LUTJA, UDHA DREJT NJOHJES

 

Lutja, përvojë e përjetësisë

Arkimandrit Sofroni

 

“O Perëndi, ti e njeh marrëzinë time, dhe fajet e mia nuk të janë fshehur” (Ps. 68.6). Tani jetoj në gjendje të rrënuar, por ti, o Krisht, më thërret të besoj e të pranoj zbulesën që Ati na do, siç të do ty, Biri i tij i vetëm: “Se vetë Ati ju do, sepse ju më keni dashur. [...] Edhe nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të më besojnë mua me anë të fjalës së tyre. Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je tek unë, dhe unë tek ti, dhe ata të jenë një tek ne; që të besojë bota se ti më dërgove [...] dhe se i deshe ata siç më deshe mua” (Jn. 16.27; 17.20-23).

Besimi ynë te Krishti na bën jashtëzakonisht guximtarë. Jo më kot i lumuri Pavël thotë se “marrëzia e Perëndisë është më e ditur se dituria e njerëzve”. Ajo që ngjan si marrëzi e mirëfilltë për mendjen mishore, për besimtarët është urtësi dhe forcë, jetë dhe dritë (shih I Kor. 1.18-30; 2.14; 3.18-19).

Por, nëse guximi për të qenë i krishterë është për çdo njeri një akt që e kapërcen masën njerëzore, çfarë do të thosha për veten time? Që në moshën time të re, kisha vetëdijen e pamjaftueshmërisë sime; nuk kisha siguri, edhe para njerëzve. Megjithatë... një Dritë më vizitoi, dhe i besova Krishtit Perëndi. Pastaj, sipas besës sime, Drita u shfaq edhe me më shumë mbushulli. Dhe besimi im u pasurua me njohje të re.

Megjithëse realisht isha një “hiç”, Drita e pakrijuar më shfaqej pikërisht për shkak të besimit që kisha në Krishtin. Kështu, mendja kapërceu barrierën e arsyes, e cila nuk është e paaftë të kuptojë që Personi (hipostaza) hyjnor zotëron një njohje gjithëpërfshirëse, në atë pikë sa asgjë nuk është e fshehtë për të në tërë qenien kozmike: “Po asnjë nga ata nuk do të bjerë mbi dhé, pa urdhrin e Atit tuaj. Po juve edhe qimet e kokës ju janë të numëruara [...] sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, dhe gjë të fshehur që nuk do të dihet” (shih Matth. 10.29-30,26). “Edhe s’ka asnjë krijesë të padukshme përpara tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara në sytë e atij” (Hebr. 4.13).

Lidhjet e mia me Perëndinë morën karakter tepër personal. Nocioni i mëkatit ka kuptim vetëm brenda një marrëdhënieje personale. Jashtë saj, nuk ka dashuri mes njeriut dhe Perëndisë. Jashtë saj nuk ka dhe s’mund të ketë njohje ekzistenciale të Perëndisë. Jashtë saj, gjithçka përpihet nga vdekja, gjithçka hijesohet në tërë kuptimin e fjalës në mosqenie.

Ajo që mendoj të shkruaj tani ka ndodhur më shumë se gjysmë shekulli më parë. Ishte një periudhë e tendosur; edhe të them të vërtetën, gjithçka ishte e turbullt për mua. Jeta është kaq e shkurtër, ndërsa Perëndia pafundësisht kaq i madh e i largët! Kush do të më mësojë të shkoj drejt Tij në një udhë të drejtë, që të mos humbas kohë duke u endur në shtigje të huaja? Kërkova njeriun ose njerëzit që mund të më ndihmonin me të vërtetë, të bëheshin udhërrëfyesit e mi. Dhe një forcë, deri atëherë e panjohur, zbriti mbi mua - një lutje, të cilën s’mund ta ndërprisja as ditën, as natën - dhe natyrshëm u bë mbështetja ime në çdo çast. Kishte momente kur lutja më sillte sqarime, dhe besoj se vinin nga Perëndia. Do të citoja disa shembuj që lanë gjurmë dhe hodhën themelet e jetës sime.

Duke mos e dalluar drejtësinë e Perëndisë në fatet e njerëzimit dhe, më në veçanti, në fatin e çdo njeriu, mëngoja në errësirat e paditurisë sime. I ngjaja një fëmije të vogël, krejt të privuar nga ndihma. Duke ndjerë nevojën për të kuptuar diçka, u bëra i paduruar për shkak të dhimbjeve në shpirt. Prisja ndihmën e Perëndisë. Dhe Zoti pati mëshirë për padijen time.

Nuk u plagos nga pakujdesia ime, por si një nënë, pati dhembshuri për mua dhe shpejtoi të më përgjigjej. Kjo nuk ndodhi vetëm një herë, por shumë herë. Perëndia veproi njësoj si me Jovin, i cili u sprovua mizorisht dhe e shprehte me forcë revoltën e tij.

Ja se çfarë më ndodhi një herë në Francë, në vitet ‘20, para se të nisesha për në Athos më 1925. Isha lutur gjatë me lot: “Gjej mjetin për të shpëtuar botën, sepse jemi të korruptuar dhe mizorë.” Lutja ime ishte e zjarrtë veçanërisht për ‘këta të vegjël’, për të varfrit dhe të shtypurit. Ndaj të gdhirë, teksa forcat e mia kishin shteruar, e humba lutjen për një çast pas këtij mendimi: “Nëse kam kaq shumë dhembshuri për njerëzimin, me gjithë energjitë e shpirtit, si mund ta kuptojmë këtë Perëndi që sodit me indiferencë vuajtjet e miliona njerëzve që Ai vetë krijoi? Përse lejon të kryhen në botë akte të panumërta dhune?” I drejtohesha Atij me këtë pyetje të çmendur: “Ku je Ti?...” Deri diku si përgjigje dëgjova në zemër këto fjalë: “Mos ndoshta ti u kryqëzove për ata?” Këto fjalë të ëmbla, shqiptuar nga Fryma në zemrën time, më tronditën: i Kryqëzuari më përgjigjej si Perëndi.

Një përgjigje e Perëndisë, qoftë edhe e shkurtër, zakonisht shkon drejt e në thelb. Fjala hyjnore i sjell shpirtit një perceptim të ri e të veçantë të qenies. Zemra ndien rrjedhjen e një jete plot dritë. Mendja zbulon papritur kuptime të pazbuluara deri në atë kohë. Kur energjia krijuese e Perëndisë na prek, ajo na ‘rikrijon’. Njohja që përftohet nga kjo mënyrë nuk ngjan me ndonjë arsyetim filozofik. Në të njëjtën kohë, me perceptimin e realiteteve të botës shpirtërore, një tjetër mënyrë të ekzistuari i jepet qenies së tërë të njeriut: njohja e Perëndisë bashkohet me rrjedhën e lutjes dhe të dashurisë për Të.

Perëndia më ishte përgjigjur shkurt, por ato pak fjalë të Tij përmbanin një zbulesë jashtëzakonisht të gjerë e të thellë. Le të përpiqemi të gjejmë një analogji, që u përgjigjet nevojave të arsyes sonë. Në gjendjen tonë të rënë, u ndamë nga Perëndia si me një vel të lehtë, të padukshëm, por njëkohësisht dhe të padepërtueshëm. Krejt papritur, me një shenjë nga Perëndia, një çarje ndodhi në këtë vel. Duke e vënë syrin në këtë të çarë, nuk shikojmë vetëm atë për të cilën u lutëm, por në të njëjtën perspektivë, horizonte të gjera hapen para nesh. Nëse syri ynë është “i shëndetshëm” (Matth. 6.22) dhe nëse e ruajmë të ngulitur te vizioni që na u dha, ai do të sodisë pafundësinë e Mbretërisë së ndritshme. Atëherë, jo vetëm pyetja jonë, por një seri pyetjesh shtesë do të marrin përgjigje të kënaqshme... Në përjetësinë hyjnore, tërë linjat paralele, si edhe rrezet e papajtueshme takohen në një pikë.

Cili qe reagimi im në çastin kur mora përgjigjen nga Perëndia? Ja se çfarë mendova: Nëse Perëndia është siç e tregoi Krishti i kryqëzuar, atëherë ne - dhe vetëm ne - jemi që të gjithë fajtorë për të keqen që ka mbushur historinë e njerëzimit. Perëndia u shfaq në mish, ashtu si Ai është: i përulur. Përulësia është atribut i natyrshëm i dashurisë së Tij. Mund ta përfytyrojmë se ç’është përulësia e Perëndisë, duke thënë se është gatishmëri për të pranuar tërë plagët e shkaktuara nga qeniet që Ai krijoi. Ne jo vetëm që e kemi hedhur poshtë Perëndinë, por e kemi vrarë, madje me vdekje të turpshme. Njoha në frymë se shkaku i vuajtjeve të njerëzve nuk është mungesa e dhembshurisë së Perëndisë, por vetëm keqpërdorimi që njeriu i bën dhuratës së lirisë. Në konfliktin tim me Perëndinë, Ai doli fitimtar. Në fillim, më pushtoi një ndjenjë e hidhur turpi për mendimin tim marrëzisht kryeneç: sikur unë të isha më i dhembshur se Ai! Ky turp lindi tek unë në një frymë pendimi, një qëndrim vetakuzues. Pastaj gëzimi mbyti gjithçka. Zoti jo vetëm që nuk më dënoi për paturpësinë time, por hodhi mbi kryet e mia bekimin e Tij të bollshëm. Më vonë kuptova se Ai kishte bërë që të lindte tek unë kjo lutje plot dhembshuri.

Nuk është e lehtë të përshkruaj përvojat shpirtërore që m’u dhanë, por po vazhdoj. Jetoja si një njeri gjysmak, midis caqeve të dy botëve: të kësaj të dukshme dhe asaj të padukshme, të kuptueshme, qiellore. Duke pohuar se “gjendesha në skajet e dy botëve”, dua të them se ajo që po më ndodhte, më tejkalonte. Nuk ishte iniciativa ime, por e Perëndisë së gjallë, në duart e shenjta të të Cilit kisha rënë (shih Hebr. 10.31). Nëse shpirti im po vuante, vuante nga çudia që e kishte pushtuar para Perëndisë.

Përvoja më ka treguar se në cilën pikë natyra jonë e zhytur në mëkat është inerte. Edhe lutjet, si ajo që u përshkrua më lart, nuk e shërojnë menjëherë natyrën tonë të rënë. Nën presionin e pareshtur të ngjarjeve gjithnjë e më shumë kërcënuese të shekullit tonë, shumë shpesh ndodhesha në konflikt me Perëndinë. Tani po vë re se, edhe pse në sipërfaqe jeta ime zhvillohej pa shkelje të dukshme për sytë e njerëzve, në thellësi - shpirtërisht - isha dhe jam errësirë.

Qëllimi final i lutjes nuk ndryshon gjatë shekujve. Megjithatë, pa humbur unitetin e zellit fillestar, ajo nuk ndalet së përmirësuari - në përmbajtjen e saj - gjatë jetës. Ndonjëherë, ajo përqafon botën në tërësinë e saj, herë-herë përqendrohet në nevojat e çastit. Situata nga më të ndryshmet mund t’i shërbejnë si shtysë: pendimi personal, dashuria për tjetrin, ndërmjetimi për të afërmin, kërkesë për ndriçim në pasiguri, falënderime Perëndisë për përkujdesjen e Tij mirëdashëse apo shprehje mrekullimi për Shpëtimtarin, si dhe shumë gjëra të tjera.

Si ta prezantojmë etjen për Perëndinë, Dritën që buron prej Tij, fuqinë e Tij vepruese te ne? E njoh paaftësinë time për të shkruar. Realisht, nuk pushoj së përsërituri të njëjtën gjë. Ose bie në detaje të tepërta e të panevojshme, ose jam tepër konciz.

Më shumë se një herë, lutja ime - nëse do ta quaja kështu atë që më ndodhi - u bë e guximshme përtej çdo gjëje që është e pranueshme. Duke parë vazhdimisht të mbretërojë në botën mbarë makthi i dhunës shkaktuar “vëllezërve të tyre” nga zotërinjtë dhe princat e tokës (shih Matth. 23.8), thosha në hidhërimin e zemrës: “Përderisa ke krijuar gjithçka që ekziston, dhe pa ty asgjë nuk erdhi në ekzistencë (shih Jn. 1.3), a nuk e meritojnë të gjykohen si përgjegjës gjithë këta kriminelë të ulët - që arrijnë të derdhin gjakun e miliona njerëzve mbi tërë tokën, për të gëzuar për disa ditë kënaqësinë perverse për të dominuar mbi të varfrit që vuajnë? Ti vetëm, Krijuesi i gjithçkaje, je fajtor për mjerimin e madh të tokës...” Ky tundim ishte shtypës. Ndodhesha në kufirin e dëshpërimit, dhe madje të çmendurisë. Nga dëshpërimi shkatërrimtar nuk dukej asnjë rrugëdalje. Dhe përsëri, Zoti më vizitoi. Paqja e Tij preku zemrën time dhe mendimi im ndoqi një tjetër rrjedhë: “Ati dërgoi Birin e tij për të shpëtuar botën dhe ata e vranë. Por Ai u ngjall duke triumfuar mbi vdekjen dhe që nga atëherë, si Mbret i përjetshëm, “do të gjykojë popujt me drejtësi” (Ps. 9.9; shih Hebr. 10.31). Çfarë konkluzioni të nxjerrim? Nuk mund ta zgjidhim problemin e së mirës dhe të së keqes në caqet e tokës. Ata që kanë shkuar në therore si qengja, “pa kundërshtuar të keqen” (shih Matth. 5.39; Is. 53.7), do të jenë të ngjashëm me Birin e Perëndisë dhe do të ngjallen me të në një lavdi të paprishshme (shih Kol. 3.1-4).

I mjeri unë, për herë të dytë luftova me Perëndinë në të njëjtën perspektivë! Në pjesën tjetër të jetës që më mbeti m’u desh të gjeja një përgjigje kategorike për pyetjen, e cila më pas duhet të bëhej kritike për të gjithë krishterimin: Si të reagosh ndaj persekutimeve që ushtron princi (të mëdhenjtë) i kësaj bote? Zoti na ka dhënë hirin të kuptojmë mënyrën e Tij të të menduarit: në kopshtin e Gjethsemanisë, apostulli Petro u soll “në mënyrë krejt njerëzore” (shih Matth. 16.22-23), por Krishti i tha: “Vëre thikën tënde në mill, kupën që më dha Ati të mos e pi?” (Jn. 18.10-11).

Kjo ishte për mua udha përmes së cilës merrja, drejtpërdrejt, një “informacion” nga lart me anë të lutjes. Po kështu, m’u zbulua kuptimi i Letrës drejtuar Efesianëve (shih kap. 3) mbi thellësinë, gjerësinë dhe lartësinë e planit të Perëndisë për ne. Jeta jonë tokësore s’është asgjë tjetër veçse një çast i shkurtër që na u dha nga Ati i mirësisë, që të depërtojmë në dashurinë kenotike të Krishtit, dashuri që kapërcen mendjen tonë. Jashtë kësaj rruge, askush s’mund “të mbushet me tërë plotësinë e Perëndisë” (shih Ef. 3.19). Këtu poshtë, jemi mbi kryqe, qofshin këta ende të padukshëm; por vetëm kështu mund të kuptojmë madhështinë e njeriut dhe hendekun e pakapërcyeshëm të Qenies hyjnore. Fjalori njerëzor s’arrin dot të shprehë pasurinë që Ati na dërgon nëpërmjet kryqit.

Perëndia është i padukshëm. Kur Ai vjen, vjen i tëri, ashtu si është në Qenien e Tij të përjetshme. Ne nuk e mbajmë dot. Ai hapet para nesh në “vendin” ku ne trokasim: “Trokisni dhe do t’ju hapet” (Lluk. 11.9). Ai thotë një fjali të shkurtër, por jeta e tërë nuk mjafton për t’i nxjerrë përmbajtjen. E ndiejmë me përkushtim atësinë e Tij. Shikojmë se Ai ka etje për të na komunikuar jetën e amshuar, të na bëjë të ngjashëm me Birin e Tij - “vulosja e vulës besnike të Atit” - deri në përsosmëri. Plani i Tij për ne është i pakonceptueshëm: “nga hiçi” Ai krijon perëndi të barabartë me të. E gjithë qenia jonë përulet para Tij me zemër të dërrmuar, jo me frikë si përpara një zotërie të pamëshirshëm, por me dashurinë e përulur si për një Atë.

Zoti më ruajti nga çdo lidhje që zor se shqitesh. Kështu, kur fillova të ndiej nevojën të çlirohesha nga çdo përgjegjësi për jetën e dikujt tjetër, disponoja këtë liri. E falënderoj Perëndinë për përkujdesjen e Tij ndaj meje. Isha i qetë nga mendimi se nëse do të vdisja, s’do të dëmtoja askënd. Mund të shkoja pa frikë përpara cilitdo rrezik, madje edhe deri në vdekje. Mendja ime, me gjithë vëmendjen e saj, zbriti brenda meje, dhe banoi atje pa dalë për vite me radhë. Lutja ime ndryshonte në format dhe në fuqinë e saj. Nuk më rrëmbente gjithmonë me të njëjtin vrull, por në disa çaste, braktisesha pa mundur dot të ngopesha. Edhe të doja ta ndërprisja këtë lutje në ato momente - ende nuk e kisha lënë Francën për t’u nisur në Athos - nuk do të mundja. Në këto ditë të bekuara, isha ndërkohë edhe njeriu më fatkeq i tokës dhe më i lumturi përtej çdo gjëje.

Ndonjëherë një zjarr i padukshëm ma prekte majën e kokës dhe ma përshkonte me shpejtësi trupin deri në fund të këmbëve. Atëherë, një lutje e përflaktë, shoqëruar nga lot të nxehtë për botën, më mbërthente.

Pjesën më të madhe të kohës, lutesha në gjunjë, me ballin puthitur përdhé. Kur trupi im s’mundej më, dremisja. Megjithatë, në ndërgjegjen time nuk pushoja së luturi; nuk ndieja se flija. Vetëm kur zgjohesha kuptoja se trupi kishte fjetur, sepse pozicioni që kishte nuk ishte ai ku lutesha zakonisht.

Dy herë, në rrugët e Parisit, lutja më bëri të humbisja perceptimin e botës materiale që më rrethonte; megjithatë arrija pa pengesë në destinacion. Deri diku, më vjen keq që s’pata dëshmitar që të mund të përshkruante sjelljen time në të tilla raste të ngjashme.

Një herë tjetër, po në Paris, mora pjesë në një mbrëmje për nder të një poeti të shquar, i cili lexonte veprat e tij. Atje kishte njerëz të zgjedhur. Gjithçka e organizuar nga pikëpamja mondane, në mënyrë jashtëzakonisht korrekte. Në mesnatë, u ktheva në shtëpi. Rrugës pyesja veten: Ç’lidhje ka mes këtij manifestimi të një prej formave nga më fisniket të krijimtarisë njerëzore dhe lutjes? Si hyra në dhomë, fillova të lutesha: “Shenjt Perëndi, Shenjt i Fuqishëm, Shenjt i Pavdekshëm...”, dhe ja, një flakë e lehtë digjte padukurisht dhe ndjeshëm sipërfaqen e fytyrës dhe të gjoksit tim, nuk e di, ishte e lehtë si ajri, por që nuk shkonte me Frymën e Perëndisë.

Përbrenda po shqyhesha nga joshja për artin dhe nga ajo për lutjen. Kjo e fundit fitoi mbi pasionin e pikturës, por s’ishte as e lehtë dhe as e shpejtë. Më pas, në Institutin e Theologjisë, lutja më pengonte të përqendroja vëmendjen në lëndët që mësoheshin. M’u desh të luftoja kundër kësaj pengese të pazakontë, por që në vetvete kishte vlerë të madhe. Jetën time në Institut e thjeshtonte fakti që kisha një dhomë më vete mbi apartamentet e profesorëve; atje mund të lutesha në pozicionin që e kisha zakon. Me gjithë interesin për shkencat religjioze, nevoja ime për të qëndruar në lutje haste pengesa. Prandaj u nisa për në Malin Athos.

Në Malin e Shenjtë, jeta ime gjeti rrugën e saj. Pothuajse çdo ditë, pas Liturgjisë, isha i mbushur me gëzim paskal. Sado e çuditshme që të duket kjo, lutja e pandërprerë, si shpërthim vullkanik, buronte nga një dëshpërim i thellë që ma kishte pushtuar zemrën. Dy gjendje, në dukje diametralisht të kundërta, bashkekzistonin brenda meje. Shkruaj të vërtetën e pastër. Edhe unë vetë nuk kuptoja se ç’po më ndodhte. Nga pamja e jashtme, nuk isha më pak i lumtur se shumica e njerëzve.

Më vonë gjërat u kthjelluan: Zoti më kishte dhënë hirin e pendimit (shih Lluk. 24.47). Po, vërtet ishte një hir. Sapo dëshpërimi zvetënohej brenda meje, dhe lutja vakej, vdekja ma pushtonte zemrën. Nga pendimi qenia ime u zgjerua deri atje sa shpirti më prekte edhe ferrin, edhe Mbretërinë. Që kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore (1914-1918), duke dëgjuar lajmet për miliona të vdekur në front, e gjithë qenia kozmike shfaqej në ndërgjegjen time e zhytur në errësirat e padepërtueshme të absurdes. Megjithatë, nuk mund ta pranoja, as vdekjen, as absurden. Atëherë, më erdhi ky mendim, gjysmë ide, gjysmë ndjesi: nëse do të zhdukesha plotësisht, gjithçka që kam njohur dhe kam dashur, gjithçka që më gjallëron dhe më frymëzon, absolutisht gjithçka që është pozitive, madje vetë Perëndia, do të vdiste tek unë dhe për mua. Kjo përvojë ishte tmerrësisht e fortë. Ajo mori trajtën e një intuite, e cila mund të formulohet kështu: “uni” njerëzor (njeriu si hipostazë) mund të bëhet qendra, ena e çdo gjëje që ekziston. Jetoja në dy botë. E perceptoja njërën me anë të shikimit, të dëgjimit, dhe të shqisave të tjera trupore. Jetoja në tjetrën vetëm me frymë; atje, isha gjithë vesh, duke pritur; e mprihja “vështrimin” tim, por shikoja me sy të tjerë... Këto dy botë, kaq të ndryshme, nuk ndaheshin në lutje. Ditën lutja rridhte në botën e dukshme; natën më pushtonte në një “sferë shpirtërore” (s’di si ta quaj këtë pafundësi që më shtrëngonte). Kur lexoja Ungjillin, të gjitha fjalët më dukeshin të njohura, por nuk e kapja dot kuptimin e tyre të fshehur te vetë Qenia hyjnore. Për mua një gjë ishte e qartë: gjithçka është te Krishti, Biri i Perëndisë, dhe vetëm në Të. Dhe Atë e lusja, i thërrisja edhe Atit me qëllim që Shpirti i së vërtetës, që buron prej Tij, të zbriste mbi mua dhe të më drejtonte drejt të vërtetës së plotë (shih Jn. 16.13,26). Kërkimi im për Deus absconditus (Perëndia i fshehur) gjeti jehonë në Dhiatën e Vjetër; atje vura re shumë shprehje për të formuluar nevojat e mia. Shpërthimet e indinjatës së Jovit ishin të afërta për mua. Nxirrja rënkime si profetët që jetuan para Krishtit. Gërmoja nëpër Psalmet frymëzimin për lutjen. Ndonëse, realisht mësoja Dhiatën e Re, përmes prizmit të saj perceptoja pjesën tjetër prej nga vjen. Etja ime për të njohur Perëndinë ishte e pashuar. Cilado që të ishte kohëzgjatja e lutjes, sado të thella të ishin psherëtimat e mia, qenia ime mbetej e pakënaqur. Kjo ishte “kupa” ime në Malin Athos; në të, hidhërimi dhe gëzimi përziheshin, njëra duke përmbajtur tjetrën. Para meje, nuk kishte rrugëdalje: i tëri isha në shushatje dhe dhimbje. Por pikërisht në këtë atmosferë të dhimbjes shpirtërore vjen edhe kuptimi i madhështisë së njeriut. Por kjo dhimbje e shenjtë a nuk është një nga rrugët përmes të cilave Perëndia i Shumëlartë komunikon pa ndërmjetës me krijesën e vet, duke i dhënë pak nga pak njohjen jo vetëm të qenies kozmike të krijuar, por edhe atë të Vetes?

Në momentin ku Zoti i gjallë iu shfaq shën Siluanit, këtij i ishte dhënë të njihte me tërë qenien e tij “përulësinë e papërshkrueshme të Perëndisë”. Fjala e starecit ishte me dobi për shumë veta, edhe për mua. Kështu, falë tij, kuptova se në fillesën e të gjitha tragjedive të njerëzimit gjendet rënia në krenari. Ky pasion është thelbi i vetë ferrit, i thellësive satanike. Ndërsa shkruaj, një episod i jetës më vjen ndër mend, duke më ngjallur shumë turp: fryma blasfemuese dhe ziliqare më sugjeroi një ditë, para takimit me starecin, këtë mendim: “Përse Krishti është Biri i vetëm dhe jo unë?” Kjo zgjati për një çast, por një djegie therëse ma preku zemrën. Perëndia më shpëtoi. Dhe për më tepër, misteri i të gjitha rënieve shpalosej përpara meje.

Perëndia më shpëtoi, dhe dashuria ime për Të u thellua. U ndërgjegjësova përgjithmonë se askush nuk shpëton me forcat e veta. Askush s’mund të jetë i sigurt se ky apo ai mendim që i erdhi nuk do ta zotërojë përjetë. Në shkretëtirë, Zoti doli fitimtar në tërë tundimet e të ligut (shih Matth. 4.1-11).

Perëndia më shpëtoi, por më tmerronte fakti se të tilla mendime mund të lindnin përsëri tek unë. Mendoja: “S’ka shpresë shpëtimi për mua... Është e pamundur për Perëndinë të më marrë në përjetësi kështu si jam unë (shih Jn. 17.21-23). Po, do të ishte shumë e vështirë të isha me Të, vetëm nëse do luftoja vazhdimisht kundër pasioneve të mia.”

Providenca hyjnore tregoi vëmendje të veçantë ndaj meje. Në çastin e duhur kur kisha nevojë, Zoti lejoi të takoja Siluanin. Falë tij, një kthesë vendimtare kulmoi në jetën time të brendshme. Ai më shpjegoi se si “ta mbaja mendjen në ferr dhe të mos dëshpërohesha”. E madhe është mirënjohja ime ndaj atit, starecit tim. Pashë se në të shkuarën, Zoti më kishte udhëhequr drejt të njëjtit qëndrim të brendshëm, por që unë kisha qenë tepër i trashë për të kuptuar se ishte Perëndia Ai që me udhëhiqte. Në saje të Siluanit, fillova të njihja udhët e Zotit dhe, plot frikë e dridhje e bekoj Emrin e Tij të shenjtë:

Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë (Jn. 14.23).

Ai që ka porositë e mia dhe i ruan, ky është ai që më do (Jn. 14.21).

Ai që s’më do, fjalët e mia nuk i ruan (Jn. 14.24).

Ai që më hedh poshtë, dhe nuk pret fjalët e mia, ka se kush ta gjykojë; sepse nuk erdha të gjykoj botën, po që të shpëtoj botën (Jn. 12.48).

Edhe në Malin Athos, siç më kishte ndodhur edhe para se të bëhesha murg, lutja ime më shumë se një herë u ndërpre nga mendimet blasfemuese. Kështu, një herë kur po i nënshtrohesha një gjykimi të dhimbshëm të fjalës së Perëndisë, me gjithë përpjekjet e mia, ndjeva paaftësinë time të madhe për të qëndruar në frymën e urdhërimeve të Tij. Ja fjalët e pamenda që thashë: “S’ke të drejtë të më gjykosh. Që të jesh ligjërisht gjykatësi im, duhet të jesh në të njëjtat kushte si unë...

Si Qenie e përjetshme, je pafundësisht i fuqishëm, ndërsa unë, në gjendjen time si krijesë, jam si një krimb.”

Lutja ime drejtuar Perëndisë “në përgjithësi”, ishte e padenjë, por megjithatë mora një përgjigje në zemër: “Ati nuk gjykon asnjë. Ai ia dorëzoi Birit gjykimin e gjithçkaje [...], sepse ai është Biri i njeriut” (shih Jn. 5.22-27). Deri në atë kohë i kisha lexuar këto fjalë shumë herë, por nuk i kisha kuptuar ashtu. Isha i turbulluar. Më erdhi turp kur arrita të kuptoj se kisha jetuar gjithmonë në kushte shumë më të lehta se Krishti kur ishte mbi tokë. Në të vërtetë, Ai ka të drejtë të gjykojë botën mbarë; vuajtjet e kujtdoqoftë s’mund t’i kapërcejnë ato të Krishtit. Nga ana e jashtme, shumë veta kanë vuajtur dhe ende po kalojnë mundime të llahtarshme në dhomat e torturave nëpër burgjet bashkëkohore; por nga ana e cilësisë, ferri i Krishtit - “ferri i dashurisë” - është më i dhimbshëm se gjithë të tjerët.

“Ati [...] i dha Birit gjykimin e botës mbarë, sepse ai është Biri i njeriut.” Ku konsiston ky gjykim? Tek ajo që na tregoi, se është e mundur për njeriun të zbatojë porosinë e Atit në çfarëdo rrethane. Nuk mund të nxjerr si justifikim dobësinë time “njerëzore”. Po kështu, ata që e kanë ndjekur Krishtin gjatë jetës së Tij tokësore kanë marrë të drejtën të gjykojnë botën me Të: “A nuk e dini se shenjtorët do të gjykojnë botën?” (I Kor. 6.2). Apostulli Petro i kërkoi Zotit: “Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje. Vallë, ç’do të jetë për ne? Edhe Jisui u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se ju që më erdhët pas, në krijesën e re, kur të rrijë i Biri i njeriut mbi fronin e lavdisë së tij, do të rrini edhe ju mbi dymbëdhjetë frone duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit (Matth. 19.27-28).

Përse ndodh kështu? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në Ungjill: a) Prindërit e të verbrit që prej lindjes u druheshin judenjve, të cilët kishin lidhur fjalë se nëse “dikush do ta pohonte Jisuin për Krisht [d.m.th. Mesinë], do të nxirrej jashtë sinagogës” (Jn. 9.22.34); b) “Por edhe prej të parëve shumë veta besuan; po nga frika e farisenjve nuk rrëfenin, që të mos i nxirrnin jashtë sinago gës” (Jn. 12.42); c) “Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; vërtet vjen një orë në të cilën kushdo që do t’ju vrasë do të pandehë se i shërben Perëndisë” (Jn. 16.2). Në atë periudhë, rreziku i izolimit social nuk ishte i vogël. Megjithatë, apostujt morën vendim për një akt të tillë heroik. Pothuajse që të gjithë u vranë për shkak të predikimit të Ungjillit. Prej këtej buron edhe “e drejta” e tyre për të gjykuar ata që nuk e ndoqën Krishtin.

“Se vetë Ati ju do, sepse ju më keni dashur” (Jn. 16.27). Jo pa trishtim kujtoj vitet e rinisë sime, kur kuptimi i këtyre fjalëve të shenjta më kishte dalë nga mendja. Thosha me vete: Për shekuj, fjalë të panumërta që vinin nga qielli janë përsëritur në kombinimet më të ndryshme, por ato nuk kanë kumbuar jehonën e dëshiruar te zemrat e ngurtësuara, te mendimi i pandjeshëm për realitetet e botës hyjnore. Për më tepër, kishte shumë raste ku këto fjalë ishin dhënë prej së larti, porsi bubullima duke shkundur zemrat e njerëzve dhe me vetëtima që ndriçojnë ndërgjegjen e tyre. Ato zbritën nga Mbretëria e fshehur mbi tokë si një zbulim, duke na sjellë shpëtimin dhe duke na folur për urtësinë e pamasë të Atit tonë qiellor, për dashurinë e Tij për ne dhe për misterin e madh të Qenies.

Gjatë shekujve, sigurisht, këto fjalë të shenjta u shqiptuan, por pa vëmendjen e duhur; ndoshta dhe për këtë arsye e humbën fuqinë e tyre të mëparshme, atëherë kur ato u shfaqën për herë të parë në ndërgjegjen e profetëve, të apostujve dhe të shenjtorëve. A do të gjejmë mjete të tjera për të shprehur kuptimin e thellë të njohjes që na u dha nga Perëndia i Plotfuqishëm? Dashuria jonë për Perëndinë kërkon të shprehet në format ku energjia vitale e tyre të jetë e aftë t’i rezistojë kohës që shkatërron gjithçka.

Para syve tanë kryhet mrekullia gjigante e krijimit të botës, e krijimit të ‘perëndive’ (shih Jn. 10.34; Ps. 81.6), e cila ende nuk është përfunduar (shih Jn. 5.17). “Përmbushja” është premtuar për jetën që do të vijë. Megjithatë, që tani, kur Drita e pakrijuar zbret mbi ne, kjo lëvizje shpirtërore ngjall mrekullim mu në thellësi të shpirtit tonë dhe e lartëson mendimin drejt Mbretërisë që na u premtua.

Fitimi i Mbretërisë së dashurisë së Atit lidhet me shumë vuajtje (shih Matth. 11.12; 25.34). Zemra provon dhimbje therëse kur ndërgjegjësohet për humbjen që pëson nga njeriu. E kam fjalën për dhimbjen shpirtërore, metafizike, dhe do doja që lexuesi të më kuptonte drejt. Në gjuhë, gjithmonë ka një lloj rrjedhshmërie; kur eksperienca ndryshon, përmbajtja e koncepteve dhe kuptimi i fjalëve modifikohen gjithashtu.

Dhimbjet që ndien një asket i krishterë në zemrën e tij nuk janë fenomen patologjik. Ato shkaktohen “organikisht” nga dashuria për të cilën vuan. Ato nuk kultivohen - kjo do të ishte një prirje drejt dolorizmit psikik të sëmurë. Ato nuk janë pasojë e konflikteve psikologjike, as rezultati i këtij apo atij pasioni jo të kënaqur. Ato janë të një natyre tjetër. Lindja jonë në përjetësi më Perëndinë kërkon shumë mund. Profeti Isaia e ka shprehur në mënyrë madhështore këtë duke thënë: “Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet e ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot. Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhimbje, ashtu sikur të kishim për të lindur; por lindëm mbi tokë frymën e shpëtimit tënd” (Is. 26.17-18). Apostull Pavli shkruante te Galatianët: “Djemtë e mi, përsëri kam dhimbje lindjeje për ju, deri sa të formohet Krishti tek ju” (Gal. 4.19). Mund të përmendim pasazhe të shumta të ngjashme marrë nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga veprat e Etërve të shenjtë.

Shpirti ynë është i sëmurë, por kjo sëmundje shtrihet në të gjithë njeriun: në zemër, në trup. “I gjithë” njeriu vuan kur qëndron para Perëndisë së përjetshëm, por këto vuajtje nuk vrasin, ato japin jetë. Torturat e shpirtit në esencën e tyre janë metafizike. I përkasin fushës së ndritshme të pavdekësisë. Falë tyre, ngjitemi nga limitet e materiales, për në botën e Dritës së pakrijuar (shih Jn. 16.20-23).

Nuk mjafton të jesh intelektualisht i bindur për hyjninë e Krishtit që të kuptosh gjithçka me saktësi. Ende është e nevojshme të bësh maksimumin e përpjekjeve që të jetosh sipas fjalës së Tij. Në ecurinë e këtij asketizmi, duke dalluar dimensionet kozmike të rënies sonë, në vijim duhet të kalojmë përmes lutjes së gjatë për pendim. Vetëm atëherë do të na jepet të jetojmë atë që shikojmë te Krishti: një përulje ekstreme të vetes (shih Fil. 2.6); më pas, do të gjykohemi të denjë për ardhjen e “fuqisë prej së larti” (Lluk. 24.49), qoftë në gjuhë zjarri, qoftë si shkëlqim nga Drita e Thavorit. Dhe atëherë do të na zbulohet kuptimi i vërtetë i “lajmit të mirë” të Ungjillit.

Shtatë vitet që kalova në shkretëtirë përbënë periudhën më të favorshme për lutjen gjatë jetës sime. Më kujtohet një herë kur kisha filluar lutjen zotërore “Ati ynë”, dhe shpirti im ra në një shtangie të lumur. S’mund të shkoja më tej. Mendja ndaloi aty; gjithçka heshti tek unë. Dhe tani me trishtim shkruaj për këtë mrekullim, të cilin e humba. Në një intensitet të tillë kjo ndodh vetëm një herë. Mos vallë ngaqë përbërja jonë trupore nuk mund të mbajë prekjet e përflakura të lavdisë hyjnore?

Pas një farë kohe, diçka e ngjashme më ndodhi teksa thërrisja Emrin e Jisu Krishtit. Këtë herë isha i detyruar ta ndërprisja thirrjen e këtij Emri; efekti i tij ishte tepër i fuqishëm; shpirti më mbeti pa fjalë dhe pa mendim, i mbushur me frikën e afërsisë së Perëndisë. Atëherë për mua u çel misteri i priftërisë.

Të nesërmen kremtoja Liturgjinë, dhe Krishti Perëndi ishte tek unë, dhe me mua, dhe jashtë meje, dhe në misteret e shenjta të Gjakut të Tij dhe të Trupit të Tij. Emrat e Perëndisë dhe fjalët e teksteve liturgjike më dilnin nga goja si flakë. Qëndrova në këtë gjendje për tri ditë, pastaj intensiteti i kësaj përvoje u pakësua. Por, si me ndihmën e një dalte, Zoti skaliti kujtimin e saj në mendjen dhe në zemrën time. Dhe e lus të mos më hedhë poshtë në kohë të pleqërisë sime, dhe as në ditën e vdekjes sime (shih Ps. 70.9).

Apostull Pavli na porosit “të ecim denjësisht në thirrjen që u thirrëm” (Ef. 4.1). Po ku konsiston kjo thirrje? I japim përsëri fjalën po këtij apostulli: “Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët m’u dha ky hir t’u ungjillëzoj [...] pasurinë e pahetueshme të Krishtit, dhe t’i ndriçoj të gjithë, që të dinë ç’është plani i misterit të fshehur që prej jetëve prej Perëndisë [...]. Në të cilin kemi guximin dhe afrohemi te Perëndia me bindje dhe me anë të besimit në të. [...] Që të rrënjosur e me themel në dashuri të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët, ç’është gjerësia dhe gjatësia dhe thellësia e lartësia, edhe të njihni dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dituri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë. Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia [...] në gjithë brezat e jetës së jetëve!” (Ef. 3).

Pra, thirrja dhe puna jonë është që të bëhemi bij të Perëndisë Atë - nëpërmjet Birit të tij të vetëm e të njëqenshëm, pa fillim dhe të përjetshëm - dhe mbajtësit e tërë plotësisë hyjnore (shih Jn. 16.27; 17.21-26).

Do të vazhdoj duke përmendur disa ngjarje të tjera, për të cilat isha i padenjë për këtë që jam. Më tepër se një herë, m’u dha të sodisja Dritën hyjnore. I mbështjellë brishtësisht me të, isha mbushur me një dashuri, e cila nuk është nga kjo botë. Në disa raste, bota e jashtme humbiste aspektin e saj material dhe bëhej e padukshme. Kjo që më ndodhte zbulonte një plan tjetër të qenies. Dhe pa e ditur se si, kur perceptimi i zakonshëm i botës më rikthehej, një trishtim delikat ma pushtonte shpirtin për shkak të kthimit tim në jetën trupore.

Ndonjëherë mendoja se do të ishte e pamundur të “kthehesha”. Nga e përkohshme, lutja mund të bëhet gjendje e përjetshme e shpirtit. Vizioni i Dritës lidhet ngushtë me hirin që na ngjall. Gjithashtu, të lësh këtë jetë në një gjendje të tillë është bekim. E dimë nga jeta e shën Serafimit të Sarovit që fjeti në çastin kur po lutej. Në fakt, shpirti la trupin, i cili ende nuk kishte vdekur; ai mbante në dorë një qiri të ndezur. “E çmuar është para Zotit vdekja e oshënarëve të tij” (Ps. 115.6). A nuk duhet që edhe ne të kalojmë përmes një vdekjeje të tillë kur të braktisim këtë jetë? “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, se ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe në gjyq nuk vjen, por shkoi prej vdekjes në jetë” (Jn. 5.25). “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, në ruajttë ndonjë fjalën time, nuk do të shohë vdekjen për gjithë jetën” (Jn. 8.51).

Lutja është energji e një lloji të veçantë. Është shkrirja e dy veprimtarive: e jona (e krijuar) dhe ajo e Perëndisë (e pakrijuar). Si e tillë, ajo vendoset ndërkohë në trup dhe jashtë tij, dhe madje jashtë kësaj bote hapësinore dhe kohore. Kur gjendemi në frikën e lumur përballë shenjtërisë së Perëndisë dhe, në të njëjtën kohë, në dëshpërim për shkak të padenjësisë sonë ekstreme para këtij Perëndie, lutja bëhet një kërcim i furishëm i shpirtit, duke shpërthyer rrethin e ngushtë të peshës materiale. Trupi që na u dha duhet të bëhet “shpirtëror” (shih I Kor. 15.44) dhe të bëhet i aftë të ndjekë shpirtin në prirjen e tij finale. Trupi biologjik - “mishi dhe gjaku” - nuk është në gjendje të ndjekë shpirtin në vërshimin e tij total drejt Perëndisë së përjetshëm (shih I Kor. 15.50). “Sepse jetesa jonë është në qiejt, që ku edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht, i cili do të shndërrojë trupin e përuljes sonë, që të bëhet në një formë me trupin e lavdisë së tij, sipas veprimit me të cilin ai mund edhe t’ia nënshtrojë të gjitha vetvetes” (Fil. 3.20-21). “Që nga momenti që jemi [shpirtërisht] të ngjallur me Krishtin, kërkojmë [natyrshëm] gjërat që lartazi [qiellore], atje ku ndodhet Krishti, i ulur në të djathtë të Perëndisë” (shih Kol. 3.1).

Në vrullin e saj drejt Perëndisë sonë dhe Atit të shumëdashur, dhurata e lutjes nuk mund të shuhet. Përmes saj hyjmë në një tjetër mënyrë të qeni, e cila transhendon botën tonë, jo nga këndvështrimi hapësinor, por nga ai cilësor. Pa u dehur nga imagjinata pjellore dhe as i tërhequr nga filozofia racionaliste, shpirti kërkon udhë atje ku nuk ka. Një intuitë e brend shme e ndez shpirtin e lidhur me prangat e padukshme, por ende të pazgjidhura, të “ligjit të mëkatit”; këto mund të shkëputen vetëm nga veprimi i të Tërëfuqishmit, të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe jo me përpjekjet tona vetjake. Me çfarë ikone ta paraqesim luftën e shpirtit për çlirim? Ekziston një analogji me trupin, i cili, kur është i pushtuar nga dhimbje të padurueshme, shtrembërohet i tëri nga përpjekja për t’iu shmangur dhimbjes. Po ashtu, shpirti “kridhet” në lutje dhe lot, me qëllim që të qetësojë vuajtjen e tij për t’u bashkuar me Perëndinë.

Zoti ka dhembshuri për ne dhe shpesh, Ai vjen menjëherë. Por ndodh edhe e kundërta: gjithë thirrjet tona duken sikur humbasin në zbrazëti. I projektuar në pafundësi, në kuptimin e vërtetë të fjalës shpirti gjendet i varur mbi greminë. Është i tmerruar, sepse Perëndia i duket jashtëzakonisht i paarritshëm. Ai është jashtë gjithçkaje që ekziston. Mendja nuk gjen asnjë fjalë që do të mund të arrinte deri në fronin e Tij “të largët”. Pa fjalë, por me një britmë të brendshme, shpirti lutet në shkretëtirën e botës. Sidoqoftë, diku në thellësitë e tij, fshihet shpresa... Reja e braktisjes nga Perëndia kalon, dhe përsëri ngrihet dielli.

Nga përvoja ime, mund të them se ka dy lloje dëshpërimi. Njëri është krejtësisht negativ: ai e vret njeriun, fillimisht shpirtërisht dhe më pas trupërisht. Tjetri është i bekuar: është ai për të cilin nuk pushoj së foluri. Nëpërmjet këtij dëshpërimi u ktheva në jetë, në Dritë. Nuk e kisha aspak të lehtë të rrëfeja para njerëzve mirëdashjen që i Shumëlarti kishte shpërndarë tek unë. Kurrë s’e kisha kuptuar se përse ndodhte kjo gjë me mua, kështu si unë jam! Drita, e padukshme në sytë e mi, si fillim më mundësoi të shikoja ferrin tim të brendshëm, pastaj botën e krijuar, e gjitha e zhytur në ekzistencë kalimtare, e cila i nënshtrohej vdekjes. Për shumë kohë, e kam mbartur në vetvete këtë vizion të frikshëm. Isha i shushatur nga absurditeti i kësaj bote mbushur me sfilitje, të cilat bluajnë çdo jetë që në çastin kur kjo shfaqet. Po sado e çuditshme të duket kjo, një jetë e re filloi të gurgullonte tek unë. Lutja ma përmbytte zemrën në një rrjedhë të pandërprerë, duke rrëmbyer pas vetes mendjen, shpesh me një forcë që sa vinte e rritej, ndonjëherë edhe me një fuqi të tillë sa ma shkulte shpirtin dhe e hidhte në pafundësinë e një hapësire tjetër, e ndryshme nga ajo që dallojmë zakonisht. Ndërkohë isha i mpakur dhe njëkohësisht përjetoja eksperiencën e paçmueshme të një vizioni të zgjeruar të botës, madje edhe një parashijim të përjetësisë.

Të jesh vazhdimisht i ndërgjegjshëm për varfërinë tënde, është torturë e vërtetë; nën këtë rëndesë, edhe kockat të thyhen... Gjë e habitshme, por kur ky shtrëngim i shenjtë dobësohej, vdisja shpirtërisht. Nuk e kuptoja natyrën e këtij fenomeni. Vetëm më vonë shën Siluani ma shpjegoi: “Zoti na edukon kështu, me qëllim që të mos e humbasim përulësinë.” Atëherë kuptova pjesërisht misterin e kësaj udhe. Si artist, më kishte ndodhur, në të kaluarën, të kisha një ndjenjë triumfi, fitoreje, kur kisha “kuptuar” atë që kërkoja; kisha arritur pothuajse të jepja bukurinë që zbulohej para meje. Por ky entuziazëm nuk zgjati shumë; përsëri, vuaja tej mase kur shikoja fajet e mia. E njëjta gjë ndodh, madje edhe më shumë, me Perëndinë: Ai nuk na lë në prehje. Për një çast të shkurtër na ngushëllon shpirtin, prek me zjarrin e Tij zemrën, e kënaq mendjen deri në vizionin e lavdisë së Tij; pastaj, sërish fshihet, që të mos mendojmë që arritëm ta njohim plotësisht. Shorti ynë mbi tokë është të jemi “të varfër në frymë”. Sapo e lëmë veten të shkojë në prehjen e gënjeshtërt, që sjell pëlqimi i vetes, menjëherë Fryma e jetës që buron nga Ati, na braktis.

Duke përjetuar këto luhatje, kuptova strukturën e “porosive” të Lumërimeve: në thelb të çdo përparimi shpirtëror ndodhet ndjenja brengosëse e “varfërisë sonë”. Kjo vetëdije është burim energjie për lutjen dhe, njëkohësisht, hedh themelet e forta mbi të cilat do të ngrihet ndërtesa e shpëtimit tonë, deri në majën e saj. Pas kësaj, do marrim “një shpërblim të madh në qiej” (shih Matth. 5.3,12).

Po e nënvizoj përsëri këtë: Rrënja e çdo të keqeje është krenaria. Në të është vdekja dhe errësira. Papasionshmëria e shenjtë - apathia - shoqëron përulësinë, e cila e ul njeriun në atë pikë sa të ndihet “më poshtë nga çdo krijesë”, por e lartëson në mënyrë të pashpjegueshme mbi tërë krijimin.

Në jetën sipas Perëndisë, asketi i krishterë nuk duhet të krahasohet as me poetë, as me shkrimtarë, as me psikologë, as me filozofë apo dijetarë. Në rrugëtimin e tij drejt Perëndisë, ai ecën përpara, pa u kthyer te vetja. Ajo që asketi jeton realisht gjatë lutjes, lë në qenien e tij një gjurmë të pashlyeshme, por pas një farë kohe do ta vërejë këtë, kur vëmendja e shpirtit të tij do të ndalet tek e kaluara. Në fillim të asketizmit aspirata për Perëndinë arrin një forcë të tillë, sa i shtrirë në ngazëllimin e tij drejt të Shumëlartit, shpirti i njeriut kthehet vetëm drejt Tij. Duke e parë veten pashprehimisht larg nga e Vërteta që kërkon, shpirti që pendohet bëhet tërësisht si një plagë e dhimbshme. I përgjërohet Zotit - se e do me dashurinë e parë - t’i dëshmojë mëshirën dhe pëlqimin e Tij. Ndjenja e mëkatit, i cili ka shkatërruar qenien tonë, hyjformon, ngjall keqardhje të papërshkrueshme për gjendjen në të cilën kemi qenë për kaq kohë dhe që na bëri totalisht të padenjë për të Shenjtin e të shenjtëve. A mund të më presë ky Zot mua që jam krejt i korruptuar? Në një farë mënyrë, shpirti gjendet si përpara Gjykimit të fundit. Megjithatë, sa më dërrmuese të jetë frika e vendimit, aq më e dendur do të jetë lutja e pendimit. Në orët kur nuk jemi trupërisht të pranishëm para Perëndisë, por jepemi në preokupimet e së përditshmes, gatishmëria themelore e shpirtit tonë nuk ndryshon: me të gjitha fuqitë shpirti priret drejt Perëndisë.

Në vitin tim të pestë të jetës murgërore, igumeni i manastirit të Shën Pandeleimonit, arkimandrit Misaeli, më thirri një ditë në zyrën e tij dhe më caktoi si detyrë të mësoja greqisht, sepse manastiri kishte nevojë për murgj që dinin gjuhën e vendit, e cila ishte po aq e nevojshme në raportet me botën jashtë, sa edhe kishtare e civile. Bëra përkuljen e zakonshme për të marrë bekimin e tij para detyrës që më priste. Sa arrita në derën e kabinetit të tij të punës, më ndaloi dhe më tha: “Atë Sofroni, Perëndia nuk gjykon dy herë. Nëse bëni këtë që ju them nga bindja, unë do të përgjigjem para Perëndisë. Ndërsa ju, qëndroni në paqe”. Ai fliste me kokën ulur mbi kraharor, siç ndodh zakonisht kur lutemi; në zërin e tij reflektohej serioziteti që i jepte fjalës së tij. Që andej, u ktheva në bibliotekë për të kërkuar librat e nevojshëm për të studiuar greqisht, pastaj u ktheva në qelinë time. Duke hapur gramatikën e dialektit të Atikës, e përqendroja vëmendjen spontanisht tek ato që lexoja. Dhe ç’ndodhi? E ndieja fizikisht se si mendja e linte zemrën për t’u ngjitur deri në pjesën ballore të kokës dhe ndiqte lëvizjen e saj drejt librit. Po atë çast, m’u duk qartë se mendja qëndronte natë e ditë në zemër, pa mundur të dalë prej saj gjatë shtatë viteve të lutjes së pendimit. Kujtoja fjalën e igumenit, dhe brenda vetes isha i qetë. E mundja dobësinë fizike - ndonëse më kishte minuar malaria - që të studioja përditë greqisht, sa të ishte e mundur. Më kujtohet një ditë tek bëja ushtrimet e mia dhe ndihesha i këputur, më erdhi ky mendim: “Nëse dëgjoj tani thirrjen e Gjykimit, ç’do të ndodhë me mua?” Thellë në veten time isha i qetë: “Do të ngrihem dhe në paqe do të dal para Gjykimit të Perëndisë.” E përmend tani këtë reagim, sepse nuk ngjante aspak me mënyrën se si e prezantoja zakonisht shfaqjen time para Gjykimit, d.m.th. me frikë të madhe. Kështu, falë lutjes së igumenit, m’u dha të përjetoja një paqe të tillë. Detyra e re më kishte privuar nga mundësia për t’u lutur si më parë, por në formë qetësie, deri atëherë e panjohur, hiri nuk m’u nda gjatë atyre muajve kur përpiqesha të zotëroja gjuhën greke. Pra Perëndia, nuk më braktisi; as zemra ime nuk u nda prej Tij.

Muajt e studimit kaluan. Në mirësinë e Tij Zoti më dha përsëri lutjen “dëshpëruese” për pendim. Që të lindim më Perëndinë, nevojitet të na pushtojë frika kur shikojmë veten si jemi, neveria për pasionin e turpshëm dhe të ndyrë të krenarisë që jeton tek ne dhe që na kushtoi dëbimin fatkeq nga Mbretëria e Atit të dritave. Shërohemi nga ky pasion duke ndjekur urdhërimin e Krishtit: duaj Perëndinë deri në urrejtjen e vetes (shih Lluk. 14.26). Ky aspekt i jetës shpirtërore të të krishterit është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e di se s’do mundem kurrë ta shteroj.

E quajta dëshpërimin që më shtypte “një dhuratë që lartazi”. Por kjo ndodhi pas 30 vjetësh luftë - ndoshta edhe më shumë - që u ndërgjegjësova për këtë. Nuk kërkoja ndihmën e njerëzve, sepse isha si gjethe e fishkur e marrë nga era, që më bënte të sillesha vërdallë pa më siguruar çelësin e asaj që po më ndodhte. Nuk kuptoja asgjë; s’mund të pyesja askënd, duke mos ditur as se si ta formuloja pyetjen time. Qenia kozmike zbulohej si uragan në mendjen time, me një shpejtësi të tillë sa arsyeja s’mund të fiksohej në asgjë. Kjo i ngjante marrëzisë, por një marrëzie të një natyre të veçantë, për të cilën nuk përgjigjej psikiatria. Procesi i largimit tim nga bota kishte filluar. Diçka ishte ndërfutur mes meje dhe të tjerëve; kisha humbur çdo interes për të komunikuar dhe pak nga pak, gjithçka që më lidhte me ta u zhduk. Bota e artit - piktura, muzika, poezia, letërsia, teatri, etj., - gjithçka që më parë kishte qenë përmbajtja kryesore dhe kuptimi i ekzistencës sime u zbeh dhe nisi të më shfaqej më pak e rëndësishme, madje si argëtim fëmijëror. Por s’ishte e thjeshtë. Në vitet e para, isha shpesh në agoni, i ndarë mes dy qendrash interesi: pasioni i pikturës dhe lutja. Vazhdoi kështu derisa lutja triumfoi mbi çdo aktivitet tjetër në këtë botë. Që atëherë, vetëm një punë llogarisja: të gjeja Perëndinë e vërtetë, d.m.th. Krijuesin e çdo qenieje, dhe të jetoja përjetësisht me Të.

A nuk është çmenduri për një njeri si unë të ushqejë të tillë guxim? Me Perëndinë nuk është aspak e lehtë dhe e thjeshtë. Është tejet i madh për ne. Ai është “zjarr që përpin”, Dritë e paarritshme. Erdhi të hedhë mbi tokë zjarrin e Tij që djeg zemrat tona. Veç kësaj, edhe unë jam vepër e duarve të Tij. Ai e veshi mishin tonë me qëllim që falë kësaj mbulese, të mund t’i mbajmë shikimet tona mbi Të. Prej këtej vjen një shpresë përtej çdo dëshpërimi. “Kini zemër!”, tha ai (shih Jn. 16.33). Mendoj se shfaqja e këtij zjarri përbrenda nesh shënon ardhjen e frymës së përjetësisë hyjnore tek ne. Po për këtë temë është thënë: “Sepse asgjë s’është e pamundur për Perëndinë. [...] Po, lum ajo që besoi, se do të përmbushen tek ajo ç’janë folur prej Zotit” (Lluk. 1.37-45).

Pasi njoha te vetja ndryshueshmërinë e natyrës njerëzore, jetoj pa pushim me frikë. Kjo frikë quhet “frikë Perëndie”, dhe nuk ngjan me frikën shtazore. Ajo përfshin urtësi dhe njohje, dashuri dhe fuqi. Por takimi me Perëndinë - që ne nuk jemi në gjendje ta mbajmë dhe që nuk ka se si të mos e duam - na bën të ndërgjegjësohemi se jemi, pa e përshkruar dot, larg asaj që ndodhet para nesh si qëllimi i shenjtë dhe kuptimi i gjithë qenies sonë.

Pas Darkës Mistike, Petroja deklaroi me forcë: “Edhe në u skandalizofshin të gjithë për ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë.” E dimë të gjithë se ç’ndodhi menjëherë pas këtij rrëfimi: “Edhe Petros i ra ndër mend fjala e Jisuit që i pati thënë se para se të këndojë këndesi, tri herë do të më mohosh; dhe doli jashtë dhe qau hidhur” (Matth. 26.33-75).

Është shkruar: “Frikë nuk ka në dashuri. [...] Ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri” (I Jn. 4.18). E di se nuk kam arritur në dashurinë e përsosur, por kjo nuk e përjashton faktin që edhe unë gjithashtu, e dua Perëndinë. Dhe pikërisht, kjo dashuri më ngjall frikën se mos gjendem i padenjë për një përgjigje të Perëndisë. Dhe kockat më dërrmohen kur shikoj brenda vetes qoftë edhe hezitimet më të vogla. Kur isha në Athos, s’mbaj mend asnjëherë t’i jetë afruar mendjes apo zemrës sime dyshimi. Sidoqoftë, kur u ktheva në Evropë, duke pasur kontakt me njerëz që kishin frymë tjetër, ndieja energjinë që dilte prej tyre. E ngjashme me një erë të akullt, kjo energji ma shtrëngonte zemrën pa më pëlqyer dhe ma turbullonte disi mendjen. E huaj për frymën e Krishtit, ajo më prishte për një çast paqen e brendshme dhe më provokonte në shpirt një farë konflikti. Mirëpo, ajo që kisha njohur në shkretëtirë nga dhuntia që mora që lartazi në lutjen e dashurisë, triumfoi mbi ndikimet negative të rastësishme: “Sepse ligji i Shpirtit të jetës në Jisu Krishtin më çliroi edhe mua” (shih Rom. 8.2) prej pushtetit të frymës së kësaj bote.

Petroja u ngrit përsëri, po unë, a mund të jem i sigurt për veten? Për sa kohë që zemra ndien praninë e Perëndisë, jemi në paqe dhe në gëzim falë dashurisë sonë për Të. Por kur Ai tërhiqet dhe nuk e ndiej më të veprojë tek unë, vetëdija për dobësinë time më hidhëron përsëri dhe më bën të vuaj. Në një masë apo në një tjetër, asketizmi i kryqit më shoqëron deri në pleqëri. Më duket se kam njohur “masën” e njeriut, dhe kjo njohje më lejon të ndihem i lirë gjatë takimeve të mia me këdo. Por në të kaluarën, kam takuar edhe forca të tjera, shumë më tepër të fuqishme në krahasim me vogëlsinë time. Në këto momente terrorizuese, kam shpëtuar me Emrin e Jisu Krishtit. Lutem të jetë kështu për mua deri në fund, përjetësisht.

Në orët kur Perëndia na “braktis” nga Providenca e Tij, një lutje e zjarrtë buron nga ne; i rrëmbyer prej saj, shpirti njeh me gëzim afërsinë e tij me Krishtin; ngjashmëria me Të rritet. Zoti na krijoi sipas ikonës së Tij; prandaj bëhemi zotër në Të. Të fuqizuar nga fuqia e tij, shikojmë të keqen në tërë format e saj në botë, por kjo e keqe e humb pushtetin e saj tek ne. Këtu konsiston “të qenët zot”, i domosdoshëm për të hyrë në “Mbretërinë e palëkundur”.

“Edhe një herë, do të tund jo vetëm tokën, por edhe qiellin. Kjo “edhe një herë” tregon se gjërat e lëkundshme do të ndryshojnë, përderisa këto janë realitete të krijuara, që të rrojnë ato që janë të palëkundshme” (Hebr. 12.26-27). Nuk e dimë se cilës provë përfundimtare do t’i nënshtrohet krijimi. Një frikë e përulur na nevojitet për sa kohë nuk i kemi kapërcyer pragjet e kësaj bote të krijuar dhe që nuk jemi mbushur me jetën e pakrijuar që rrjedh nga Perëndia.

Kisha mëson se Jisu Krishti mori mbi vete mëkatet e gjithë botës. Ai që i lutet Krishtit “ballë për ballë”, në frymë, merr prej Tij “mendimet dhe ndjenjat” (shih Fil. 2.5) që janë në të. Dhe jo vetëm mendimet dhe ndjenjat, por edhe lutjen, si lutjen e Tij në Gjethsemani. Kjo është ajo që ne e quajmë “lutje hipostatike”.

Kushdo që lutet në këtë mënyrë hyn në planin e jetës hyjnore. Kështu ndodh para se vetë lutja të ketë arritur forcën e saj të plotë, para se të ketë mbërritur në një thellësi ku shoqërohet me lotët që derdhim për veten, ndoshta edhe lot më të hidhur. Shën Siluani shkruante se lutej për ata që ishin të ndarë nga Perëndia më me fuqi se për veten.

Krishti Perëndi është i pafund në fuqinë e Tij; Fryma e Tij mbush tërë humnerat. Gjithashtu, nuk mund ta arrijmë Atë në “zbrazjen” e Vet. Kur qëndrojmë para Perëndisë në heshtje, të zhveshur nga çdo imazh, në një lakuriqësi radikale të tërësisë së qenies sonë, na zbulohen edhe ne thellësitë e natyrës sonë. Një për- qendrim ekstrem - një mbledhje e gjithçkaje që është brenda nesh, të asaj që përbën personalitetin tonë - na lejon të shikojmë që, në burimin dhe natyrën e saj, qenia e mbarë njerëzimit është një qenie e vetme, përbën një Njeri të vetëm. Prej këtej vjen edhe prirja “e natyrshme” e shpirtit tonë për t’u lutur për tërë njerëzit, për Adamin e tërë, si për veten tonë. Prej këtej vjen gjithashtu edhe kuptimi i fjalëve të Krishtit: “Që të gjithë të jenë një si ne jemi një” (shih Jn. 17.21-23).

Në lutjen e pendimit për mëkatet tona, mësojmë të jetojmë brenda nesh tragjedinë e tërë njerëzimit. Në qoftë se mangësitë e mia të shumta, në çdo moment, më bëjnë të vuaj kaq shumë me tërë qenien time, nëse mbrapa gjithë rënieve të mia fshihet rënia fillestare e të parëve tanë - rënie që e shkëput mbarë njerëzimin nga Perëndia dhe Ati - është e natyrshme që ekzistencialisht të njoh në vuajtjet e mia personale vuajtjet e tërë njerëzve. Por mund të ndodhë dhe e kundërta: të shikoj në gëzimet e mia ato të mbarë rruzullit. Kështu mëson i krishteri të vuajë bashkë me ata që vuajnë, të gëzohet me ata që gëzohen.

Në qoftë se në esencën e tij të thellë, mëkati është përherë një krim kundër dashurisë së Atit, dashuria e thyer mund të restaurohet krejtësisht vetëm me pendim të plotë. Vetëm një pendim i kësaj natyre mund të na zbulojë, nëse është e mundur dhe plotësisht, se ç’do të thotë kjo shkelje kur e zhvendosim në planin e përjetësisë.

Atë i mirë, shëromë, se jam një i lebrosur. Ripërtërimë, se jam prishur nga mëkati. Atë i shenjtë, shenjtëromë mua të tërë: mendjen, zemrën dhe trupin tim. Mëkatova përpara teje, dhe tani po vdes i ndarë nga ti. Pranomë sipas madhështisë dhe dhembshurisë, dhe mëshirës sate.

Lutesha pa krijuar asnjë imazh mendor apo vizual. Shpirti im u nda nga gjithçka kalimtare për t’u përqendruar me të gjitha forcat te Perëndia im i vetëm. Në mënyrë të pashpjegueshme, kjo mungesë e plotë e formave vizuale ose e koncepteve abstrakte - sikur të kishte pushuar gjithçka tek unë, ndonëse isha plot gjallëri dhe energji - shndërrohej pak nga pak në njohje të qenies, kur kthehesha në gjendjen time normale të perceptimit.

Në vetë atë, vizioni është pa dimension, si jashtë hapësirës; gjithçka ishte e përqendruar atje, si në majën e një gjilpëre me kokë. Por nëse do përpiqeshim ta shprehnim me fjalë njohjen e perceptuar në ato mo mente, gjendemi përballë një hapësire po aq të gjerë sa oqeani. Do përpiqem sadopak të formuloj shkurtimisht disa mendime në lidhje me këtë.

Çdo krijesë e pajisur me arsye lëkundet mes dy ekstremeve: dashuria për Perëndinë në pikën e urrejtjes së vetes, dashuria për veten në pikën e urrejtjes së Perëndisë. Të urresh Perëndinë, do të thotë të shkëputesh, të largohesh prej Tij. Kjo “urrejtje” nuk lidhet me çdo kusht me një emocion të zemrës, megjithëse edhe kjo mund të ndodhë. Urrejtja mund të jetë një vendim i ftohtë i mendjes - i mendjes “së ndriçuar”, siç do të thoshin disa për të cilët realiteti mbetet i fshehur dhe për të cilët “drita” natyrshëm mund të evoluojë deri në shkallën ku jeta mungon.

Mes këtyre dy poleve, ekzistojnë gjendje të ndëmjetme. Në mes, gjejmë masën më të madhe të shpirtrave inertë, të cilët nuk kanë njohje të qartë të ekzistencës së tyre, dhe as një orientim të përcaktuar. Por sa më shumë i afrohemi limiteve, aq më shumë vrulli i shpirtit bëhet dinamik dhe më tepër shtyhemi të bëjmë një zgjidhje përfundimtare. Secili do të zgjedhë atë që do më shumë.

T’u afrohesh, në mendje, kufijve të fundit nuk do të thotë ende të kapërcesh pragun e së përkohshmes për të hyrë në territorin e Qenies së përjetshme. Ashtu si eksperienca shekullore e asketëve edhe Zbulesa afirmojnë se fryma e krijuar mund të mohojë qëllimin në të cilin tashmë ka arritur, pastaj si një vetëtimë (shih Lluk. 10.18), të kapërcejë humnerën dhe të ngulet në bregun e kundërt.

Individë të izoluar, si dhe shumica të tjera të mëdha, mund të refuzojnë Qenien e vetme të vërtetë, UNË JAM AI QË JAM (Eks. 3.14).

Në planin shpirtëror, Perëndia nuk ka fiksuar kufij për të gjithë - “Gjithçka më lejohet...” - por ne nuk duhet ta lejojmë veten të sundohet prej ndonjë gjëje (shih I Kor. 6.12). Nëse njeriu nuk do pajisej më këtë liri, nuk bëhet fjalë për hyjnizim. I krijuar sipas ikonës së të Shumëlartit, njeriu nuk mund t’i nënshtrohet asnjë determinizmi kur bëhet fjalë për vetëpërcaktimin më të lartë shpirtëror për përjetësinë. Perëndia na zbulohet si Dritë dhe “në Të s’ka aspak errësirë” (I Jn. 1.5). E tregoi vetë se na do “deri në fund” (Jn. 13.1). Por nuk na imponohet. Varet nga ne nëse e pranojmë ose e hedhim dhuratën e Tij të dashurisë, jo vetëm për sa kohë jemi ende në këtë jetë, por dhe më në veçanti, në përjetësi. Jemi thirrur në jetën e përjetshme, në Mbretërinë e Atit tonë që është në qiej. Por për qeniet e krijuara, të hysh në Mbretëri përfshin në mënyrë të paevitueshme vuajtje të mëdha. Shumë nuk e pranojnë dhuratën e dashurisë së Atit, pikërisht sepse asimilimi i saj kërkon përpjekje ekstreme. Sa herë kam thënë me vete: “Oh, jo! Nëse ka këtë çmim, nuk e dua këtë dhuratë!” Por të fuqishme janë “duart e Perëndisë së gjallë” dhe “është gjë e frikshme të biesh në to” (shih Hebr. 10.31). Ai vuri vulën e Tij në zemrën time dhe dashuria ime për Të ishte më e fuqishme se vdekja. Mjaftonte vetëm për një çast kur ëndërroja të ndahesha prej Tij, që të gjendesha i zhytur në errësirat e dendura. E shikoja se po të largohesha prej Tij do të qe vdekje (shih Jn. 6. 68). Jeta shpalosej vetëm përpara, në luftë trup me trup. Shën Siluani më shpjegoi se ata që vuajnë nga krenaria duhet të bëjnë një betejë të ashpër. Megjithatë, dhimbjet e përpjekjes më treguan se, të pranoja vullnetarisht luftën, do të thoshte se isha i lirë. Vetë vuajtjet ishin sprovë e mjaftueshme e lirisë sonë si qenie të arsyeshme që jemi. U bë plotësisht e qartë për mua se Mbretëria s’mund të pushtohej veçse “me dhunë” (shih Matth. 11.12) dhe se unë duhet të ecja në udhën që e bën njeriun të ngjashëm me Krishtin, i cili është “Udha” (Jn. 14.6).

“Jisui i thotë: Kaq kohë jam bashkë me ju dhe s’më ke njohur, o Filip?” (Jn. 14.9). Maria Magdalena “u kthye prapa dhe vë re Jisuin duke ndenjur, dhe nuk e dinte se është Jisui. Jisui i tha asaj: Grua, pse qan? Cilin kërkon? Po ajo duke pandehur se është kopshtari, i thotë: Zot, në e ngrite ti, thuamë ku e ke vënë, dhe unë do ta ngre atë. Jisui i thotë asaj: Maria! Ajo kthehet e i thotë: Rabuni! Që do me thënë Mësues” (Jn. 20.14-16). Në rrugën për në Emaus, Llukai dhe Kleopa nuk e njohën Jisuin tek ai që iu afrua; vetëm kur “Ai theu bukën” dhe ua dha, “sytë e tyre u hapën dhe e njohën (Lluk. 24.31). Diçka e ngjashme mund të na ndodhë edhe ne: Ai do të na afrohet, do të flasë me ne, por ne s’do ta njohim Atë, Perëndinë tonë të madh - i madh, por i butë dhe i përulur pa masë. Dhe kur të vijë çasti që ta njohim, shpirti ynë do ta dojë dhe frymëzimi që lind nga kjo njohje do të na mbushë me lumturi dhe ky frymëzim nuk do të na lërë kurrë. Mund të kalojmë përmes sprovave të shumëllojshme dhe gjendjesh të dhimbshme, por ky frymëzim i mrekullueshëm do të jetë përgjithmonë me ne: herë si paqe e ëmbël, herë si flakë e zjarrtë, herë si baticë mendimesh të shndritshme, herë si lot gëzimi gjatë lutjes, dhe si shumë gjëra të tjera të ngjashme. Në botë, s’ekziston ndonjë gjë e këtillë, përveç asaj që buron prej Vetë Atij.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com