nga të gjithë elementët e natyrës.

    Lindja jote, o Krisht, Perëndi dhe Zot, i lindi botës dritën e dijes së hyjshme; se ata që adhuronin çdo yll në qiell, si sot prej yllit po mësoheshin, ty t’adhurojnë, Diellin e Drejtësisë dhe të të njohin si Lindjen që lartazi (Lluka 1:78, përkthyer si Agim), o Zot, lavdi më Ty! (Përlëshorja)Kështu, festa e Krishtlindjes, është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com