KUR LUTJA THUHET ME DHIMBJE, NJERIU LIND NË PËRJETËSI

 

Lutja, përvojë e përjetësisë

Arkimandrit Sofroni

 

Sot, mbi tërë sipërfaqen e tokës ka burra dhe gra që kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre. Një etje shpirtërore e pashuar: kjo është ngjarja vërtet tragjike e epokës sonë. Shumë qenie njerëzore gjenden buzë dëshpërimit. Secili, në thellësitë e shpirtit, vuan në masën e vet mungesën e kuptimit të jetës bashkëkohore. Njerëzit mbeten të pangushëlluar në vuajtjen e tyre: përpjekjet e tyre individuale janë të pamjaftueshme për t’i çliruar nga konfuzioni që ka mbërthyer botën, dhe për ta ndalur mendjen e tyre te thelbësorja (shih Lluk. 10.42).

Disa priren ta cilësojnë epokën tonë si postkristiane. Për mendimin tim, në caqet e njohurive të mia për botën dhe krishterimin, jam tepër i bindur se, në di- mensionet e tij autentike, krishterimi ende nuk është asimiluar realisht nga masat e gjera. Shtetet hiqeshin si “të krishtera” dhe popujt e tyre mbanin maskën e përkushtimit, “por e kanë mohuar fuqinë e tij” (shih II Tim. 3.5); ata jetonin dhe jetojnë ende si paganë. Për paradoks, këto janë shtete të ashtuquajtura të krishtera, që për shekuj, kanë mbajtur pjesën më të madhe të popullsisë së botës në prangat e hekurta të skllavërimit. Gjatë këtyre viteve të fundit, ata e kanë mbuluar botën me renë e dendur të pritjes së zjarrit apokaliptik: “Qiejt dhe toka e sotme janë ruajtur për zjarr në ditën e gjyqit e të humbjes së njerëzve të pabesë” (II Petr. 3.7; shih Lluk. 21.34-35).

Në krizën bashkëkohore të krishterimit, te masat popullore mund të shikojmë me të drejtë një revoltë të ndërgjegjes së natyrshme kundër deformimeve, të cilave iu nënshtrua mësimi ungjillor në fatin e tij historik. Jetojmë sërish në atmosferën e shekujve të parë të erës sonë: “Sepse juve ju është falur për hir të Krishtit, jo vetë t’i besoni atij, por edhe të pësoni për të” (shih Fil. 1.29). Më shumë se një herë më rrëmbente gëzimi kur mendoja se pjesa më e madhe e jetës sime kishte përkuar me persekutime kundër krishterimit. Kjo më lejoi të ndihesha i krishterë me një ndërgjegje më të mprehtë, ta konsideroja si nder të pakrahasueshëm - në kohët si këto tonat - të ndiqja Birin e vetëm të Atit në ecjen e Tij drejt Golgothasë. Persekutimet janë kudo, por në forma të larmishme. Sigurisht, asnjë prej tyre s’është e lehtë për t’u duruar. Perëndia i dashurisë kurseftë për këdo fatkeqësinë për t’u bërë persekutues, qoftë edhe kundrejt “një të vetmi nga këta të vegjlit” (Matth. 18.10).

“Të vuash për Të” (Fil. 1.29) nevojitet një bekim i veçantë dhe madje një zgjedhje. Ai që vuan, edhe nga vetë forca e rrethanave, vendoset në një marrëdhënie të pareshtur me Jisu Krishtin; ka hyrë në sferën e dashurisë hyjnore dhe bëhet mbajtës i Perëndisë, “theofor”.

Ka dy lloje teologjish. Njëra, gjerësisht e praktikuar në shekujt e mëparshëm, mësohet prej katedrës magjistrale të eruditit. Tjetra, që do të thotë të kryqëzohesh me Krishtin (shih I Petr. 4.13; Rom. 8.17; II Tim. 2.11-12; Fil. 3.10; Apok. 1.9), është ta njohësh në vendin e fshehtë të zemrës. Teologjia e parë arrihet nga një numër i madh njerëzish të talentuar nga ana intelektuale dhe që kanë preferencë për mendimin filozofik. Në këtë rast, nuk është e domosdoshme të kesh një besim të vërtetë në hyjninë e Krishtit, besim që manifestohet me një jetë të jetuar sipas frymës së urdhërimeve. E dyta është teologjia e pohimit; ajo lind nga frika e thellë e Perëndisë në zjarrin e pendimit të flaktë, dhe të çon në realitetin e qenies me shfaqjen e Dritës së pakrijuar. Teologjia akademike, e bashkuar me një besim të gjallë, jep rezultate të mira. Por ajo prishet lehtë, bëhet teori abstrakte dhe resht së qeni ajo që vëmë re në jetën e apostujve, të profetëve, të Etërve tanë, d.m.th. veprimin e drejtpërdrejtë të Perëndisë te ne: “Asnjë s’mund të vijë tek unë në mos e sjelltë Ati që më ka dërguar. [...] Te profetët është shkruar: “Edhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia”. Kushdo që ka dëgjuar prej Atit edhe është mësuar, vjen tek unë” (Jn. 6.44-45).

Trinia e Shenjtë është Perëndia i dashurisë. Dashuria për të cilën flet Ungjilli është energjia e pakrijuar, jeta e Hyjnisë pa fillim. Vetia e dashurisë, është të bashkojë në vetë qenien. Ai që mbetet në një bashkim të tillë me Perëndinë kupton pak nga pak, në planin intelektual, atë që po i ndodh. “Po Perëndia na i zbuloi [njohjen e Tij] me anë të Shpirtit të tij; sepse Shpirti i vëzhgon të gjitha, edhe thellësitë e Perëndisë. [...] Edhe ne s’kemi marrë shpirtin e botës, po Shpirtin që është nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar nga Perëndia. Për këto edhe flasim, jo me fjalë të mësuara prej diturisë njerëzore, por me fjalë të mësuara prej Shpirtit të Shenjtë [...]” (I Kor. 2.10; 12-13). “Ti je Krishti, i biri i Perëndisë së gjallë”; sipas fjalës së Krishtit, “sepse mish dhe gjak nuk ta zbuloi ty këtë [Petros], po Ati im që është në qiejt” (shih Matth. 16.16-17).

“Edhe pa kundërshtim, i madh është misteri i besimit. Perëndia u shfaq në mish, u vërtetua nga Shpirti, iu duk engjëjve, u predikua ndër kombe, e besoi bota, u ngjit lart me lavdi” (I Tim. 3.16). Rritja e natyrshme në Shpirt ka të bëjë me qëndrimin në sferën hyjnore nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Krishtit. Shpirti merr papritur njohuri dhe e shpreh me fjalë njerëzore. Kjo njohje vjen si shkreptimë, ndërsa zemra ndizet nga dashuria. Kjo është përjetësia e ndritshme për të cilën u thirrëm (shih I Petr. 2.9).

Në përvojën e Kishës, akumulimi i këtyre çasteve të ndriçimit të ndërgjegjes sonë ka çuar organikisht në sintezën e tyre. Në këtë mënyrë u shfaq tentativa e parë për të sistemuar teologjinë jetësore; ajo u realizua nga shën Joan Damaskinoi, ku vetë ai zotëronte një përvojë jetësore personale. Kjo ngjitje e mrekullueshme drejt Perëndisë në pasurinë e pamasë të njohjes supreme u ndërpre, me dobësimin e përvojës jetësore, nga prirja për t’ia nënshtruar të dhënat e Zbulesës kritikës së arsyes sonë, nga një prirje për “filozofinë e fesë”. Si rezultat, ka më shumë teologji skolastike, në të cilat gjendet më shumë filozofi, se Frymë jete.

Të jesh realisht më Perëndinë dhe me Perëndinë, u është dhënë qoftë “fëmijëve” (shih Matth. 18.3; 11.25), qoftë atyre që bëhen “të marrë” për dashurinë e Perëndisë, duke u nisur nga apostulli i madh Pavli (shih I Kor. 4.8-10; 1.20), i cili ka shkruar: “Po ato që ishin për mua fitim, këto i konsiderova dëm për Krishtin. Po, me të vërtetë mendoj se të gjitha janë dëm kundrejt epërsisë së njohjes së Jisu Krishtit, Zotit tim; për të cilin i refuzova të gjitha, dhe i konsideroj se janë pleh, që të fitoj Krishtin. [...] Që të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij; dhe pjesëmarrjen e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij; se mbase kështu arrij ngjalljen e të vdekurve” (shih Fil. 3.7-11). Pavli e përmbushi porosinë e Krishtit, i cili tha: “Kështu pra gjithsecili prej jush që nuk mohon pasurinë e tij, nuk mund të jetë nxënësi im” (Lluk. 14.33) d.m.th. “gjithçka që ai zotëron” në planin e qenies së krijuar në ndarjen e tij nga Perëndia, në vetëmjaftueshmërinë e tij. “Se ata që janë prej besimit, këta janë bij të Abrahamit [...] dhe bekohen bashkë me të” (shih Gal. 3.7-9,29). Kështu pra, duhet të ndjekim shembullin e atit tonë në frymë, Abrahamit: të marrim në duart tona zjarrin dhe thikën, dhe të ngjitemi në një vend të ngritur për t’i ofruar holokaust Perëndisë, gjithçka me të cilën jemi lidhur sipas mishit. Dhe atëherë, do të dëgjojmë gjithashtu: “Tani të njoh [...] dhe do të të mbush me bekime” (shih Gjen. 22.17). Kjo është rruga e sigurt që të çon në përjetësinë e lumur; çdo rrugë tjetër mbart gjurmët e vdekjes. Vetëm në rast se jemi besnikë të palëkundur të Krishtit, “deri në fund” (Jn. 13.1), mund të na zbulohen potencialet e epërme të natyrës sonë, dhe që të bëhemi të aftë të kuptojmë Ungjillin në dimensionet e tij të përjetshme. Vendosmëria për të “braktisur gjithçka” (shih Matth. 19.27-30) na drejton në pragun që ndodhet mes kohës dhe përjetësisë; fillojmë të sodisim realitetet e një Qenieje tjetër, të pavdekshme, që deri atëherë për ne ishin të fshehura. Perëndia nuk e dhunon lirinë tonë. Nuk e dhunon portën e zemrës, nëse nuk jemi gati ta lejojmë të hyjë. “Ja tek rri në derë dhe trokas; në dëgjoftë ndonjë zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai, dhe do të ha bashkë me të, dhe ai bashkë me mua” (Apok. 3.20). Dhe sa më shumë jemi të hapur para tij, më shumë do ta përmbytë Drita e pakrijuar botën tonë të brendshme.

Dashuria që ndiejmë për Perëndinë dhe përvoja e dashurisë së Tij për ne, modifikojnë radikalisht si psikikën, ashtu edhe mënyrën tonë të të menduarit. E gjithë urrejtja mes njerëzve - në të vërtetë mes vëllezërve - shfaqet si çmenduri e tmerrshme. Të gjithë kemi një armik: vdekjen tonë. Po të jetë njeriu i vdekshëm, po qe se njerëzit nuk do të ngjallen, e gjithë historia e botës nuk është asgjë tjetër, veç një vuajtje absurde e krijesës. Këtu mbi dhé, vetë dashuria dhe vdekja gërshetohen: të duash, do të thotë të vdesësh. Kështu shpirti ynë mëngon të kalojë sferën e ndritshme ku asgjë nuk e pengon për dashurinë e pashuar, ku etja nuk është tjetër veç dinamizmi suprem i jetës, “bollëku i jetës” dhënë nga Krishti (shih Jn. 10.10).

Shtigjet për lutjen e thellë janë ngushtësisht të lidhura me pendim të thellë për mëkatet tona. Kur hidhërimi i kësaj kupe kapërcen aq sa mund të durojmë, dhimbja dhe neveria e dhunshme për veten papritur ndalojnë. Në mënyrë kaq papritur, gjithçka përmbyset falë vërshimit të dashurisë së Perëndisë. Dhe bota harrohet. Shumë e quajnë këtë fenomen “ekstazë”. Mua nuk më pëlqen ky term, se shpesh lidhet me deformime të shumëllojshme. Por edhe sikur ta quanim ndryshe këtë dhuratë të Perëndisë dhe t’i vinim emrin dalje e shpirtit të penduar drejt Perëndisë, do doja të thosha se kurrë s’më ka ardhur mendimi “të kultivoj” një gjendje të tillë, d.m.th. të kërkoj mjetet artificiale për ta arritur. Kjo gjendje vjen përherë krejt papritur dhe çdo herë ndryshe. E vetmja gjë që më kujtohet me siguri ishte pikëllimi im i pangushëlluar që më shkaktoi largimi nga Perëndia; kjo vuajtje ishte e lidhur disi ngushtë me shpirtin tim. Pendohesha hidhur për rënien time dhe, po qe se fuqitë e mia fizike do kishin shteruar, vajtimet e mia nuk do të pushonin.

I shkrova këta rreshta dhe, jo pa trishtim “kujtoj ditët e lashta” (Ps. 142.5), - më tepër netët - kur mendja dhe zemra ime i kishin kthyer rrënjësisht kurrizin jetës sime të shkuar, që për vite të tëra, kujtimi i asaj që kisha lënë mbrapa nuk do të më prekte më. I harroja madje edhe rëniet e mia shpirtërore, por vizioni shtypës i padenjësisë sime para shenjtërisë së Perëndisë sa vinte e intensifikohej më tepër.

Më shumë se një herë jam ndjerë si i kryqëzuar në kryq të padukshëm. Në Malin e Shenjtë kjo më ndodhte kur zemërohesha kundër atyre që më kishin kundërshtuar. Ky pasion i tmerrshëm vriste tek unë lutjen dhe më mbushte me tmerr. Në disa momente më dukej e pamundur të luftoja kundër tij: më shqyente si bisha e egër që shqyen gjahun e saj. Një herë, vetëm për një çast të shkurtër acarimi, lutja më la. Që të vinte, luftova për tetë muaj. Por kur Zoti më dha lotët, zemra ime u bë më vigjilente dhe më e duruar.

Kjo eksperiencë e kryqëzimit u përsërit më vonë (atëherë isha kthyer në Francë), por në një formë tjetër. Si atë shpirtëror, asnjëherë nuk refuzova të kujdesesha për ata që vinin tek unë. Zemra ime kishte dhembshuri të veçantë për vuajtjet e të sëmurëve psikikë. Të lodhur nga vështirësitë e shumta të jetës bashkëkohore, disa nga ata kërkonin me këmbëngulje një vëmendje të madhe, gjë që i tejkalonte fuqitë e mia. Situata ime nuk kishte rrugëdalje: ngado që të kthehesha, dikush do thërriste nga dhimbja. Kjo më zbuloi thellësinë e vuajtjeve të njerëzve të epokës sonë, të shtrydhur nga egërsia e qytetërimit tonë të famshëm. Njerëzit krijojnë makineri qeverisëse gjigante, të cilat zbulohen si aparate jo personale, për të mos thënë çnjerëzore, që shtypin me indiferencë miliona jetë njerëzish. I paaftë për të ndryshuar krimet - vërtet të patolerueshme, megjithatë të legalizuara - e jetës shoqërore të popujve, ndieja në lutjen time, pa asnjë imazh të dukshëm, praninë e Krishtit të kryqëzuar. Jetoja në shpirt vuajtjen e Tij me një mprehtësi të tillë, sa edhe nëse do ta kisha parë me sytë e mi Atë që “u ngrit lart” (shih Jn. 12.32), kjo nuk do ta kishte rritur aspak pjesëmarrjen time në dhimbjen e Tij. Sado të parëndësishme që të ishin eksperiencat e mia, ato thelluan njohjen time për Krishtin në shfaqjen e saj mbi tokë për të shpëtuar botën.

Në Të na është dhënë një zbulim i mrekullueshëm. Ai na e tërheq shpirtin drejt Vetes me madhështinë e dashurisë së Tij. I mbytur në lot, shpirti im bekonte, dhe bekon ende, Perëndinë dhe Atin që deshi të na zbulonte, përmes Shpirtit të Shenjtë, shenjtërinë dhe të vërtetën e pakrahasueshme dhe unike të Birit të Tij në sprovat e vogla që na godasin.

Hiri që u jepet fillestarëve për t’i tërhequr dhe për t’i mësuar ndonjëherë nuk është më i pakët se tek të përsosurit; megjithatë, kjo nuk do të thotë se është asimiluar nga ai që e ka marrë këtë bekim “të frikshëm”. Asimilimi i dhuratave hyjnore kërkon sprova të gjata dhe një punë asketike të madhe. Për të rilindur dhe për të veshur “njeriun e ri”, për të cilin flet shën Pavli (Ef. 4.22-24), njeriu i rënë kalon në tri etapa. E para është thirrja dhe frymëzimi për të ndërmarrë përpjekjen asketike e shpirtërore që paraqitet para nesh. E dyta është humbja e hirit “të perceptueshëm” dhe sprova e braktisjes nga Perëndia; kuptimi i saj është t’i ofrojë asketit mundësinë për të manifestuar besnikërinë e tij ndaj Perëndisë me zgjedhje të lirë. Së fundi, e treta, është fitimi për herë të dytë i hirit të perceptueshëm dhe ruajtja e tij, që lidhet këtej e tutje me njohjen shpirtërore të Perëndisë.

“Ai që është besnik mbi të paktën, është besnik edhe mbi të shumtën. Në qoftë se s’u bëtë besnikë pra mbi të paudhin mamona, kush do t’jua besojë juve pasurinë e vërtetë?” (Lluk. 16.10-12). Ai që gjatë etapës së parë u mësua drejtpërdrejt nga veprimi i hirit në lutje dhe në çdo vepër tjetër të mirë, dhe që kur braktiset për një kohë të gjatë nga Perëndia jeton sikur hiri të banonte përherë me të, do të marrë - pas një sprove të gjatë të besnikërisë së tij - pasurinë “e vërtetë” me zotërim të përjetshëm, përherë e patjetërsueshme. Me fjalë të tjera, hiri dhe natyra e krijuar bashkohen, dhe të dy bëhen një. Kjo dhuratë e fundit është hyjnizimi i njeriut, pjesëmarrja e tij në të qenit hyjnor, i shenjtë dhe pa fillim. Është metamorfoza e njeriut të tërë, përmes së cilës ai bëhet i ngjashëm me Krishtin, i përkryer.

Sa për ata që nuk respektojnë (nuk i mbeten besnikë “gjësë së tjetrit) “atë që i përket tjetrit” sipas shprehjes së Zotit, humbasin edhe atë që morën në fillim. Këtu, vërejmë një lloj paralelizmi me parabolën e talantave: “[Zotëria] u besoi të mirat e tij. Njërit i dha pesë talanta, tjetrit dy, dhe tjetrit një, gjithsecilit sipas aftësisë. Pastaj u nis. [...] Pas shumë kohësh, ky zotëri u kthye dhe u kërkoi llogari. Ai që kishte marrë pesë talanta doli përpara [...] dhe i paraqiti pesë të tjera: “Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera”. Edhe i zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë; hyr në gëzimin e zotit tënd.” Erdhi pranë edhe ai që pati marrë dy talantat, dhe tha: “[...] ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera.” I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzim të zotit tënd.” Erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha:

“Zot, të dija se je njeri i ashpër [...] pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhé. Ja tek e ke tënden. Edhe i zoti iu përgjigj e i tha: “Shërbëtor i lig e përtac, [...] merrni pra prej atij talantën, dhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat. [...] Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë” (shih Matth. 25.14-29).

Kjo parabolë, si dhe ajo e administratorit të pabesë, nuk gjen zbatim në marrëdhëniet e natyrshme njerëzore, por vetëm te Perëndia. Zoti nuk i hoqi asgjë shërbëtorit që kishte shumuar talantat dhe i kishte dyfishuar, por i la në zotërim gjithçka - talantat që i ishin besuar dhe ato që kish fituar me punën e tij - si te një bashkëpronar: “Hyr në gëzimin (e Mbretërisë) e Zotit tënd.” Sa për talantën e shërbëtorit dembel, zotëria e vuri “tek ai që kishte dhjetë”, “sepse do t’u jepet” atyre që shumëfishojnë dhuratat e Perëndisë “dhe do të mbushen me të mira” (Matth. 25.29).

Shën Joani i Shkallës thotë diku se mund të familjarizohemi me çdo shkencë, çdo art, çdo profesion deri në atë pikë sa ta ushtrohesh pa përpjekje të veçantë. Por të lutesh pa mundim, kjo nuk i është dhënë kurrë ndonjërit, mbi të gjitha lutja e përqendruar, e cila kryhet nga mendja në zemër. Njeriu që ndien tërheqje të fuqishme për këtë lutje, mund të ndiejë një dëshirë, që vështirë se realizohet: të marrësh nga sytë këmbët, të fshihesh nga të gjithë, të futesh në thellësitë e tokës ku, edhe në mes të ditës, drita e diellit s’mund të depër- tojë, ku nuk arrijnë as jehonat e dhimbjeve njerëzore, as jehonat e gëzimeve, ku braktisim çdo shqetësim për gjërat kalimtare. Është e kuptueshme, pasi është e natyrshme ta fshehë jetën e tij të brendshme për sytë e jashtëm; ndonëse, kjo lutje e zhvesh bërthamën e shpirtit, i cili nuk duron dot të preket, nëse nuk është dora e Krijuesit tonë.

Para sa tensioneve të dhimbshme ekspozohet ky njeri në përpjekjet e tij për të gjetur një vend të përshtatshëm për lutjen! Si një frymë që vjen nga një botë tjetër, ajo sjell konflikte të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme. Njëri prej tyre është lufta me trupin e vet, i cili nuk vonon të zbulojë paaftësinë e tij për të ndjekur vrullet e shpirtit; shumë shpesh, nevojat trupore bëhen kaq therëse, sa e detyrojnë mendjen të zbresë nga lartësitë e lutjes për t’u kujdesur për trupin, përndryshe, ai rrezikon të vdesë.

Një konflikt tjetër i brendshëm del veçanërisht në fillim: si mund t’i harrojmë ata, për të cilët u urdhëruam t’i duam si vetet tona? Teologjikisht, tërheqja nga bota mendohet si përpjekje që bie ndesh me kuptimin e këtij urdhërimi; nga pikëpamja etike, si “egoizëm” i patolerueshëm; mistikisht, si kredhje në errësirat e zhveshjes së vetvetes, atje ku nuk ka asnjë mbështetje për shpirtin, ku mund të humbasim vetëdijen për realitetin e kësaj bote. Së fundi, ndiejmë frikë, pasi nuk e dimë nëse nisma jonë i pëlqen Zotit.

Kur zbrazja asketike nga gjithçka e krijuar nuk është rezultat i vullnetit tonë njerëzor, është akt tepër negativ, dhe si i tillë, është e qartë se s’të drejton në zotërim pozitiv, konkret, të asaj që kërkojmë. Nuk është e mundur të ekspozojmë tërë luhatjet dhe tërë pyetjet që e sulmojnë shpirtin në momente të këtilla. Me- gjithatë, ja një: “Hoqa dorë nga gjithçka kalimtare, por Perëndia nuk është me mua. A nuk janë këto “errësirat e jashtme”, esenca e ferrit?” Ai që kërkon lutjen e pastër kalon edhe në gjendje të tjera, ndonjëherë të tmerrshme për shpirtin. Mundet që e gjithë kjo të jetë e pashmangshme në këtë udhë. Përvoja tregon se është karakteri- stikë e lutjes të depërtojë në sferat e gjërave të qenies kozmike. Për nga natyra, urdhërimet e Krishtit transhendojnë tërë kufizimet; shpirti rri varur mbi humnerat, dhe mendja jonë e pasprovuar nuk dallon asnjë shteg. Çfarë të bëj? S’mund ta përballoj greminën që hapet para meje; shikoj vogëlsinë, dobësinë time; disa herë, pengohem dhe bie. Shpirti im, i dorëzuar “mes duarve të Perëndisë së gjallë”, drejtohet krejt natyrshëm tek Ai. Atëherë, Ai më kap pa vështirësi, ku të më gjejë.

Në fillim, shpirti ndien frikë. Por pasi ka shpëtuar më shumë se një herë nga lutja, forcohet pak nga pak në shpresë, bëhet më kurajoz atje ku më përpara kuraja dukej totalisht e pamundur.

Përpiqem të përshkruaj betejën e padukshme të shpirtit tonë. Eksperiencat që kam jetuar nuk më kanë dhënë arsye të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se tashmë e kam gjetur përjetësinë. Sipas mendimit tim, për sa kohë që jemi në këtë trup të lëndët, detyrimisht që do përdorim analogji të marra nga bota e dukshme.

Ç’do të ndodhë kur të kapërcejmë përfundimisht të qenit në trup dhe përkohshmërinë? Kjo mbetet ende e panjohur për ne. E përsëris: Në këtë pafundësi, nuk ka rrugë të dukshme. Një frikë - aspak shtazore - e shtrin vëmendjen tonë në kufirin e fuqive të saj. Të ruash ekuilibrin kur çdo gjë lëkundet, kjo arrihet vetëm me lutjen. Shpirti thërret, shpesh pa fjalë ose me shumë pak: “Zot, më shpëto” (shih Matth. 14.30).

Më kujtohet koha ku kisha ndërprerë veprimtarinë time si artist dhe kur - siç më dukej mua - isha dorëzuar tërësisht te Krishti. Shumë përfaqësues të shquar të kulturës ruse - sa shpirtërore po aq dhe humaniste - shpallnin, jo pa pathos, se bota kishte hyrë në një epokë tragjike, ku të gjithë ata që jetonin në mënyrë të përgjegjshme, duhet të kuptonin domosdoshmërinë morale për t’u angazhuar në këtë tragjedi që kishte përfshirë botën mbarë, se duhet të merrnin pjesë e të kontribuonin, sipas fuqive të tyre, të gjenin një rrugëdalje të mbarë. Dëgjoja me shumë respekt ato që këta njerëz të shquar thoshin, por s’mund t’i ndiqja. Një zë i brendshëm më thoshte se isha i pazoti të luaja një rol të tillë. Kështu, nuk pushoja së kërkuari Perëndinë të më drejtonte në një vend ku kushtet do të më lejonin, mua të paditurit të humbur, të gjeja shpëtimin. Në lutjet e mia, i paraqisja Perëndisë planin tim, shprehjet e mia. Dhe Ai e përmbushi gjithçka me saktësi matematikore: një dorë e ngrohtë më hodhi në mes të asketëve të malit Athos.

Atje, në Malin e Shenjtë, gjeta mjedisin që më duhej: shërbesa të gjata - kryesisht gjatë netëve -, punë të thjeshta, të cilat nuk kërkonin përpjekje intelektuale dhe mundësinë për të jetuar në bindje, pa menduar mënyrën se si igumeni dhe bashkëpunëtorët e tij, jerontët, qeverisnin punët e manastirit. I çliruar nga të gjitha problemet e jetës së përditshme, mund të lutesha ditë e natë pa ndërprerje. Pak kohë e lirë më mbetej për të lexuar, ndonjëherë gjysmë ore në ditë, ose edhe më pak. Por Zoti ishte me mua, dhe unë nuk ndahesha prej Tij, qoftë edhe për një moment. Zemra më digjej pa pushim; mendja më mbështetej, si mbi shkëmb, në Fjalën e Perëndisë. Sulmet e dhunshme të forcave armiqësore nuk prodhonin në shpirtin tim asnjë lëvizje kundër Frymës së Krishtit. Lutesha si një i marrë, i gozhduar nga tmerri kur shikoja veten si kisha qenë, dhe si isha. Zemra dhe mendja ime u bënë fusha e betejës mes Krishtit dhe armikut, këtij kolosi me di- mensione kozmike. Në atë kohë ecja si mbi një litar të padukshëm mbi humnera. Një dëshpërim i çuditshëm, i ngjashëm me ujërat që rrethojnë një të mbytur, më shtrëngonte nga çdo anë. Them “i çuditshëm”, sepse kur ky dëshpërim më linte, vdisja disi shpirtërisht. Nga ky dëshpërim buronte lutja ime e zjarrtë, si nga një vullkan. Ashtu si apostulli Petro, i thërrisja Krishtit, të Tërëfuqishmit: “Zot, më shpëto” (Matth. 14.30).

Duke u gjendur kështu në shkallë të ndryshme të tensionit shpirtëror, muajt dhe vitet rrodhën. Është e pamundur të përshkruash gjithçka. Më vonë, u ndër- gjegjësova se ajo që më ndodhte vinte nga rënia ime për shkak të krenarisë sime të marrë. Duke ndjekur Jisu Krishtin, kuptova se njeriu është në një farë mënyre i hedhur natyrshëm në oqeanet e pafundme të botës shpirtërore. Të jetosh në Krishtin, do të thotë ta perceptosh Atë realisht si fitimtar mbi vdekjen: “Unë kam ardhur dritë në botë, [...] sepse nuk erdha të gjykoj botën, po që ta shpëtoj atë” (Jn. 12.46-47). “Dhentë e mi [...] më vijnë pas. Edhe unë u jap atyre jetë të përjetshme dhe nuk do të humbasin për gjithë jetën, dhe nuk do t’i rrëmbejë njeri ato prej dorës sime” (Jn. 10.27-28).

Ato ditë u ndesha me fjalët e guximshme të shën Isaak Sirianit: “Mos i krahaso ata që bëjnë shenja, mrekulli dhe çudi në botë me ata që jetojnë si hezikastë në njohjen e Perëndisë. Prefero mungesën e aktivitetit të hezikisë, më shumë se të ushqesh të uriturit në botë dhe të sjellësh në adhurimin e Perëndisë një shumicë paganësh”3. Kurrë s’jam munduar të krahasohem me Etër ose të zbatoja një për një fjalët e tyre, por një lloj analogjie mes eksperiencave të tyre dhe tonave duhet të ekzistojë, përndryshe do të mbeteshim përgjithmonë të përjashtuar nga njohja e vërtetë e realiteteve shpirtërore. Mendja ime nuk kërkonte të zbulonte saktësisht se në cilën gjendje ishte shën Isaaku kur formuloi këtë vizion që e kapërcen masën e zakonshme njerëzore. Tani do të flas - ndoshta me pak fjalë - për përvojën time.

Gjatë viteve të mia të para të kthimit te Krishti, mirësia e pamasë e Perëndisë më hodhi “mizorisht” në pafundësi, duke më bërë të ndieja mangësinë time shpirtërore, zbrazjen time, “hiçin” tim. Falë kësaj dhurate, zemra m’u pastrua nga plaga vdekjeprurëse e krenarisë dhe u bë e aftë të sodiste Perëndinë në dashuri e në paqe, të merrte prej Tij një jetë të re, të paprishshme.

Si pasardhës të Adamit, që të gjithë mbajmë te vetja pasojat e rënies së tij, për të cilën flet Zbulesa. Megjithatë, jo të gjithë i jetojmë me të njëjtën mprehtësi dimensionet ontologjike të kësaj katastrofe. Psikoanaliza e thellë e njeriut - ikonë e Perëndisë - nuk fillon që nga lindja jonë në maternitet, por që nga faqet e para të zbulesës biblike. Krenaria, si prirje e dukshme ose e fshehur për vetëhyjnizim, e ka prishur zemrën e njerëzve; sapo dallojmë brenda vetes disa shenja të rilindjes sonë shpirtërore, ky gjarpër ngre kokën dhe e errëson mendjen tonë, ndërpret vizionin dhe na largon nga Perëndia. Tani shikoj se padija ime e madhe, gjatë periudhës fillestare, ishte për mua shpëtimtare. Në lutjen time të pendimit të dëshpëruar, Zoti më dha drejtpërdrejt mësimet e Tij, dhe krenaria s’më cenonte. Duhet të arrijmë në përfundimin se një shpirt i thyer deri në fund nga pendimi aftësohet të perceptojë ndërhyrjet e Perëndisë. Fjalët e shën Isaak Sirianit cituar më lart, korrespondonin me itinerarin tim shpirtëror, d.m.th., njohja e Perëndisë së vërtetë ishte për mua më e rëndësishme se gjithë ngjarjet e jetës politike botërore. Etja ime për Perëndinë ishte më thelbësore se tërë aspektet e tjera të ekzistencës këtu në tokë. I privuar nga kjo njohje - e njeriut dhe e Perëndisë - ndihesha në terr; jashtë Krishtit s’ka asnjë rrugëdalje nga kjo shpellë e errët. Po, në botën mbarë, shikoja vetëm prishjen e shëmtuar të pasioneve njerë- zore, nyjën gordiane, që asnjë shpatë e lëndët s’mund ta priste.

“Një njeri u lind në botë” (Jn. 16.21). E shikoja atë përmes Krishtit. Njeriu, hipostazë e ngjashme me Perëndinë, lind si potencial. Në procesin e zhvillimit të tij, fillimisht ai kalon në kufijtë e kësaj bote, pastaj duhet të arrijë dimensionet e suprakozmike duke ndjekur Krishtin, i Cili e mundi botën (kozmosin): “Kini guxim, unë e kam mundur botën” (Jn. 16.33).

Po e përsëris: Zoti më dha hirin e “kujtimit të vdekjes” dhe të dëshpërimit të bekuar. Kujtimi i vdekjes e vendos njeriun para përjetësisë. Si fillim, në aspektin e tij negativ: çdo qenie e krijuar shikohet si pre e errësirave të vdekjes. Në vazhdim, Drita e shfaqjes së Perëndisë zbret mbi shpirtin duke sjellë fitoren mbi vdekjen. Sa për “dëshpërimin”, ai ishte pasojë e ndërgjegjes sime që isha i larguar nga Perëndia. Këto dy elemente - kujtimi i vdekjes dhe dëshpërimi - më shërbyen si krahë për të kapërcyer greminën. Kjo përvojë e tmerrshme dhe e gjatë ishte një bekim i Perëndi- së. Falë Tij “u hoq nga zemra ime veli i vjetër”, që më pengonte të kuptoja zbulesën e Dhiatës së Re në Krishtin dhe në Shpirtin e Shenjtë (shih II Kor. 3.13-18).

Gjithçka që është absurde dhe e tmerrshme në skenën botërore, gjithçka që është banale dhe e mërzitshme në jetën e përditshme të njerëzve, përbën një tablo kontradiktore, por prapëseprapë madhështore. Gjithçka, fisnikja dhe meskinia, reflektohet në një mënyrë apo në një tjetër te secili nga ne. Duke u nisur nga kontraste të panumërta - e keqja dhe e mira, errësirat dhe drita, trishtimi dhe gëzimi, marrëzia dhe urtësia, dashuria dhe urrejtja, dobësia dhe fuqia, ndërtimi dhe shkatërrimi, lindja dhe vdekja - formojnë vizionin global të Qenies. I nënshtruar nga mundime të panumërta dhe fyerje, njeriu përqeshet; dinjiteti i tij shkelet me këmbë. Përpara këtij spektakli, shpirti dëshpërohet. Por menjëherë i vijnë ndër mend këto fjalë të Krishtit me domethënien e tyre të përjetshme, madje të përjetshme edhe për Perëndinë: “Një njeri lind në botë”. Dhe nën ndikimin e këtij gëzimi, ai harron tërë sëmundjet dhe pikëllimet e së shkuarës.

Urdhërimet e Krishtit janë formuluar në disa fjalë të shkurtra, shumë të thjeshta. Por kur i zbatojmë, shpirti ynë në mënyrë të mrekullueshme çelet dhe ndien etje të pashuar për të përqafuar “edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë mbi dhé” (Ef. 1.10) në dashurinë që na u urdhërua. A mund të konceptohet se ata që u nxorën nga “hiçi” të zotërojnë një fuqi të ngjashme? Sigurisht, është e pamundur për ne të përmbledhim tërë universin në zemrën tonë duke u mbështetur vetëm mbi vetet tona. Por Krijuesi i çdo gjëje që ekziston, u shfaq Vetë në formën tonë të të ekzistuarit; Ai na tregoi me të vërtetë se natyra jonë u krijua si e aftë jo vetëm të përfshijë kozmosin e krijuar, por edhe të marrë plotësinë e jetës hyjnore. Pa Të, asgjë s’mund të bëjmë (shih Jn. 15.5), por me Të dhe në Të gjithçka bëhet e arritshme, megjithatë jo pa “dhimbje”. Dhimbja na nevojitet. Së pari, që të ndërgjegjësohemi se jemi persona (hipostaza) të lirë. Së dyti, që Zoti të mund të na japë jetën e Tij në trashëgim të patjetërsueshëm gjatë Gjykimit (shih Lluk. 16.10-12).

Sa herë që durojmë fatkeqësi, zhvendosemi në frymë në dimensionet universale, dhe kjo na bën të ngjashëm me Krishtin. Përmes një orientimi të tillë të mendimit tonë, çdo gjë që na ndodh në ekzistencën tonë individuale bëhet një zbulim i asaj që ndodh në botën e njerëzve. Flukset e jetës kozmike do të kalojnë përmes nesh dhe do të mund të njohim, nga përvoja e jetuar, njeriun në ekzistencën e tij shekullore, madje dhe Birin e njeriut në dy natyrat e Tij. Pikërisht vetëm kështu, në vuajtje, rritemi deri sa fitojmë vetëdijen kozmike dhe metakozmike. Duke kaluar nga sprova e kenozës (zbrazjes së vetes), duke ndjekur Krishtin, duke u kryqëzuar me Të, bëhemi marrës të Qenies hyjnore pafundësisht të madh. Në një lutje dërrmuese për pendim për botën mbarë, bashkohemi shpirtërisht me tërë njerëzimin: Bëhemi universalë sipas ikonës së universalitetit të Krishtit, i Cili mban në vetvete gjithçka që ekziston. Duke vdekur me Të dhe në Të, tashmë që në tokë parashijojmë ngjalljen.

Zoti vuajti për ne të gjithë. Vuajtjet e Tij mbulojnë tërë të këqijat e historisë sonë që prej rënies së Adamit. Nëse duam të njohim Krishtin siç duhet, duhet të marrim pjesë ne vetë në vuajtjet e Tij dhe, sa është e mundur, të jetojmë gjithçka si Ai vetë. Kështu dhe vetëm në këtë mënyrë, Krishti - e Vërteta mund të njihet vërtet, d.m.th. ekzistencialisht dhe jo në formë abstrakte, nga një besim psikologjik apo intelektual, i cili nuk shndërrohet në vepra.

Që nga fillimi i kthimit tim te Krishti, ndërkohë që e kuptoja me një ndërgjegje pak më të thellë se kush është Jisui, zemra filloi të ndryshonte dhe mendimet e mia morën drejtim tjetër. Pas konflikteve të brendshme që jetoja, zhvendosesha spontanisht në tërë universin e njerëzve; për shkak të kësaj, lindi tek unë dhembshuri për tërë njerëzimin. Kjo eksperiencë më bëri të kuptoja që të gjithë ne duhet jo vetëm të jetojmë sprovat që na godasin në kornizën e ngushtë të individualitetit tonë, por madje, pa gabuar, t’i zhvendosim në frymë në planin universal. Gjithashtu, e kuptova se e njëjta jetë kozmike që kalon nga ne, rrjedh gjithashtu në venat e çdo njeriu. Ky ndërgjegjësim, të cilin mund ta marrim si reagim psikologjik të natyrshëm, më bëri të përjetoja me dhembshuri të thellë vuajtjet e njerëzve: sëmundjet, fatkeqësitë, grindjet, urrejtjet, katastrofat natyrore, luftërat, etj. Në këtë lëvizje, e cila në vetvete ishte e natyrshme, gjendej rrënja prej nga duhet të lindte një fryt i çmuar për mua: ta përjetoja tërë njerëzimin, si veten time, si jetën time. Është pikërisht ajo që na porositet nga urdhërimi: “Duaj të afërmin tënd si veten tënde” (Matth. 22.39); “i afërmi” duhet marrë në kuptimin e krishterë “cili është i afërmi im?” (shih Lluk. 10.29,37).

Duke u zhvilluar dhe duke u intensifikuar ndër vite, ndërgjegjja ime shkoi natyrshëm deri në kufijtë e fundit të botës dhe i tejkaloi deri te i Pafundmi. Me mirënjohje për Perëndinë, më kujtohen tërë vështirësitë që durova gjatë Luftës së Parë Botërore, shkatërrimin e tmerrshëm të strukturës administrative të vendit, betejat revolucionare që vunë në rrezik jetën e të gjithëve në tërë Rusinë, mungesat e domosdoshme për një jetë normale, privimin e çdo gjëje të rëndësishme dhe të çmuar për shpirtin dhe inteligjencën, martirizimin e të qenit i pranishëm atje, i pafuqishëm para absurditetit të ngjarjeve... Kështu hyra në tragjedinë e historisë bashkëkohore. Më vonë, depërtova deri në rrënjët e saj: tregimi biblik i rënies së njeriut.

Sa tablo e frikshme! Por nuk është fundi: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dhenë, po edhe qiellin” (Hebr. 12.26).

Në këtë mënyrë iu afrova misterit të madh të “ikonës së Perëndisë” tek ne: personit. Perëndia na u zbulua në Emrin: UNË JAM AI QË JAM (Eks. 3.14). Po, jemi ikona e Tij. Duke qëndruar para Tij në lutje, shpirti ynë është njëkohësisht triumfues dhe vuajtës. Triumfon, sepse sodit realitetet që kapërcejnë imagjinatën tokësore. Vuan, sepse ndien hiçin e vet, duke qenë totalisht i pazoti të mbajë dhuratën hyjnore. Gjithashtu, që nga fillimi i rilindjes sonë që lartazi, shpirti ynë mëngon për të. Sigurisht që zhvillohemi, por kjo rritje na duket e ngadaltë dhe më tepër e mundimshme. Mund të themi se e tërë jeta e krishterë reduktohet në dhimbjet e lindjes për përjetësi (shih Is. 26.17-18).

Vërej se mendja ime kthehet vazhdimisht në këtë vizion, prej të cilit s’mund të shkëputem dhe që kam filluar të familjarizohem me të për më shumë se një gjysmë shekulli. Zoti më absorbon tërësisht. Shikoj kornizën që më rrethon, dhe në të njëjtën kohë, nuk e shikoj. Shikimi im rrëshqet prej Tij në çastet që merrem me nevoja të domosdoshme të jetës së përditshme. Por, dhe kur fle, dhe kur zgjohem, Perëndia më rrethon më afër se ajri. Gjatë dekadave që rrodhën, hiri u shtri mbi mua në mënyra të larmishme: herë si lumë i gjerë, herë si ujëvarë “uji të gjallë” (Jn. 4.10) mbi kryet e mi. Ndodhte - dhe ndodh ende ndonjëherë - që para meje të shtrihej sipërfaqja e gjerë e Oqeanit; ose të ndihesha një “hiç”, pa peshë, i varur mbi një humnerë shpirtërore të një lloji të veçantë... Tani, në kuptimin e vërtetë të fjalës, jam i humbur. Të gjitha ato që përshkrova nuk janë gjë tjetër veç një skicë e vogël e një panorame madhështore në bllokun e skicimeve të një piktori. Shpirti im dëshiron t’i këndojë himn lavdërimesh Perëndisë, i Cili erdhi me kaq shumë dashuri për të më takuar mua të mjerin, por nuk gjej te vetja fjalë të denja për Të.

----------------

3. Isaak Siriani, Oeuvres Spirituelles, Desclée de Brouwer, 1993, Discours 23, pg. 154.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com