Martesa është një nga misteret e shenjta të Kishës Orthodhokse, në të cilin burri dhe gruaja bashkohen solemnisht në Kishë përpara Krishtit, priftit dhe komunitetit. Bashkimi i tyre bashkëshortor bekohet nga Krishti nëpërmjet Kishës. Hiri i Perëndisë u jepet për të jetuar së bashku në dashurinë e Tij, duke plotësuar dhe duke përsosur në mënyrë reciproke njëri-tjetrin.

    Martesa është e shenjtë.

Një i krishterë i devotshëm nuk mund ta përjashtojë Krishtin nga një pjesë kaq e rëndësishme e jetës, siç është martesa, sepse “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, më kot mundohen ata që ndërtojnë” (Psalmi 127:1).

    Martesa në Kishën Orthodhokse nuk është thjesht një marrëveshje midis një burri dhe një gruaje për të jetuar bashkë, as kryhet nga vetë çifti me klerikun dhe komunitetin si dëshmitarë. Bashkimi i tyre, bazuar në vullnetin e lirë, bëhet një Mister, sepse ata bashkohen si të krishterë orthodhoksë, të cilët janë anëtarë të Komunitetit Falënderues drejt Zotit (Kishës), duke marrë së bashku Hirin e Perëndisë, për bashkimin e tyre me anë të pjesëmarrjes së tërë Kishës në personin e episkopit apo priftit dhe në praninë e popullit të Perëndisë.

    Martesa, në Kishën Orthodhokse, nuk kryhet në periudhën e Kreshmëve: të Krishtlindjeve 15 nëntor-24 dhjetor, të Pashkës së Madhe, të Apostujve pas së Dielës së Gjithë Shenjtorëve-29qershor, të Fjetjes të së Tërëshenjtës Mari 1-14 gusht, dhe në datat 14 shtator, 5 janar dhe 29 gusht.

 

Ceremonia

    Martesa orthodhokse është mjaft e pasur me traditën biblike dhe e mbushur plot me simbolizma. Ajo përbëhet nga dy shërbesa, ajo e Fejesës dhe e Kurorëzimit; në to spikasin disa veprime që kanë kuptim dhe rëndësi të veçantë.

    Pirja e verës nga kupa e përbashkët tregon faktin se çifti që nga ai çast e tutje do të përjetojë së bashku gjithçka në jetë, gëzimet dhe hidhërimet, dhe se ata “do të mbajnë barrët e njëri-tjetrit” (Galatianëve 6: 1). Kupa e përbashkët është gjurmë nga Kungimi. Në Kishën e hershme çifti e merrte kungatën pikërisht në këtë çast. Ajo ishte vula e martesës.

 

Rreth tryezës së martesës

    Pastaj prifti drejton dhëndrin dhe nusen, të pasuar nga kumbari (kumbara), në një procesion rreth e rrotull tryezës ku janë vendosur Ungjilli që përmban fjalën e Perëndisë dhe Kryqi, që është shenjë e shpëtimit tonë me anë të Jisuit.

    Burri dhe gruaja bëjnë hapat e parë si çift i martuar dhe Kisha, në personin e priftit, i drejton në udhën që duhet të ecin. Procesioni është rruga e jetës së krishterë, është një orbitë e përsosur rreth qendrës së jetës, Jisu Krishtit, Zotit tonë.

    Gjatë ecjes ceremoniale rreth tryezës psalet një himn për martirët e shenjtë, duke i kujtuar kështu të porsamartuarve dashurinë që duhet të kenë dhe sakrificat që duhet të bëjnë për njëri-tjetrin.

 

Bekimi

Bekoji dhe këta shërbëtorët e tu, që me kujdesin tënd u bashkuan me martesë.
Beko hyrjet dhe daljet e tyre dhe mbushua jetën me të mira.

    Pastaj prifti e bekon dhëndrin duke thënë: “Madhërohu o dhëndër si Abrahami, bekohu si Isaku dhe shumohu si Jakovi, duke ecur në paqe edhe duke zbatuar me drejtësi porositë e Perëndisë” dhe nusen “Dhe ti o nuse, madhërohu si Sara, ngazëllohu si Rebeka dhe shumohu si Rakela, e gëzuar me burrin tënd, duke ruajtur kushtet e ligjit se ashtu denjoi Perëndia”. I tregon kështu çiftit se martesa bekohet nga Perëndia, i Cili është i vetmi që jep hir, paqe e shëndet dhe është Ai që, gjatë historisë njerëzore, ka madhëruar, bekuar dhe shenjtëruar martesën.

 

Kujto, o Zot Perëndia ynë, dhe prindërit që i rritën, se uratat e prindërve forcojnë themelet e shtëpive.
Kujto, o Zot Perëndia ynë, shërbëtorët e tu, dhëndurët dhe nuset, që janë bashkuar me këtë gëzim.
Dhuroju edhe atyre që janë këtu gjithçka që të kërkojnë, për shpëtimin e tyre.

 

Ju, besimtarë pjesëmarrës në këtë ceremoni martese orthodhokse,
si dëshmitarë të kurorëzimit të çiftit, mund të ndihmoni me
përkushtim shpirtëror, duke i shtuar lutjet tuaja për mirëqenien
e të porsakurorëzuarve në shtëpinë e besimit.

 

Kumbarët

    Kumbarët luajnë një rol të rëndësishëm në martesën orthodhokse. Ata në ceremoni bëjnë këmbimin e unazave në gishtërinjtë e dhëndrit dhe të nuses, të kurorave në kokat e tyre, dhe vijnë rreth tryezës së martesës me çiftin gjatë procesionit të gëzueshëm.

    Si dëshmitarë të krishterë orthodhoksë të martesës, ata do të luten për të porsamartuarit, do të ndihmojnë në fuqizimin e martesës dhe në ushqimin shpirtëror të tyre për gjithë jetën.

 

Unazat

E djathta e shërbëtorëve të tu do të bekohet me fjalën tënde të fortë dhe me krahun tënd të lartë.
Ti, pra, dhe tani, o Zot, beko dhe këtë vënie të unazave me bekimin qiellor
dhe engjëll Zoti le t’u shkojë përpara tërë ditët e jetës së tyre.

    Unazat janë simbol i fejesës që nga koha e lashtësisë. Në fillim të Shërbesës së Fejesës unazat bekohen nga prifti dhe me to ai bën shenjën e kryqit mbi çiftin dhe thotë: “Fejohet shërbëtori i Perëndisë (emri ...) me shërbëtoren e Perëndisë (emri ...) në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” dhe ia vendos çiftit. Pastaj kumbari ua këmben unazat 3 herë.

    Këmbimi do të thotë se në jetën martesore dobësia e njërit do të kompensohet nga fuqia e tjetrit, papërsosmëria e njërit nga përsosmëria e tjetrit. Nga vetvetja, të porsafejuarit nuk janë të plotë, së bashku ata do të plotësohen. Kështu këmbimi i unazave tregon që bashkërisht do të plotësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Secili do të pasurohet nga ky bashkim.

 

Qirinjtë

    Dy qirinjtë e ndezur gjatë Shërbesës së Fejesës simbolizojnë besimin e çiftit në Jisu Krishtin, i cili tha: “Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Joani 8: 12).

    Ata simbolizojnë gatishmërinë shpirtërore të çiftit për të pritur Krishtin, i cili i bekon ata nëpërmjet këtij misteri. Qirinjtë janë si llambat e pesë virgjëreshave të mençura të Ungjillit, të cilat, ngaqë kishin mjaft vaj, mundën ta pritnin Dhëndrin.

 

Bashkimi i duarve të djathta

Bashkoji në një mendje. Bashkoji në një trup.

    Me këtë lutje bashkohen dora e djathtë e nuses dhe e dhëndrit. Duart mbahen të bashkuara gjatë gjithë shërbesës për të simbolizuar “bërjen një” të çiftit.

 

Kurorëzimi

U vure mbi krye të tyre kurorë prej gurësh të çmuar.
Të kërkuan jetë dhe u dhe ditë të gjata në jetë të jetëve.
Do t’i bësh përherë më të bekuar dhe do t’i ngazëllosh me gëzimin e pranisë sate.

    Shërbesa e Kurorëzimit është pika kulmore e misterit të Martesës. Prifti, pasi bekon kurorat mbi Ungjill, i drejtohet çiftit me to dhe, duke u bërë shenjën e kryqit, thotë: “Kurorëzohet shërbëtori i Perëndisë (emri)... me shërbëtoren e Perëndisë (emri)... në emrin e Atit, Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Amin”. Pastaj i vendos kurorat mbi kokë dhe kumbari (kumbara) i këmben ato. Në atë moment çifti bëhet burrë dhe grua.

    Kurorat janë shenja të lavdisë dhe nderimit me të cilat Perëndia kurorëzon çiftin gjatë misterit. Dhëndri dhe nusja kurorëzohen si mbreti dhe mbretëresha e mbretërisë së tyre të vogël, shtëpisë, në të cilën ata do të mbretërojnë me dituri, drejtësi, integritet dhe dashuri.

    Kurorat përdoren në ceremoninë e martesës orthodhokse si referim për kurorat e martirizimit, meqenëse kurorëzohet pastërtia e tyre trupore e shpirtërore prej çdo mëkati dhe se martesa e vërtetë përfshin sakrifica të pallogaritshme nga të dy palët. Në procesion psalet një tropar për martirët e shenjtë, ku përmendet kurorëzimi i tyre.

 

Leximet

    Kurorëzimi pasohet nga leximi i Apostullit dhe i Ungjillit. Këto lexime janë për të porsamartuarit udhëzimet e para të Kishës për jetën bashkëshortore që sapo filluan.

    Leximi i një fragmenti nga letra e apostull Pavlit drejtuar Efesianëve (5: 20-33) “Falënderoni përherë e për të gjitha Perëndinë... bindjuni njëri-tjetrit me frikë Perëndie...”. Leximi i një fragmenti nga Ungjilli sipas Joanit (2: 1-11) përshkruan martesën në Kana të Galilesë ku Krishti bëri mrekullinë e Tij të parë, duke kthyer ujin në verë, e cila edhe iu dha dasmorëve.

 

Kupa e përbashkët

Kupë shpëtimi do të marr dhe emrin e Zotit do të thërres (Psalmi 116: 13)

    Më pas çiftit i jepet verë, duke u kujtuar kështu se Krishti është i pranishëm mes tyre në ato çaste dhe se Ai do të jetë mes tyre për aq kohë sa ata janë në kungim me Të.

    Kjo është “kupa e përbashkët” e jetës që shënon ndarjen reciproke të gëzimit dhe hidhërimit me njëri-tjetrin, shenjë e model i jetës në harmoni.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com