EDUKIMI FETAR I FËMIJËVE

Motra Magdalen

Reflektime mbi Fëmijët Në Kishë Sot

 

    Qëllimi që duhet të mbajnë në mendje prindërit dhe mësuesit e krishterë është: të frymëzojnë tek fëmijët dashurinë personale për Krishtin dhe Nënën e Perëndisë.

Nëse fëmija rritet duke nderuar Krishtin dhe Nënën e Perëndisë si persona të dashur, kjo dashuri do të ndërtojë zemrën e tij në Perëndinë dhe nëse më vonë ai ka dyshime apo braktis dhe Kishën, të paktën nuk do të dalë kundër Krishtit në zemrën e tij dhe kjo gjë mund të ndihmojë për shpëtimin e tij.

    Edukimi fetar i fëmijëve bëhet i mundur kryesisht nga shembulli dhe atmosfera e dashurisë dhe lutjes në shtëpi. Zemra e fëmijës preket edhe pa shpjegim dhe ai e merr lutjen si një veprimtari të natyrshme dhe njeh praninë e Perëndisë pa pasur nevojë për prova logjike.

Në jetën e shenjtorëve shpesh dikush kupton se si jeta e shenjtorit ndikohet nga një person i shenjtë të cilin ai e sheh. Shën Nektari gjithmonë e kujtonte dashurinë e gjyshes dhe mënyrën se si ajo qëndronte në këmbë duke u lutur para ikonave.

    Dashuria, lutja dhe shembulli janë më shumë efektive se fjalët - në të vërtetë këto gjëra iu japin vlerë fjalëve kur bëhet fjalë për ta drejtuar fëmijën te Perëndia. Puna jonë si prindër apo si mësues shpirtërorë është shpesh një punë jo e dukshme, dhe na jep përvojën e aspektit “të tmerrshëm” të lirisë njerëzore: që askush nuk mund të imponojë dashurinë për Perëndinë tek një person tjetër. Ne dëshirojmë që Perëndia të pranohet me vullnet të lirë tek çdo njeri. Por në të njëjtën kohë lutja jonë për fëmijët tanë të dashur na shkakton dhimbje të brendshme të vazhdueshme. Është më e lehtë të flasësh sesa të lutesh.

    Kur përpiqemi t’i mësojmë fëmijët për Perëndinë me fjalë dhe nuk mund të gjejmë shprehjen e duhur apo tema ndryshon, nuk duhet që me patjetër të imponojmë shpjegimin tonë - duhet t’i shkojmë pas frymëzimit të Perëndisë dhe mendjes së vetë fëmijës. Ndihma që u japim fëmijëve tanë nuk varet aq shumë nga fjalët tona për Perëndinë, por nga qëndrimi ynë në praninë e Perëndisë. Të krishterët në moshë të rritur priren të mendojnë që Perëndia nuk ndodhet në një bisedë nëse Ai nuk është tema e bisedës.

    Metodat më të mira edukative synojnë t’u mësojnë fëmijëve si të mësojnë. Ka një proverb i cili thotë: “Jepi një peshk fëmijës tënd dhe ai do të hajë mirë sot. Mësoje si të përdorë një rrjetë peshkimi dhe ai do të hajë mirë gjithë jetën e tij”.

    Ne e kuptojmë në të njëjtën mënyrë detyrën tonë si prindër dhe mësues të krishterë. Ne i frymëzojmë fëmijët tanë të duan Perëndinë dhe i mësojmë se si të zbulojnë vullnetin e Perëndisë për veten e tyre. Nëse fëmijëve tanë u mësohet të duan Perëndinë dhe shenjtorët, “të gjitha të tjerat do t’u shtohen” (Math. 6:33).

    Fëmijët në familjet e krishtera, ndonjëherë vuajnë nga një lloj “dhimbje e mosasimilimit” shkaktuar nga mbidoza e dëgjimit për Perëndinë ose për çështjet e Kishës. Ata nga mirësjellja mund të vazhdojnë të dëgjojnë, por dikush mund ta dallojë që në të vërtetë ata nuk janë të interesuar të dëgjojnë më për Perëndinë dhe madje janë të lodhur e duan të pushojnë. Në një orë katekizmi dikush vëren ndryshime të mëdha midis fëmijëve për sa i përket aftësisë dhe dëshirës së tyre për të dëgjuar për Perëndinë. Ne si të rritur mund të shkaktojmë dëm serioz shpirtëror duke mos folur me fëmijën me masë. Ne duhet të përpiqemi të frymëzojmë, por nuk duhet të imponojmë. Ka fëmijë që nuk nxënë gjithmonë njëlloj, herë më shumë e herë më pak.

    Vlera e një ore katekizmi

    Si e gjykojmë ne vlerën e një ore katekizmi? Është shumë më tepër e rëndësishme që fëmijët të lënë klasën të frymëzuar dhe të duan më shumë Perëndinë sesa të plotësohet programi i mësuesit. Ka raste që fëmijët kanë një temë që i shqetëson në mendjen e tyre dhe mund të ishte shpirtërisht më dobiprurëse të flisnim rreth kësaj teme me ta. Ka raste që ndërhyrjet dhe komentet e tyre na japin të dhëna për shqetësimet dhe gjendjet reale të fëmijëve. Testi i vërtetë i katekizmit nuk është sa shumë fakte kanë mësuar fëmijët, por fakti nëse krijohet tek ata një bindje më e përzemërt se rruga e Kishës është rruga e jetës së vërtetë. Emrat dhe faktet duhen menduar si varëse mbi të cilat mund të varim këtë frymëzim.

    Njerëzve u pëlqen të dëgjojnë kur mësuesit tregojnë për pyetjet dhe përgjigjet e fëmijëve rreth Perëndisë. Në të vërtetë, fëmijët thonë shumë gjëra argëtuese dhe prekëse. Biseda me fëmijët nuk është një çështje për të mbledhur thënie të bukura. Mësuesi mund të ketë folur për orë të tëra për televizorin, shkollën, ushqimin ose lojërat, madje para se të kenë përmendur Perëndinë.

    Mësuesit më të vlefshëm janë ata që kanë marrëdhënie të mira me fëmijët. Fëmijët shpesh do të marrin përgjigje kategorike nga një i rritur, dashurinë e të cilit e ndiejnë dhe opinionin e të cilit e besojnë. “Asgjë nuk e çon përpara mësimdhënien më shumë sesa kjo: ‘të duash dhe të ndihesh i dashur’” (Shën Joan Gojarti).

    Fëmijët rreth moshës 7 vjeç mund të fillojnë të mendojnë seriozisht për çështje metafizike të tilla si “Kush e krijoi Perëndinë?” dhe të përpiqen të kuptojnë të qenit të përjetshëm.

    Ikonat dhe Shkrimi i Shenjtë si burime

    Ikonat janë një mënyrë e mirë që fëmijët të njohin dhe të duan Krishtin dhe shenjtorët; madje edhe kur fëmija është shumë i vogël, ai mund të ketë në dhomën e tij ikonën e Zotit, Nënës së Perëndisë ose të ndonjë shenjtori. Ikonat nxisin pyetje tek fëmijët dhe ato vetë u japin atyre përgjigje. Ikonat duhet të na flasin të gjithëve në mënyrë të drejtpërdrejtë, vizuale. Të rriturit priren të shprehin me fjalë ose ta arsyetojnë përjetimin e tyre vizual. Fëmijët shpesh kuptojnë mistere të thella teologjike nëpërmjet ikonave - për shembull duke krahasuar ikonën e Kryqëzimit me ikonën e Ngjalljes. Ata nuk mund të thellohen në shpjegimin e misterit, por fjalët e tyre dhe shprehitë e fytyrës së tyre tregojnë që ikona ka depërtuar në zemrën dhe mendjen e tyre.

    Ikona përbën një fokus shumë të dobishëm në një mësim katekizmi; por ajo duhet trajtuar gjithmonë me respekt, si një objekt nderimi, madje edhe kur theksohet aspekti i saj pedagogjik.

    Që në moshë të vogël fëmijët mund të frymëzohen të duan Shkrimin e Shenjtë dhe jetët e shenjtorëve. Është e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë nga prindërit dhe mësuesit e tyre se Shkrimi i Shenjtë dhe jetët e shenjtorëve janë frymëzuese dhe të përshtatshme për ne sot, dhe kjo është më me shumë vlerë sesa sasia që lexohet apo faktet që duhet të mbahen mend. Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u thënë fëmijëve tregime të ndryshme nga Bibla apo nga jetët e shenjtërove, në mënyrë që këto tregime të mos jenë të njëjtat e të bëhen të mërzitshme për fëmijët. (Është mirë që të familjarizohen edhe me tregime të mirënjohura jofetare.) Shkrimi i Shenjtë dhe jetët e shenjtorëve duhen konsideruar si tregimet me vlerën më të madhe; leximi i tyre nuk duhet paraqitur si një detyrim shpresëtarie.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com