Fuqia e inkurajimit / afirmimit

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE - KISHA E PERËNDISË

 

    Gjëja për të cilën fëmijët kanë më shumë nevojë është inkurajimi: inkurajimi i Perëndisë, të cilin ne e kemi; inkurajimi i Shkrimeve, të cilin ne e kemi; dhe inkurajimi i njerëzve të Perëndisë, veçanërisht i prindërve kundrejt fëmijëve të tyre, të cilin ne nuk e kemi gjithmonë, dhe për të cilin kemi shumë nevojë. Dikush tregonte se, kur ishte i vogël, nëna i pëshpëriste në vesh ndërsa e vinte në gjumë: “Ti je fëmijë shumë i veçantë, Perëndia të ka dërguar të bësh diçka të veçantë. Shpresoj që ti ta zbulosh këtë”. Ai u shpreh: “E dija se m’i thoshte vetëm mua këto. Shumë vite më vonë mësova se të njëjtat fjalë ajo ia pëshpëriste edhe motrës dhe vëllait tim më të vogël”.

A nuk është kjo mënyra që Jisui trajtoi njerëzit, njerëz si Zakeu, si gruaja samaritane, si Petroja, i cili e mohoi Atë tri herë, dhe si shumë të tjerë? Nëpërmjet faljes së Tij, Jisui i inkurajoi njerëzit të rriten dhe të përmbushin potencialin e tyre si fëmijë të Perëndisë. Prandaj Zakeu, tagrambledhësi i pandershëm, eci përpara dhe u bë Zakeu bamirës, zemërgjerë; gruaja samaritane kurorë- shkelëse, e cila kishte shtatë të ashtuquajtur “burra”, u bë shën Fotinia, një nga ungjillëzueset e para; Petroja i lëkundur u bë Petroja shkëmb, kryetari i apostujve. Inkurajimi që mëkatarët morën nëpërmjet faljes së Jisuit i bëri ata persona të rinj.

   Një ndër pikat e forta të psikologjisë moderne është theksimi që i jepet afirmimit. Ne të gjithë kemi nevojë të brendshme të na konfirmojnë, të na inkurajojnë dhe të na lavdërojnë. Psikologët kanë zbuluar se ekziston kaq shumë shembje në kulturën tonë, saqë njerëzit po shkatërrojnë njëri-tjetrin me fjalë. Një psikolog zbuloi se një fëmijë merr afërsisht 431 mesazhe negative në ditë: “Bluza jote është kaq pis..., dollapi yt është rrëmujë..., flokët e tu janë shumë të gjatë..., fike telefonin tani” etj. Në fund të ditës një prind u lut kështu: “Kaloi edhe një ditë dhe unë as edhe një herë nuk i thashë fëmijës sim ‘të dua’. I dashur Zot, më fal”.

    Kritika vazhdon t’u pohojë njerëzve se nuk ka të mirë. Dhe sërish ajo për të cilën njerëzit kanë më shumë nevojë nuk është kritika, por inkurajimi. Njerëzit bëhen ajo për të cilën inkurajohen të bëhen, dhe jo ajo për të cilën qortohen. Sa shpesh përpiqemi të transmetojmë vlerat nëpërmjet kritikës: “Pse dhoma jote është kaq rrëmujë?”, “Pse je kaq i pakujdesshëm me lekët?”. Dhe sërish, sa shpesh i lavdërojmë fëmijët tanë kur dhoma e tyre është e rregullt apo kur janë treguar të kujdesshëm me lekët? Vlerat transmetohen shumë më mirë nëpërmjet lavdërimit sesa nëpërmjet kritikës, frikës dhe fajit. Një baba tregon se, kur vajza e tij ishte 11 vjeçe, ai e pyeti:

    “Keti, a e di ti se unë të dua?”. Ajo u përgjigj: “Unë gjithmonë kam menduar se më do, por ti asnjëherë nuk ma ke thënë”. Sa kohë i duhej Ketit të priste?

    Fëmija mëson...

    të kundërshtojë, nëse jeton me kritikë; të luftojë, nëse jeton me armiqësi;

    të shqetësohet, nëse jeton me frikë; të ndiejë faj, nëse jeton me xhelozi;

    të ketë besim te vetja, nëse jeton me inkurajim; të jetë i duruar, nëse jeton me tolerancë;

    të jetë vlerësues, nëse jeton me lavdërim; të dojë, nëse jeton me pranim;

    të pëlqejë veten, nëse jeton me miratim; çfarë është drejtësia, nëse jeton me drejtësi;

    çfarë është e vërteta, nëse jeton me ndershmëri;

    të ketë besim te vetja dhe tek ata që e rrethojnë, nëse jeton me siguri;

    se bota është një vend i mirë për të jetuar, nëse jeton me miqësi.

Anonim

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com