JETA LITURGJIKE DHE SHPIRTËRORE

Motra Magdalen

Reflektime mbi Fëmijët Në Kishë Sot

 

    Fëmijët në Kishën tonë janë pjesëtarë të plotë të Trupit të Krishtit. Ne nuk kemi shërbesa të veçanta për fëmijët, sepse e kuptojmë që përvoja jonë e shërbesave të Kishës nuk është vetëm racionale. Edhe nëse një fëmijë nuk është në gjendje të kuptojë të gjithë atë që po ndodh, ai mund të shohë, të dëgjojë, të nuhatë, të shijojë dhe të prekë për veten e tij dhe të përjetojë praninë e Shpirtit të Shenjtë. Nuk duhet t’i pengojmë fëmijët tanë nga kjo eksperiencë; duhet t’i përgatisim ata ta vlerësojnë dhe të marrin pjesë në të me lutje në sa më shumë mënyra të jetë e mundur.

    Fëmijët nuk duhet të mbingarkohen me lutje shumë të gjata në shtëpi ose të shoqërojnë prindërit në çdo shërbesë fetare. Nuk do të dëshironim që fëmijët tanë të shkojnë pa dëshirë në kishë, se ndryshe do ta shohin Kishën si detyrim të mërzitshëm dhe do të revoltohen kundër saj.

    Është e vështirë të këmbëngulim për lutjen e mëngjesit dhe të mbrëmjes me një kohëzgjatje të caktuar në familje. Moshat e fëmijëve mund të jenë të ndryshme ashtu siç mund të jenë karakteret dhe gjendjet shpirtërore nga një ditë në tjetrën. Gjëja më e nevojshme është që prindërit të japin një shembull, pa e ekzagjeruar, të një lutjeje të rregullt si një pjesë e natyrshme e ditës, në mënyrë që fëmijët të kuptojnë se sa përfitojnë nga ajo. Prindërit duhet të këshillohen me atin shpirtëror për çdo fëmijë dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre me prindër të tjerë. Kur fëmijët fillojnë të lexojnë, ata mund të duan të thonë lutje në mënyrë të pavarur në këndin e tyre me ikona ose në këndin e lutjes së familjes. Gjithashtu fëmijët shpesh dëshirojnë të lexojnë kur familja lutet së bashku. Atyre mund t’u jepen disa udhëzime nga ati i tyre shpirtëror - qoftë edhe një tipiko e shkurtër nëse munden ta “mbajnë” atë. Sinqeriteti dhe vazhdueshmëria e lutjes janë më të rëndësishme se zgjatja e saj. Është më mirë nëse “tipikoja” është shumë e shkurtër; fëmija mund ta zgjasë kohën e lutjes sipas frymëzimit të tij. Nëse fëmija ka fituar një zakon të të bërit lutje dhe ka kuptuar domosdoshmërinë e kërkimit të bekimit të Perëndisë, nuk është e nevojshme t’u kujtojmë atyre të bëjnë lutjen. Shqetësimi nuk ndihmon. Lutjet e kryera rregullisht nga fëmijët parashkollorë duhen mbajtur si synim, por nga ana tjetër prindërit nuk duhet të stresohen nëse është e pamundur që ato të kryhen çdo ditë. Një lutje e shkurtër para gjumit është shpesh më e lehtë për t’u arritur, ashtu si janë lutjet para dhe pas ngrënies.

    Është e pamundur të japim një rregull të përgjithshëm rreth numrit të shërbesave fetare që fëmijët duhet të ndjekin. Çdo rast ka nevojë për mendim, lutje dhe drejtimin e një ati shpirtëror. Gjëja kryesore për të kuptuar është se prindërit e krishterë nuk duhet të ndihen fajtorë nëse do të ndjekin Kishën më pak sesa ata do të dëshironin, sepse kjo bëhet për të mirën e fëmijëve të tyre që nuk kanë të njëjtën masë shpirtërore me ta. Nuk duhet të fajësojmë fëmijët tanë; duhet ta pranojmë këtë për të mirën e tyre në të ardhmen - për shpëtimin e tyre. Në shumë raste, prindërit ndihen më afër Perëndisë, e shijojnë më shpesh hirin e Tij atëherë kur ata e rralluan disi sjelljen e fëmijëve në shërbesat e Kishës disa herë në javë apo shumë shpesh. Jeta e fëmijëve tanë, bëhet jeta jonë: kjo është dashuria e prindërve kenosis - vetëzbrasëse ose vetëdhënëse, dhe kjo do të na sjellë hir nga Perëndia. “Ka një kohë për të gjitha”; kur fëmijët tanë të jenë të pavarur, do të kemi më shumë kohë për të ndjekur shërbesat.

    Në shërbesat “ne ia parashtrojmë të gjithë veten tonë Krishtit Perëndisë”. Nëse nuk mund të kreshmojmë apo të ndjekim Kishën, ashtu si do të dëshironim, duhet t’i kujtojmë vetes se jeta e lutjes që drejtojmë duhet të jetë e vërtetë dhe jo artificiale. Koha që marrim për lutje në qetësi dhe koha për leximin e Shkrimit të Shenjtë, nuk duhet të na pakësojnë kohën që ne duhet të shpenzojmë për familjen tonë. Çdo gjë që bëjmë duhet të bëhet me synim kërkimin e Shpirtit të Shenjtë; që do të thotë të bëjmë gjithçka sipas vullnetit të Perëndisë në situatat konkrete. Detyra e shenjtë e të qenit prind do të na shenjtërojë po aq sa edhe kreshmimi, lutja personale dhe leximi i Shkrimit të Shenjtë. Na nevojitet dallueshmëri të gjejmë masën e kohës sonë të lutjes së përditshme vetëm me Perëndinë - duke iu shmangur çdo lloj ekstremiteti. Familja jonë nuk mund të jetë një justifikim për të thënë se asnjëherë nuk mund të jemi vetëm me Perëndinë, dhe koha e qetësisë nuk duhet të jetë një justifikim për largimin nga përgjegjësitë familjare.

    Fëmijët që mërziten në kishë, do ta kapërcejnë më shpejt gjendjen nëse nuk kanë frikë të shprehen për këtë. Kjo mund të jetë edhe një tundim që ka ndikim tek të rriturit. (Fëmijët mund të vërejnë të rriturit që shohin orën ose flasin e bëjnë thashetheme...) Dikush mund ta inkurajojë fëmijën t’i tregojë Krishtit rreth problemeve dhe gëzimeve të tij gjatë shërbesës nëse ndihet i lodhur - madje të flasë me Krishtin për mërzitjen e tij dhe t’i kërkojë Atij ta ndihmojë t’i vlerësojë më shumë shërbesat. (Kur lutemi, duhet t’i themi Perëndisë se si ndihemi gjatë shërbesës, sepse kur ndihemi keq është shenjë sëmundjeje shpirtërore). Fëmijët ndoshta kanë nevojë të dalin pak jashtë, t’u shpjegohet ajo që po zhvillohet në kishë. Fëmijët mund të sillen në kishë edhe për një pjesë të shërbesës. Të rriturit që këndojnë, lexojnë, shërbejnë ose ndajnë lutjet me komunitetin, duhet të kujdesen të bëjnë sa më mirë pjesën e tyre të shërbimit. Në këtë mënyrë ata do të frymëzojnë prindërit, veçanërisht të mos largojnë fëmijët ose dhe persona të tjerë që mund të jenë të pranishëm, por që ende nuk janë të përkushtuar të Kishës. “Po kush të pengojë një nga këta të vegjlit që më besojnë, është më mirë për të t’i varet një gur mulliri mbi qafë dhe të hidhet në fund të detit” (Matth. 18:6).

   Marrja e Kungimit të Shenjtë

   Fëmijët duhet të përgatiten të shkojnë të marrin Kungimin e Shenjtë në moshë sa më të vogël të mundshme. Ajo që është e vështirë për priftërinjtë dhe mësuesit është të flasin me fëmijët në mënyrë të qartë. Jo çdo herë është gabim ndjekja e liturgjisë pa marrë kungimin. Është më pak vrasëse sesa marrja e kungimit pa përgatitur, pa pendesë, pa përpjekje, pa frikë Perëndie, pa kohë për falënderim dhe pa bindjen se marrim një dhuratë të shenjtë. Përgatitja jonë tregon seriozisht besimin dhe dashurinë tonë për Perëndinë edhe pse e dimë se Kungimi i Shenjtë është dhuratë e Perëndisë për ne. Nuk duhet të harrojmë se është e mundur të marrim Kungimin e Shenjtë “dënim” (1Kor. 11:27). Tradita e Kishës sonë na thotë se përgatitja dhe dispozicioni ynë janë më shumë të rëndësishme sesa shpeshtësia me të cilën marrim Kungimin e Shenjtë. Është blasfemi dhe rrezik shpirtëror të detyrojmë fëmijët të marrin kungimin kundër dëshirës së tyre. Unë kam dëgjuar nga një teolog rus që kujtonte kohën kur e gjithë familja përgatitej për marrjen e Kungimit të Shenjtë, thoshin lutjet e përgatitjes dhe kërkonin faljen e njëri-tjetrit para se të merrnin misterin. Ditët që ata merrnin kungimin ishin ditë që mbahen mend. Shpeshtësia e kungimit nënkupton një përpjekje të madhe asketike dhe familja duhet të jetë në gjendje të mbajë masën e “asketizmit”. Çdo person, edhe fëmijët, duhet të ketë bekimin e atit të tij shpirtëror, kur ata të fillojnë të shkojnë në rrëfim, duhet edhe të marrin këshilla mbi këtë aspekt thelbësor të jetës së krishterë.

    Kur flasim për ndjekjen e kishës dhe marrjen e Kungimit të Shenjtë, dhe bërjen e lutjes në shtëpi, duhet të kemi në mendje jo vetëm rezultatet e tanishme, por edhe pamjen e së ardhmes: çfarë është përgatitja më e mirë për fëmijën që të jetojë një jetë të krishterë në botë? Si do të jetë fëmija me një qëndrim shpirtëror të shëndetshëm për Krishtin, Kishën dhe misteret? Çfarë do ta ndihmojë atë që të ruajë dëshirën e tij deri kur të rritet që të njohë Krishtin dhe të ketë kungim me Atë? Fëmijët mund të shkojnë në kishë shumë shpesh dhe sërish brenda tyre ata e mohojnë hirin. Disa ateistë janë rritur në familje të devotshme.

    Kur flasim për Kungimin e Shenjtët tek fëmijët shumë të vegjël, shohim që disa herë ata reagojnë negativisht me shprehjen “Trupi dhe Gjaku i Krishtit”. Kjo hap më shumë diskutime sesa konteksti i liturgjisë në vetvete. Ndoshta është mjaftueshëm për ata të dëgjojnë Fjalët në Liturgji, dhe fjalët e priftit ndërsa ata marrin Kungimin e Shenjtë. Disa herë mund të flasim për ardhjen e Krishtit brenda nesh ose ndryshe marrja e Krishtit brenda nesh nëpërmjet Kungimit të Shenjtë. Nuk duhet të mohojmë se ne marrin Trupin dhe Gjakun e Krishtit, por disa herë “shpjegimi” ynë i bën fëmijët të imagjinojnë mish dhe kocka dhe ata distancohen. Krishti vjen tek ne në formën e bukës dhe verës, sepse Ai denjon për ne dhe e di se sa e vështirë do të jetë për ne, që të marrim pjesë në jetën e Tij (Nr. 7 Thëniet e Ava Danielit. Nga thëniet e Etërve të Shkretëtirës, Londër Moubrays, 1975, fq. 44).

    Fëmijët dhe jeta monakale

    Disa prindër të krishterë reagojnë negativisht ndaj lajmit që fëmijët e tyre dëshirojnë të bëhen murgj ose murgesha. Nëse dëgjojmë një fëmijë të shprehë këtë dëshirë, nuk duhet ta shohim si një trill fëmijëror, mos mëkatojmë kundër thirrjes së Perëndisë. Nga ana tjetër, nuk mund ta konsiderojmë një ambicie të shprehur nga fëmija si bindje; të presim për një vendim të pjekur më vonë. Është gabim të tallim një fëmijë që dëshiron të bëhet murg ose murgeshë dhe është gabim gjithashtu ta dekurajojmë atë ose t’u tregojmë të tjerëve për këtë gjë. Duhet ta këshillojmë fëmijën të lutet në zemrën e tij dhe të presë.

    Pak nga fëmijët që ndjekin Kishën në manastirin tonë do të bëhen murgj ose murgesha. Nëse nuk kanë një shembull të mirë nga shtëpia e tyre se si të jetojnë me Krishtin në botë, ata do të jenë antikapatë socialë - dhe do të kenë vështirësi në gjetjen e partnerit martesor. Shën Joan Gojarti shkruan: “Unë nuk po ju them ta largoni nga martesa birin tuaj, ta dërgoni atë në shkretëtirë, ta përgatisni atë të jetojë jetën monakale. Unë do ta dëshiroja atë jetë për çdonjërin, por sepse duket shumë e rëndë nuk mund t’ju detyroj. Më mirë po ju them: Rritni një atlet për Krishtin dhe mësojeni fëmijën të ketë frikë Perëndie që nga rinia e tij duke jetuar në botë”.

    Mbi etërit shpirtërorë dhe rrëfimin

   Që në moshë të re, fëmijët mund të inkurajohen të konsultohen me një atë shpirtëror dhe t’i binden fjalëve të tij si fjalëve të Krishtit. Nuk ka rëndësi se çfarë dëshiron një fëmijë t’i thotë atij ose se çfarë forme merr takimi. Ai mund të jetë bashkëbisedim i organizuar ose spontan. Gjëja e rëndësishme është se prifti ka mundësinë të tregojë dashuri dhe interes dhe fëmija do të mësojë që ta besojë atë. Duke u ndjerë i lirshëm të flasë me priftin për shkollën, lodrat, ëndrrat etj., fëmija është në gjendje të marrë fjalën e Perëndisë dhe bekimin për çdo aspekt të jetës së tij. Rrëfimi i sinqertë mund të fillojë në këtë mënyrë që në një moshë shumë të re - që në moshën që fëmija është në gjendje të flasë mirë. Madje edhe foshnjat mund të mësohen të shohin priftin, të bekohen dhe të ndiejnë dhembshurinë e tij. Të rriturit nuk duhet ta ndërpresin bashkëbisedimin e një prifti me një fëmijë, por duhet t’i japin kësaj bisede po aq rëndësi sa bisedës mes një prifti dhe një të rrituri.

    Fëmijët mësojnë gjithçka që herën e parë. Rrëfimi është diçka që ata mund ta vlerësojnë, por ka edhe barriera - veçanërisht drojtja - që është e nevojshme të kapërcehet nga fëmijët. Mënyra se si flasim për rrëfimin, kur kjo temë del në biseda, mund të inkurajojë fëmijët. Mund të theksojmë se nuk ka rëndësi nëse hezitojmë ose nëse kemi turp, sepse kjo ndodh vetëm në fillim. Mund të na ndodhë që të mos kemi ide se çfarëdo të themi në rrëfim, por edhe këtë do ta mësojmë. Nëse fëmija shkon me besim, prifti plot me dashuri e lutje mund të gjejë një mënyrë ta mësojë dhe ta bëjë fëmijën të ndihet i sigurt. Prifti e kupton se ndërsa rritemi shpirtërisht, edhe mënyra e të rrëfyerit përmirësohet. Kur shkojmë në rrëfim, mund t’i lutemi Perëndisë të na japë kurajën të shohim dhe të themi mëkatet tona. Pika kryesore është se fëmija vjen në rrëfim ashtu si ai është dhe thotë ose përpiqet të thotë ato fjalë, vepra dhe mendime për të cilat ai ndien turp.

    Kur flasim për priftërinjtë, duhet të theksojmë se ata janë njerëzit që shokohen më pak. Gjërat “e çmendura” që duam të themi, apo dhe mëkatet më të mëdha, nuk mund të shokojnë njeriun e Perëndisë, i cili në lutjet e tij në Liturgji ndien vuajtjet dhe tundimet e gjithë botës. Duhet të bëjmë të qartë se prifti nuk tradhton besimin e fëmijës. Shumë fëmijë mendojnë se prindërit e tyre mësojnë nga prifti ato gjëra që ata kanë bërë dhe se prindërit e tyre i tregojnë priftit ato që fëmijët kanë bërë.

    Prindërit duhet ta shmangin ndërhyrjen në Misterin e shenjtë të Rrëfimit nëse ata nuk duan t’i ndalojnë fëmijës hirin e misterit. Është e vështirë për një prift të lutet lirshëm dhe të këshillojë fëmijën sipas frymëzimit të tij, nëse atij i është thënë më parë se çfarë duhet të thotë fëmija dhe se çfarë duhet t’i thotë prifti atij. Ne shkojmë të rrëfejmë mëkatet tona dhe paudhësitë tona; ne flasim për njerëzit e tjerë në rrëfim vetëm nëse duam të shpjegojmë një mëkat ose të marrim këshillë për sjelljen tonë. Duhet të kemi besim tek etërit shpirtërorë të fëmijëve tanë.

    Rrëfimi nuk duhet të prezantohet si detyrim, por si një mundësi për të marrë faljen e Krishtit. Një pikë tjetër është se nuk duhet t’u themi fëmijëve që shkojnë në rrëfim “sa djalë i mirë je” apo “sa vajzë e mirë je”, kjo i bën ata të largohen nga rrëfimi. Nëse një fëmijë, qoftë edhe pesë vjeç, vjen në rrëfim, kjo duhet parësi diçka krejt natyrale dhe shumë serioze.

    Dilema më e madhe që has një prift apo një mësues është kur ata (prifti ose mësuesi) kuptojnë se prindërit e fëmijës kanë bërë një gabim - edhe pse gabimi mund të ketë një periudhë të gjatë që është kryer. Kjo mund të ketë të bëjë me ndonjë përgjigje specifike që prindërit i kanë dhënë fëmijës për ndonjë pyetje të veçantë të tij. Prifti nuk mund të diskutojë gjithmonë pyetjen me prindërit, sepse nuk dëshiron të tradhtojë besimin që fëmija ka tek ai. Ai nuk mund të japë përgjigjen që prindërit do të dëshironin të jepnin. Ai nuk është një veprues diplomat në anën e prindërve; ai përpiqet të gjejë vullnetin e Perëndisë për fëmijën. Ai nuk dëshiron të largojë respektin e fëmijës ndaj prindërve të tij. Shkrimet na mësojnë që t’u bindemi dhe t’i respektojmë prindërit. Janë raste ku ai është i detyruar të thotë se nuk bie dakord me prindërit. Zakonisht ai është i detyruar të këshillojë fëmijën të veprojë ashtu si prindërit e kanë udhëzuar. Nëse fëmija e di se prindërit mendojnë ndryshe, prifti do të përpiqet të thotë se prindërit janë duke vepruar në të mirë të tyre, dhe të justifikojë mendimin e tyre. Prifti gjithashtu përpiqet t’i kujtojë fëmijës për mirënjohjen dhe respektin që duhet të ketë ndaj prindërve. Perëndia na frymëzoftë të gjithëve.

    Një prift, një murg, një murgeshë, u japin dhe ëmbëlsira fëmijëve (ashtu si bënte Shën Tihoni i Zadonskit dhe shenjtorë të tjerë, si një mënyrë për të treguar dashuri. Lënia e përshtypjes së mirësisë nga dikush që prezanton Kishën tek fëmijët është jashtë mase shumë me vlerë, dhe madje mund të ndodhë që në vitet e mëvonshme nëse fëmija humb besimin nga presioni i ideve që janë kundër krishterimit, ai nuk do të kthehet faktikisht kundër Kishës.

    Fëmijët në komunitet

   Një nga mënyrat më efektive që fëmijët përjetojnë orthodhoksinë si një traditë e gjallë është shkuarja në komunitetet e tjera orthodhokse, t’i vizitojnë ato, si dhe manastiret.

    Fëmijët duhet të ndiejnë se ata janë pjesëtarë të përgjegjshëm të komunitetit të Kishës. Nuk është e mirë që fëmijët thjesht të marrin disa gjëra apo të jenë thjesht pjesë e aktiviteteve. Duhet të inkurajohen të ofrojnë ndihmë jo vetëm në kishë, por edhe në aktivitete sociale të komunitetit të Kishës, të marrin pjesë në vizitat tek të sëmurët e kështu me radhë.

    Pjesëmarrja e një të krishteri në komunitet duhet ta bëjë të përgjegjshëm kundrejt pjesëtarëve të tjerë të Kishës; ai nuk mund të ndjekë vetëm shërbesat dhe të qëndrojë indiferent ndaj jetës së pjesëtarëve të tjerë. “Prej kësaj do t’ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-tjetrin” (Jn. 13:35). Lejoni fëmijët të sho-hin shembullin e kësaj dashurie dhe bashkëpunimi në komunitet. Mos i lejoni ata të përballen me skandalin e thashethemeve negative. Le të ketë hapësira në projekte të ndryshme të komunitetit ku të përfshihen edhe fëmijët. Një komunitet duhet të jetë si një familje, me vështirësi (si sëmundje, braktisje) dhe me festa si për shembull dita e emrit. Ndoshta kjo mund të duket si një ide jo reale - por përvoja e disa dekadave në manastirin tonë ka treguar se të dielat që kalohen rregullisht në manastirin tonë kanë influencuar për të mirë te brezi i ri. Njerëzit hanë së bashku pas liturgjisë. Ata qëndrojnë së bashku në biseda, në shërbesa të pasdites, qëndrojnë të rrëfehen, festojnë ditët e emrit, ditëlindjet dhe pinë çaj ose kafe së bashku. Me vlerë janë mundësitë për t’u takuar dhe për të folur me pjesëtarët e familjes, me miqtë, dhe fëmijët të luajnë të gjithë së bashku. Janë formuar lidhje po aq të forta sa lidhjet mes pjesëtarëve të familjes. Jo të gjitha komunitetet kanë të njëjtat mundësi, por unë përshkruaj këtu edhe grupet e vogla që ndajnë të njëjtin ideal, sido që të jetë situata lokale, shumë fëmijë do të përfitojnë.

    Të flasësh për demonët, ferrin dhe vdekjen

    Është gabim i rëndë pedagogjik t’u flasim shumë hapur fëmijëve të vegjël për demonët, sepse fëmija sapo dëgjon se si janë demonët, fillon dhe i përfytyron ata. Të rriturit mund të ndërgjegjësohen për rrezikun e mbetjes së imazhit të demonëve në mendjen e tyre, por fëmijëve të vegjël nuk do t’u vlente një paralajmërim i tillë dhe ata mund të pësojnë një dëm të rëndë shpirtëror ose më e pakta është vuajtja nga pagjumësia. Kur fëmijët e vegjël pyesin për djallin apo për të vërtetën e frymërave të liga, më e mira është t’i shmangemi pyetjes duke thënë diçka që nuk do t’i bëjë ata të mendojnë dhe imagjinojnë shumë. Në përgjithësi, ne duhet ta drejtojmë mendjen e fëmijëve te Krishti, shenjtorët dhe engjëjt.

    Është më mirë t’i mësosh fëmijët e vegjël për luftën e krishterë shpirtërore në lutje pa iu referuar direkt luftës me demonët. Ata shumë natyrshëm mund të mësojnë të bëjnë shenjën e kryqit para se të flenë, si një bekim për natën, të përdorin lutjen e Jisuit, apo t’i flasin Zotit dhe shenjtorëve me fjalët e tyre sa herë që të dëshirojnë. Më pas nëse tundohen (p.sh. nga frika apo makthet), ata natyr-shëm do të përdorin “armët” e duhura. Fëmijët mund të flenë me një komboskin në dorë apo nën jastëk - dhe mund të përfshijnë lutjen e Jisuit në lutjet e tyre.

    Fëmijët frikësohen nga ideja e ferrit. Edhe ne frikësohemi, por frika jonë ruhet brenda caqeve të njohura dhe mbështetet në dashurinë tonë për Perëndinë dhe në frikën që kemi nga përjashtimi prej shoqërisë së Tij. Ajo që duhet të nxisim te fëmijët nuk është frika nga ferri, por dashuria për Perëndinë. Fëmijët mund të mendojnë seriozisht për çështjen metafizike të së keqes dhe atë të dashurisë së Perëndisë. Kur u flasim të tjerëve për ferrin (sigurisht jo fëmijëve të vegjël) duhet të theksojmë që ferri nuk është vendi ku Perëndia dëshiron të dërgojë njerëzit e ligj: ferri është një dhimbje e vetëshkaktuar që rrjedh nga mospranimi i dashu-risë së Perëndisë. Ferri është vegim i dritës së Perëndisë që djeg ata që nuk janë bërë të ngjashëm me Atë. Ndryshe mund të themi se nëse dikush është i sëmurë dhe nuk pranon ilaçet e mjekut, nuk është faji i mjekut që ai nuk shërohet. Prapëseprapë nuk ka përgjigje të gatshme - këto janë shembuj. Ka shumë raste që të rriturit e kanë mohuar krishterimin për shkak se kjo ishte mënyra më e mirë për t’u çliruar nga frika kufizuese e ferrit me të cilën ata u rritën. Madje edhe kur të flasim për veprat e këqija ose për njerëzit që i kanë kryer ato, duhet të sigurohemi që fëmija ka besim te gatishmëria e Krishtit për t’i falur.

    Kur fëmijët flasin për parajsën, shpesh ata kanë në mendje ato gjëra që do të shohin atje. Duhet të kemi kujdes të mos shkatërrojmë përfytyrimin e tyre për parajsën. Kush mund të imagjinojë të shkojë në një vend ku nuk ka as ushqim, ose ku nuk luhen lojëra apo ku nuk ka kafshë shtëpiake? Ne duhet të japim përshtypjen që parajsa është më e mirë se çdo gjë që mund të imagjinojmë. Dhe përgjigjja ishte: Bibla na mëson se do të ketë ushqim qiellor, qeshje qiellore e kështu me radhë. Për sa i përket çështjes nëse kafshët do të kenë vend në parajsë, nuk duhet t’u shpjegojmë teologjikisht fëmijëve të vegjël se si shpirti i kafshës ndryshon nga shpirti njerëzor; në vend të kësaj ne themi mënyrën se si kujdeset Perëndia për çdo zog të vogël (Mtth. 10:29). Asnjëherë nuk duhet të zhdukim idenë e fëmijës dhe të mos e zëvendësojmë atë me diçka më të pjekur e cila është brenda mundësive të tij për ta kuptuar. Ka një tregim ndër thëniet e Etërve të Shkretëtirës që flet për një murg që ishte antropomorfist (dikush që interpreton në mënyrë literale shprehjet biblike për duart, sytë, këmbët e Perëndisë etj). Ky u korrigjua nga murgj të tjerë orthodhoksë. Po korrigjimi kishte qenë jo i plotë.

    Një tjetër murg e vizitoi atë dhe si e gjeti duke qarë e pyeti: “Atë, përse po qan? Nuk je i gëzuar që u ktheve te besimi i vërtetë?” Murgu u përgjigj: “Po qaj se ma morën Perëndinë që kisha dhe nuk di më kë të adhuroj”.

    Pyetjeve për ferrin dhe parajsën, të keqen dhe të mirën, demonët, vdekjen, vetëvrasjen e kështu me radhë, do t’u rijepen përgjigje disa herë gjatë viteve të fëmijërisë. Ashtu si me pyetjet për lindjen e fëmijëve, fëmijët kanë nevojë të marrin përgjigje në stade të ndryshme sipas zhvillimit të tyre. Për shembull, dikush nuk i përgjigjet një pesëvjeçari njësoj si do t’i përgjigjej një dhjetëvjeçari.

    Urdhri i parë

    Fëmijët nuk duhen dekurajuar nëse shikojnë Krishtin dhe shenjtorët si shokë, të cilëve ata mund t’u thonë gjithçka. Shpesh fëmijët e përjetojnë lutjen dhe përgjigjet që marrin nga ajo në ato gjëra që duken. Për fëmijët këto mund të jenë çështje të cilat kanë shumë turp t’ua thonë të rriturve. Në këtë mënyrë ata zhvillojnë një marrëdhënie me Perëndinë dhe me besimi tek Ai.

    Fëmija duhet ta mendojë dashurinë për Krishtin si gjënë më të natyrshme në botë. Besimi te Perëndia nuk është një alternativë - Perëndia dëshiron që çdokush ta njohë Atë. Ateistët janë njerëz të cilët nuk e njohin Perëndinë ose, të cilët deri tani nuk kanë pranuar të takohen me Atë. Fatkeqësisht, fëmijëve shumë të vegjël u flitet për ateizmin dhe besimet e ndryshme fetare dhe atyre u duhet të përballen me relativizmin modern shumë herët në jetë.

    Në botën tonë dikush mund të dëgjojë dhe shikojë shumë gjëra që nuk përputhen me “mendjen e Krishtit” (1Kor. 2:16). Si të rritur tashmë kemi filluar ta ndërtojmë besimin tonë mbi shkëmb dhe çfarëdo që dëgjojmë nuk na lëkund - për më tepër na bën të rritemi në të kuptuarit e gjërave. Fëmijët janë ende të brishtë. Duhet t’i ndihmojmë fëmijët tanë që nga njëra në të luten dhe të arsyetojnë çfarë dëgjojnë dhe nga ana tjetër të mos ndihen të braktisur. Kisha nuk i përket “kësaj bote”, por ne e dimë shumë mirë se ajo nuk është geto: Kisha është kripa e tokës. Fëmijët tanë mund të na ndihmojnë të mos harrojmë detyrën e Kishës për të arritur tek të gjithë njerëzit dhe brezat.

    Ne i frymëzojmë fëmijët tanë të jenë mirënjohës që janë orthodhoksë dhe nuk i mësojmë të ndihen superiorë dhe t’i përçmojnë të tjerët. Përkundrazi: “Kujt i jepet shumë, do t’i kërkohet shumë” (Lluk. 12:48). Ne ndoshta jemi të lumtur që jemi orthodhoksë - por mbi të gjitha i jemi mirënjohës Perëndisë që me çfarëdo mjeti (nëpërmjet kthimit apo nëpërmjet të lindurit në një familje orthodhokse), kemi gjetur Orthodhoksinë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com