“Do të bekoj Zotin në çdo kohë;
lavdërimi i Tij do të jetë gjithnjë në gojën time.” (Psalmi 33:1)

 

    Çfarë është lutja? Lutja është një dhoksologji, një lavdërim, një falënderim, një rrëfim dhe një ndërmjetim. Një teolog i madh i Krishterimit të hershëm ka shkruar: “Kur u luta, u ripërtëriva, por kur pushova së luturi, u plaka”. Lutja është rruga e rinimit dhe e jetës shpirtërore.

Lutje do të thotë të kesh marrëdhënie të gjallë me Perëndinë. Lutja është fuqi, rifreskim dhe gëzim. Nëpërmjet Hirit të Perëndisë dhe përpjekjeve tona të disiplinuara, lutja na ngre nga izolimi në një bashkim të dashur dhe të ndërgjegjshëm me Perëndinë ku çdo gjë jetohet nën një dritë të re.

    Lutja është themelore për jetën e krishterë. Vetë Jisu Krishti u lut dhe i mësoi njerëzit të luten, duke i thënë: “Ju, pra, lutuni kështu:

    “Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhé. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, por shpëtona nga i ligu” (Mattheu 6:9-13), (Lluka 11:2-4).

 

* * *

    Lutja disa herë është përkufizuar si një dialog me Perëndinë. Është një dialog qetësie, mbajtur në qetësinë e zemrave tona. Lutja është ngritja e mendjes dhe e zemrës te Perëndia, qëndrimi në praninë e Tij, vetëdija dhe kujtimi i pandërprerë i emrit, fuqisë dhe dashurisë së Tij. Ai që nuk i lutet Perëndisë, nuk mund të jetë pasues i Krishtit. Të gjitha virtytet dhe fuqitë e Perëndisë arrihen, kryesisht, nga lutja. Pa lutjen, nuk ka jetë shpirtërore.

    “Në qoftë se nuk lutemi me gjithë shpirt çdo ditë, shumë shpejt ne do të vdesim shpirtërisht” (Shën Joani në Kronshtad).

    Në Kishën Orthodhokse të gjitha lutjet janë Trinitare. Ne lutemi në Shpirtin e Shenjtë, me anë të Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë dhe në emrin e Tij te Perëndia Atë.

    Sipas Shën Vasilit të Madh lutja jonë duhet të ketë katër karakteristika: lavdërim, falënderim, rrëfim dhe kërkesa për shpëtimin tonë. Lutjet tona mund t’i drejtohen Perëndisë, jo vetëm për veten tonë, por edhe për të tjerët, madje edhe për ata që kanë vdekur, jeta e të cilëve mbi tokë ka mbaruar, si edhe për të gjithë botën që na rrethon.

    “Të bëhen lutje, falje, kërkesa, falënderime, për të gjithë njerëzit” (1 Timotheut 2:1).

 

* * *

    Lutje gjithashtu, i drejtojmë edhe shenjtorëve - jo në të njëjtën mënyrë siç i lutemi Personave të Trinisë së Shenjtë - por si ndihmuesve dhe ndërmjetësve tanë, si bashkanëtarëve të Kishës, të cilët tashmë janë lavdëruar me Perëndinë, në praninë e Tij hyjnore. Por mbi të gjithë shenjtorët është Maria, Hyjlindësja dhe Mbretëresha e Qiellit, udhëheqësja ndër ndërmjetësit e shenjtë, të cilët ndërmjetojnë për ne përpara Perëndisë. Ne mund t’i lutemi edhe engjëjve të shenjtë për të ndërmjetuar tek Perëndia.

    “O Zot, me ndërmjetimet e gjithë shenjtorëve dhe të Hyjlindëses, jepna paqen tënde dhe mëshirona si i vetëm zemërdhembshur” (Nga Shërbesa e Pasdarkës së vogël).

 

* * *

     Si qëllim të lutjeve tona kemi Kungimin me Perëndinë, për t’u bërë të aftë të përmbushim dëshirën e Tij, duke zbatuar porositë e Tij. Në këtë marrëdhënie me Perëndinë ne duhet të hapemi, të pranojmë, të presim dhe të dashurojmë. I hapemi vetëm Atij që dashurojmë dhe Atij që dëshirojmë të lidhemi me Të. Kështu, ne lutemi, pranojmë dhe lejojmë Shpirtin e Shenjtë të vijë dhe të banojë tek ne.

    “Të lutemi, të kërkojmë, por gjithmonë të lejojmë Perëndinë të depërtojë te ne.”

 

* * *

    Nëse një person nuk e ka dëshirën për të ndryshuar vetveten dhe për ta nënshtruar atë tek Krishti, në përmbushjen e porosive të Tij, ai nuk ka arsye ose qëllim për t’u lutur. Madje, sipas shenjtorëve është e rrezikshme t’i lutesh Perëndisë pa pasur mendimin për t’iu përgjigjur dhe për të ecur në rrugën që lutja na udhëheq.

    “Lutja ndryshon të tjerët, ndryshon rrethanat, sepse na ndryshon ne.”

 

* * *

    Si duhet të lutet një njeri? Vetëm Shpirti i Shenjtë mund të na udhëheqë të lutemi ashtu siç duhet.

    “O Mbret qiellor, Ngushëllimtar, Shpirti i së Vërtetës, që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha, thesar i të mirave dhe dhurues jete; eja dhe qëndro ndër ne, dhe pastrona nga çdo njollë, dhe shpëto, o i Mirë, shpirtrat tanë.”

    Ashtu siç një fëmijë mëson të ecë duke ecur, ashtu edhe një njeri mëson të lutet duke u lutur, duke besuar në ndihmën e Perëndisë. Kisha Orthodhokse ndjek praktikën e Dhiatës së Vjetër, të lutjeve sipas orëve të ditës. Si të krishterë nxitemi të lutemi rregullisht në mëngjes, në mbrëmje dhe në kohën e ngrënies, duke kujtuar gjithmonë Perëndinë dhe duke bërë çdo gjë për lavdinë e Tij.

 

* * *

    Çdo person që dëshiron të jetojë jetë shpirtërore duhet të ketë rregull lutjeje. Në këtë rregull të caktuar lutjeje duhet të përdoren lutjet e Kishës, Lutja e Zotit “Ati ynë” dhe ato të librave të lutjes. Kjo jep një disiplinë në lutje dhe siguron mësim e frymëzim në të, fuqia e së cilës është treguar në jetën e shenjtorëve. Një person, i cili nuk e ndjek këtë rregull të caktuar lutjeje që përdorin lutjet tradicionale të Kishës, përballet me rrezikun e madh të varfërimit të lutjes së tij dhe të zvogëlimit të përmasave dhe qëllimit të saj në perspektivën e kufizuar të dëshirave dhe nevojave të tij individuale.

    “Afrojuni Perëndisë dhe Ai do t’ju afrohet juve” (Jakovi 4:8).

 

* * *

    Kur lutemi me një rregull lutjeje të caktuar, na tregojnë mësuesit shpirtërorë, duhet të qëndrojmë drejt e me respekt të veçantë, të mendojmë se qëndrojmë përpara Perëndisë që shikon gjithçka. Të qëndrojmë në këtë gjendje disa çaste dhe të presim derisa të qetësohen shqisat tona, dhe mendimet tona të lënë çdo gjë tokësore, e më pas të themi pa nxitim, me të gjithë mendjen dhe zemrën tonë të përqendruar në kuptimin e fjalëve të lutjes, jo thjesht “të themi lutje”. Të thuash lutje nuk është e njëjta gjë si të lutesh.

   Lutja e plotë dhe e saktë është ajo ku fjalët ndiqen nga mendja dhe ndjenja, ajo që bëhet fshehtazi, shkurtazi, rregullisht, pa shumë fjalë, me plot besim në Perëndinë që Ai dëgjon dhe me dëshirën për të bërë çfarë Perëndia na tregon për të bërë (Mattheu 6:5-15; Lluka 11 dhe 18; Joani 14-17).

    “Le të drejtohet lutja ime si temjan përpara Teje; ngritja e duarve të mia si therore...” (Psalmi 140:2).

 

* * *

    Midis shumë lutjeve kemi edhe një lutje tjetër të shkurtër, e cila kujtohet lehtë dhe që mund të përsëritet vazhdimisht, gjatë tërë ditës dhe në çdo rrethanë. Kjo është Lutja e Jisuit:

    “O Zot Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin!”

    Kjo lutje e pandërprerë mund të vazhdojë edhe ndërkohë që jemi të angazhuar në aktivitete normale të jetës, duke punuar, duke ecur, duke udhëtuar etj., madje edhe duke fjetur. Kjo lutje mund të thuhet me zë ose duke pëshpëritur, me mendje dhe me zemër. Këtë lutje mund ta thotë madje edhe një memec apo dhe një i verbër. Kjo është edhe forma më e zakonshme e “lutjes së pandërprerë”, formë e cila u zhvillua në traditën murgërore dhe u përhap shpejt në të gjithë anëtarët e Kishës.

    Kjo lloj lutje mund të shoqërohet edhe me përdorimin e komboskinit (një fill me nyje), si mjet ndihmës dhe përqendrues.

    “Ashtu si një pikë uji, e cila bie gjithmonë në të njëjtin vend edhe në gur të fortë dhe e gërryen pak nga pak, kështu edhe fjalët që themi në qetësi të zemrës dhe i përsëritim me fuqi, e zbutin zemrën e ngurtë.”

 

* * *

    Forma e lutjes, natyrisht është dytësore dhe mund të ndryshojë nga personi në person, por ajo që është thelbësore, për të na çuar te Perëndia dhe për të na fuqizuar që të bëjmë dëshirën e Tij, është fuqia e

    Zoti na kujton:

   “Edhe gjithë sa të lypni në lutje, duke pasur besim, do t’i merrni” (Mattheu 21:22), prandaj “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp merr, dhe ai që kërkon gjen, dhe atij që troket do t’i hapet” (Mattheu 7:7-8).

 

* * *

    Lutjet e një personi në shtëpi ndryshojnë nga ato të Kishës (komunitetit), meqenëse lutja personale nuk është e njëjtë me lutjen e përbashkët të Kishës. Dy tipat e lutjes janë të ndryshëm dhe nuk duhen ngatërruar me njëri-tjetrin.

    Kur ne shkojmë në kishë (tempull) për t’u lutur me Kishën, në shërbesat e saj, nuk bëjmë lutje private. Lutjet tona private duhen bërë në shtëpi, në dhomë, fshehurazi, madje edhe në kishë, por jo në shërbesat e Kishës (Mattheu 6:5-6). Shqetësimet, dëshirat, gëzimet tona dhe vetvetet tona ne i sjellim në Kishë për t’i bashkuar ato me lutjen e Kishës, me lutjen e përjetshme të Krishtit, Hyjlindëses Mari, të shenjtorëve dhe të vëllezërve e motrave të enorisë sonë.

    Në kishë ne lutemi me të tjerët, prandaj ne duhet ta disiplinojmë vetveten për t’u lutur së bashku, si një trup, një mendje, një zemër dhe një shpirt. Ne jemi qelizë e Kishës, prandaj duhet ta vendosim veten përfundimisht brenda në lutjen e Kishës, duhet ta vendosim personin tonë dhe veçantinë tonë personale në lutjen e përbashkët të Krishtit me Trupin e Tij. Kjo e pasuron lutjen e Kishës dhe e bën atë të mrekullueshme dhe plot kuptim dhe “të lehtë” për ta kryer.

    Praktikisht, kjo do të thotë se besimtari që merr pjesë në lutjen liturgjike të Kishës duhet ta vendosë tërë qenien e tij, tërë mendjen dhe zemrën e tij, në çdo lutje, kërkesë dhe veprim liturgjik, duke e bërë atë të gjallë në veten e tij. Nëse çdo person e bën këtë, atëherë thirrjet liturgjike të klerikëve gjatë shërbesave bëhen të vërteta, të ndjeshme dhe të sinqerta dhe tërë komuniteti si një trup do ta lavdërojë Perëndinë me “një gojë, një mendje dhe një zemër”.

    “Ejani t’i falemi e t’i biem ndër këmbë Krishtit. Shpëtona, o i Biri Perëndisë, që u ngjalle së vdekurish, ne që të psalim, Aliluia” (Nga Liturgjia e Joan Gojartit).

 

* * *

    Lutja liturgjike kishtare nuk është thjesht lutja e individëve të krishterë të bashkuar në një, nuk është një “shërbesë lutjeje” e shumë njerëzve së bashku, por është lutja zyrtare e Kishës e mbledhur zyrtarisht. Shërbesat zyrtare të Kishës Orthodhokse janë zakonisht më të gjata se në Kishat e tjera. Kjo ndodh, sepse ne shkojmë në Kishë jo vetëm thjesht për t’u lutur.

    Ne shkojmë në Kishë të jemi së bashku, të këndojmë së bashku, të meditojmë së bashku mbi kuptimin e besimit, të mësojmë së bashku dhe të kemi bashkim e Kungim së bashku me Perëndinë. Shërbesat e Kishës nuk janë bërë për lutjen e heshtur. Ato janë për miqësinë plot lutje të gjithë popullit të Perëndisë me njëri-tjetrin, me Krishtin dhe me Perëndinë.

 

“Emri i Zotit qoftë i bekuar, që tani e gjer në jetët.”

 

_____________________________________________________________

Tekst i kalendarit të vogël 2008 i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com