Leximet e ditës

Apostulli - Romakëve 6:18-23. Ungjilli - Mateu 8:5-13.

Apostulli - Romakëve 6:18-23.

Edhe si u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë. Si njeri po flas, për dobësinë e mishit tuaj. Sepse siç i bëtë gjymtyrët e trupit tuaj shërbëtorë në papastërti dhe në paligjësi për paligjësinë, kështu tani bëjini gjymtyrët e trupit tuaj shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.

Sepse kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të çliruar nga drejtësia. Çfarë fryti pra kishit atëherë nga ato punë, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekje. Po tani që u çliruat nga mëkati, edhe u bëtë shërbëtorë tek Perëndia, keni frytin tuaj për shenjtërim; dhe për fund jetë të përjetshme.

Sepse paga e mëkatit është vdekje, po dhurata e Perëndisë jetë e përjetshme me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë.

Ungjilli - Mateu 8:5-13.

Edhe kur hyri ai në Kapernaum, i erdhi pranë një kryeqindës, duke iu lutur atij, e duke thënë: Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar, edhe mundohet keq.

Edhe Jisui i thotë atij: Unë do të vij e do ta shëroj. Edhe kryeqindësi u përgjigj e tha: Zot, nuk jam i denjë që të hysh nën strehën time, por thuaj vetëm një fjalë, edhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam një njeri nën urdhër edhe kam nën veten time ushtarë, edhe i them këtij: Shko, edhe shkon; edhe tjetrit: Eja, edhe vjen; edhe shërbëtorit tim: Bëj këtë, edhe e bën.

Edhe Jisui kur dëgjoi u mrekullua, e u tha atyre që i vinin prapa: Me të vërtetë po ju them juve, se as në Izrael nuk kam gjetur kaq besim. Edhe po ju them juve, se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, edhe do të rrinë bashkë me Abrahamin e me Isaakun e me Jakovin në mbretërinë e qiejve.

Por të bijtë e mbretërisë do të hidhen në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve. Edhe Jisui i tha kryeqindësit: Shko, edhe t’u bëftë sikundër besove. Edhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com