Festa e dytë e madhe e Hyjlindëses është kremtimi i Hyrjes së saj në Tempullin e Jerusalemit, që përkujtohet në 21 nëntor. Ashtu si festa e saj e Lindjes edhe kjo festë nuk ka ndonjë referencë biblike apo historike. Por, ashtu si lindja, kjo festë është e mbushur plot me kuptim të rëndësishëm shpirtëror për të krishterin besimtar. Teksti i shërbesës na tregon se si Maria, në atë kohë një vajzë shumë e vogël, u soll në Tempull nga prindërit e saj, që të rritej ndërmjet virgjëreshave, të cilat ishin përkushtuar në shërbim të Zotit, deri në kohën e fejesës së tyre. Sipas traditës së Kishës, Maria u prit solemnisht nga bashkësia e Tempullit, që kryesohej prej priftit Zakaria, ati i Shën Joan Pagëzorit. Ajo u soll në vendin e shenjtë që të "ushqehej" atje prej engjëjve, për t’u bërë ajo vetë "hierorja e hieroreve" të Perëndisë, shenjtërorja e gjallë dhe tempulli i fëmijës Hyjnor, i cili do të lindte prej saj.

    Nuk ka dyshim që vargjet e Psalmit 45, të përdorura aq shumë në shërbesën e festës, sigurojnë një frymëzim të madh për kremtimin e përkushtimit të Marisë në shërbim të Zotit, në Tempullin e Jerusalemit. Dëgjo, o Vashë, shiko dhe ver veshin, harro popullin tënd dhe shtëpinë e atit tënd dhe mbreti do të dëshirojë bukurinë tënde; përulu para tij, sepse ai është Zoti yt. Tërë shkëlqim është brenda bija e mbretit; rrobat e saj janë qëndisur me ar. Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të ndritshme, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të paraqiten ty. Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë ne pallatin e mbretit. Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë dheun. Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjithë brezat; prandaj popujt do të kremtojnë në përjetësim, përjetë (Psalmi 45:10-17).

    Kisha Orthodhokse i kupton këto vargje të psalmit si një profeci të lidhur direkt me Marinë Hyjlindësen. Sipas Ungjillit të Shën Llukës, që lexohet në çdo festë të saj, vetë Maria i thotë këto fjalë: Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua për Perëndinë, shpëtimtarin tim, sepse hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje gjithë brezat do më lumërojnë. Sepse i Fuqishmi bëri vepra të mëdha tek unë; edhe i shenjtëruar është emri i atij. Edhe përdëllimi i tij është brez pas brezi për ata që i kanë frikën (Lluka 1:47-50).

    Tema qendrore e festës së Hyrjes së Marisë në Tempull, e përsëritur shumë herë në shërbesat liturgjike, është fakti që ajo hyn në Tempull për t’u bërë vetë tempulli i gjallë i Perëndisë, duke inaguruar kështu Dhiatën e Re, në të cilën janë përmbushur profecitë e të vjetrës, që "banesa e Perëndisë është brenda njeriut" dhe që personi njerëzor, është vend i përshtatshëm banimi për Praninë Hyjnore (Ezekieli 37:27; Joani 14:15-23; Veprat 7:47; 2 Korinthianët 6:11; Efesianët 2:18-22; 1 Pietri 2:4; Zbulesa 22:1-4). Sot është parënisja e mirëpëlqimit të Perëndisë dhe parëlëçitja e shpëtimit të njerëzve; në Tempullin e Perëndisë shfaqet Virgjëresha, edhe Krishtin u paralajmëron të gjithëve. Prandaj me gëzim le t’i këndojmë asaj: Gëzohu o Përmbushja Hyjnore e planit të Krijuesit (Përlëshorja)I përmbipaqmi Tempull i Shpëtimtarit, e përmbishenjta Nusërore e Virgjër dhe Thesari i Shenjtë i Lavdisë së Perëndisë, sot po sillet me lavdi, në shtëpinë e Zotit dhe hirin brenda po na sjell, plot me Frymën e Shenjtë dhe engjëjt e Perëndisë po e lavdërojnë: Me të vërtetë kjo grua është Banesa e Qiellshme (Shkurtorja).

    Kapitulli i dyzetë i Eksodit, që flet rreth ndërtimit të tendës, këndohet në Mbrëmësore, së bashku me pjesë nga Libri i Parë i Mbretërve dhe nga Profecia e Ezekielit. Secili nga këto këndime mbaron po me të njëjtin varg, "sepse lavdia e Zotit e mbushi shtëpinë (tendën) e Zotit Perëndi të Tërëfuqishëm" (Eksodi 40:35; 1 Mbretërit 8:11; Ezekieli 44:4). Përsëri në këtë festë, këndimet e Dhiatës së Vjetër janë shpjeguar si simbole të Nënës së Perëndisë. Kjo "lavdi e Zotit" i referohet Nënës së Krishtit dhe ajo "e mbush" virgjëreshën, si dhe të gjithë njërëzit e tjerë, të cilët porsi ajo "e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë", siç thotë Ungjilli i festës (Lluka 11:27-28). Gjithashtu, Apostulli i Meshës Hyjnore flet për të njëjtën temë (Hebrejtë 9:1-7).

    Kështu, Hyrja e Hyjlindëses në Tempull, është festa që kremton mbarimin e Tempullit fizik në Jerusalem, si vendbanim i Perëndisë. Kur Maria e vogël hyri në tempull, koha e Tempullit mbaroi dhe u tregua "parënisja e pëlqimit të Perëndisë". Në këtë festë, ne kremtojmë - në personin e nënës së Krishtit - atë që edhe ne vetë jemi, shtëpia dhe tenda e Zotit. ...Sepse ju jeni tempuj të Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: "Unë do të banoj në mes të tyre dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im" (2 Korinthianët 6:16; Isaia 52:11).

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com