Një nga aspektet themelore të jetës shpirtërore të besimtarëve është kishërimi ose e thënë ndryshe “pjesëmarrja në mbledhjen adhuruese”. Me anë të adhurimit njeriu shfaq besimin e tij dhe hyn në marrëdhënie dhe komunikim me Perëndinë. Adhurimi është manifestimi, me fjalë dhe me vepra, i shpresëtarisë që ndien njeriu ndaj Hyjnores, jo vetëm si individ, por dhe si komunitet fetar. Adhurimi është zëri i bashkuar i komunitetit fetar, që dëshiron me një ngritje shpirtërore të komunikojë me Krijuesin e tij.

    Që nga Veprat e Apostujve e në vazhdim të Dhiatës së Re flitet shumë për mbledhjet adhuruese, pra, për kishërimin e të krishterëve të parë dhe të komuniteteve të para. Aty thuhet se të krishterët mblidhen së bashku në një vend dhe në një orë të caktuar që të kryejnë mbledhjen e popullit të Perëndisë, d.m.th. Kishën.

 

Shndërrimi i mbledhjes së besimtarëve në mbledhje adhuruese

    Prania e priftit si meshtar i të Lartit Perëndi, e shndërron mbledhjen e thjeshtë në mbledhje adhuruese. Pa priftin, grumbullimi i besimtarëve është një grumbullim i thjeshtë fetar, si ato që bëhen nëpër salla të ndryshme. Prifti, me funksionin e tij liturgjik hyjnor, i jep mbledhjes së besimtarëve kuptim dhe dimension të ri. E bën mbledhjen “diçka tjetër”, që nuk është më “prej kësaj bote”, por një pjesë të mbretërisë së Perëndisë: “E bekuar është mbretëria e Atit edhe e Birit edhe e Shpirtit të Shenjtë”. Në këtë mënyrë, komuniteti fetar shndërrohet në komunitet liturgjik.

    Liturgji, sipas teologut të shquar rus Aleksandër Shmeman, do të thotë veprimtari e përbashkët, me anë të së cilës një “grup njerëzish” bëhet bashkërisht diçka që nuk ishte më parë si individë të thjeshtë. Bëhet diçka shumë më e madhe dhe më e fuqishme nga ç’është grumbullimi veç e veç i individëve. Bëhet më e madhe, sepse prania e Perëndisë mes besimtarëve - “Sepse ku të jenë dy a tre veta të mbledhur në emrin tim, atje do të jem edhe unë” (Mattheu 18:20) - e ndryshon, e transformon dhe e lartëson mbledhjen e besimtarëve. Fuqia, shenjtëria dhe frytshmëria e mbledhjes nuk varet se çfarë individësh janë besimtarët - me të mirat dhe të këqijat e tyre - por nga fuqia dhe shenjtëria e Zotit me praninë e Tij. Ai jep vetë Trupin dhe Gjakun e Tij, që të ushqejë dhe t’i japë jetë qenies shpirtërore të besimtarëve.

    Ky është dimensioni real i mbledhjes adhuruese. Pa këtë mbledhje, Kisha nuk ekziston. Vazhdimisht, që nga fillimi e deri më sot, e gjejmë Kishën të grumbulluar gjithnjë rreth Tryezës së Zotit, rreth Kungatës Hyjnore.

 

Kuptimi i thellë i mbledhjes adhuruese, kishërimit

    Kur njeriu thotë se shkon në kishë, nuk do të thotë se shkon thjesht të lutet dhe të plotësojë nevojat fetare individuale, por ai shkon të bashkohet me besimtarët e tjerë dhe të gjithë së bashku të formojnë Kishën, popullin e ri të Perëndisë; të tregojnë se janë bij të Perëndisë, të shpëtuar e të çlirët; të pohojnë besimin e tyre dhe të deklarojnë bindjen dhe besnikërinë ndaj udhëheqësit të vërtetë të jetës së tyre, Zotit Jisu Krisht, që është i pranishëm në çdo mbledhje të besimtarëve.

    Kjo prani e Zotit mes besimtarëve, si mundësi i vdekjes, deklaron se ata që janë të pranishëm i përkasin Atij dhe janë të çliruar nga tirania e djallit. Kështu shfaqet fuqia e madhe e Kishës, që e merr prej pranisë së Zotit, i Cili me hirin e Tij i shndërron besimtarët e mbledhur në “diçka tjetër”.

    Jashtë mbledhjes adhuruese jemi persona fizikë, disa të varfër, disa të pasur, disa me poste drejtuese, disa qytetarë të thjeshtë. Por, që nga momenti që vijmë në tempullin tonë, pra në kishë, për mbledhjen tonë adhuruese, bëhemi të gjithë “diçka tjetër”, një komunitet i ri. Përpara misterit të Trupit dhe Gjakut të Zotit, hapen sytë e shpirtit tonë dhe shohim vetveten, të tjerët, gjithçka, të transformuar në Krisht dhe nëpërmjet Krishtit.

    Jashtë misterit sytë e shpirtit tonë janë të mbyllur, ashtu siç u ishin mbyllur edhe dy nxënësve, që pas Ngjalljes shkonin për në Emaus. Dhe ndonëse “Jisui iu afrua dhe ecte bashkë me ta”, ata nuk e njohën, por vetëm atëherë kur “mori bukën, e bekoi dhe e theu, dhe ua ndau atyre” dhe atëherë “u hapën sytë e tyre dhe e njohën” (Lluka 24:13-35). Kështu edhe sytë tanë, brenda mbledhjes hapen dhe shohin çfarë bëri Krishti për ne dhe për shpëtimin tonë.

    Shohim gjithashtu, se të gjithë jemi “vëllezër më Krishtin” dhe përbëjmë popullin e ri të Perëndisë. Prandaj edhe mbledhja jonë adhuruese është gjithnjë një mbledhje e gëzueshme, ku të gjithë besimtarët shkojnë të takojnë Jisuin dhe të hyjnë së bashku me Të në mbretërinë e Perëndisë.

    Pajtimi i njeriut me Perëndinë, bashkimi i tij me Zotin, nuk është çështje personale; nuk është diçka që bëhet “veçmas” dhe “sipas dëshirës”. Ai është fryt i hyrjes dhe pjesëmarrjes së besimtarit në jetën e trupit kishtar. Askush nuk mundet ta njohë saktë Krishtin dhe të vërtetën e Tij që na shpëton, nëse nuk merr pjesë në adhurimin kishtar.

    Sigurisht, që me studimin e Shkrimit të Shenjtë dhe me lutjen personale secili mund të marrë njohuri për Zotin Jisu dhe të vërtetën që na zbuloi Ai, si edhe të mësojë shumë për jetën dhe veprën e Tij publike etj. Por, pa pjesëmarrjen e gjallë në mbledhjen adhuruese, të gjitha këto mbeten në kuadrin e një njohurie të thjeshtë.

    Që dikush të njohë Jisuin, që ta jetojë dhe mbi të gjitha të bashkohet me Të, duhet të marrë pjesë me vetëdije në adhurimin hyjnor; duhet të vijë atje ku janë mbledhur nxënësit, pra Kisha, ndërmjet të cilëve ndodhet Zoti “të gjitha ditët” (ku vetë Ai kryen misteret, shenjtëron besimtarët dhe i drejton në “kungimin dhe bashkimin me Perëndinë”).

 

Rëndësia e dëshirës për mbledhje adhuruese

    Nëse nuk ndihemi kështu në kishërim, në mbledhjen adhuruese, kjo vjen sepse nuk nisemi me këtë dëshirë. Nuk arrin dot diku nëse nuk vendos të nisesh për atje. Dhe fatkeqësisht, meqenëse nuk nisemi me këtë dëshirë, edhe kur jemi brenda kishës, është sikur të jetojmë brenda botës. Kështu në vend të shndërrojmë botën në kishë, shndërrojmë kishën në botë.

    Në përputhje me mësimdhënien orthodhokse, vajtja jonë për në kishë është një ecuri që na veçon nga kjo botë dhe na drejton në një jetë ndryshe, në jetën me Perëndinë. Prandaj edhe pjesëmarrja jonë në adhurim fillon që nga çasti që vendosim të shkojmë në kishë.

    Me vendimin tonë për të shkuar në kishë që të adhurojmë Perëndinë - thotë teologu Shmeman - kryhet brenda nesh një vepër e mistershme, që është kusht për atë që do të vijë më pas. Tashmë jemi “duke shkuar” për formimin e Kishës ose më mirë “duke shkuar” për transformimin tonë në Kishë.

    Për këtë arsye edhe Kisha i konsideron të pranishëm të gjithë ata që kanë brenda tyre këtë dëshirë, edhe nëse për arsye të ndryshme nuk mundën të jenë të pranishëm edhe trupërisht. Ajo i konsideron kaq të pranishëm, saqë me priftin u dërgon Kungimin e Shenjtë kudo që të ndodhen. Përkundrazi, kur nuk kemi marrë këtë vendim, kur mendja dhe zemra mbeten në “botë”, jashtë mbledhjes, atëherë nuk jemi në kishë edhe nëse gjendemi trupërisht brenda saj.

    Edhe nëse nuk kemi dëshirën për lutje dhe për të shkuar në mbledhjen adhuruese, duhet të përpiqemi, të kujtojmë dhe të ushtrojmë veten tonë, sepse dëshira vjen. Përndryshe rrezikojmë të mos kemi kurrë dëshirën dhe frymëzimin e duhur. Dëshira është edhe fryt i ushtrimit, i përpjekjes dhe i detyrimit të vetvetes.

    Kështu pra, kur nisemi për në kishë, duhet të kemi parasysh se nuk shkojmë thjesht të dëgjojmë apo të ndjekim diçka, por po shkojmë të gjithë së bashku që të bëjmë diçka. Liturgjia Hyjnore nuk është thjesht një shfaqje ose një dëgjim publik. Besimtarët nuk janë spektatorë apo dëgjues. Për vetë natyrën që kanë adhurimi hyjnor dhe veçanërisht Liturgjia Hyjnore nuk njeh spektatorë dhe dëgjues.

   Gjithë besimtarët luten së bashku dhe bëhen pjesëtarë në therore me meshtar-priftin. Populli nuk është figurant. Bashkëpunon edhe ai. Nëse populli nuk thotë “Amin”, nëse nuk i përgjigjet priftit, si do të kryhet Liturgjia Hyjnore? Prandaj besimtarët marrin pjesë herë ulur, herë në këmbë, herë me kokë të përkulur, herë të gjunjëzuar, dhe duke kënduar së bashku himnet i japin gjallëri të madhe adhurimit. Përpiqen pra, të shprehin pjesëmarrjen e tyre me çdo mënyrë dhe ta bëjnë sa më shpirtërore.

    Disa mendojnë gabimisht se Liturgjia Hyjnore është “punë e priftit dhe e psaltit”. Jo! Ajo është edhe çështja jonë. Ajo është për ne; dhe pa ne është e paqenë.

 

Domosdoshmëria e pjesëmarrjes personale

në mbledhjen adhuruese

    Pjesëmarrja e të gjithëve në adhurimin hyjnor është mjaft e nevojshme dhe ka rëndësi të madhe, sidomos kur kryhet me ndërgjegje dhe me lavdërim shpirtëror. Pjesëmarrja jonë në adhurim nuk është një detyrë formale, por privilegji më i madh i njeriut, i cili është i vetmi që mund të lavdërojë e adhurojë Perëndinë në botë.

    Adhurimi na sjell dobi të madhe unike. Perëndia nuk ka nevojë për asgjë, ne kemi nevojë. Shprehja e shpresëtarisë sonë adhuruese bëhet e pranueshme prej Perëndisë, sepse njeriu me këtë mënyrë ndërpret robërimin e tij nga bota materiale, bashkon zërin e tij me zërat e engjëjve, duke arritur deri te Krijuesi dhe kështu hap shpirtin e tij të pranojë dhuratat e mëdha prej këtij komunikimi shpirtëror. Pra, është njeriu që ndriçohet dhe nderohet kur merr pjesë në adhurim, dhe jo Perëndia.

    Që ta shijojë njeriu këtë nder dhe lavdi të madhe, duhet të marrë pjesë personalisht në adhurim. Nuk është e mundur të marrë pjesë me anë të një personi tjetër, d.m.th. të çojë dikë tjetër në vend të tij. Pjesëmarrja e gjithsecilit prej nesh në mbledhjen adhuruese ngjan me vaksinimin. Ashtu siç nuk ka efekt nëse dikush tjetër vaksinohet në vendin tonë, në të njëjtën mënyrë nuk mund të trupëzohet dikush tjetër në Trupin shpirtëror të Krishtit për llogarinë tonë. Duhet pjesëmarrja personale e gjithsecilit.

    Adhurimi ynë është një vepër liturgjike e të gjithë trupit të Kishës. Ne besimtarët që shkojmë në kishë çdo të diel, duhet të ndërgjegjësohemi se jemi anëtarë të një shoqërie të “re”. Shkojmë në kishë që ta bëjmë të dukshme Kishën e Krishtit (komunitetin në Krisht) dhe jo për të plotësuar nevojat tona personale adhuruese ose, më keq akoma, të “nderojmë” Kishën (pra, për opinion, zakon, premtim, dëshirë).

    Shpëtimi dhe shenjtërimi i njeriut që kryhet brenda Kishës nuk kryhet “veç”, si individ, por si gjymtyrë e Trupit të Krishtit, ku njeriu trupëzohet me misteret e Kishës. Nëse njeriu përpiqet të gjejë i vetëm Perëndinë, jashtë Kishës, jashtë komunitetit adhurues, ka shumë mundësi të mos gjejë Perëndinë, por djallin. Shkrimi i Shenjtë na thotë se djalli, për të mashtruar njeriun, shndërrohet në engjëll drite: “Edhe s’është për t’u çuditur; sepse vetë Satanai ndërron formën në engjëll drite. S’është pra punë e madhe, nëse edhe shërbëtorët e tij ndërrojnë formën në shërbëtorë drejtësie, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre” (2 Korinthianëve 11:14-15).

    Kështu pra, kemi nevojë për të tjerët, për besimtarë të ndriçuar, që jetuan brenda traditës dhe së vërtetës, në mënyrë që të shmangim kurthet e dinakut, por edhe rreziqet prej temperamentit dhe provave personale. Sigurisht, nuk kemi vetëm ne nevojë për të tjerët. Edhe të tjerët kanë nevojë për ne, sepse të gjithë jemi anëtarë të këtij Trupi të Krishtit. Prandaj Apostull Pavli këmbëngul dhe përsërit se njeriu i krishterë është njeriu “më Krisht”, që do të thotë gjymtyrë e Trupit të Krishtit, anëtar i Kishës së Krishtit.

    Jashtë Kishës, mbledhjes adhuruese, Ungjilli është i pakuptueshëm në brendësi të tij dhe si rrjedhojë nuk mund të interpretohet drejt. Prandaj dhe është i vendosur mbi Tryezën e Shenjtë. Sepse vetëm nga Kisha dhe “në Kishë” mund të interpretohet sipas mënyrës hyjnore. Kjo është edhe arsyeja që e bën Kishën Orthodhokse të ruajë, tashmë prej shekujsh, një unitet të mrekullueshëm në çështje besimi dhe parimesh.

 

Edhe fëmijët në mbledhjen adhuruese

    Në mbledhjen tonë adhuruese më Krishtin nuk duhet të mungojnë as fëmijët, të cilëve duhet t’u krijojmë kushte që të duan adhurimin, komunitetin, të familjarizohen e të kishërohen dhe të vazhdojnë kështu edhe kur të rriten.

    Atyre u nevojitet katekizëm intensiv, drejtim i saktë, shembull i shkëlqyer, në mënyrë që të pranojnë të gjithë rëndësinë dhe autoritetin e edukimit dhe me gatishmëri të marrin pjesë në kishërim, derisa të arrijnë në kuptimin e plotë, që të vijnë në kishë “vullnetarisht”, me besim dhe “frikë Perëndie”.

    “Ashtu si kaprolli ka dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi” (Psalmi 41:1).

 

________________________________________________________

Tekst i kalendarit të vogël 2009 i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com