Historia e Kishës

Shekulli i Parë

    Shekulli i parë i erës së krishterë fillon me lindjen e Jisu Krishtit prej Virgjëreshës Mari në Betlehem. Krishti jetoi, vdiq, u ngjall përsëri dhe u ngjit në qiell në shekullin e parë. Kjo kohë dëshmoi, gjithashtu, derdhjen e Shpirtit të Shenjtë mbi nxënësit e Krishtit në festën e Rushajeve, ngjarje që quhet shpesh ditëlindja e Kishës. Në shekullin e parë, apostujt predikuan Ungjillin e Krishtit. Ne nuk e dimë saktësisht se ku udhëtuan apostujt, me përjashtim të Shën Pavlit udhëtimet misionare të të cilit janë treguar në librin e Veprave. Sipas Traditës, të gjithë apostujt ishin predikues universalë të Ungjillit, të cilët, me përjashtim të Shën Joanit, u vranë për besimin e tyre në Krishtin. Ungjijtë dhe letrat dhe të gjithë librat që përbëjnë shkrimet e Dhiatës së Re u shkruan në shekullin e parë. Gjithashtu, në këtë kohë, u themeluan bashkësitë e para të krishtera në qytetet kryesore të Azisë së Vogël dhe Greqisë, dhe ka mundësi edhe të Afrikës së Veriut.* Kisha u themelua, gjithashtu edhe në kryeqytetin e perandorisë në Romë.

Leggi tutto: Shekulli i Parë

Shekulli i Dytë

     

     Persekutimet

    Shekulli i dytë pa një zhvillim të mëtejshëm të besimit të krishterë dhe persekutime më të mëdha të Kishës nga autoritetet perandorake romane, për të cilët krishtërimi ishte një “fe e paligjshme”. Të krishterët ishin të dënueshëm në sytë e romanëve jo vetëm fetarisht, por edhe politikisht. Ata shkelnin ligjet e shtetit, sepse ata kundërshtonin të nderonin një perandor tokësor si mbret, zot dhe perëndi, gjë që iu kërkohej atyre si anëtarë të shoqërisë perandorake. Ata luteshin për autoritetet civile dhe i jepnin “nderimin atij që është për nderim” (Romanët 13:1-7), por ata kundërshtonin t’i jepnin mbretit tokësor lavdinë dhe adhurimin që i përket vetëm Perëndisë dhe Krishtit të Tij. Kështu romanët shpallën: Nuk është e ligjshme të jesh i krishterë. Një nga dëshmitë e para mbi të krishterët që ne kemi nga shkrimet shekullore gjendet në letërkëmbimin e shekullit të dytë ndërmjet Plinit të Ri dhe perandorit Trajan, i cili sundoi nga viti 98 deri 117. Ky letërkëmbim tregon se krishtërimi ishte me të vërtetë i ndaluar, dhe ndonëse të krishterët nuk duhet të ndiqeshin dhe ishin të pafajshëm për akuzat e rënda kundër tyre, si flijimi i fëmijëve dhe ngrënia e mishit të njeriut (një keqkuptim i eukaristisë që kryhej në “mbledhje të fshehta”), megjithatë, ata duhet të ekzekutoheshin nëse, kur kapeshin, kundërshtonin të mohonin besimin e tyre. Persekutimi i të krishterëve në shekullin e dytë ishte gjerësisht lokal, i kryer sipas zellit të autoriteteve perandorake lokale.

Leggi tutto: Shekulli i Dytë

Shekulli i Tretë

    Kisha e krishterë jetoi një paqe relative që nga vdekja e Mark Aurelit (185) deri në kohën e perandorit Decius (249). Kur Decius erdhi në pushtet, ai filloi një persekutim të përgjithshëm kundër të krishterëve nëpër tërë perandorinë. Persekutimet nga Decius u vazhduan me forcë nga Valeriani (253-260) Gjatë kësaj kohe jo vetëm që të krishterët detyroheshin t’u flijonin perëndive perandorake, por kleri ndiqej për t’u vrarë dhe të gjitha pronat e të krishterëve konfiskoheshin dhe shkatërroheshin. Pati një përpjekje totale për ta zhdukur tërë udhëheqjen e Kishës dhe për ta shkatërruar atë tërësisht. Megjithatë, pas Valerianit, Galeni, biri i tij, e ndali politikën e persekutimit të përgjithshëm dhe të krishterët jetuan përsëri në një paqe relative deri në fund të shekullit. Gjatë kësaj periudhe, pati një rritje të jashtëzakonshme të anëtarësisë së Kishës, e cila arriti ndoshta dhjetë për qind të popullsisë së perandorisë. 

Leggi tutto: Shekulli i Tretë

Shekulli i Katërt

    Konstandini

    Shekulli i katërt filloi me persekutimin më të madh që ishte bërë ndonjëherë kundër Kishës së hershme, ai i perandorit Dioklecian. Lista më e gjatë e martirëve të parë vjen nga kjo periudhë (303-306). Mbas dorëheqjes së Dioklecianit u zhvillua një luftë e fortë për pushtet ndërmjet udhëheqësve perandorak. Në vitin 312, Konstandini u angazhua në një betejë me pretenduesin kryesor për fronin e perëndimit, Maksentin. Përpara betejës së urës së Milvianit, pranë Romës, Konstandini pati një vizion, ndoshta në një ëndërr. Ai pa Kryqin ose Labarumin (Chi Rho: XP) (=KR) të Krishtit me fjalët, “Në këtë shenjë, fiton”. Ai e vendosi simbolin e krishterë në tunikat dhe armët e trupave të tij, dhe ata e fituan betejën. Konstandini përnjëherë i dha liri të krishterëve që të praktikonin besimin e tyre, dhe tregoi gjithashtu parapëlqimin e tij për Krishtërimin, duke i dhënë Kishës shumë privilegje dhe avantazhe. Përpara së Konstandini të vdiste, ai ndërtoi një qytet në vendin e vjetër të Bizantit, si kryeqytetin e tij të ri perandorak – një qytet të quajtur Konstandinopojë (Konstandinupolis), qyteti i Konstandinit, në nderim të tij. Konstandini vetë u pagëzua në shtratin e vdekjes, në vitin 337. Së bashku me nënën e tij, Helena, e cila rizbuloi Kryqin e vërtetë të Krishtit në Jerusalem, Konstandini njihet si shenjt nga Kisha. Krishtërimi u bë besimi zyrtar i perandorisë, në vitin 380, nga një dekret i perandorit Theodhos.

Leggi tutto: Shekulli i Katërt

Shekulli i Pestë

    Luftërat e Brendshme

    Në fillim të shekullit të pestë kur Aleksandria dhe Konstandinopoja po haheshin për pozicionet e tyre në Kishë dhe në perandori, Nestori, peshkopi i Konstandinopojës, shpalli kundërshtimin e tij për të nderuar Marinë, nënën e Krishtit, me titullin tradicional Theotokos (Perëndilindëse ose Hyjlindëse). Ai pretendonte se ai që lindi nga Maria ishte thjesht “njeriu” në të cilin Logos-i i përjetshëm i Perëndisë erdhi të banojë, por jo Vetë Logos-i. Kështu, Maria nuk mund të quhej me vend Theotokos, që do të thonte ajo që lindi Perëndinë. Shën Qirili, peshkopi i Aleksandrisë (v. 444), e kundërshtoi me forcë mësimin e Nestorit, duke deklaruar se ishte me vend të quhej Maria Theotokos, meqë ai që lindi prej asaj, “sipas mishit”, nuk ishte tjetër, përveçse Logos-i hyjnor i Perëndisë. I vetëmlinduri Bir i Perëndisë ishte “lindur nga Ati para jetëve” duke zbritur prej Qiellit për shpëtimin e njeriut, duke lindur në mish dhe duke u bërë njeri prej Virgjëreshës. Kështu, Biri i Perëndisë dhe Biri i Marisë është një dhe i njëjti Bir.

Leggi tutto: Shekulli i Pestë

Shekulli i Gjashtë

    Perandori Justinian I dhe Monofizitët

   Shekulli i gjashtë i historisë së Kishës Orthodhokse në Lindje u zotërua nga personi dhe politikat e perandorit Justinian I (527-65). Justiniani e kuptoi lidhjen ndërmjet Kishës dhe shtetit si një unitet dhe bashkëpunim ndërmjet priftërisë (që “ka të bëjë me gjërat hyjnore”) dhe perandorisë (që “kryeson mbi të vdekshmit”). Synimet e tij ishin të rifitonte pjesën perëndimore të perandorisë prej pushtuesve barabarë dhe për t’i kthyer monofizitët përsëri në besimin orthodhoks të Sinodit të Kalqedonisë. Ai shpresonte të bashkonte plotësisht Kishën dhe perandorinë. Justiniani e arriti synimin e tij të parë nën përpjekjet e ushtrive të tij të drejtuara nga gjenerali Belisar. Ai dështoi në synimin e dytë, ndonëse përpjekjet e tij ishin të guximshme dhe të vazhdueshme.  

Leggi tutto: Shekulli i Gjashtë

Shekulli i Shtatë

    Dionis Aeropagjiti

    Shkrimet teologjike që u shfaqën në shekullin e gjashtë nën emrin e Dionis Aeropagjitit, u pranuan në përgjithësi si nga mbrojtësit ashtu edhe nga kundërshtarët e doktrinave të sinodeve ekumenikë të shekullit të katërt dhe të pestë. Këto shkrime patën një ndikim të madh në devotshmërinë liturgjike të Kishës nëpërmjet shpjegimeve të tyre simbolike të ritualeve të adhurimit. Ato paraqisnin një teologji mistike e cila theksonte pakuptimshmërinë absolute të Perëndisë dhe “tjetërsinë” e Tij absolute prej gjithçkaje tjetër që ekzistonte në krijimin e Tij. Por, ato përmbanin një doktrinë në lidhje me Krishtin që shkaktoi vështirësi të mëdha në shekullin e shtatë.

Leggi tutto: Shekulli i Shtatë

Shekulli i Tetë

    Debati i Ikonave

   Në shekullin e tetë sundonjësit isaurianë në Lindje, Leo III (717-741) dhe Konstandini V (741-775) u orvatën ta nënshtronin Kishën nën sundimin e tyre. Për të arritur kontrollin e Kishës këta dy perandorë i sulmuan ligësisht të krishterët e zellshëm, sidomos murgjërit, të cilët mbronin integritetin e Kishës. Sulmi mori formën e një persekutimi të egër kundër atyre që nderonin ikonat. Subjekti i sulmit ishte vendosur në vend të përshtatshëm, sepse ekzistonte realisht një ekzagjerim i nderimit të ikonave ndërmjet njerëzve të devotshëm që arrinte kufijtë e idhujtarisë dhe paganizmit.

Leggi tutto: Shekulli i Tetë

Shekulli i Nëntë

    Mbarimi i Debatit mbi Ikonat

    Mbas sinodit të 787 në të cilin u mbrojt zyrtarisht nderimi i ikonave në Kishë, dolën sundimtarë të rinj perandorakë të cilët i sulmuan përsëri si nderimin ashtu edhe nderuesit e imazheve të shenjta. Kur perandoresha Irena vdiq, në 802, u bë perandor Leo Armeni. Në 815 ai urdhëroi që ikonat e kishave të vendoseshin në vende ku besnikët nuk mundt’iarrinin dhe kështu, ata nuk mund t’i nderonin dhe t’i puthnin. Në të Dielën e Dafinës, të vitit 815, Shën Theodhori, igumeni i Manastirit të madh të Studios në Konstandinopojë, udhëhoqi një procesion publik me ikonat e shenjta. Ky procesion shkaktoi sulmin perandorak, tortura dhe vrasje. Vetëm në 843, me ardhjen në fron të Perandoreshës Theodhora, nën udhëheqjen e Patrikut Metodit, ikonat e shenjta u kthyen njëherë e përgjithmonë në Kishë. Ky kthim zyrtar i ikonave, të Dielën e Parë të Kreshmës në atë vit, shënoi fillimin e kremtimit vjetor të festës së triumfit të Orthodhoksisë që mbahet akoma edhe sot. 

Leggi tutto: Shekulli i Nëntë

Shekulli i Dhjetë

    Rilindja Kulturore

    Në Lindje, në shekullin e dhjetë, pati një vazhdim të përgjithshëm të rilindjes kulturore të shekullit të nëntë. U mblodhën shkrimet e Etërve të Kishës dhe për herë të parë, Shën Simeon Metafrasti kodifikoi Jetët e Shenjtorëve të Kishës. Pati, gjithashtu, një gjallërim të interesit për antikitetin pagan nga njerëz të tillë, si: Mihal Pselus dhe Joan Italos, “helenizimi” ekstrem i të cilëve i çoi në konflikt me Kishën. Në 960, Shën Athanasi i Malit Athos (v. 1000) themeloi Lavrën e Madhe dhe hapi kështu rrugën e zhvillimit të republikës së madhe murgërore të Malit të Shenjtë. Shën Simeon Teologu i Ri (v. 1022) shkroi traktatet e tij me influencë rreth banimit të Shpirtit të Shenjtë tek të krishterët.

Leggi tutto: Shekulli i Dhjetë

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com