MARTESA DHE FAMILJA E KRISHTERË

Motra Magdalen

Reflektime mbi Fëmijët Në Kishë Sot

 

    Fëmijët rriten në një familje të krishterë në kontekstin e martesës. Mund të duket se po i largohemi temës kur flasim rreth martesës, sepse kemi për të folur për fëmijët, por kur flasim për martesën, kemi parasysh hedhjen e sigurt të themeleve para se të vazhdojmë të ngremë ndërtesën, dhe ndërtesa janë fëmijët. Nëse kuptimi i prindërve për martesën është i shtrembëruar, ose nëse frymëzimi i tyre nuk është drejtuar tek jeta e familjes së tyre, fëmijët e tyre e vuajnë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Së dyti, fëmijët duhet të shohin tek prindërit e tyre një shembull për martesën e tyre të mëvonshme.

    Në rrethet kishtare mund të ndeshemi shpesh me biseda ku bëhet krahasimi i jetës murgërore me atë martesore, dhe njeriu mund të krijojë përshtypjen, nga ajo që disa thonë, se njerëzit përçmojnë murgërinë ose martesën. Fëmijët vuajnë kur prindërit e tyre nuk janë me gjithë zemër për martesë ose për jetën familjare. Kështu që unë do të dëshiroja të theksoja se martesa është një mënyrë shpëtimi. Diskutimet që krahasojnë martesën me jetën monakale janë shumë rrallë përfituese. Çdo person duhet të gjejë udhën e tij të shpëtimit, duke i kërkuar Perëndisë t’i tregojë se cila udhë është më e mira për atë dhe “të përpiqet për shpëtimin e tij” (Filip. 2:12) në rrethanat që Perëndia i jep. Ne kompromentojmë shpëtimin tonë jo nga të zgjedhurit e njërës mënyrë jetese apo tjetrës, por nga të ikurit larg vullnetit të Perëndisë. Askush nuk lejohet të bëhet murg, sepse ai përbuz martesën; dhe askush nuk duhet të martohet dhe të përçmojë murgërinë (Kanoni 9 dhe 10 i Këshillit të Gangras).

    Fjalët e Krishtit për murgërinë tregojnë se Ai e konsideron atë një mënyrë jetese jo të arritshme për çdo njeri (Matth. 19:11). (Ndodh kështu, sepse është mister për ne - misteri i lirisë së Perëndisë dhe i lirisë sonë). Ne kemi fjalët e Tij si autoritet, autoritet dhe bekim hyjnor, të mbështesim jetën martesore: “Po që në fillim të krijesës, mashkull e femër i bëri ata Perëndia. Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, dhe do të ngjitet pas gruas së tij dhe do të jenë të dy në një mish; kaq sa nuk janë më dy, po një mish” (Mark. 10. 6-8).

    Mrekullia e parë e Krishtit ishte shndërrimi i ujit në verë në dasmën në Kana të Galilesë; nga shërbesa e martesës në Kishën tonë shikojmë se kjo mrekulli konsiderohet si shenjë e bekimit të Perëndisë për martesën. Zoti vetë i ka dhënë njeriut martesën si mister dhe si mënyrë jetese; kjo do të thotë se është një mënyrë shpëtimi, një mënyrë që drejton për në jetën e përjetshme. Krishti nuk urdhëroi jetën monakale si një urdhër të përgjithshëm - urdhërimi i Tij është që të duam Perëndinë me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë fuqinë tonë dhe të duam të afërmin si veten. Për të krishterët që tashmë janë të martuar e me fëmijë, nuk duhet bërë kjo pyetje: “Si mundem unë të reduktoj në minimum detyrimet e mia familjare në mënyrë që të jem i/e “lirë” dhe të kem “një jetë më shumë shpirtërore”? Por: “Çfarë duhet të bëj që të ushqej brenda familjes sime dashurinë për Perëndinë dhe të afërmin?”

   Një ati shpirtëror iu bë një pyetje nga një i martuar: “Si mundem unë, duke jetuar në botë, të banoj në prani të Perëndisë?” Ati iu përgjigj: “Bëj çdo gjë si një person që bashkëpunon në punën e Perëndisë”. Të jesh një bashkëpunëtor i Perëndisë në detyrën e martesës dhe në rritjen e fëmijëve në mënyrë të krishterë, është një rol i madh dhe i shenjtë.

    Jeta e krishterë është jeta sipas ikonës së Perëndisë në tre Persona - jeta bashkë me të tjerët. Shumë rrallë dikush mund të jetojë në vetmi të plotë ose të thirret nga Perëndia në shkretëtirë; atëherë ai është i detyruar të jetojë i vetmuar. Për shumicën e të krishterëve, jetë e krishterë do të thotë jetë në mes të komunitetit, shoqëror apo murgëror. - Edhe vetë eremitëve i duhen dekada të jetojnë në një komunitet para se të jetojnë në vetmi. Ashtu si Shën Siluani shprehet: “Vëllai im është jeta ime”. Një person i martuar mund të thotë - dhe kjo është mënyra e vetme korrekte teologjike për të jetuar - “Gruaja ime (ose burri im) dhe fëmijët e mi janë jeta ime”. Ata janë përbërja e jetës sime; të jetuarit me ta më bën të mësoj Krishtin - si dashuri. Kriteri i shëndetit tim shpirtëror është ky: cili është stadi i marrëdhënieve midis meje dhe atyre që unë jetoj? Nuk ka asnjë kriter tjetër më të madh. Jeta familjare është njësia matëse e progresit të krishterë për ata që jetojnë në botë.

    E gjithë ajo që mësoni rreth martesës, e gjithë puna juaj për martesën, është punë për shpëtimin e fëmijëve tuaj dhe kjo nuk është diçka e vogël, por diçka me vlerë të përjetshme.

    Për jetën familjare nuk ka udhëheqje më të mirë se Shkrimet e Shenjta. Me dashuri ju rekomandoj të rilexoni shpesh fjalët e Apostujve të shenjtë për jetën familjare dhe t’i merrni ato seriozisht si fjalë të Perëndisë që gjejnë zbatim në çdo epokë. Kur lexojmë Shkrimet, duhet t’i lutemi Perëndisë, edhe autorit të çdo libri t’i kërkojmë ndërmjetimet në mënyrë që të kuptojmë dhe të aplikojmë në jetët tona personale ato që lexojmë. Ka shumë gjëra që mund të drejtojnë dhe frymëzojnë të krishterët orthodhoksë të martuar, veçanërisht letra e parë e Shën Pjetrit si edhe letrat e Shën Pavlit drejtuar Korinthianëve dhe Efesianëve.

   “Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë, dhe shtrati i paturpëruar” (Hebr. 13:4). Shumë njerëz sot nuk e konsiderojnë marrëdhënien seksuale për atë që ajo është dhënë. Dhe më e keqja është se të gjitha llojet e çoroditjeve dhe epsheve inkurajohen nga standardet etike bashkëkohore. Ka edhe njerëz që përpiqen të kenë një qëndrim të krishterë ndaj martesës, madje edhe në aspektet më intime, dhe në të njëjtën kohë janë gati të denigrojnë virgjërinë. Janë edhe të krishterë të martuar që mohojnë marrëdhënien e plotë bashkëshortore për arsye të një thirrjeje të gënjeshtërt për të jetuar në pastërti, kur Shën Pavli thotë se çiftet e martuara duhet të privojnë njëri-tjetrin nëse janë marrë vesh për njëfarë kohe, që t’i kushtohen agjërimit dhe lutjes (1Kor. 7:5). Ndonjëherë, ky problem krijon një sërë problemesh për çdonjërin nga bashkëshortët - kjo për faktin se dikush është i konvertuar ose vjen më afër Krishtit pas martese. Mësimi i Shën Pavlit na thotë se martesa duhet të vazhdojë nëse jobesimtari pranon bashkëshortin e krishterë. Në këtë rast bashkëshorti i krishterë ka një përgjegjësi të madhe para Perëndisë për veprat e tij ndaj bashkëshortit dhe familjes. Një kthim i vazhdueshëm ose një progres shpirtëror e drejton një të krishterë të martuar të jetojë një jetë familjare me dashuri më me pak egoizëm dhe me shumë dëshirë që ta bëjë jetën e bashkëshortit të rehatshme. (Nuk mund të marrim shembuj të veçantë si ai i Shën Aleksit, “njeriut të Perëndisë” si një shembull të përgjithshëm). Fatkeqësisht, ajo që ndodh shpesh është se të krishterët fillojnë të predikojnë ose ndalojnë së dhëni interes në çdo gjë “të botës”. Shën Pjetri thotë me pak fjalë se sjellja e një gruaje të krishterë mund të sjellë një burrë jobesimtar te Zoti (1Petr. 3:1). Kur kemi një zbulim nga Perëndia, duhet të kujtojmë Nënën e Zotit që i “mbajti të gjitha këto thënie në zemrën e saj” (Lluk. 2:51). Dhe ashtu si Nëna e Perëndisë merr konfirmimin nga kushërira e saj Elisabetë pas Ungjillëzimit, kështu edhe ne nuk drejtojmë veten tonë, por kërkojmë konfirmim nga etërit tanë shpirtërorë.

    Dikush mund të këshillojë ata që dëshirojnë të martohen t’i kërkojnë Perëndisë që të gjejë për ata një bashkëshort me të cilin do të mund të jetojnë një jetë të krishterë dhe të rritin fëmijët e tyre të krishterë.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com