LIRIA

Arkimandrit Justin Anthimiadhis

Kërkim nr. 7, Tiranë, 2011.

 

Liria është dhuratë Perëndie “Ja, kam dhënë përpara jush rrugën e jetës dhe të vdekjes”, na siguroi Savaothi me anë të shkrimeve të profetit Jeremia (Jer. 21:8). Në hapësirën midis jetës dhe vdekjes ndodhet njeriu, i destinuar të lëvizë lirisht, nga njëri skaj te tjetri. Perëndia e respekton lirinë me të cilën na ka pajisur. Liria e njeriut është një provë e fortë e ekzistencës së Perëndisë së tërëfuqishëm.

Disa besojnë se krijimi i njeriut “sipas ikonës së Perëndisë” (Gjen. 1:27), nënkupton pikërisht lirinë me të cilën e pajisi Perëndia dhe që, në mënyrë të vetëkuptueshme, ka si kusht parësor dhe sfond vetëndërgjegjësinë e njeriut. Liria e ka zanafillën nga qenia me të vërtetë i gjithëlirë, nga i Larti Perëndi, që të përdoret në mënyrë krijuese dhe të dobishme.

Qëllimi final është që njeriu të mbërrijë në papasionshmëri, në përsosmërinë morale pas çlirimit nga pasionet, të ngjitet nga “i krijuar sipas ikonës së Perëndisë” në “ngjashmërinë” me Atë (Gjen. 1:26).

“Nëse do që të jesh i përsosur, shko shit pasurinë tënde dhe jepua të varfërve... dhe eja më ndiq” (Matth. 19:21). Në mënyrë të përsëritur në Ungjill dëgjohen fjalët “nëse do”. Zoti na fton në Kishë, nuk na detyron ta bëjmë një gjë të tillë. Pikërisht edhe vetë fjala Kishë, në greqisht eklisia dhe në arbërisht klisa, këtë do të thotë: “thirrje”. Fton njeriun dhe, duke respektuar lirinë e tij, e lë të pozicionohet lirisht ndaj Atij.

Një piktor, i frymëzuar nga vargu i Zbulesës, bëri një gravurë ku e paraqiste Jisu Nazaretasin teksa trokiste në derën e shpirtit tonë dhe po priste që ne t’ia hapnim. Një admirues i kujtoi piktorit se kishte harruar diçka, në tablo mungonte një detaj: nuk kishte vënë një dorezë te dera e shpirtit tonë. Përgjigjja që mori ishte se doreza ekzistonte vetëm nga brenda, Shpëtimtari nuk e hap derën pa respektuar vullnetin tonë.

Liria e vullnetit të njeriut apo qenia e tij i vetëvullnetshëm, sipas vargut alegorik të profetit Jeremia, e çon njeriun në vdekje ose në jetë. Sipas Dogmatikës së Kishës sonë, Perëndia e ka krijuar “potencialisht” të pavdekshëm edhe sipas trupit; pra jo se nuk mund të vdiste, por mund të mos vdiste, gjë që do të thotë se nuk ishte i pavdekshëm, por mund të bëhej i pavdekshëm, nëse e përdorte siç duhej dhuratën e lirisë1.

E njëjta gjë ndodh edhe me ne, sa më shumë që shpërdorojmë lirinë tonë duke zgjedhur gjërat e gabuara, aq më shumë vdesim shpirtërisht, dhe e kundërta. Pra liria të çon ose te Perëndia, ose të largon nga Ai.

 

Liria e rreme

 

Gjëja e parë që djalli, frymëzuesi i së ligës, i premton njeriut nuk është gjë tjetër veçse liria! Një liri, që në thelb është anarki, mosbindje, thyerje ligji, thyerje kornizash, një liri pa asnjë kufizim. E liga akuzon Perëndinë se gjoja është mizor, shpif kundër Tij se gjoja është i padrejtë, autarkik dhe shtypës. Me “Mos bëj këtë, mos bëj atë gjë”, privon lirinë.

Djalli dhe mekanizmi i së ligës paraqiten në sytë e njerëzve si dhënës të lirisë dhe të çdo gjëje që është e kënaqshme dhe përpiqen ta paraqesin Perëndinë si të dhunshëm e të keq. Madje djalli guxoi të shkojë tek vetë Krishti, t’i flasë e t’i premtojë. “Do të t’i jap të gjitha nëse bie të më falesh” (Matth. 4:9), me fjalë të tjera nëse ti më dorëzon mua lirinë tënde. Por Perëndinjeriu e ofroi lirinë e Tij te Perëndia, tek Ati, duke e sakrifikuar për hir të lirisë dhe shpëtimit të njerëzimit. “U bë i bindur deri në vdekje, në vdekje kryqi” (Fil. 2:8).

Një prej arritjeve të këtij mekanizmi djallëzor, që është ngritur në mendjen e njerëzve, është liria për sa i takon aspektit trupor të ekzistencës njerëzore, duke u përpjekur që ta tërheqë në shijimin e frytit të mistershëm të Edenit. Por ajo që ndodh në fakt është se trupi mori të drejta mbi frymën dhe me të drejtë në librin e Gjenezës Perëndia na thotë: “Nuk do të rrijë në asnjë mënyrë Shpirti Im te këta njerëz në jetë të jetëve, meqë nuk janë veçse mish”. Në këtë mënyrë, mishi sundon mbi shpirtin e njeriut, duke u përpjekur të nxjerrë në pah veten tonë mishore. Në mendjen mishore mbizotëron mendimi se njeriut i lejohen të gjitha. Kur dikush është i lirë dhe i distancuar nga Perëndia, nuk ekziston më pengesë, por kjo në të vërtetë nuk është zgjidhja e problemit, por një ndërlikim më i madh me pasoja të rënda.

E liga, pra djalli, nuk është i dhembshur, nuk e do njeriun. Sapo e fut atë në skllavërinë e tij, me premtimin e lirisë së rreme, e shtyp dhe e flak tutje, siç thotë një shprehje popullore, si një limon të shtrydhur, pasi i ka shtrydhur çdo fuqi vitale dhe shpirtërore që ndodhet brenda tij. Pas shijimit të kënaqësisë së cekët që ofron kjo lloj jete, hapet një boshllëk i madh dhe nis e bie në kaosin e neveritjes. Fillon brejtja e ndërgjegjes, thyerja psikologjike dhe rrënimi me kulm dëshpërimin total shkatërrues dhe shpirtvrasës, pasi siç na e thonë Etërit e Kishës “sikundër është e pamundur që i vdekuri të ecë me këmbët e veta, kështu është e pamundur që të shpëtohet njeriu i dëshpëruar”1.

Eosfori premtoi një liri të plotë dhe në fakt vendosi një diktaturë të hidhur. Veçanërisht, vitet e fundit “bota kërkon këtë lloj lirie. Por çfarë përfaqëson kjo liri! Asgjë tjetër, përveçse skllavëri dhe vetëvrasje!”, vërente me shumë dhimbje Dostojevski2.

Për ta konkretizuar këtë, le të marrim një fenomen të dhimbshëm nga jeta jonë e përditshme. A nuk është skllavëri dhe vetëvrasje plaga e madhe shoqërore e narkotikëve? Është diçka që e njohim të gjithë. Ai që ka rënë në varësinë e këtij pasioni, lundron në dete lirie dhe lumturie, sa kohë që ndodhet në ndikimin e substancës, por pastaj bëhet maniak deri në vdekje. “Helmi i pasioneve e helmon njeriun si opiumi, por e bën ta harrojë përkohësisht fatkeqësinë e tij, njësoj si opiumi”3. Kjo na kujton një fabul të Ezopit: Njëherë mizat ranë në mjaltë. Hëngrën e hëngrën, por në fund nuk shqiteshin dot prej andej dhe nisën të vajtojnë duke thënë se e humbën më kot jetën e tyre për shkak të një ëmbëlsie afatshkurtër. Dhe me të vërtetë, në realitet janë të shumtë ata njerëz që vuajnë dramën e frikshme të varësisë nga drogat. Kjo i çon ata deri në vetëvrasje.

Në fakt, kjo është liria e rreme: mashtruese, kusare, shkatërruese e lirisë së vërtetë dhe e virtyteve, njësoj si ajo që e premton, djalli.

Po sjellim një tjetër shembull nga fabulat e Ezopit: “Një herë një hajdut shkoi për të vjedhur shtëpinë e një zotërie. Shtëpia rruhej nga qeni. Hajduti i hodhi një copë bukë qenit, duke u përpjekur të miqësohej me të. Por kafsha besnike “kishte tru” dhe nuk e la veten të binte në grackë nga “bujaria” e atij njeriu. Përkundrazi, i tha se që këtej e tutje do ta ruante edhe më shumë pasurinë e zotërisë së tij”.

Edhe kjo lloj lirie ngjason disi me mjaltin ose me karamelen, prapa të cilave ekziston një kurth i madh, me anë të të cilit e liga vjedh pasurinë hyjnore që ne kemi dhe na flak tutje, larg lirisë së vërtetë. Kur njeriu bie pre e këtij kurthi, pason disfata, humbet personalitetin e tij dhe konsiderohet “send”, njësoj si skllevërit e Romës antike.

 

Liria e vërtetë

 

Por çfarë lirie na ofron Perëndia të zgjedhim? Liri e vërtetë do të thotë të njohësh dhe të përqafosh të vërtetën. Kur Shkrimi thotë e vërteta, me këtë kupton dy gjëra: Përveç faktit se nuk duhet të kesh një ide të gabuar dhe të gënjeshtërt për diçka, do të thotë edhe ta jetosh të vërtetën e të ndodhesh edhe vetë brenda saj. E vërteta është njohuri dhe praktikë, virtyt, kurse e keqja është mohimi i saj, inekzistentja, mashtrim dhe gënjeshtër. Në stadet e para kërkon mund dhe pastaj jep qetësi, paqe e shijim. Është diçka që vjen si pasojë e mbartjes së zgjedhës së Krishtit, që përmirësohet gradualisht dhe shfaqet e mirë dhe rezulton se është e lehtë.

“Njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju çlirojë”, na thotë Shpëtimtari. Duke e njohur të vërtetën në mënyrë ontologjike dhe jo vetëm nga ana intelektuale, e çlirojmë veten tonë nga injoranca dhe nga ngarkesa e pasioneve. Por janë të shumtë ata që nuk duan ta njohin të vërtetën, meqë është e “hidhur”, siç edhe e thotë një prej mendimtarëve dhe luftëtarëve popullorë, që luftoi për çlirimin shpirtëror të romejve, si edhe për çlirimin nga zgjedha e rëndë shumëshekullore e pushtuesit, Makrijani. Ai rrëfen: “Vdes për të vërtetën time... Dhe meqë flas të vërtetën, përndiqem edhe nga mbreti dhe nga ata që ndodhen në pozita të larta. Duan të dinë të vërtetën, por kush ua thotë është në rrezik. E vërtetë, e vërtetë, sa e hidhur që je! As mbretërit nuk të vlerësojnë siç duhet, as ata që kanë pozita; vetëm sa pyesin për ty dhe pastaj të përndjekin”4.

Shpëtimtari, na bën të lirë gjithashtu duke na dhuruar dritë. “Kushdo që bën të këqija, i ka mëri dritës dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen punët e tij. Por ai që bën të vërtetën, vjen te drita, që të tregohen punët e tij” (Jn. 3:20). Kështu, ai që pranon të ligën qëndron në errësirë dhe në skllavëri. Plogështia ia pret krahët dhe i shkatërron çdo perspektivë që të ngrejë krye kundër nënshtrimit pa kushte ndaj së ligës. Ai që kërkon t’i shmanget dhimbjes, i shmanget edhe drejtësisë, nuk e kundërshton dhe nuk e gjykon pjesën negative të vetes. Përpiqet ta vërë veten në gjumë, duke thënë se “gjithçka shkon mirë”, duke dashur të jetë i lirë nga çdo gjë, duke mohuar edhe vetë ekzistencën e Perëndisë, që të mos ketë më shqetësime në ndërgjegjen e tij. E në këtë mënyrë, duke mohuar gjithçka, ai vazhdon burgosjen e përjetshme brenda gënjeshtrës.

Po cilët janë me të vërtetë të lirë, ata që besojnë në Perëndinë apo ata që nuk besojnë? Këtë na e tregojnë shumë qartë martirët e besimit. Skllavëria e trupit është një e keqe e vogël në krahasim me skllavërinë e shpirtit. Vdekja shpirtërore shkakton një dëm pakrahasueshmërisht më të madh sesa vdekja e trupit, sipas vlerësimit që bëri vetë Zoti: “Edhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por që shpirtin s’mund ta vrasin” (Matth.10:28). Martirët, në dukje, ishin të burgosur në burgje apo më keq, torturoheshin në mënyrë çnjerëzore, ndërsa ata që në dukje ishin të lirë, pra ata që i kishin burgosur, si dhe xhelatët e tyre, në realitet ishte e kundërta. Atletët e shpresëtarisë ishin të lirë shpirtërisht dhe talleshin me xhelatët kur ata i torturonin, sepse i shikonin ata si skllevër të idhujve të vdekur dhe të pasioneve të tyre.

“Në ju çliroftë pra, Biri, me të vërtetë do të jeni të lirë” (Jn. 7:17). “Sepse ku është Shpirti i Zotit, atje është liria” (2Kor. 3:17), në shpirtra, por edhe kudo, përderisa liria e njeriut ka shtrirje dhe jehonë në të gjithë krijesën.

Sot, shumë njerëz, kur shikojnë shpërdorimin e dhuratës së madhe të lirisë dhe pasojat e saj në jetën tonë, bëjnë një pyetje të vështirë: “Përse Perëndia e dha lirinë, edhe pse e dinte se një pjesë e madhe e njerëzve nuk do ta përdornin siç duhet këtë dhuratë kaq të madhe?” Nëse dikush do të na vendoste në një pallat magjepsës, me çdo të mirë që ka mundësi ta imagjinojë njeriu, por do na thoshte se nuk do të dalësh jashtë ndonjëherë, Parajsa do të shndërrohej në burg.

Pikësëpari, përderisa ka edhe mjaft njerëz të tjerë që e përdorën lirinë e tyre për hir të së mirës, edhe pse jetuan në të njëjtat kushte të vështira si të tjerët, kjo do të thotë se nuk e ka fajin liria, por gjendja jonë e amullt dhe keqdashja jonë. Njeriu me anë të lirisë ecën drejt pendimit, shkon në Parajsë. Perëndia na e ka dhënë lirinë me paramendimin e shenjtë që ne të shkojmë tek Ai me dëshirën tonë. “U thirrët në liri” (Gal. 5:13). Kjo thirrje që është gjendja e lirisë autentike fillon nga këtu dhe përsoset e plotësohet në përjetësi.

Në epokën tonë spekulohet shpesh me fjalët liri dhe demokraci, thuajse janë bërë si një monedhë që qarkullon në çdo ambient. Thuren ditirambe për lirinë, por bëhet fjalë për një liri jo reale. Në të shkuarën e afërt dëgjuam mjaft njerëz të skllavëruar që flisnin për lirinë, por që në fakt ishin skllavëruar pas ideve “ekzistencialiste”, totalitare dhe ndaj kultit të individit. Përkuleshin gjer në tokë përpara portreteve të tyre nëpër rrugë e sheshe, kudo ku ndodheshin citatet dhe thëniet e tyre me germa të mëdha; librat rreth kultit të tyre u kthyen në “bibla” të shtetasve të tyre, që ishin skllevër fatkeqë. Flitej kudo për liri dhe shkatërroheshin kundërshtarët e kësaj propagande nëpër gulagë, burgje e internime.

Shën Pavli na këshillon të mos bëhemi skllevër të këtyre elementëve të botës, por edhe të idhujve modernë të zbukuruar me bojëra dhe yje të ndryshëm. Shpeshherë, kur elementët e kësaj bote shndërrohen në idhuj, ushtrojnë me ndihmën e satanait një efekt shkatërrues mbi viktimat e tyre, gjë që shfaqet dhe në mjaft fe të botës së sotme. I shkatërrojnë, i shpërbëjnë dhe u zerojnë personalitetin pasuesve dhe adhuruesve të tyre. Nga ana tjetër, ky është edhe synimi i së ligës në botë, shuarja, zhdukja, ikja nëpër ekstaza të tipit nirvana, shkatërrimi i qenies njerëzore.

Sot, filologjia dhe llafazanëria moderne në lidhje me lirinë ndodhet në buzët e të gjithëve, si të personave kompetentë, ashtu edhe të inkompetentëve. Por se çfarë është liria e vërtetë dhe e pandryshuar, na e ka dhënë me një frazë të shkurtër një prej njerëzve të lirë të mëdhenj, i cili duroi për hir të saj persekutime dhe internime të vazhdueshme. Ky është shën Joan Gojarti, i cili bazuar në përvojën e tij personale do të shprehej: “I lirë është vetëm ai njeri që jeton në Krishtin”.

Dhe për ta përmbyllur këtë mendim, le të dëgjojmë shën Pavlin e madh që na këshillon ta ruajmë gjithmonë këtë dhuratë kaq të madhe të Perëndisë: “Qëndroni pra në lirinë, me të cilën na çliroi Krishti dhe mos hyni përsëri në zgjedhën e skllavërisë” (Gal. 5:1).

______________
1. Ιωάννου του Σινάίτου: Κλίμαζ, έκδ. Ιερά Μονή Παρακλιτου, Ωροπος Αττική 2002.

2. F. M. Dostojevski, Vëllezërit Karamazov, Libri VI 3:5.

3.Θεοφάνους του Εγκλείστου: Ο δρομος της ξωής. Έκδ.Ι.Μ.Παρακλήτου Ωροπος Αττική, σελ. 60.

4. Ο πόνος του Μακρυγιάννη, ‘Εκδοση Ι.Μ. Παρακλήτου, Ωροπος Αττική, 2001.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com