Predikimet që japim ne si prindër

ATË ANTHONY M. CONIARIS

FAMILJA ORTHODHOKSE - KISHA E PERËNDISË

 

    Një ditë, shën Françesku i Azisit i tha një murgu në manastir: “Sot do të shkojmë të predikojmë në qytet”. Ata ecën rrugës së fshatit për në qytet, rrugëve të qytetit, rrethinave të tij dhe u kthyen përsëri në manastir.

    Murgu u kthye nga shën Françesku dhe i tha: “Unë mendova se do të predikonim sot...”.

    “Po këtë bëmë! Predikuam me të ecurën tonë”, u përgjigj shën Françesku.

    Çdo person thotë një predikim, ndërsa ecën përgjatë jetës. Predikimet përmes shembullit dhe ndikimit tonë janë shumë më tepër efektive se predikimet që vijnë nga kleri. Sipas këtij mendimi, jeta jonë ose shpërndan dritë vazhdimisht, ose rrjedh drejt së keqes. Këto janë gurgullimat e ndikimit që ne asnjëherë nuk mund t’i kontrollojmë ose t’i ndalojmë.

    Po predikimet që u jepen fëmijëve nga prindërit me shembullin e tyre të përditshëm? Fëmija vjedh një karamele dhe dënohet me një shuplakë. Pastaj i lan dhe i than duart me peshqir Hilton!

    Mendoni rreth mësimeve që marrin fëmijët duke parë të rriturit.

    Mendoni për predikimin që ne si të krishterë u japim të afërmve tanë. Henry Drummond, profesor shumë i njohur skocez, na tregon një histori se si u themelua Klubi i ateistëve në Glasgou. Disa burra po qëndronin në kthesë të rrugës ku po kalonte një njeri tërë auto- ritet. Një prej tyre tha: “Ky është themeluesi i Klubit të ateistëve në Glasgou”. “Çfarë do të thuash me këtë?” - pyeti tjetri. “Pse flet kështu, ky burrë është një nga drejtuesit e Kishës”. “Është apo nuk është”, - u përgjigj i pari, - ai është themeluesi i Klubit të ateistëve në Glasgou”. Pastaj ai u tregoi atyre se si jeta kontradiktore dhe hipokrite për vite me radhë e këtij njeriu dha një dëshmi kaq të gënjeshtërt për Krishtin, saqë ai kishte minuar besimin e disa të rinjve, që ishin bërë pjesëtarë të Klubit.

    Mendoni rreth predikimeve që japim çdo ditë ndërsa ecim në jetë. Askush nuk është një ishull (i izoluar). Me ose pa ndërgjegje, njerëzit ndikohen nga shembulli ynë. Një student indian i tha një misionari: “Ne, herë-herë, lodhemi duke dëgjuar për Krishtin. Por, zotëri, asnjëherë nuk lodhemi së pari Krishtin te personat e ngjashëm me Të!”.

    Studimet e fundit për baballarët

    Sipas studimeve të fundit, mënyra me të cilën një baba praktikon besimin e tij ka ndikim më të madh te fëmija.

    Në një komunitet u vu re se kur baballarët luteshin bashkë me fëmijët, 85% e tyre i qëndronin besnikë Kishës, dhe kur fëmijët merrnin pjesë në adhurim pa interesimin e prindërve, vetëm 15% e tyre i qëndronin besnikë Kishës.

    Nëse fëmija rri pranë të atit në adhurim, ai merr diçka që kurrë nuk do ta humbasë. Ora e adhurimit e bën fëmijën të përjetojë një ndjenjë të thellë nderimi dhe respekti. Nëse ankohemi se fëmijët nuk kanë respekt për Perëndinë, fajin duhet ta gjejmë te vetja jonë si prindër. Një fjalë e vetme e nënës dhe e babait ka më shumë vlerë se një mijë fjalë të priftërinjve.

    A e shikojnë fëmijët Ungjillin e Jisuit në jetën tonë? A e trajtojmë ne njëri-tjetrin me dashuri dhe respekt? Nëse jo, a e falim njëri-tjetrin? A lutemi së bashku si familje? A i nxitim fëmijët të bëjnë lutjen e vaktit të ngrënies? A marrim pjesë rregullisht në Liturgji dhe në Mistere? A e lexojmë Biblën rregullisht si familje? A përpiqemi ne prindërit të rritemi në të kuptuarit e besimit tonë?

    Claude Fly, një agronom që shërbente si konsulent në vendet e botës së tretë, u rrëmbye nga të majtët dhe u burgos. Pasi u lirua, e pyetën: “Çfarë të ndihmoi që të qëndroje i fortë gjatë burgimit tënd?”

    Përgjigjja e tij ishte: “Udhëzimet e tim eti. Çdo darkë ai drejtonte familjen në leximin e Biblës me zë të lartë dhe në lutjen familjare, dhe jetonte çdo ditë sipas Ungjillit, duke na këshilluar ne si fëmijë të mësonim të dallonim të mirën nga e keqja dhe të përpiqeshim të jetonim një jetë të krishterë”.

    Kur një nënë e krishterë u pyet se si kishte mundur të rriste shtatë fëmijë të mrekullueshëm, ajo u përgjigj se sekreti i saj i vetëm ishte të jetonte para tyre pikërisht atë lloj jete që ajo dëshironte që ata të jetonin.

    Nunët duhet të marrin përsipër edukimin fetar të fëmijëve që kanë pagëzuar.

   Nga ana tjetër, të gjithë prindërit janë nunë të fëmijëve të tyre. Ata janë priftërinjtë dhe predikuesit parësorë. Predikimet e tyre mbeten të pashlyeshme.

    Përpara se të fillonte mësimin, një mësues i vjetër përkulej gjithmonë para klasës së tij. Kur e pyetën se përse e bënte këtë, ai tha: “Sepse ju asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të bëhet dikush nga këta në të ardhmen”.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, të pashë që vendose pikturën time të parë në derën e frigoriferit, dhe më hipi dëshira të pikturoja edhe një tjetër.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, të pashë teksa ushqeje një mace të huaj, dhe mendova se është diçka e mirë të jesh i butë me kafshët.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, të pashë ndërsa gatuaje kekun tim të preferuar vetëm për mua, dhe unë e dija se gjërat e vogla janë të veçanta.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, të dëgjova ndërsa thoshe një lutje, dhe besova se ekziston një Perëndi, të Cilit mund t’i flas gjithmonë.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, të ndjeva kur më puthe duke më uruar kështu natën e mirë dhe unë ndjeva dashuri.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, pashë lot të rridhnin nga sytë e tu, dhe mësova se ndonjëherë gjërat shkaktojnë dhimbje, por nuk është gjë e keqe të qash.

    Kur ti mendoje se unë nuk po të shikoja, pashë se ti kujdeseshe për mua dhe dëshiroja të isha gjithçka që unë mund të isha.

    Kur ti mendoje se nuk po të shikoja, unë shikoja ... dhe doja të të falënderoja për të gjitha gjërat që unë pashë kur ti mendoje se nuk po shikoja.

 

Anonim

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com