DINAMIKA E NJË NDRYSHIMI TË PËRGJITHSHËM DHE TË VAZHDUESHËM

ose

Dëshmia e Tre Hierarkëve për "ndryshimin e mirë"

 

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

Fortlumturia e Tij Anastasi Përkthyer nga Kostandin N. Xhuba Globalizmi dhe Orthodhoksia, Tiranë 2004.

    Ndërmjet pikëpamjeve fetare dhe filozofike, të cilat ndikojnë mbi jetën e njerëzve, disa e pranojnë botën, disa përpiqen t'i shmangen, kurse disa të tjera kërkojnë ta transformojnë. Pikëpamjet e krishtera bëjnë pjesë në ato më dinamiket të grupit të fundit.
    Natyrisht, brenda hapësirës së krishterë janë zhvilluar tendenca dhe forma të ndryshme spiritualiteti. Por, përcaktues për idealin orthodhoks mbeti ai vizion që trajton të tërën, qëndrimi dhe dëshmia që përqafon të gjitha, tërë jetën, në të gjitha përmasat dhe kuptimin e saj. Këtë vizion të përgjithshëm e kanë përpunuar fuqishëm dhe në mënyrë origjinale Mësuesit Ekumenikë : Vasili i Madh (330?-379), Grigor Theologu (329-390), Joan Gojarti (354-407).

Duke e jetuar me tërë qenien e tyre mesazhin biblik për përmbushjen e të gjithave më Krishtin, ata meditojnë, analizojnë dhe luftojnë për një ndryshim të përgjithshëm të gjërave njerëzore, me perspektivë idealin ungjillor. Ata përjetojnë dinamikën "e ndryshimit të mirë", të transformimit të të gjithave që përuron Krishti në hapësirën e jashtme e të brendshme.
    Në fjalimin e tij "Në të dielën e Re", që u tha të dielën e parë pas Ngjalljes të vitit 383, Grigor Theologu ndërthur mjeshtërisht thirrjen për një përtëritje rrënjësore të të gjithave, e cila kryhet me Ngjalljen e Krishtit, dhe detyrën e pandërprerë të të krishterit për një përpjekje përtëritëse. Mesazhi bazë i tij arrin kulmin me mohimin" "Të vjetrat shkuan, ja tek u bënë të reja të gjitha... ndryshohu me ndryshimin e mirë" . Eshtë fjala për një "ndryshim" shumë të rëndësishëm dhe shumëdimensional, për një ndryshim të thellë, të vazhdueshëm, i cili kryhet me ngjarjen paskale dhe ka rrjedhoja të drejtpërdrejta si në fushën personale, edhe në atë shoqërore .
    Sigurisht, nuk e injoroj faktin se ka shumë njerëz, të cilët nuk janë të një mendimi "me shpresën tonë" dhe nuk preken dhe aq nga një dëshmi e tillë. Pikëpamje të ndryshme filozofike kanë plasaritur unitetin e kuptimit të traditës sonë, dhe teori të ndryshme kanë vënë në hije vizionin e Tre Hierarkëve. Mirëpo kjo nuk e mohon faktin që mesazhet e tyre për "ndryshimin e mirë" përbëjnë zemrën e trashëgimisë së krishterë kulturore, filozofike dhe morale, nga e cila ndërgjegjja e popullit orthodhoks ka marrë frymëzim dhe fuqi në kthesa kritike. Tradita e qëndrueshme paskale prej shekujsh po formon moralin e tij. Aksiomat e besimit dhe të jetës së krishterë përbëjnë shtresa bazë të subkoshiencës së Kombit; dhe ne që përqafojmë siguritë e të Tre Hierarkëve, jemi të detyruar t'ia transmetojmë ndërgjegjes së popullit. Dëshminë e tyre për ndryshimin e mirë do të përpiqem ta paraqes në vazhdim në pesë pika.



A
SHUMË GJËRA DUHEN NDRYSHUAR NË JETËN NJERËZORE



    Idetë, që gjatë shekujve të fundit konsiderohen udhëçelëse në kërkimet botërore, përbëjnë pika qendrore në doktrinën e Tre Mësuesve Ekumenikë. Ata flasin me këmbëngulje për barazinë midis njerëzve, për "nderimin e njëjtë", për "nderimin e barabartë" të tyre. E shohin të zërë vend në kuintesencën e natyrës njerëzore3. Dhe "shmangien", domethënë largimin nga barazia e quajnë pa ngurruar "padrejtësi"4. "Dhe drejtësi", shkruan Grigori, "mos kërko më të gjesh, dhe heqja dorë nga barazia, në fakt është padrejtësi".
    Në një epokë, ku dallimet dhe ndryshimi shumë i madh midis zotërinjve dhe robërve, burrave dhe grave, quhen aksioma - dhe ku ligji i egër i imponon - zëri i të Tre Hierarkëve, i vë në diskutim. Këto ndarje, tre Shenjtorët i konsiderojnë "dallime të kota". "Cili është zotëri, apo rob? Dallim i kotë", shkruan Grigori. "Një është gatues i të gjithave, një ligj është, një gjykim" .
    Grigori deklaron në mënyrë kategorike se e konsideron "të pabarabartë dhe anormal" ligjin që është i butë në rrëshqitjet bashkëshortore të burrave dhe i rreptë për të njëjtat raste të grave. "Nuk i pranoj këto ligje, nuk lavdëroj zakonin. Burrat kanë qenë ata që i bënë ligjet, prandaj legjislacioni është kundër grave". Dhe, pas paraqitjes së teksteve të ndryshme biblike, me të cilat mbështet barazinë, ai thekson: "Një krijues i burrit dhe i gruas, prej së njëjtës baltë janë të dy, një ikonë, një ligj, një vdekje, një ngjallje" .
    Ndaj atyre që për të përkrahur teoritë e superioritetit të burrave u referohen pjesëve biblike, Gojarti, duke theksuar "vlerën e barabartë" të gruas, nuk ngurron të përdorë termin theologjik "të barasvlershmërisë" së Birit ndaj Atit, ndaj të cilit ai është i bindur. "Sepse, vërtet gruaja na nënshtrohet, por si grua, si e lirë dhe si e barasvlershme me ne. Madje edhe Biri, është i bindur ndaj Atit, por si Bir Perëndie, si Perëndi" .
    Kontradiktat klasike që ndajnë njerëzit: robëri-liri, varfëri-pasuri, Grigori i quan shprehimisht "sëmundje", "trillime ligësie", që "kanë hyrë te gjinia njerëzore" në epoka të mëvonshme, "që përkuan së bashku" me ligësinë e tij  . Përmend me ngulm faktin se ndërtimi fillestar i njerëzimit nuk ishte kështu, përderisa njeriu u ndërtua i vetëpushtetshëm dhe i lirë. Liria dhe pasuria gjenden në respektimin e porosisë hyjnore, kurse varfëria e robëria e vërtetë në shkeljen e saj .
    Fjala e tyre bëhet e zjarrtë kur prekin problemet e pangopësisë, të pasurisë, të padrejtësisë shoqërore, që sundonin në epokën e tyre, dhe madje të sanksionuara nga zakonet, ligjet e mentaliteti. Nuk di të jenë formuluar mendime më tronditëse për pasurinë dhe pangopësinë e njerëzve se ato të tyre . Vasili i Madh përcakton pa rezerva parimin se pasuria është në përpjesëtim të zhdrejtë me dashurinë. "Pra, sa më tepër i pangopur bëhesh për pasurinë, aq më tepër të pakësohet dashuria" . "Shpërdorim" konsiderohet "shpenzimi i tepërt mbi nevojat" . Nuk ngurron madje ta quajë "hajdut" jo vetëm atë që rrjep dikë, por edhe atë, i cili, ndërsa është në gjendje t'i ofrojë veshje dhe ndihmë, nuk e bën këtë. Dhe këtë e përmbledh me shprehjen përcaktuese: "kështu që ti u bën aq padrejtësi njerëzve sa kishe mundësi t'i ndihmoje" . Paralelisht me të shkon edhe Gojarti, duke e cilësuar si "grabitje" dhe "zhvatje" kur dikush nuk u ofron të tjerëve nga paratë e tij . Si duket, kishte filluar të shfaqej një reaksion i madh nga qarqet e atyre që qenë kundër këtyre predikimeve. Dhe episkopi kundërsulmon: "Prapë ti me pasanikët? - do të më thonë. Prapë ju kundër të varfërve... Ju nuk ngopeni duke ngrënë dhe duke kafshuar të varfrit, dhe unë nuk ngopem duke ju ndrequr... Kur ti më ha kopenë, ankohesh se të ndjek?" . Në veçanti, ata demaskojnë hipokrizinë e atyre që tentojnë të bëjnë dhurata shpresëtare me të holla të mbledhura padrejtësisht. Secili, para se t'i sjellë dhurata Perëndisë, duhet të hetojë vetveten "se mos ka grabitur të varfrin, se mos ka kërcënuar më të dobëtin, se mos ka zhvatur vartësin e tij". Në vend që të hiqesh si i mirë me të tjerët, "ki mëshirë për atë që i bën padrejtësi" .
    "E imja dhe e jotja", cilësohet nga Gojarti si "thënie e ftohtë dhe që ka shkaktuar në botë me mijëra luftëra" . Ajo që me këmbëngulje stigmatizohet nuk është vetëm fakti i pasurisë, por dëshira për t'u pasuruar, e cila haset jo vetëm tek pasanikët, por edhe tek të varfrit . Kështu, kritika e tyre përfshin të gjitha klasat. "Kush është i pangopuri? Ai që nuk mjaftohet me aq sa i nevojiten" . Edhe paratë që fiton me mund të drejtë do të llogariten si grabitje, "në qoftë se edhe pse me mundim të drejtë, nuk i sjell Perëndisë dhurata me të cilat do të ushqehen të varfrit" . Një parim shumë interesant, i cili ecën bashkë me pikëpamjet e ekonomisë së sotme shoqërore, formulohet nga Vasili i Madh. "Kur pasuria nuk vihet në lëvizje është e pavlefshme, ndërsa ajo që lëviz dhe përdoret, është e dobishme për shoqërinë dhe frytdhënëse".
    Të tre Hierarkët nuk kufizohen vetëm duke stigmatizuar padrejtësinë. Ata e quajnë shkelje edhe "mungesën sociale", mungesën e dhuratës dhe ndihmës për ata që kanë nevojë. "Sepse atje as grabitësi nuk shpëton, por edhe ai që nuk jep për shoqërinë dënohet" . Fetarizmin autentik ata e shohim "në dhënien e ndihmës për të bërë mirë". Duke luftuar për një shoqëri të drejtë brenda kuadrit politik të epokës së tyre, ata godasin "shpresëtarinë e papemë" , kërkojnë nga besimtarët të mësohen të ofrojnë me dëshirë.
    Me ngulm i rikthehen detyrës shoqërore që rëndon mbi secilin. I mirë përcaktohet ai, i cili e drejton tërë veprimtarinë e tij për të mirën e përbashkët . "Sepse burrin e mirë e cilëson veprimi i vazhdueshëm në dobi të shoqërisë". Të gjithë duhet të orientohen drejt dobisë së njeriut pranë. Deviza e tyre përmblidhet tek nxitja: Çdo gjë të tepërt që keni, përbën detyrim ndaj atyre që nuk kanë . Njeriu vlerësohet kur është vazhdimisht faktor krijimtarie. "Ai, i cili përdor çdo dhuratë të Perëndisë për të kënaqur vetëm vetveten, pa i ndihmuar të tjerët me bamirësi, dënohet si fshehës i talantit".
    Me këtë kontribut të vazhdueshëm realizohet ndryshimi i mirë, personal dhe shoqëror, nën dritën e idealit paskal. Në fjalimin e tij "Në të dielën e Re", të cilin e përmenda në fillim dhe që u mbajt gjatë përurimit të Kishës së Shën Mamantit - Grigori lidh sjelljen e duhur shoqërore me ndërgjegjen theologjike të krishterë, duke përfunduar: "Jepi atij që ka nevojë për strehim, për mbrojtje, për ushqim, ti që je në bollëk dhe ke më tepër nga ç'të nevojitet... Fal ti që nuk je i falur... Le të përtërihet tërë jeta jote, tërë udha e sjelljes sate" .
    Një model, "simbol" të shoqërisë ideale, ata e gjejnë në jetën monastike, sepse aty mishërohet barazia, prona e përbashkët, dashuria. "Sepse, shoqëri jetese të përsosur unë quaj", thotë Vasili i Madh, "atë, në të cilën është zhdukur privatizmi, është larguar mendimi i kundërt, dhe çdo turbullirë, dhe grindja dhe zëniet qëndrojnë poshtë këmbëve; të gjitha janë të përbashkëta..." . Në shoqërinë me të drejta të barabarta ata shohin realizimin "e ndryshimit të mirë" sipas bukurisë së arketipit. Sepse "të tillë deshi Perëndia që të jemi qysh në fillim edhe kështu na krijoi".



B
KA MUNDËSI PËR NDRYSHIM



    Tre Mësuesit Ekumenikë nuk kufizohen në përshkrimin e kushteve shoqërore bazë që duhet ndryshuar. Ata përcaktojnë me optimizëm mundësinë e ndryshimit dhe personalisht ndërmarrin nisma krijuese.
    Të tre kanë jetuar në një epokë kozmogonike, e cila paraqiste të çara të thella, trazira politiko-shoqërore, kërkime të guximshme, rirenditje të përgjithshme idesh dhe ka pasur probleme serioze të ngjashme me të epokës sonë. Ata i përballuan kërkesat e kohës së tyre me konsekuencë thelbësore, burrëri dhe urtësi. Me mprehtësi analizojnë kontradiktën e realitetit njerëzor, e cila lëviz brenda një tendence dialektike të arsyes e të mosarsyes, të besimit e të dijes, të rënies e të ngjitjes. Megjithëkëtë, ata janë të bindur për mundësitë e njeriut me qëllim kapërcimin e tragjicitetit të tij. Ata janë plot me besim optimist për të ardhmen e njeriut. Secili mund të shpresojë për vetveten, në çfarëdo niveli që të ndodhet. Po kështu edhe për këdo tjetër. Për secilin ekziston mundësia "e pendesës", e transformimit, e rikthimit te "bukuria e parë".
    Nga natyra njeriu është një qenie që transformohet, qenie "ndryshuese", që pranon ndryshim. Madje, dhe nga rënia më e madhe ka rrugë për t'u ngjitur. Fjala e krishterë nuk mbështet një gjendje statike e të palëvizshme, po fton për një ripërtëritje krijuese të vazhdueshme. Ftesa për "përtëritje" nuk u drejtohet vetëm atyre që kanë gabuar në rrugën e jetës së tyre, por madje edhe atyre që ecin drejt. "Nëse gabon", thekson Grigori, "kthehu në rrugën e drejtë dhe nëse ecën drejt, shtoi përpjekjet e tua."
    Optimizmi i tyre buron nga fakti se misterin e njeriut ata e studiojnë vazhdimisht në vartësi me misterin e Perëndisë. E liga nuk ka qenie, nuk ekziston në vetvete krahas Perëndisë, - siç do të donin disa fe dualiste. Asaj i mungon substanca. E liga është një shmangie, produkt i një përdorimi egocentrik, për interes vetjak, të lirisë nga ana e njeriut. Eshtë fjala për një mbifenomen që mund të hidhet tej me bashkëveprimin e faktorit hyjnor. Thënia "sipas natyrës" është çdo gjë parësore, çdo gjë hyjnore që kemi në brendësi. Thënia "mbi natyrën" është prodhim i një lirie larg Perëndisë së Dashurisë. "Sepse mëkati të tjetërson nga Perëndia" . "Kthesa e mirë" është e mundshme dhe e detyrueshme. Me gjithë "tjetërsimin" e thellë dhe rënien, natyra njerëzore nuk pushoi së qeni mbartëse e krijimit "sipas ikonës së Perëndisë"  dhe, rrjedhimisht, e mirë sipas substancës.
    Por, optimizmi i Etërve nuk mbështetet tek njeriu në vetvete. Etërit e Shenjtë nuk kanë shumë besim në aftësinë e mendjes. Optimizmi i tyre i ka themelet në faktin që një njeri i ri, një Adham i dytë, mori tërë natyrën njerëzore, risolli lirinë njerëzore në rrugën e dashurisë së painteres, realizoi kthesën e mirë, i dha një orientim të ri gjinisë njerëzore. "Bërja njeri e Krishtit, do të thotë krijim i ri për mua" , thotë Grigori. Bërja njeri e Krishtit "natyrën e çjerrë të njerëzve dhe të copëtuar në mijëra pjesë", e mblodhi "edhe më vete edhe për Perëndinë" . Krishti realizoi të mbledhurit e natyrës njerëzore në vetvete dhe tek vetja e Tij dhe e rithirri tek uniteti i vjetër i shoqërisë dhe i dashurisë . Fitorja tanimë është arritur.
    Me ngjarjen e Pashkës u ripërtëritën të gjitha . Për çdo njeri shtrohet tashmë çështja e pjesëmarrjes në këtë ripërtëritje. Në gjuhën e krishterë të koduar, kjo thirrje është e njohur me termin "pendesë", të cilën Grigori e përcakton si "kthesë në më të mirën" . Brenda dinamikës së Pashkës ai na fton në një përpjekje për një ndryshim rinovues. "Tani shihe veten se je bërë i ri, se je tjetër në sjellje, se je krejt i ndryshuar" .
    Por, lëvizja e ndryshimit zë fill dhe merr pa pushim fuqinë e saj nga energjia e Perëndisë, "prej të Cilit rrjedh çdo veprim njerëzor" . Të gjitha thirrjet e tyre për "pendesë", tre Shenjtorët i përshtasin me faktin e marrjes së natyrës njerëzore nga Krishti dhe të lidhjes së Tij me çdo person njerëzor. "Gjersa ka kohë", shkruan Grigori, "Krishtin le të vizitojmë, Krishtin le të shërojmë, Krishtin le të ushqejmë, Krishtin le të veshim, Krishtin le të marrim në shtëpi, Krishtin le të nderojmë" .
    Gojarti e shikon mungesën e veshjes së Krishtit të përsëritet në faktin se shumë të zhveshur vazhdojnë të ecin në shoqërinë tonë. Tek personi i tyre përsëritet uria dhe etja e të Kryqëzuarit . "Ndryshimi i mirë" nuk është vetëm çështje individuale . Lëvizja për pendesë, për ndryshim, për pastrimin e "ikonës së perëndishme", kryhet brenda jetës së Kishës, e cila vazhdon veprën e Shpëtimtarit. Kisha përbëhet jo nga njerëz të pamëkatshëm, por nga njerëz në pendim, vazhdimisht në pendim.
    Për rëndësinë e madhe të këtij optimizmi për mundësinë e ngjitjes, e përtëritjes, kushdo bëhet i ndërgjegjshëm kur shikon shkëlqimin e vet në mes të mjegullës së sistemeve të tjera fetare, të cilat përshkruajnë një evolucion ligjor të çështjeve njerëzore, ku thelbi i ekzistencës është dhembja dhe zgjidhja gjendet vetëm në shuarjen e saj. Në kundërshtim me çdo pikëpamje pesimiste dhe individualiste - si ajo që kultivuan sistemet e ndryshme filozofiko-fetare (si p.sh. Budizmi) - mendimi i Etërve të Shenjtë çon drejt një pranimi aktiv, dinamik të jetës, në një përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e saj, dhe e nxit besimtarin për të milituar në varësi të të tërëve, të Kishës.
    Por, optimizmi i tyre për çështjet njerëzore është plot durim. Ata, transformimin dhe ndryshimin nuk e shohin të kryer me dhunë - sikurse p.sh. do të përpiqej më vonë ta impononte Islami. "Ndryshimi i mirë" lëviz në kuadrin e lirisë së njeriut. Tre Mësuesit Ekumenikë të Kishës sonë i referohen në mënyrë konstante lirisë së personit njerëzor, "atij vrulli të vetëpushtetshëm, që i ka hije, madje, natyrës logjike" . Antropologjia e të Tre Hierarkëve mbetet antropologji e hirit dhe e lirisë.
    Që të tre shenjtorët, intelektualë të afirmuar dhe reformatorë shoqërorë para se të bëheshin klerikë, kanë zhvilluar një veprimtari shumë të rëndësishme dhe shumëdimensionale. Por, me pranimin e misionit priftëror dhe të kryqëzimit personal në Kishë, ata kaluan tashmë në vijën e parë të përgjegjësisë dhe kontributit personal. Ndërmorën nisma krijuese, praktike në gjirin e shoqërisë. Që kur ishte prift në Antioki, Joan Gojarti vuri në lëvizje njerëz dhe mjete të shumta për të siguruar jetesën e 3.000 vejushave dhe qindra të huajve, të sëmurëve, të burgosurve. Ai mori pjesë në ankthin e popullit të Antiokisë, i cili, duke rrëzuar statujat, kishte hyrë në kontradiktë të tmerrshme me perandorin dhe përballonte rrezikun e dënimit masiv. Në Konstandinopojë, me mundësitë e reja që i krijoi froni kryepiskopal, ai ndihmoi 7000 njerëz të munduar nga jeta.
    Grigori shkon në kryeqytetin e perandorisë, ku të gjitha ishin të errëta dhe pa shpresë nga shkaku i mbizotërimit të arianëve dhe ndërmori një betejë të ashpër për të ndryshuar rrjedhën e gjërave. Më pas heq dorë nga froni patriarkal, për të lehtësuar paqen midis klasave të orthodhoksëve. E mahnitshme me gjithë kuptimin e fjalës, për shumëllojshmërinë dhe dinamikën e saj shoqërore, ishte veprimtaria e Vasilit të Madh për organizmin "e qytetit të ri", që më vonë mori emrin e tij, Vasiliadë - dhe për të cilin ai nuk shkruajti asgjë - me spitale, jetimore, bujtina, shkolla, punishte. Për funksionimin tyre, ai vuri në lëvizje shumë njerëz, mbi bazën e një plani social konkret e sistematik, të cilin e ndiqte vetë personalisht, "duke imituar shërbimin e Krishtit" .
    Interesimi i Vasilit të Madh dhe i Gojartit nuk u kufizua në përcjelljen e mesazhit për ndryshimin shpëtimtar në dioqezën e tyre episkopale. Ata bënë çdo gjë që mundën për të organizuar dhe ndihmuar punën misionare edhe tej dioqezës së tyre, madje edhe në kombe pagane jashtë perandorisë .
   Të tre shenjtorët qëndruan me dashuri e përulësi para njerëzve të pafuqishëm dhe me dinjitet fisnik e burrëri para njerëzve të fuqishëm. Eshtë më se i njohur qëndrimi i Vasilit përballë perandorit Valent dhe guvernatorit Modest, si edhe kritika e Gojartit për arbitraritetet e perandoreshës Evdhoksia. Kundër tyre u drejtuan jo vetëm shigjetat e politikanëve, por edhe të funksionarëve kishtarë. "Për një gjë s'më vjen mirë", shkruan Grigori, duke përmbledhur në këtë pikë përvojën e të gjithëve, "për episkopët e këqij... Urrej predikimet e tyre, meqë jeta e tyre është në kundërshtim me to" . Ata u munduan shumë për një ndryshim për më të mirën, me entuziazëm dhe trimëri, duke ruajtur secili veçoritë dhe personalitetin e vet.



C
NDRYSHIMI THELBËSOR ZË FILL NGA BËRTHAMA E QENIES NJERËZORE



    Duke luftuar për ndryshimin e mirë, të Tre Hierarkët, me mendimin dhe jetën e tyre, synuan pikën kritike, nga e cila varej jetëgjatësia e çdo ndryshimi thelbësor: bërthamën e qenies njerëzore.
    Tre Mësuesit Ekumenikë e kthyen vëmendjen në thellësi; në substancë, jo në sipërfaqe. "Nuk përqendrohej në sipërfaqen, thellohej tepër në studimin e sendeve" , thotë Grigori për Vasilin. Nuk mjaftojnë plane pa shpirt dhe ndërtime të papërcaktuara të mendjes, e cila shpesh çakordohet nga egoizmi dhe pasionet. Pastrimi duhet filluar nga thellësia e qenies njerëzore, atje ku është kryer shtrembërimi me idhullizimin e egos. Pra, ata këmbëngulin për pastërtinë e brendshme, për dëshirën e mirë. Drejtësia pa ndershmëri dhe autenticitet personal, është kimerë. "Dhe kjo është e pamundur, për arsye se një pjesë nuk ka mendim të plotë për këtë, sepse s'gjen mënyrën e ndarjes së barabartë të pjesës për secilin, kurse pjesa tjetër, e pushtuar prej pasioneve njerëzore zhduk të drejtën" . Askush nuk mund të japë drejtësi dhe të bëhet punëtor i saj, kur nuk e ka këtë "të ngulur që më parë në shpirtin e tij", por është "ose i korruptuar me para, ose vepron me miqësi, ose mbrohet nga armiqtë" . Në ripërtëritjen, në shenjtërimin e personit njerëzor gjenden sekreti, garancia dhe dinamika e ndryshimit thelbësor. Vëmendja duhet kthyer drejt substancës së gjërave dhe jo në pamjen e tyre. "Dje njeriu ndërronte pamjen, sot ti prefero qenien", këshillon Grigori .
    Që të tre Etërit luftojnë për të zgjuar ndërgjegjen në brendësi të njeriut, që ky i fundit t'i drejtohet vetvetes, të forcojë shkëndijën hyjnore që gjendet brenda tij. Ata nxisin për një përpjekje të vazhdueshme që jeta të jetë "e pastër" ose, më saktë, "e larë" . Kjo përpjekje e brendshme është një gjë e vazhdueshme, një tendosje dinamike e përpjekjeve shpirtërore, "të zgjasim mbi fuqitë tona përherë shpirtin tonë drejt vullnetit të Perëndisë, sipas qëllimit dhe dëshirës së lavdisë së Tij" . Grigori, duke iu referuar asaj disipline dhe vigjilence të brendshme që siguron lirinë e brendshme të njeriut, rekomandon: "Në rast se rrëshqet pak nga fjala, eja në vete përsëri para se të dështosh krejtësisht e të arrish te vdekja dhe bëhu i ri nga i vjetër dhe kremto përtëritjen e shpirtit" .
    Që të Tre Mësuesit Ekumenikë, para se të bëhen së jashtmi dëshmitarë të së vërtetës, luftuan së brendshmi. Ata kaluan një periudhë përgatitjeje intensive asketike që të çliroheshin nga fuqia e pasioneve njerëzore. Kështu, më vonë mundën të rronin e të vepronin me liri të brendshme. Të lirë nga dashuria për para, për lavdi, për jetë të rehatshme; të lirë nga dashuria për fuqi, të armatosur me fuqinë e dashurisë.
    Vigjilenca nuk ka qenë për ta një "hyrje" e thjeshtë, por një kusht i qëndrueshëm jete. Gjatë gjithë jetës së tyre ata mbetën të thjeshtë, asketikë. Për Vasilin, "pasuria s'kishte asnjë vlerë, kurse Kryqi për të cilin ai rronte, për të ishte shumë më i çmuar se çdo shumë parash" . Eshtë fjala për një asketizëm me një vërtetësi të brendshme, që i jep përparësi mënyrës, jo vendit . Harmonizojnë ato, që në pamje të parë duken si të kundërta, mënyrën monastike dhe atë shoqërore të të jetuarit, "në mënyrë që as ana filozofike të mos jetë joshoqërore dhe as ana praktike të mos jetë jofilozofike" . Gjithnjë ata rekomandojnë masën e duhur.
    Asketizmi i tyre nuk është antropocentrist një ushtrim i thjeshtë i mendjes dhe i vullnetit, siç e shohim të tentohet në mënyrë autonome në shkolla të ndryshme të rrymave indiane. Ai është në varësi të pandërprerë me Perëndinë dhe me popullin e Tij, kryhet në shoqërinë e besimtarëve, d.m.th. në Kishë . Eshtë fjala për një përpjekje personale, e kombinuar me traditën dhe besimin tek hiri dhe udhëheqja e Shpirtit të Shenjtë, për afrimin e energjive të Perëndisë, prej të cilave varet dinamika transformuese . Si busull në tërë këto kërkime të tyre, ata nuk kanë pasur pohime intelektuale të papërcaktuara dhe parandjenja psikologjike, por zbulesën biblike. "Dhe rruga më e mirë për gjetjen e detyrës është studimi i Shkrimeve të inspiruara prej Perëndisë" . Frymëmarrja e tyre ishte zgjatja e duarve lart, përpjekja e tyre "të kenë të vendosur Perëndinë në veten e tyre"  nëpërmjet lutjes. Eshtë fjala për një asketizëm, i cili kryhet brenda ritmit paskal. Pagëzimi dhe Eukaristia e Perëndishme, duke përmbledhur e duke konkretizuar kryesisht ngjarjen e Pashkës, sjellin frymë dhe fuqi për ndryshimin e mirë .
    Ky ritëm paskal, siç e jetuan dhe e shpallën Tre Hierarkët e mëdhenj të një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike dhe e pasuruan me Liturgjitë që mbajnë emrin e tyre, përcakton spiritualitetin orthodhoks. Çdo Pashkë e vitit dhe çdo e diel e javës, artikulojnë kohën duke risjellë tek e këtushmja dhe e tanishmja ngjarjen paskale të kalimit drejt një jete të re; për të ngritur njeriun në përpjekje të reja përtëritëse, që drita e Ngjalljes të vijë në jetën e përditshme.



D
"NDRYSHIMI" SHTRIHET NË TËRË KRIJESËN



    Tre Mësuesit Ekumenikë, kur i referohen njeriut, nuk e kufizojnë atë në shprehjet e tij shpirtërore dhe morale. E trajtojnë atë në varësi organike me botën materiale, brenda së cilës lëviz. "Ndryshimi i mirë" shtrihet në tërë krijesën.
    Çështja e kuptimit të marrëdhënieve të njeriut me botën materiale gjatë ditëve të sotme ka marrë një rëndësi të veçantë. Fe të ndryshme e kanë parë natyrën të inspiruar me fuqi hyjnore dhe njeriun të nënshtruar nga këto fuqi. Sisteme të tjera e kanë parë njeriun si një molekulë, si një pjesë e një natyre abstrakte, një pikë pa rëndësi brenda saj, rob i ligjeve impersonale. Të tjerë e kanë trajtuar natyrën thjesht si materie, si një objekt i vlefshëm për t'u shërbyer nevojave dhe vullnetit të njeriut.
    Por, për konceptin e krishterë, të cilin, e analizuan në mënyrë zhbiruese Tre Hierarkët, njeriu dhe e gjithë krijesa janë vepër e Perëndisë së gjallë e të pakufishëm, të destinuara për t'u zhvilluar në harmoni. Njeriu dhe bota materiale kanë një vlerë dhe rëndësi të pakonceptueshme. Materia, si krijesë e vetë Perëndisë dhe jo e ndonjë qenieje tjetër, nuk është substancë që rron paralelisht dhe e pavarur nga Krijuesi. Asgjë nuk është e padenjë për Perëndinë, përveç mëkatit. "Çdo gjë nga sa ekzistojnë, nëse do të ishte e keqe në vetvete, nuk do të ishte krijesë e Perëndisë; sepse çdo gjë është krijesë e Perëndisë dhe është e mirë dhe asgjë s'është për t'u hedhur poshtë" , shkruan Vasili. "Pa ndjenjë e për t'u habitur" është për Gojartin ai që akuzon Krijesën. "Nuk është e ligë, por është edhe e mirë, edhe provë e urtësisë, e fuqisë dhe e njeridashjes së Perëndisë" .
    Në fillim të jetës njerëzore, me përdorimin për interesa vetjake, egoiste, të lirisë nga ana e njeriut, "u tjetërsua" edhe natyra. Këto re "të tjetërsimit" vazhdojnë të ndotin anën funksionale të saj. Me marrjen e trupit njerëzor nga Adhami i ri, Krishti, liria njerëzore koordinohet në një lëvizje të re shenjtërimi dhe dashurie, kështu që edhe natyra rifiton dinamikën e saj të drejtë, "përsosjen" e saj.
    Me ngulm të Tre Mësuesit Ekumenikë i rikthehen çështjes së marrjes së trupit njerëzor nga Shpëtimtari Krisht. "Fjala u bë mish"; dhe jo shpirt, as ide dhe as libër, siç thotë p.sh. Islami me Kuranin. Trupin e transformon Jisu Krishti, atë e ringjall, me atë shërben. Besimi i krishterë nuk shpall çlirimin e frymës dhe të shpirtit nga burgu i trupit.
    Doktrina e të Tre Hierarkëve është kundër çdo lloj idealizmi të papërcaktuar, si edhe kundër çdo lloj humanizmi ateist modern. Ajo bazohet në mishërimin e Fjalës, në lartësimin e tërë natyrës njerëzore, të trupit e të shpirtit . Në perceptimin e Etërve nuk ka ndarje hermetike midis natyrës dhe Perëndisë me ndonjë shtresë ndërmjetëse, të mbinatyrshme. Dallimi bazë, i cili fillon të marrë formë në theologjinë orthodhokse me Vasilin e Madh, është ai midis substancës së Perëndisë dhe energjive të Tij. Që këtej do të zhvillohej më vonë vija orthodhokse e dallimit midis të krijuarës e të pakrijuarës. Tërë bota është fushë e energjisë shenjtëruese të Perëndisë, e hirit të Tij të pakrijuar. Bota nuk është krijuar për të mbetur siç është, por që "të bëhet vazhdimisht". Ajo gjendet në një lëvizje dinamike. Eshtë energji. Nuk është fjala për ndonjë evolucion të thjeshtë. Ekziston "brenda" fundi, perspektiva. Perëndia "e ka vënë qysh më përpara" veprës "qëllimin e atyre që do të bëhen" , thotë Vasili. Krijesa lëviz drejt transformimit. E tërë Krijesa, sipas Gojartit "do të kalojë në një formë më të mirë dhe do të gëzojë lavdi më të madhe" .
    Në kundërshtim me çdo mohim të botës, mendimi i Etërve, të cilin e përfaqësojnë në pastërtinë e tij maksimale Tre Hierarkët, e fton njeriun në një pjesëmarrje aktive, në punë për botën, në një shtrirje të energjisë krijuese të Perëndisë. Për fetë e tjera, - si p.sh. për ato indiane - ato që kapin shqisat tona dhe egoja individuale, janë të gjitha halucinacione. Vullneti atje mobilizohet jo për transformimin, por për largimin e individit nga kjo botë e mashtrimit.
    Vija e Tre Mësuesve Ekumenikë thekson marrëdhënien midis njeriut dhe krijesës, duke i dhënë një rëndësi të veçantë jo vetëm shenjtërimit të shpirtrave, por dhe shenjtërimit të të gjithë natyrës. Para çdo krijimi të Perëndisë, besimtari qëndron me respekt dhe dashuri, jo si pirat. Vendosja e harmonisë ndërmjet njerëzimit dhe botës natyrore realizohet në një proces dashurie dhe eukaristie.
   Kisha, në jetën e saj liturgjike përdor elemente materiale "në vend të krijesës", të cilat, duke kujtuar dhe duke sjellë tek e këtushmja dhe e tanishmja ngjarjen e Pashkës, transformohen me hirin e perëndishëm. Në shprehjen më qendrore të ngjarjes së Pashkës, gjatë Eukaristisë hyjnore, Kisha ofron bukë dhe verë; "dhe duke vënë përpara ato që paraqesin trupin dhe gjakun e shenjtë të Krishtit tënd, të falemi e të lutemi, o shenjt i shenjtëve, ... që të vijë Shpirti yt i Shenjtë mbi ne dhe mbi këto dhurata që janë vënë përpara dhe t'i bekojë ato dhe t'i shenjtërojë dhe t'i tregojë" . Me këtë blatim, e gjithë krijesa blatohet dhe lartësohet, ndërsa njëkohësisht shpallet marrëdhënia harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës.
   Tre Mësuesit Ekumenikë zbulojnë njohjen e gjithësisë, e cila është krijuar me qëllim që të transformohet e tëra, së bashku me njeriun, i cili është zemra e saj, në një eukaristi dashurie ndaj Perëndisë së dashurisë.



E
"NDRYSHIMI I MIRË" ZGJERON PANDËRPRERË MUNDËSITË NJERËZORE TË NGJITJES



    I tërë ky ndryshim në thellësi dhe gjerësi ka të bëjë me një perspektivë madhështore me një lartësi të paimagjinueshme. Besnikë ndaj zbulimit të krishterë, Tre Etërit theksojnë se njeriu nuk përcaktohet nga pozita brenda sistemit në botë, por nga marrëdhënia e tij me të Gjithëpushtetshmin, me Perëndinë e dashurisë. Realizimi i qenies së tij të vërtetë nuk kryhet thjesht në mënyrën bimore apo shtazore, të të jetuarit, "sipas natyrës", por shtrihet në të "mbinatyrshmen", që në fund të fundit është "natyra" e tij e vërtetë. Kjo gjë përcakton dinamikën e tij të brendshme. "Të bërit” e vazhdueshëm. I bërë sipas ikonës së Perëndisë, ka prirjen për t'i ngjarë Atij. Këtu qëndron madhështia e tij. "Në punë... të natyrshme dhe vetëm, për të ecur lart dhe për t'u bashkuar me Perëndinë, duke parë çdo njeri si më të afërt" , shkruan Grigori. Entelekia e tij është të ecë "për nga lart".
    Ekziston një analogji e qartë ndërmjet natyrës dhe thirrjes së njeriut. Synim dhe thirrje për të, është "të zgjaturit përpara" . "Gjallesë e bërë këtu dhe e destinuar për gjetkë... me shenjë të Perëndisë që të hyjnizohet" , thotë për njeriun theologu Grigor. Tre Etërit Ekumenikë refuzojnë ta kufizojnë njeriun në përmasat e tij të jashtme, ta shohin si një episod në rrugën që ndjek bota. Qëllimi i tij është "t'i afrohet Perëndisë dhe të marrë pjesë në dritën më të qartë" .
    Kështu, në mënyrën më mahnitëse, ata përshkruajnë mundësitë e pakonceptueshme të njeriut, duke përcaktuar vizionin më dinamik të ndryshimit. Flasin për zgjatje të pandërprerë të mundësive njerëzore jo vetëm tek e këtushmja, por dhe në përjetësi. Fjala është për perspektivën më madhështore të lirisë dhe të dashurisë, që vazhdimisht ka skandalizuar trurin praktik njerëzor. Këtu arrin kulmin besimi dhe optimizmi i tyre për të ardhmen e njeriut.
    Këtë koncept më të thellë të qenies njerëzore, ngulmojnë për të ndriçuar Tre Mësuesit Ekumenikë, për të zgjuar në ndërgjegjen e besimtarëve se kemi për të bërë një rrugë me përmasa ngjitjeje të pabesueshme dhe të papërshkrueshme.
   Thirrja u drejtohet të gjithë njerëzve pa përjashtim, jo vetëm atyre që janë pajisur me privilegje. Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, janë "të ngjashëm me Perëndinë", si mbartës të ikonës hyjnore, "mbajtës të Perëndisë", sipas Grigorit , "të gjithë për pastrim, të gjithë për t'u ngjitur dhe për t'u zgjatur përpara" . (Eshtë i dukshëm dallimi nga pikëpamjet e tjera aristokratike, p.sh. të Platonit dhe të gnostikëve.) Por, me gjithë këtë thirrje të përbashkët, ecuria për lart drejt hyjnizimit nuk është e njëtrajtshme .
    Ngjarja e metamorfozës dhe e ndryshimit të mirë tashmë ka filluar. Ajo është fryt i trupëzimit të Fjalës, konsekuencë e Kryqit dhe e Ngjalljes. Eshtë një realitet paskal. Askush nuk mund të mburret për këto. Të gjitha janë dhurata. Ndaj, dhe besimtari, sa më shumë ecën dhe bëhet i ndërgjegjshëm për realitetin, sa më shumë lëviz drejt ndryshimit të mirë, aq më i përulur bëhet, më i lirë, më paskal. Ai e di se ecën me fuqinë dhe hirin e Atij. Me udhërrëfyes "fjalët e Birit", ai realizon ngjitjen e ndërgjegjshme, "që të bëhet Perëndi, që të ngjitet nga poshtë lart me anën e atij që zbriti për ne nga lart", siç shkruan Grigori .
    "Kthimi i kundërt", ngjasimi, fillon që në këtë jetë. "Kërkoni përherë Perëndinë dhe bëhuni pronë e Perëndisë nëpërmjet afrimit dhe ngjitjes drejt tij" . Nuk është fjala këtu për një ndryshim të menjëhershëm, por për një ndryshim të vazhdueshëm; për një zhvillim ngjitjeje, nga pastrimi në pastrim, nga pendimi në pendim, nga virtyti në virtyt, nga dija në dije, nga lavdia në lavdi; për një lëvizje dinamike përtëritjeje të vazhdueshme me anën e Shpirtit .
    Kjo ngjitje kryhet në një pjesëmarrje të vazhdueshme në veprimet e Perëndisë. Kufiri do të mbetet përherë substanca hyjnore. Këtë njeriu nuk ka për ta arritur. Ai nuk merr pjesë në "substancën" e Perëndisë, por lartësohet dhe "hyjnizohet" brenda rrezatimit të veprimeve hyjnore. Ajo që ne quajmë "hyjnizim", është pjesëmarrja në veprimin, jo në substancën e Perëndisë.
    Etërit nuk e injorojnë faktin se në këtë pikë skandalizohet logjika e zakonshme. Pikërisht këtu, me dritën e brendshme të besimit, shpirti e ndjen se kufizimi në kufijtë e vendosur nga urtësia e botës, është "marrëzi". Tre Mësuesit Ekumenikë nuk i përbuzën arritjet e qytetërimit njerëzor. Ata përvetësuan trashëgiminë kulturore greke, duke kapërcyer shumë rrugë pa krye dhe dilema me vizion profetik dhe zbulimin e Shkrimeve, dhe formuan sinteza të reja.
    Ata e quajtën "marrëzi" urtësinë e botës, kur kjo kërkon mbylljen e njeriut brenda kufijve të saj, të cilat, me gjithë gjerësinë e pamatshme të tyre, mbeten të ngushta dhe të pafuqishme. Por, urtësia e botës e kapërcen këtë fazë të "marrëzisë", kur bëhet e ndërgjegjshme se arsyeja njerëzore është vetëm një pjesë e misterit të personit njerëzor dhe përmbushet duke u bashkuar me Fjalën.
    Dikush mund të mos i pranojë aksiomat e krishtera, nga të cilat gufojnë të gjitha këto frymëzime dhe aspirata, por nuk mund ta vërë në diskutim se këto i hapin një perspektivë madhështore të ardhmes njerëzore dhe se përzgjasin në shkallën më të lartë destinacionin tonë. E mbushur me dritë dhe dinamizëm, kjo ecje drejt Perëndisë së Dashurisë dhe Lirisë, na çon në qëndrim energjik dhe të përgjegjshëm, me efekte të shumanshme për jetën personale dhe shoqërore.



* * *



    Dëshmia e Tre Mësuesve Ekumenikë për ndryshimin e mirë kërkon kuptimin dinamik, pakrahasueshmërisht më të guximshëm dhe më madhështor se çdo vizion tjetër, të mundësive dhe perspektivave të njeriut. Vizion fetar është ai, mund të thotë dikush. Jo thjesht fetar! Edhe personal dhe shoqëror - kjo u duk, shpresojmë, në fazat e ndryshme të trajtimit të temës. Veç kësaj, kontributi i fesë konsiston në thyerjen e guaskës izoluese të mendjes, duke fuqizuar vullnetin, duke u dhënë përpjekjeve perspektivë dhe shpresë, për kapërcimin e asaj që në pamje të parë duket e pamundur.
    Vetë të Tre Hierarkët kanë qenë faktorë të një ndryshimi të thellë shoqëror dhe ripërtëritës, me ide rrënjësisht reformuese, që edhe sot mbeten të guximshme dhe aktuale. Të çliruar nga kompromiset e kohëve, me mirëkuptim të thellë ndaj së kaluarës dhe me vizion profetik ndaj së ardhmes, ata jetojnë në përjetësi. Kanë harmonizuar veprimtarinë shoqërore me monakizmin krijues, "mjegullën hyjnore" të dogmës me kthjelltësinë e moralit, urtësinë e botës me tejkalimin e saj, me pranimin e Kryqit dhe me gëzimin e Pashkës. Ata lëvizën me origjinalitet dhe dinamizëm. U munduan për shenjtërimin e tyre personal, duke mbetur në harmoni me mbarë njerëzimin dhe me mbarë natyrën njerëzore. Të gjitha i përfshinë brenda vetes, duke i mbështjellë me dritën e Ngjalljes.
    Kështu, ata janë aktualë tek e këtushmja dhe e tanishmja, duke treguar qartë me mendjen e tyre të shëndetshme dhe jetën autentike, se njeriu ftohet për të lëvizur drejt metamorfozës dhe ndryshimit rrënjësor; drejt transformimit të krijesës. Me vetëdijen e thellë të unitetit të botës me qëllimin final, hyjnizimin.
   Nuk i takojnë së kaluarës Tre Hierarkët. Ata vazhdojnë të marrin pjesë në jetën e Kishës. Shprehin në mënyrë konstante mendimin e saj. Ata përbëjnë një realitet modern, në çdo kohë. Së bashku me të gjithë shenjtorët, ata formojnë një pjesë të gjallë të Kishës. Në jetën e mistershme dhe në kohën e liturgjisë, shenjtorët vazhdojnë të jetojnë dhe të veprojnë. Prania e tyre e mistershme, fryma e tyre, kontribuon pa pushim në një pastrim biologjik - nëse do të më lejohej krahasimi i guximshëm - të mbeturinave të dobësisë dhe mjerimit njerëzor, që grumbullojnë gabimet tona, mangësitë dhe moskorrektësia jonë.
    Orthodhoksia e ka jetuar dhe e jeton këtë dëshmi për ripërtëritje dinamike dhe të vazhdueshme. E jeton këtë rrugë drejt "ndryshimit të mirë" jo si një detyrim ligjor, plot rreptësi moralo-centrike, por si një të kremte, si një panair të një Eksodi të ndritshëm nga Egjipti "i rëndë dhe i errët" i jetës, me udhërrëfyes Krishtin e Kryqëzuar dhe të Ngjallur.
    "Nëse mendon dhe vepron kështu", do t'i thoshte edhe sot Grigor Theologu secilit prej nesh, Kishës sonë, tërë popullit, "për ty do të jenë 'qielli i ri dhe toka e re', si edhe të gjitha të tjerat që vetëkuptohen" . Pra, në rast se mendon dhe vepron kështu, dhe e kupton shkakun e këtyre gjërave, për hirin tënd do të bëhen të reja, qielli dhe toka, dhe të gjitha të tjerat.
    Kjo dritë e Ngjalljes depërton në mendjen, në ndjesinë, në ndërgjegjen e Orthodhoksëve. Ky himn triumfal i Ngjalljes na e forcon vullnetin. Kjo teori e Ngjalljes i mbush ëndrrat dhe vizionet tona me pafundësinë e thirrjes sonë.

_______________________________________

[1]  Përfaqësuesit autentikë të traditës së Kishës Orthodhokse janë Tre Hierarkët, të cilët, tekstet liturgjike i quajnë "Etër të Shenjtë dhe Mësues Ekumenikë". Nga këta Etër dhe Mësues më Krishtin, ne do të mësojmë në mënyrë autentike rrugën orthodhokse drejt shenjtërisë. L. Gillet, Orthodox Spirituality,bot. II, London 1957, fq. VII.

2Grigor Theologu, “Në të dielën e Re" (44) 8, Fjalime, PG 36, 616C.

3 Kur m'u ngarkua, para Krishtlindjeve, për të folur në festën universitare të Tre Hierarkëve, pyetja e parë që më erdhi në mendje ishte: Cila është pika kritike, tema e ditës, në hapësirën greke dhe ç'kontribut do të jepte në këtë rast kujtimi i Tre Hierarkëve? Përgjigjja ishte spontane: Ndryshimi. Por pasoi menjëherë një pyetje tjetër: A nuk do të ishte e mprehtë një temë e tillë nga një tribunë zyrtare?
Përfundimisht, mendimi se urtësia e tyre ishte e gërshetuar me guximin e së vërtetës dhe të dashurisë ndikoi që unë të vendosja për të trajtuar temën "Dëshmia e Tre Hierarkëve për "ndryshimin e mirë", ose, më qartë, "Dinamika e një ndryshimi të përgjithshëm e të vazhdueshëm në jetën dhe mendimin e Tre Hierarkëve". Gjithsesi, shpejtoj të deklaroj se këtu është fjala për një kontribut të vogël theologjik, të koordinuar ndaj kërkesave dhe terminologjisë që preokupojnë botën e sotme dhe nuk ka asnjë dëshirë për aludime politike. Ndërgjegjja orthodhokse ka qenë - dhe duhet të mbetet - përmbi kontradiktat politike, duke i ofruar të gjithë popullit, pa përjashtim, gjënë më të qëndrueshme dhe dinamike që ka.

4Shih: Vasili i Madh, Mbi Shpirtin e Shenjtë, 20, PG 32, 161.

5Poezi theologjike, morale,34, 59-60, PG 37, 950.

6Shih: Joan Damaskinoi, Në paralelet e shenjta, PG95, 1373 C.
7Mbi thënien e Ungjillit: "Kur Jisui kreu..."(37) 6, PG 36, 289BC.

8Mbi letrën e Parë Korinthianëve26, 2, PG 60, 214-215.

9Mbi varfërinë me dashje (14) 25, PG 35, 892A.

10"Liri e pasuri është vetëm zbatimi i porosisë, ndërsa varfëri dhe robëri e vërtetë është shkelja e tyre". Po aty, PG 35, 892A.

11   "Shkaktar fatkeqësish njerëzore", "i mallkuar nga populli", quhet nga Vasili i Madh ai që shfrytëzon rrethanat e vështira për t'u pasuruar. Nga: "Do të prish hambaret e mia", 3, PG 31, 268B. Gjithashtu: "... nuk do të ngopet dorështrënguari duke marrë. Skëterra nuk tha 'mjaft', as i pangopuri s'ka thënë ndonjëherë 'mjaft". Vasili i Madh, Për të pasuruarit, 5, PG 31, 293A.

12Për të pasuruarit, 1, PG 31, 281B. Shih gjithashtu: Vasili i Madh, Moralet, kushti 48, PG 31, 768C: "Se çdo gjë që ka dikush më tepër nga ç'i duhet, është i detyruar të ndihmojë tjetrin sipas porosisë së Zotit, i cili na dha ato që kemi".

13Vasili i Madh, Kushte në gjerësi, 20, 3, PG 31, 976A.

14Vasili i Madh, Në “Do tëprish hambaret e mia...",7, PG31, 277A.

15  "Sepse duke mos u dhënë nga paratë tona të varfërve, do të thotë të grabitësh të uriturit dhe t'u privosh atyre jetën; dhe ne nuk kemi tonat, por të atyre kemi". Joan Gojarti, Për Llazarin, Fjala 2, PG 48, 992.

16Në thënien e profetit: "Mos u tremb kur të pasurohet njeriu...", 4, PG 55, 504.

17Vasili i Madh, Mbi lëmoshën (4) 7, PG, 32, 1164A, D.

18Në thënien apostolike..., 2, PG, 51, 255.

19"Sepse shumë të varfër për nga pasuria, janë superiorë për nga dëshira; ata nuk i shpëton skamja, por i ndëshkon dëshira..." Vasili i Madh, Fjala për psalmën 33, 5, PG 29, 361A.

20Vasili i Madh, Në “Do të prish hambarët...",7, PG31, 276A.

21Vasili i Madh, Për lëmoshën (4), 7, PG 32, 1164C.

22 Në "Do të prish hambarët...",5, PG 31, 272B.

23Si më sipër, 8, PG 31, 277C.

24"Di shumë që mbajnë kreshmë, që luten, që rënkojnë, që shfaqin pa u shpenzuar çdo shpresëtari, por asnjë monedhë të vogël nuk u lënë të mjerëve. Ç'dobi ka për ta virtyti tjetër? Se ata nuk i pranon mbretëria e qiejve". Vasili i Madh, Për të pasuruarit, 3, PG 31, 288A.

25Joan Gojarti, Mbi Vavillën e lumur, 8, PG. 50, 545.

26Vasili i Madh, Morali, 48, PG 31, 768C.

27Vasili i Madh, Kushte përmbledhëse, 62, PG 31, 1124B. Kjo vlen për të gjithë, edhe për ata që janë në gjendje të mirë ekonomike dhe për ata që nuk janë. "Të japësh lëmoshë" tregon një parim theologjik më të gjerë. Eshtë një fjalë e koduar për tërë sistemin e nocioneve që shprehin dëshirën për të ofruar.

28Në të dielën e Re (44), 7, PG 36, 616A.

29Asketike,18, 1, PG31, 1381C.

30Si më sipër, 18, 1, PG31, 1384 A.

31  "Nuk të do kurrë Fjala që të mbetesh në një vend, por të jesh gjithnjë në lëvizje dhe i zhdërvjellët, por gjithsesi të mbetesh i ri; të do të kthehesh nëse mëkaton; kur ke arritje, t'i shtosh ato". Në të dielën e Re,(44), 8, PG36, 616D-617A.

32Grigor Theologu, Poezi theologjike, morale,8,184, PG 37, 662.

33Grigor Theologu, Epitafi për Vasilin e Madh(43), 48, PG 36, 560A.

34Poezi theologjike, morale,34, PG 37, 959.

35Vasili i Madh, Asketike, 18, 3, PG 31, 1385A.

36Si më lart.

37"Sot, u bë shpëtim në botë: në të gjithë botën e dukshme dhe në atë të padukshme. Krishti u ngjall së vdekurish, edhe ju ngrehuni së bashku. Krishti u kthye tek vetvetja, kthehuni dhe ju. Krishti doli nga varri, edhe ju çlirohuni nga prangat e mëkatit. Dyert e Adhit po hapen dhe vdekja mposhtet, ndërsa Adhami i vjetër lihet dhe i riu e zëvendëson; Kush i përket Krishtit është krijesë e re, ndaj përtërihuni". Grigor Theologu, Për Pashkën e Shenjtë(45), 1, PG 36, 624AB.

38Poezi theologjike, morale, 34, 235, PG 37, 962.

39Në të dielën e Re (44), 8, Fjalime, PG 36, 616C.

40Si më sipër, 616D.

40Mbi varfërinë me dashje (14), 40, PG 35, 909B.

42    "Pata etje kur isha i varur mbi kryqin, kam etje edhe nëpërmjet të varfërve... duke qenë në gjendje për të ushqyer, vërtitem duke lypur dhe duke qëndruar pranë derës sate, zgjas dorën sepse dëshiroj të ushqehem prej teje; sepse të dua fort, ndaj dua dhe sofrën tënde"; Interpretimi i Letrës dërguar Romakëve, 15, 6, PG, 60, 547-548.

43   Të kujdesesh vetëm për shpëtimin e vetes tënde, dlësohet si gjë "mizore e çnjerëzore". Përgjegjësia është e përbashkët. " Sepse secili prej nesh ka përgjegjësi për shpëtimin e njeriut që ka pranë". Joan Gojarti, Për ata që kanë virgjëresha, 4, PG 47, 500.

44Vasili i Madh, Që Perëndia nuk është shkaktar i të ligave,6, PG 31, 344B.

45Grigor Theologu, Në Epitafin e Vasilit të Madh (43), 35, PG 36, 544D.

46Shih: J. Gojarti, Letra: 53, PG 52, 637; 54, PG 52, 638; 55, PG 52, 639; 123, PG 52, 676-677; 126, PG 52, 685 e në vazhdim.

47  Poezi historike 12, 6, 35-40, PG 37, 1169A.
48  Në Epitafin e Vasilit të Madh (43), 7, Fjalime, PG36, 576A. Vasili i Madh, shih: Anton Murgu, Melissa, A, 11, PG136, 805A.

49  Shih gjithashtu: "E papëlqyeshme është drejtësia për ata që bëjnë padrejtësi; ashtu si dielli për ata që vuajnë nga sytë". Vasili i Madh, Interpretim ndaj profetit Isaia, 114, PG 30, 304B.

50Vasili i Madh, PG136, 805A.

51Në të dielën e Re (3,44), 9, Fjalime, PG 36, 617A

52Grigor Theologu, Atit që hesht (16), b, Fjalime,

53Vasili i Madh, Kushte të shkurtra, 211, PG 31, 1224A.

54Në të dielën e Re (44), 6, PG 36, 613C
55Grigor Theologu, Në Epitafin e Vasilit të Madh(43), 60, Fjalime, PG 36, 573C.

56  "Eshtë e mundur që edhe kur dikush rri në shtëpi bredh jashtë në mënyrë imagjinare; dhe kur gjendet në pazar, duke qenë me mendje të mbledhur, si të gjendet në shkretëtirë, duke u vërtitur vetëm rreth vetes dhe rreth Perëndisë". Vasili i Madh, Asketike, 5, PG 31, 1360C. Gjithashtu: "Largimi nga bota nuk është të dalësh jashtë saj me trup, por të shkëputësh shpirtin nga simpatia ndaj trupit...". Vasili i Madh, Letër 2, Mikut Grigor,b, PG 32, 225B.

57Grigor Theologu, Në Epitafin e Vasilit të Madh(43), 62, PG36, 577B.

58   "Vetëpërmbajtja do t'i përcaktohet secilit në raport me fuqinë e trupit, që të mos arrijë në shkallë më të ulët se fuqia ekzistuese, as të shtrihet tej fuqisë. Dhe kësaj, mendoj, duhet t'i tregojmë vëmendje që të mos e katandisim atë [trupin] të ngathët dhe të pafuqishëm për punë të rëndësishme pasi të kemi shkatërruar fuqinë e trupin me tejkalimin e masës së vetëpërmbajtjes". Vasili i Madh, Asketike, 4, a, PG 31, 1348B. Dhe "Asketi duhet të çlirohet nga çdo mendjemadhësi dhe, duke ecur në rrugën vërtet të mesme dhe kryesore, të mos devijojë aspak as nga njëra anë dhe as nga tjetra: as të përqafojë komoditetin as të nxjerrë trupin jashtë përdorimit me vetëpërmbajtje të tepruar". Si më sipër, 4, b, PG 31, 1349B.

59  "Pra, ajo mendje që është përzier me hyjninë e Shpirtit, ajo tashmë i sheh pamjet e mëdha dhe vështron qartë bukuritë hyjnore, por në atë shkallë sa Hiri hyjnor e lejon dhe konstrukti i tij e pranon".

60Vasili i Madh, Letër 233, Përgjigje Episkopit Amfilok, a, PG32, 865C. Vasili i Madh, Letër 2 Grigorit, c, PG 32, 228B.

61Si më lart, d, PG 32, 229B.

62Grigor Theologu, Për Pashkën e Shenjtë (45), PG 36, 656. Vasili i Madh, Për Pagëzimin e Shenjtë, a, PG 31, 424. I të njëjtit, Letër 93, Qesarisë, PG 32, 484B.

63Kushte të shkurtra,(92), B, PG 31,1145C.

64Atyre që na ftojnë..., c, PG 49, 260.

65  "... Perëndia, pasi doli së bashku me atë u bë, d.m.th. me njërën nga dy të kundërtat, pra nga mishi dhe shpirti, njëra nga këto e hyjnizoi, ndërsa tjetra u hyjnizua". Grigor Theologu, Për Pashkën e shenjtë (45), 9, PG 36, 633D.

66Fjalim për Gjashtëditëshin,3, 10, PG29, 76CD.

67Për Anën, A, b, PG 54, 636.

68Liturgjia e Vasilit të Madh
69Poezi theologjike, morale, 10, 63-65, PG 37, 685.

70Grigor Theologu, Për Julianin (19), 7, Fjalime, PG 35, 1052A.

71Për Pashkën e shenjtë (45), 7, Fjalime, PG 36, 632B.

72Grigor Theologu, Për Athanasin e Madh (21), 2, Fjalime, PG 35, 1084B.

73Fjalimi i Katërt Theologjik (30), 5, Fjalime, PG 36, 112B.
74Grigor Theologu, Për Julianin(19), 7, Fjalime, PG35, 1052A.

75   "As që ekziston një [vetëm] rrugë e virtytit, por më shumë dhe ka shumë vende për të ndenjur pranë Perëndisë". Grigor Theologu, Mbi rregullin në debatet(32), 33, Fjalime, PG36, 212B.

76Fjalimi i Katërt Theologjik(30), 21, Fjalime, PG36, 133A.

77Grigor Theologu, Letër 212, Sakerdotit, PG37, 349A.

 


 

 

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com