Bekoni shtëpinë e re

ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE - KISHA E PERËNDISË

 

    Ekziston një praktikë shumë e bukur orthodhokse, ku prifti bekon apartamentin e ri ose shtëpinë e re.

Kjo mund të bëhet para se të hyni në atë shtëpi ose më pas. Prifti kryen një lutje të shkurtër dhe më pas bekon çdo person të familjes dhe çdo dhomë të shtëpisë me ujë të bekuar.

    Te Zbulesa 3:20 lexojmë: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe ma hap derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua”. Kjo është një pamje e bukur e asaj çka Krishti dëshiron të bëjmë kur hyjmë në një shtëpi ose në një apartament të ri. Ai dëshiron që ta hapim derën dhe ta lejojmë të hyjë brenda e të na bekojë. Ai dëshiron të qëndrojë në shoqërinë tonë, në një mënyrë tepër personale, sikurse e thotë Vetë, që të hajë e të pijë bashkë me ne.

    Kjo ndodh kur ftojmë priftin të na bekojë ne dhe shtëpinë tonë të re: ne hapim derën që të lejojmë Jisuin të hyjë brenda. Nëse kemi një ikonë të re për shtëpinë tonë, ia japim priftit në kishë për ta bekuar. Ai do ta sjellë me vete, do ta vendosë atë në vendin e duhur në shtëpinë tonë dhe do të ndezë kandilin para ikonës për herë të parë.

    Kështu, bekimi i marrë nga vizita e priftit në shtëpi, do t’ju ofrojë fëmijëve një mundësi të shkëlqyer që të njohin priftin e bashkësisë si një mik të dashur dhe personal në Krishtin. Ajo gjithashtu do t’ju mësojë se të krishterët orthodhoksë kërkojnë bekimin e Perëndisë para çdo gjëje në jetë.

    Unë nuk do ta harroj asnjëherë dëshminë e një miku: “Kur isha fëmijë, një prift vizitoi shtëpinë tonë. Prania e tij ishte kaq mbresëlënëse, sa edhe sot, pas 45 vjetësh, mund ta them me siguri se në ç’pjesë të shtëpisë u ul. Nuk i mbaj mend fjalët që tha, por kujtoj mjaft mirë praninë e tij. Familja jonë duhet të ketë qenë shumë e rëndësishme për atë, meqenëse na erdhi për vizitë. Të paktën, unë vetë ndihem shumë i rëndësishëm”.

    “Mezuzah”-u i Dhiatës së Vjetër

    Në Dhiatën e Vjetër, kur një familje hynte në një shtëpi të re, kryhej shërbesa e përkushtimit. Kryetari i familjes, me anë të një gozhde, vendoste një “mezuzah” në pjesën e sipërme të derës së shtëpisë dhe lexonte një “Bracha”, një bekim: “I bekuar je, o Zot, që na ke shenjtëruar përmes porosive të Tua dhe që na ke urdhëruar të vendosim një ‘mezuzah’”. Çfarë është “mezuzah”-u? Dhe çfarë do të thotë porosia biblike e Ligjit të Përtërirë 6:9 dhe 11:20:

    “Dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua?”. “Mezuzah”-u është një pllakë e vogël metali ose druri, mbi të cilën gjendet një mbishkrim që përshkruan në hebraisht pohimin e besimit dhe të dashurisë ndaj Perëndisë - Shema, “Dëgjo, Izrael, Zoti është Perëndia ynë, Zoti është një. Dhe ju duhet ta doni Zotin Perëndinë tuaj...”. “Mezuzah”-u është një kujtesë e vazhdueshme për këdo që hyn në atë shtëpi, domethënë se kjo shtëpi është banesë e Pranisë Hyjnore; se është një shtëpi, e cila i është kushtuar Perëndisë. Është simbol i kujdesit vigjilues të Perëndisë për ata që banojnë aty: “Nga lindja e diellit deri në perëndim u lëvdoftë emri i Zotit” (Ps. 113:3). Kjo ceremoni përdoret ende sot e kësaj dite nga judenjtë. Zakoni e do që të prekësh ose të puthësh “mezuzah”-un sa herë hyn dhe del nga shtëpia. Kjo është për të kujtuar besëlidhjen midis banorëve të shtëpisë dhe Perëndisë.

    “Mezuzah”-u i krishterë: Ikona

    Kur një familje e krishterë Orthodhokse futet në një shtëpi të re, gjëja më e natyrshme është të ftojë priftin për të bekuar këtë shtëpi, për të vendosur në të ikonën e familjes, “mezuzah”-un e krishterë: nga ky çast e tutje ikona e familjes do të shërbejë si “Prani e Perëndisë” në atë shtëpi. Në fakt, në Rusinë e Vjetër, ikona vendosej në derën kryesore. Kur miku futej në atë shtëpi, së pari përshëndeste ikonën dhe më pas të zotin e shtëpisë.

    Tregohet një histori për një të ri të sapomartuar. I ati u shkoi për vizitë në shtëpinë e re, të cilën sapo e kishin mobiluar dhe dekoruar. Pasi të rinjtë i treguan shtëpinë me krenari dhe gëzim, ai u tha: “Po, është shumë e bukur, por, ai që hyn në këtë shtëpi, si ta marrë vesh nëse i përkisni Perëndisë apo të ligut?!”. Djali shtangu nga ashpërsia e të atit, por ai i dha një mesazh kuptimplotë. I biri e kuptoi mesazhin e plakut. Që nga ajo ditë, ai e rregulloi shtëpinë në atë mënyrë që në çdo dhomë të kishin një shenjë të besimit në Krishtin. A ka shenjë më të mirë se një ikonë në mur, një Bibël mbi tavolinë dhe një kënd për lutjet familjare?!

    Për shumë veta, një nga kujtimet e paharrueshme të fëmijërisë është vizita e përvitshme e priftit me rastin e Epifanisë. Familja e drejton priftin në të gjithë shtëpinë, dhomë më dhomë, duke mbajtur qirinj dhe ikonën e festës, ndërsa ai spërkat muret dhe mobiliet me ujë të bekuar dhe të gjithë këndojnë troparin e Epifanisë:

    Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trininë u shfaq, se zëri i prindit të dëshmonte Bir të tij të dashur, duke të quajtur; dhe Shpirti në formë pëllumbi e siguronte vërtetësinë e Fjalës. O Krisht, Perëndi, që u fanepse dhe ndriçove botën, lavdi më Ty.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com