Simboli i Besimit

Jeta e Amëshuar

Pres ngjalljen e të vdekurve. Dhe jetën e ardhshme të amëshuar.

Kisha Orthodhokse nuk beson vetëm thjesht në pavdeksinë e shpirtit dhe në mirësinë dhe shpëtimin përfundimtar të vetëm realitetit shpirtëror.

Duke ndjekur Shkrimin e Shenjtë, të krishterët orthodhoksë besojnë në mirësinë e trupit njerëzor dhe të gjithë krijimit material e fizik. Kështu, në besimin në ngjalljen e jetës së amshuar, Kisha Orthodhokse nuk pret ndonjë "tjetër botë" për shpëtimin, por këtë botë kaq të dashur nga Perëndia, të ringjallur dhe të lavdëruar prej Tij, dhe të mbushur nga vetë prania e Tij hyjnore.

Në fund të kohës, Perëndia do të zbulojë praninë e Tij dhe do të mbushë tërë krijimin me Vetveten. Për ata që e duan Atë, do të jetë parajsë. Për ata që e urrejnë atë, do të jetë ferr. Dhe tërë krijimi fizik, së bashku me të drejtët, do të gëzohet e do të ngazëllohet në ardhjen e Tij.

"Shkretëtira dhe vendet e vetmuara do të gëzohen; shkretëtira do të ngazëllohet dhe do të lulëzojë me bollëk" (Isaia 35:1). "Dhe ja Unë krijoj qiej të rinj e një tokë të re thotë Zoti, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen dhe as do të përmenden. Por gëzohu dhe ngazëllohu përgjithmonë në ato që Unë krijoj, sepse ja Unë krijoj Jerusalemin, një ngazëllim dhe popullin e tij, një gëzim" (Isaia 65:17-18).

Leggi tutto: Jeta e Amëshuar

Misteret

Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.

Mënyra e hyrjes në Kishën e krishterë është me anë të Pagëzimit në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë (Mattheu 28:19, Ungjilli në shërbesën e Pagëzimit në Kishën Orthodhokse). Pagëzimi si fjalë, do të thotë zhytje në ujë.

Ai praktikohej në Dhiatën e Vjetër dhe madje edhe në disa fe pagane, si shenjë e vdekjes dhe e rilindjes. Kështu, Joan Pagëzori pagëzonte si shenjë për një jetë të re dhe pendim, që literalisht, do të thotë një ndryshim i mendjes, dhe kështu ndryshim i dëshirave dhe veprimeve, për t’u përgatitur për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë në Krishtin. Në Kishë, kuptimi i Pagëzimit është vdekja dhe rilindja në Krishtin. Ai është përvoja personale e Pashkës për çdo njeri, mundësia reale për të vdekur dhe për "të rilindur" (Joani 3:3).

"A nuk e dini, se sa u pagëzuam me Krishtin, më vdekjen e tij u pagëzuam. U varrosëm, pra, bashkë me anën e pagëzimit, për vdekjen; që siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me lavdin e Atit, ashtu edhe ne të ecim me jetë të re. Sepse, nëse u bëmë pjesëtarë në shembëllesën e vdekjes së tij, do të bëhemi pjesëtarë në ngjalljen e tij" (Romanët 6:3-5; Apostulli i Shërbesës së Pagëzimit, Shih gjithashtu Kolosianët 2:12; 3:1).

Leggi tutto: Misteret

Kisha

Në një Kishë të përgjithshme dhe apostolike

    Fjala Kishë kupton ata që janë thirrur si një popull i veçantë për të kryer një detyrë të caktuar. Kisha e krishterë është asambleja e popullit të zgjedhur të Perëndisë, e thirrur për të mbajtur fjalën e Tij dhe për të bërë punën dhe vullnetin e Tij në botë dhe në mbretërinë qiellore.

Në Shkrimin e Shenjtë Kisha quhet Trupi i Krishtit (Romanët 12; 1 Korinthianët 10, 12; Kolosianët 1) dhe Nusja e Krishtit (Efesianët 5; Zbulesa 21). Gjithashtu, quhet edhe Tempulli i Perëndisë së gjallë (Efesianët 2; 1 Pietri 2) dhe "shtylla dhe mburoja e së Vërtetës" (1 Timotheu 3:15).

Një Kishë

Kisha është Një, sepse Perëndia është një dhe sepse Krishti dhe Shpirti i Shenjtë janë një. Mund të jetë vetëm një Kishë dhe jo shumë. Dhe kjo një Kishë, meqenëse uniteti i saj varet në Perëndinë, Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, kurrë nuk duhet të jetë e ndarë. Kështu, sipas doktrinës orthodhokse, Kisha është e pandarë, Kisha është e padukshme; njerëzit mund të jenë brenda apo jashtë, por ata nuk mund ta ndajnë atë.

Leggi tutto: Kisha

Shpirti i Shenjtë

    Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot, jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.

    Shpirti i Shenjtë ka titullin e Zotit, së bashku me Perëndinë Atin dhe Krishtin Birin. Ai është Shpirti i Perëndisë dhe Shpirti i Krishtit. Ai është i përjetshëm, i pakrijuar dhe hyjnor; që ka qenë gjithmonë me Atin dhe me Birin; vazhdimisht i adhuruar dhe i lavdëruar me ata në unitetin e Trinisë së Shenjtë.

    Ashtu si edhe me Birin, nuk ka patur asnjë kohë kur Shpirti i Shenjtë nuk ka qenë. Shpirti është përpara krijimit. Ai del nga Perëndia, ashtu si edhe Biri, në një burim të përjetshëm dhe të pa kohë. "Ai buron prej Atit", në përjetësi në një lëvizje të njëhershme, hyjnore dhe të vazhdueshme (Joani 15:26).

   Doktrina orthodhokse pohon që Perëndia Atë është origjina dhe burimi i përjetshëm i Shpirtit, ashtu siç është dhe i Birit. Por, Kisha pohon, gjithashtu, që mënyra se si Ati zotëron dhe prodhon Shpirtin dhe Birin ndryshon, sipas ndryshimit ndërmjet Birit që është "lindur" dhe Shpirtit që "buron."

    Janë bërë shumë përpjekje nga njerëz të shenjtë të frymëzuar prej Perëndisë me një përvojë të vërtetë rreth jetës së Tij Trinitare, për të shpjeguar dallimin ndërmjet burimit të Shpirtit dhe lindjes së Birit. Për ne është mjaft që të kuptojmë, që ndryshimi ndërmjet tyre është në dallimin ndërmjet personave hyjnorë dhe veprimeve të Birit dhe të Shpirtit në lidhje me Atin dhe gjithashtu, në lidhje me njëri-tjetrin dhe me botën.

Leggi tutto: Shpirti i Shenjtë

Mbretëria e Perëndisë

    Dhe Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.

   Jisui është Biri mbretëror i Davidit, për të cilin u profetizua nga engjëlli në lindjen e tij. "Ky do jetë i madh, edhe Bir i të Lartit do të quhet; edhe Zoti Perëndi do t'i japë atij fronin e Davidit, atit të tij; edhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, edhe mbretëria e tij nuk do ketë mbarim" (Lluka 1:32-33). Nëpërmjet pësimeve të tij si Krisht, Jisui arriti mbretërimin dhe zotërimin mbi gjithë krijimin. Ai u bë "Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve", duke pasur të njëjtin titull me Vetë Perëndinë Atë (Dhefteronomi 10:17; Danieli 2:47; Zbulesa 19:16). Si njeri, Jisu Krishti është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Krishti erdhi pikërisht për të prurë mbretërinë e Perëndisë tek njerëzit. Fjalët e tij të para janë të njëjta me ato të Pararendësit, Joan Pagëzorit: "Pendohuni se mbretëria e qiejve u afrua" (Mattheu 3:2, 4:17). Nëpër tërë jetën e tij Jisui foli për mbretërinë. Në predikimet, si Predikimi në Mal dhe në shumë paravoli, ai foli për mbretërinë e përjetshme.

    Lum të varfërit në shpirt; sepse e atyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që ndiqen për punë drejtësie; sepse e atyre është mbretëria e qiejve. Ai, pra, që do zbatojë këto porosi dhe do mësojë ato do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve. Po kërkoni më përpara mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij; edhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve. Nuk do të hyjë në mbretërinë e qiejve kushdo që më thotë, Zot, Zot; por ai që bën dashurinë e tim Eti që është në qiejt (Mattheu 5-7).

Leggi tutto: Mbretëria e Perëndisë

Gjykimi

    Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.

    "Ky Jisu që hipi prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, sikundër e patë atë duke vajtur në qiell" (Veprat 1:11). Këto fjalë të engjëjve, iu drejtuan apostujve kur Zoti u ngjit në qiell. Krishti do të vijë përsëri me lavdi, "do të duket për së dyti pa faj ndër ata që e presin për shpëtim" (Hebrejtë 9:28). "Se Zoti vetë, me urdhër, me zë krye engjëlli dhe me trumbetë Perëndie do të zbresë prej qiellit, dhe të vdekurit më Krishtin, do të ngjallen të parët; pastaj dhe ne të gjallët që kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ta ndër retë, që të takojmë Zotin në ajër; dhe kështu do të jemi bashkë me Zotin ngahera" (1 Thesalonikasit 4:16-17. Apostulli i Shërbesës së Varrimit në Kishën Orthodhokse).

    Ardhja e Zotit në fund, në mbarim të jetëve do të jetë Dita e Gjykimit, Dita e Zotit e parathënë në Dhiatën e Vjetër dhe e paratreguar nga Jisui vetë (p.sh. Daniel 7; Mattheu 24). Koha e saktë se kur, nuk është parathënë, as nga vetë Jisui, kështu që njerëzit duhet të jenë gjithmonë të përgatitur me anë të veprave të mira dhe vigjëlimit shpirtëror.

    Prania e Krishtit si e Vërteta dhe Drita është në vetvete gjyqi i botës. Në këtë kuptim të gjithë njerëzit dhe e tërë bota janë tashmë gjykuar, ose më saktë, tashmë jetojnë në praninë e plotë të këtij realiteti - Krishti dhe veprat e tij - nga të cilat ata do të gjykohen në fund. Tani me Krishtin e zbuluar, nuk ka më justifikim për paditurinë dhe mëkatin (Joani 9:39).

Leggi tutto: Gjykimi

Ngjitja (Shestja)

  

    Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.

    Mbas ngjalljes, Jisui iu shfaq njerëzve për një periudhë prej dyzet ditësh. Pastaj Ai "hipi në qiejt edhe ndenji në të djathtë të Perëndisë" (Marku 16:19; shih gjithashtu Lluka 24:50 dhe Veprat 1:9-11).

    Ngjitja e Jisu Krishtit është akti final i misionit tokësor të shpëtimit. Biri i Perëndisë zbriti "nga qielli" për të bërë veprën që Ati i dha për të bërë; dhe mbasi kreu gjithçka u kthye tek Ati, duke mbartur përjetësisht njerishmërinë e plagosur dhe të lavdëruar që Ai mori mbi vete (Shih p.sh. Joani 17).

    Kuptimi doktrinor i ngjitjes është lavdërimi i natyrës njerëzore, bashkimi i njeriut me Perëndinë. Me të vërtetë, është depërtimi i njeriut në thellësitë hyjnore pambarim. Tashmë ne kemi parë që "qiejt" janë në Bibël shprehje simbolike për "mbretërinë e Perëndisë" së pakrijuar, jolëndore dhe hyjnore, siç dhe e ka quajtur një nga shenjtorët e Kishës. Të thuash që Jisui "u ngrit lart në të djathtë të Perëndisë", siç tha Pietri në predikimin e parë të krishterë (Veprat 2:33), do të thotë pikërisht këtë: që njeriu u restaurua në kungimin me Perëndinë, në një bashkim që është sipas doktrinës orthodhokse, më i madh dhe më i përsosur se ai i dhënë njeriut ne krijimin e tij fillestar (Shih Efesianët 1-2).

Leggi tutto: Ngjitja (Shestja)

Ngjallja

Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve.

    Krishti u ngjall së vdekurish! Ky është proklamimi kryesor i besimit të krishterë. Kjo formon zemrën e predikimit dhe adhurimit të Kishës dhe të jetës shpirtërore "...Edhe nëse Krishti nuk u ngjall, atëherë pa fjalë predikimi ynë është i kotë dhe besa jonë është e kotë" (1 Korinthianët 15:14).

    Në predikimin e parë në historinë e Kishës së Krishterë, Apostull Pietri e filloi proklamimin e tij: "O burra Izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë; Jisu Nazaretin, njeri të treguar në ju nga Perëndia me fuqira e çudira e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të atij, në mes tuaj, sikundër edhe vetë e dini, Këtë që qe dhënë sipas një plani të caktuar dhe pas paranjohjes së Perëndisë ju e zutë edhe me duar paudhërie e mbërthyet dhe e vratë; Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhembjet e vdekjes, sepse nuk mund të mbahej ai prej saj" (Veprat 2:22-24).

    Jisui kishte fuqinë të jepte jetën e tij dhe gjithashtu, kishte fuqinë ta merrte atë përsëri: "Prandaj Ati më do, sepse unë vë jetën time, që ta marr përsëri. As ndonjë s'e ngre prej meje, po unë e vë prej vetes; kam pushtet ta vë edhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë porosi mora prej tim Eti" (Joani 10:17-18).

Leggi tutto: Ngjallja

Çlirimi

Dhe u Kryqëzua për ne, në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi dhe u varros.

    Ndonëse Jisui nuk mëkatoi dhe nuk duhej të pësonte dhe të vdiste, ai vullnetarisht mori mbi vete mëkatet e botës dhe vullnetarisht e dha veten në vuajtje dhe vdekje për hir të shpëtimit. Kjo ishte detyra e tij si Mesia-Shpëtimtar: "Fryma e Zotit është mbi mua, që të sjellë sihariq tek të vuajturit... për t’i dhënë kurajo zemërthyerve, për të shpallur çlirimin tek robërit, dhe për të hapur burgun e atyre që janë lidhur... për të ngushëlluar tërë ata që janë në zi... për t’u dhënë atyre një kurorë në vend të hirit e dheut, vajin e gëzimit në vend të vajtimit" (Isaia 61:1-3).

    Në të njëjtën kohë, Jisui duhet ta bënte këtë si shërbëtori i përvuajtur i Jahves-Perëndi. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjes, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona: por ne e konsideruam të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.

Leggi tutto: Çlirimi

Mishërimi

 ... Dhe Ai u Mishërua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë Njeri

Biri hyjnor i Perëndisë u lind si njeri prej Virgjëreshës Mari me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë (Mattheu 1; Lluka 1). Kisha na mëson që lindja virgjërore është plotësimi i profecisë së Dhiatës së Vjetër (Isaia 7:14), dhe është gjithashtu plotësimi i dëshirës së gjithë njerëzve për shpëtim, dëshirë dhe shpresë që gjendet në tërë fetë dhe filozofitë e historisë njerëzore.

Vetëm Perëndia mund ta shpëtojë botën. Njeriu vetëm nuk mund ta bëjë, sepse është vetë njeriu që duhet të shpëtohet. Prandaj, sipas doktrinës orthodhokse, lindja virgjërore është e nevojshme jo për shkak të një idolizimi të rremë të virgjërisë ose si refuzim i seksualitetit normal njerëzor, por Shpëtimtari nuk mund të jetë thjesht si çdo njeri tjetër, që ka nevojë për shpëtim. Shpëtimtari i botës nuk mund të jetë thjesht si njeri prej racës së Adamit, lindur në mish si gjithë të tjerët. Ai duhet të jetë "jo i kësaj bote", që të mund të shpëtojë botën.

Leggi tutto: Mishërimi

Biri i Perëndisë

Birin e Perëndisë, të Vetëmlindurin

Jisui është një me Perëndinë, si Biri i Tij i vetëmlindur. Kjo u formulua nga etërit e shenjtë të Sinodit të Nikeas si më poshtë: ...dhe në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha...

Këto rreshta flasin për Birin e Perëndisë, të quajtur gjithashtu Fjala (ose Logos) e Perëndisë, përpara lindjes së tij në mish njerëzor prej Virgjëreshës Maria në Bethlehem. Ka vetëm një Bir të Perëndisë të përjetshëm. Ai është quajtur i Vetëmlindur, që do të thotë i vetmi i lindur nga Perëndia Atë. I Lindur ka kuptimin jo i krijuar. Biri i Perëndisë ka lindur prej Atit "përpara gjithë shekujve", d.m.th. përpara krijimit, përpara fillimit të kohës. Koha filloi me krijimin. Perëndia ekziston përpara kohës, në një ekzistencë të përjetshme, të pakohë, pa fillim dhe pa fund. Përjetësi, si fjalë nuk do të thotë një kohë pa fund, por do të thotë gjendje pa kohë - jo të kaluar ose të ardhshme, por vetëm një të tashme të vazhdueshme. Për Perëndinë nuk ka të kaluar apo të ardhshme. Për Perëndinë, gjithçka është tani.

Leggi tutto: Biri i Perëndisë

Jisu Krishti

     Dhe në një Zot, Jisu Krishtin 

  Pohimi themelor i të krishterëve për Zotin e tyre është ky: Jisu Krishti është Zot. Ky pohim fillon në Ungjill, kur Jisui vetë i pyeti nxënësit e tij: "Po ju cili thoni se jam unë? Edhe Simon Pietri u përgjegj e tha: Ti je Krishti, i Biri i Perëndisë së Gjallë..." (Mattheu 16:16).

    Jisui është Krishti. Ky është akti i parë i besës, që njerëzit duhet të kenë për Atë. Në lindjen e Tij, djali i Marisë u quajt Jisu,që literalisht do të thotë Shpëtimtar (në hebraishte Joshua, emri që pati edhe pasuesi i Moisiut, i cili kapërceu lumin e Jordanit dhe udhëhoqi popullin e zgjedhur në tokën e premtuar). "Edhe do e quani emrin e tij Jisu, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre" (Mattheu 1:21; Lluka 1:31). Ky është Jisui, i cili është Krishti, që do të thotë I Lyeri, Mesia i Izraelit. Jisui është Mesia, ai që i ishte premtuar botës nëpërmjet Abrahamit dhe bijve të tij. 

    Po kush është Mesia? Kjo është pyetja e dytë, e pyetur gjithashtu nga Krishti në Ungjill - por këtë herë jo nxënësve të tij, por atyre që po e ngacmonin dhe përpiqeshin ta kapnin në fjalët e tij. "Kush është Mesia?" ai i pyeti ata, jo sepse ata mund të përgjigjeshin apo donin realisht të dinin, por me qëllim që t’i bënte ata të heshtnin dhe të fillonte inaugurimin e "orës", për të cilën kishte ardhur: orën e shpëtimit të botës.

Leggi tutto: Jisu Krishti

Mëkati

Fjala mëkat literalisht do të thotë "të mos qëllosh në shenjë", të dështosh në çfarë duhet të bësh, të mos arrish atje ku duhet të shkosh. Në fillim njeriu u krijua që të ishte shembëlltyra e krijuar e Perëndisë, të jetonte i bashkuar me jetën hyjnore të Perëndisë dhe të sundonte mbi tërë krijimin. Dështimi i njeriut në këtë detyrë është mëkati i tij, i cili quhet gjithashtu rënia e ti. "Rënia" e njeriut do të thotë se njeriu dështoi t’i përgjigjej thirrjes që i kishte bërë Perëndia. Ky është dhe kuptimi i Gjenezës kap. 3. Njeriu u mashtrua nga i ligu (gjarpëri), duke besuar se do të mund të bëhej "si Perëndia" me anë të vullnetit dhe përpjekjes së tij. 

Në traditën orthodhokse ngrënia e "pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes", në përgjithësi interpretohet si shijimi i së keqes nga njeriu, si provimi i së keqes si e tillë. Disa herë, kjo ngrënie është interpretuar (shën Grigor Theologu), si përpjekja e njeriut për të bërë atë që nuk është akoma në mundësitë e tij për t’u realizuar.

Çfarëdolloj qofshin detajet e interpretimeve, është krejt doktrinë e qartë e Orthodhoksisë, që njeriu dështoi në vokacionin (thirrjen) e tij të parë. Ai nuk iu bind urdhërimit të Perëndisë, nga krenaria, xhelozia dhe mungesa e mirënjohjes së përulshme ndaj Perëndisë, duke iu dorëzuar tundimit të Satanait. Kështu, njeriu mëkatoi. Ai "humbi shenjën" e thirrjes së tij. Ai shkeli Ligjin Perëndisë (1 Joani 3:4). Dhe kështu ai shkatërroi vetveten dhe krijimin që i ishte dhënë atij për t’u kujdesur. Nga mëkati i tij - dhe mëkatet e tij - njeriu sjell vetveten dhe tërë krijimin nën sundimin e të ligut dhe të vdekjes.

Leggi tutto: Mëkati

Njeriu

    Njeriu është krijimi i veçantë i Perëndisë. Ai është i vetmi "i krijuar sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë" (Gjeneza 1:26). Ai u krijua nga Perëndia prej dheut në mbarim të procesit të krijimit ("ditën e gjashtë") dhe nga vullneti i veçantë i Perëndisë. Ai është bërë të marrë frymë prej "frymës së jetës" (Gjeneza 2:7), të njohë Perëndinë dhe të këtë pushtet mbi gjithçka që Perëndia ka bërë.

    Njeriu u krijua si biseksual - "mashkull e femër Ai i bëri ata" (Gjeneza 1:27; 2:21) - dhe që të "shtohej e shumohej" (Gjeneza 1:28). Kështu, sipas doktrinës orthodhokse, seksualiteti i përket krijimit që Perëndia e quajti "shumë mirë" (Gjeneza 1:31) dhe në vetvete nuk është mëkatar. Ai i përket natyrës së njerëzimit dhe abuzimi në të sjell mëkatin. 

    Si shembëlltyrë e Perëndisë, sundues mbi gjithë krijimin dhe bashkëkrijues me Krijuesin e Pakrijuar, njeriu ka detyrën që "të reflektojë" Perëndinë në krijimin: duke shpërndarë vullnetin, praninë dhe fuqinë e Perëndisë në tërë universin dhe të transformojë gjithçka që ekziston në parajsë të Perëndisë. Në këtë kuptim, njeriu është krijuar për një qëllim më të lartë se fuqitë pa trup, engjëjt. Kjo bindje pohohet nga Krishtërimi Orthodhoks, jo vetëm sepse Shkrimi i Shenjtë thekson që njeriu është bërë në shembëlltyrën e Perëndisë, për të sunduar mbi krijimin, gjë që nuk është thënë për engjëjt; por, gjithashtu edhe sepse është shkruar për Jisu Krishtin, që është me të vërtetë njeriu i përsosur dhe Adami i Dytë (1 Korinthianët 15:45) që: "Perëndia e lartësoi fort tepër, edhe i fali një emër që është përmbi çdo emër; Që në emrin e Jisuit të unjet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhe e nën dhe, dhe çdo gjuhë të rrëfenj se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë." (Filipianët 2:9-11).

Leggi tutto: Njeriu

Frymët e liga ose Shpirtërat e këqinj

    Sipas Besimit Orthodhoks, përveç fuqive të krijuara shpirtërore, të cilat bëjnë vullnetin e Perëndisë, janë gjithashtu, shpirtrat që kanë ngritur krye kundër Perëndisë dhe që bëjnë keq. Këta janë demonët ose djajtë (që literalisht do të thotë "të ndarët") dhe që njihen si në Dhiatën e Vjetër, ashtu dhe në Dhiatën e Re dhe në jetët e shenjtorëve.

    Satanai (që literalisht do të thotë kundërshtari ose armiku), është emri për djallin, princin e frymëve të liga. Ai është identifikuar me gjarpërin e Gjenezës kap. 3 dhe si tunduesi i Jobit dhe i Jisuit (Jobi 1:6; Marku 1:33). Ai emërtohet nga Krishti, si mashtrues dhe gënjeshtar, "ati i gënjeshtrës" (Joani 8:44) dhe si "princi i kësaj bote" (Joani 12:31; 14:30; 16:11). Ai ka "rënë nga qielli" së bashku me engjëjt e këqinj, për të luftuar kundër Perëndisë dhe shërbëtorëve të tij (Lluka 10:18; Isaia 14:12). Ky i "hyri Judës" kur ai tradhtoi Krishtin (Lluka 22:3).

Leggi tutto: Frymët e liga ose Shpirtërat e këqinj

Engjëjt

    Të Gjitha të Dukurat dhe të Padukurat

    Përveç botës së dukshme Perëndia krijoi dhe botën e padukshme. Shkrimi i Shenjtë ngandonjëherë e quan atë "qiejt" dhe herë të tjera i referohet asaj si "mbi qiejt." Çfarëdo qoftë emri i saj, i përdorur në Shkrimin e Shenjtë, bota e padukshme nuk është pjesë e universit material. Ajo nuk ekziston në hapësirë dhe nuk ka dimensione fizike. Kështu që nuk mund të lokalizohet dhe nuk ka një "vend" ku mund të shkohet, duke udhëtuar nëpërmjet galaktikave.

    Por, megjithëse kjo botë është e padukshme dhe është botë e pastër shpirtërore, ajo është e krijuar, është reale dhe ekziston me të vërtetë. Krijimi i padukshëm ekziston si i ndryshëm prej universit të krijuar material, por gjithashtu, është krejtësisht i ndryshëm prej ekzistencës absolute hyjnore të Perëndisë së pakrijuar. Realiteti i krijuar i padukshëm përbëhet prej ushtrive të fuqive pa trup, përgjithësisht - deri diku jo e saktë - të quajtur engjëj. Engjëjt (që literalisht do të thotë "lajmëtarë") janë vetëm një rang i fuqive pa trup të botës së padukshme.

Leggi tutto: Engjëjt

Krijimi

    Krijues i Qiellit dhe i Dheut

    Kisha Orthodhokse beson se Perëndia Atë, është "Krijues i qiellit dhe i dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave". Të krijosh, do të thotë të bësh nga hiçi; të sjellësh në ekzistencë atë që nuk ekzistonte më parë; ose duke cituar Meshën e Shën Joan Gojartit "nga e mosqena në të qenët na solle".  

    Doktrina orthodhokse e krijimit thotë që Perëndia ka krijuar nga hiçi çdo gjë që ekziston. Në Shkrimin e Shenjtë krijimi tregohet në kapitullin e parë të Gjenezës. Pika doktrinore kryesore rreth krijimit është, që vetëm Perëndia është i pakrijuar dhe ka ekzistuar përherë. Çdo gjë tjetër përveç Perëndisë është krijuar nga Ai. Megjithatë, Perëndia nuk krijoi gjithçka në mënyrë individuale dhe në të njëjtën kohë. Në fillim Ai krijoi bazat e ekzistencës dhe pastaj në periudha kohe (ndoshta miliona vjet - shih 2 Pietri 3:8) kjo bazë e parë ekzistence - me anë të fuqisë që Perëndia i kishte dhënë - prodhoi krijesat e tjera të Perëndisë: "Le të prodhojë toka bimë... le të prodhojnë ujrat qenie të gjalla... le të prodhojë toka qenie të gjalla, sipas llojeve të tyre..." (Gjeneza 1:11,20,24).

Leggi tutto: Krijimi

Perëndia

    Një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm

    Besimi themelor i Kishës së Krishterë është në një Perëndi të gjallë e të vërtetë. "Dëgjo o Izrael: Zoti Perëndia ynë është një Perëndi; Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde. Dhe këto fjalë që Unë po ju urdhëroj sot do të vendosen në zemrat tuaja, dhe ju do t'ua mësoni ato fëmijëve tuaj, dhe ju do të flisni për to kur ju uleni në shtëpitë tuaja, kur ju ecni nëpër rrugë dhe kur ju shtriheni dhe kur ju ngriheni..." [Dhefteronomi (Ligji i përtërirë) 6:4-8]. Këto fjalë nga Ligji i Moisiut citohen nga Krishti si porosia më e madhe (Marku 12:29). Ato pasojnë Dhjetë Urdhërimet, të cilat fillojnë me: "Unë jam Zoti Perëndia juaj... ju nuk do të keni perëndira të tjera përveç meje" (Dhefteronomi 5:6-7).

    Zoti dhe Perëndia e vetme e Izraelit zbuloi tek njeriu misterin e emrit të tij.    Dhe Moisiu tha: "...nëse ata më pyesin mua, 'Cili është emri i tij? çfarë do t'iu them atyre?' Perëndia i tha Moisiut. 'Unë Jam Ai që Unë Jam.' Dhe ai tha: "Thuaji popullit të Izraelit, 'Unë Jam më ka dërguar mua tek ju'." Perëndia, gjithashtu, i tha Moisiut: "Thuaji popullit të Izraelit, 'Jahveh, Perëndia i etërve tanë, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakovit, më ka dërguar tek ju: ky është emri im në jetë të jetëve, dhe kështu Unë do të përmendem në të gjithë brezat'." (Eksodi 3:13-15).

Leggi tutto: Perëndia

Besimi

    Unë Besoj

    Besimi është themeli i jetës së krishterë. Ai ishte virtuti themelor i Abrahamit; paraardhësit të Izraelit dhe të Kishës së Krishterë. "Abrahami besoi në Perëndinë, dhe kjo iu pa atij si drejtësi" (Gjeneza 15:6). Jisui e fillon shërbesën e tij me të njëjtin urdhërim për besimin. "...Jisui erdhi në Galile, duke lëçitur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe duke thënë, Se u mbush koha, dhe u afrua Mbretëri e Perëndisë; pendohuni, dhe i besoni ungjillit'' (Marku 1:15).

    Gjatë tërë jetës së tij Jisui ka thirrur për besimin; besim në të, besim në Perëndinë Atin e tij, besim në Ungjillin, besim në Mbretërinë e Perëndisë. Kushti themelor i jetës së krishterë është besimi, sepse me besimin vjen shpresa dhe dashuria dhe çdo vepër e mirë dhe çdo dhuratë dhe fuqi e Shpirtit të Shenjtë. Kjo është doktrina e Krishtit, e Apostujve dhe e Kishës. Në Shkrimin e Shenjtë besimi është cilësuar me thënien klasike, si "të qenurit e gjërave që shpresojmë, siguria e gjërave që nuk shihen" (Hebrenjtë 11:1).

Leggi tutto: Besimi

Besorja e Nikeas

    Besorja e Nikeas duhet të quhet Besorja Nikeo-Konstandinopolitane, meqenëse ajo u formulua në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikeas (325) dhe në Sinodin e Dytë Ekumenik të Konstandinopojës (381).

    Në Kishën Orthodhokse Besorja quhet zakonisht Simboli i Besimit, që do të thotë literalisht "mbajtja së bashku" dhe "shprehja" ose "rrëfimi" i besimit. Në Kishën e hershme ekzistonin forma të ndryshme të pohimit të besimit të krishterë; domethënë "besore" të ndryshme. Këto besore ishin përdorur fillimisht në lidhje me Pagëzimin. Përpara se të pagëzohej një person duhet të pohonte besimin.

    Besorja më e vjetër e krishterë ishte ndoshta pohimi i thjeshtë i besimit që Jisui është Krishti, d.m.th. Mesia; dhe që Krishti është Zot. Duke e pohuar publikisht këtë besim, personi mund të pagëzohej në Krishtin, duke vdekur dhe duke u ngjallur me Të, në Jetën e Re të Mbretërisë së Perëndisë në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.

Leggi tutto: Besorja e Nikeas

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com