Burimet e Doktrinës

Zbulesa

    Çdo ditë, në Shërbesën e Mëngjesit, Kisha Orthodhokse shpall: "Perëndia është Zoti dhe u shfaq ndër ne; i bekuar është Ai që vjen në emrin e Zotit" (Psalmi 118:26-27).

   Themeli i doktrinës së krishterë gjendet në këtë rresht biblik: Perëndia e ka zbuluar Vetveten tek ne. Perëndia e ka shfaqur Vetveten tek krijesat e Tij. Ai nuk e ka zbuluar qenien e Tij më të thellë, sepse esenca e brendshme e Perëndisë nuk mund të kuptohet nga krijesat. Por, Perëndia ka treguar çfarë njeriu mund të shohë dhe të kuptojë nga natyra dhe vullneti i Tij hyjnor.

    Plotësia dhe përkryerja e vetëzbulesës së Perëndisë gjendet në Birin e Tij Jisu Krisht, plotësimi i zbulesës graduale dhe të pjesshme të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. Jisui është me të vërtetë "i bekuar Ai që vjen në emrin e Zotit".

   Titulli i parë që iu dha Jisuit nga populli, është titulli Rabi, që do të thotë mësues. Pasuesit e Tij u quajtën dishepuj, që do të thotë nxënës. Pikësëpari, Jisui erdhi tek njerëzit si Mësuesi i dërguar nga Perëndia. Ai u mëson atyre vullnetin e Perëndisë dhe e bën Perëndinë të njohur tek ata. Ai i zbulon në mënyrë të plotë - të plotë, sa njerëzit mund të kuptojnë - misteret e Mbretërisë së Perëndisë. Ardhja e Jisuit si mësues është një nga aspektet e të qenurit të tij Krisht, Mesia. Fjala Krisht është përkthimi në greqisht i fjalës hebraike Mesia, që do të thotë i Lyeri i Perëndisë. Ishte parathënë, se kur do të vijë Mesia, njerëzit "do të mësoheshin nga Perëndia" (Isaia 54:13; Joani 6:45).

Leggi tutto: Zbulesa

Tradita

    Vazhdimësia e jetës së Popullit të Perëndisë quhet Tradita e Shenjtë. Tradita e Shenjtë e Dhiatës së Vjetër është shprehur në pjesën e Dhiatës së Vjetër të Shkrimit të Shenjtë dhe në vazhdimësinë e jetës të popullit të Izraelit, deri në Lindjen e Krishtit. Kjo traditë u përmbush, u plotësua dhe u kapërcye në kohën e Mesias dhe në Kishën e Krishterë. Tradita e Krishterë apo e Dhiatës së Re, është quajtur gjithashtu, Tradita Apostolike dhe Tradita e Kishës. Pjesa qendrore e shkruar e kësaj tradite janë shkrimet e Dhiatës së Re. Ungjijtë dhe shkrimet e tjera të Kishës apostolike formojnë zemrën e Traditës së Krishterë dhe janë burimi dhe frymëzimi kryesor i tërë zhvillimeve të mëvonshme.

    Kjo traditë e krishterë është pasuar brez pas brezi, në kohë dhe në hapësirë. Tradita, si fjalë, ka po atë kuptim: është ajo që "pasohet" dhe "transmetohet" nga njëri tek tjetri. Pra, Tradita e Shenjtë është ajo që është pasuar dhe transmetuar brenda Kishës, qysh prej kohës së Apostujve të Krishtit deri në ditët tona. Por, Tradita e Shenjtë nuk është kufizuar vetëm në dokumentet e shkruara; dhe nuk është vetëm një grup shkrimesh. Ajo është jeta dhe përvoja tërësore e tërë Kishës, transmetuar nga një vend në tjetrin dhe brez pas brezi. Tradita është jeta e vërtetë e vetë Kishës, që udhëhiqet dhe frymëzohet prej Shpirtit të Shenjtë.

Leggi tutto: Tradita

Shkrimi i Shenjtë

Regjistrimi i shkruar i zbulesës së Perëndisë është Shkrimi i Shenjtë.Është quajtur gjithashtu Bibla, që do të thotë libër ose libra. Shkrimi i Shenjtë u shkrua nëpër mijëra vjet nga njerëz të ndryshëm. Ndahet në dy dhiata ose besëlidhje. Dy dhiatat bazë janë e Vjetra dhe e Reja; secila prej tyre ka shkrimin e saj. Si një libër, Shkrimi i Shenjtë përmban lloje të ndryshme shkrimesh: legjislacion, profeci, histori, poezi, tregim, proverba, lutje, letra dhe vegime simbolike.

Dhiata e Vjetër
    Dhiata e Vjetër fillon me pesë librat e Ligjit, të quajtur Pentateuku, që do të thotë pesë librat. Këto pesë libra quhen gjithashtu Torah, që do të thotë Ligj, Instruksion. Ngadonjëherë, këto libra janë quajtur Librat e Moisiut, meqenëse ata përqendrohen në eksodin dhe në ligjet e Moisiut.

Leggi tutto: Shkrimi i Shenjtë

Liturgjia

   
   
Liturgjia e popullit të Dhiatës së Vjetër ishte adhurimi zyrtar në tempullin e Jerusalemit sipas Ligjit të Moisiut, si dhe festat e agjërimet vjetore dhe lutjet e shërbesat private të bëra nga izraelitët në shtëpi apo në sinagoga. Sinagogat janë ndërtesat e tubimit; ato nuk janë tempuj, meqenëse, sipas Ligjit ishte vetëm një tempull në Jerusalem, ku kryhej adhurimi priftëror. Në sinagogat, izraelitët mblidheshin për lutje dhe studim të Shkrimit, si dhe për predikim dhe kontemplim të Fjalës së Perëndisë.

    Fjala kishë do të thotë bashkësi ose mbledhje njerëzish. Kur kjo bashkësi mblidhet si populli i Perëndisë për të adhuruar së bashku, atëherë kjo mbledhje quhet liturgjia e Kishës. Fjala liturgji do të thotë punë apo veprim i përbashkët i një grupi të veçantë njerëzish, për hir të të gjithëve. Kështu Liturgjia Hyjnore (Mesha Hyjnore) e Kishës së Krishterë do të thotë puna e përbashkët e Perëndisë, e bërë nga populli i Perëndisë. 

Leggi tutto: Liturgjia

Sinodet

Gjatë zhvillimit të saj historik, Kisha hasi në mjaft vendime të vështira. Por, ajo gjithmonë i zgjidhi problemet dhe i mori vendimet nëpërmjet konsensusit të të gjithë besimtarëve. Ajo frymëzohej nga Perëndia dhe udhëhiqej nga drejtuesit e caktuar të saj, në fillim apostujt dhe pastaj peshkopët.

Sinodi i parë në historinë e Kishës u mbajt në Kishën Apostolike, për të vendosur për kushtet, nën të cilat kombet, d.m.th. jojudenjtë, mund të hynin në Kishën e Krishterë (shih Veprat 15).

Nga ajo kohë e në vazhdim, gjatë gjithë historisë, u mbajtën sinode në çdo nivel të jetës së Kishës, për të marrë vendime të rëndësishme. Peshkopët takoheshin rregullisht me priftërinjtë e tyre, të quajtur gjithashtu, presviterë ose pleqtë dhe me popullin. Shumë herët në historinë e Kishës, u bë një praktikë dhe madje një ligj, që peshkopët e një zone të caktuar duhej të mblidheshin në sinode të mbajtur rregullisht (dy herë ose një herë në vit).

Leggi tutto: Sinodet

Etërit

   

    Kisha ka një numër shenjtorësh, të cilët ishin theologë dhe mësues shpirtërorë dhe që mbrojtën e shpjeguan doktrinat e Besimit të Krishterë.

    Këta shenjtorë janë quajtur Etërit e Shenjtë të Kishës dhe mësimet e tyre janë quajtur mësime patristike (nga pater, që do të thotë atë).

    Disa nga Etërit e Shenjtë janë quajtur apologjistë, sepse ata mbrojtën mësimin e krishterë kundër atyre që ishin jashtë Kishës dhe që e luftonin këtë besim. Shkrimet e tyre janë quajtur apologji, që do të thotë "përgjigje" ose "mbrojtje".

    Të tjerë etër të shenjtë, e mbrojtën besimin e krishterë kundër disa anëtarëve të Kishës, të cilët e shtrembëruan të vërtetën dhe jetën e Krishterimit, duke zgjedhur disa pjesë të zbulesës dhe doktrinës së krishterë dhe duke mohuar aspektet e tjera.

Leggi tutto: Etërit

Shenjtorët

     Doktrina e Kishës bëhet e gjallë në jetët e besimtarëve të vërtetë, Shenjtorëve. Shenjtorë janë ata, që marrin pjesë në shenjtërinë e Perëndisë. "Bëhuni të shenjtë, sepse Unë Perëndia juaj jam i shenjtë" (Levitiku 11:44; 1 Pietri 1:16). Jetët e shenjtorëve dëshmojnë për autenticitetin dhe vërtetësinë e Ungjillit të Krishterë, dhuratë e sigurt e shenjtërisë së Perëndisë tek njerëzit.

    Kisha ka emërtime të ndryshme të shenjtorëve. Përveç Etërve të Shenjtë, të cilët janë lavdëruar kryesisht për mësimet e tyre, janë edhe tipe të ndryshëm të njerëzve të shenjtë, sipas aspekteve të veçanta të shenjtërisë së tyre.

    Kështu janë apostujt, të cilët u dërguan për të lëçitur besimin e krishterë; ungjillorët, të cilët shkruajtën ungjijtë; profetët, të cilët u frymëzuan nga Perëndia për të folur fjalët e Tij tek njerëzit; rrëfyesit, të cilët vuajtën për fenë; martirët që dhanë jetën për të; oshënarët, murgj apo murgesha, që jetuan si asketë; si dhe të drejtët ndër laikët.

    Për më tepër, librat e shërbesave të Kishës, kanë një titull të veçantë për shenjtorët ndërmjet klerikëve dhe një tjetër titull për sunduesit dhe mbretërit e shenjtë.

Leggi tutto: Shenjtorët

Kanonet

    Quhen kanone të Kishës ato kanone të vendosura nga Sinodet Ekumenikë ose lokalë dhe nga disa Etër të Kishës, dhe që janë pranuar nga e tërë Kisha Orthodhokse, si normë për doktrinën dhe praktikën e krishterë. Fjala kanon literalisht do të thotë rregull, normë ose njësi matjeje e gjykimit. Në këtë aspekt ligjet kanonike nuk janë ligje pozitive në kuptimin juridik dhe nuk mund të identifikohen lehtë me ligjet e jurisprudencës njerëzore.

    Kanonet e Kishës ndahen në kanonet dogmatikë ose të natyrës doktrinale dhe në kanonet praktike, etike ose të karakterit strukturor. Gjithashtu, ndahen ndërmjet atyre, që mund të ndryshohen dhe atyre që nuk mund të ndryshohen në asnjë lloj mënyre.

    Kanonet dogmatikë janë ato përkufizime të sinodeve, që flasin rreth një artikulli të besimit të krishterë; p.sh. natyra dhe personi i Jisu Krishtit. Ndonëse kanone të tillë mund të shpjegohen dhe zhvillohen me fjalë të reja dhe të ndryshme, sidomos përsa Tradita e Kishës rritet dhe lëviz nëpër kohë, kuptimi i tyre themelor mbetet i përjetshëm dhe i pandryshueshëm.

    Disa kanone të karakterit etik dhe moral, gjithashtu, u përkasin atyre që nuk mund të ndryshohen. Këto janë kanonet morale, kuptimi i të cilëve është absolut dhe i përjetshëm dhe shkelja e të cilëve nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. Kanonet që ndalojnë shitjen e Mistereve të Kishës janë të këtij lloji.

Leggi tutto: Kanonet

Arti Kishtar

 Kisha Orthodhokse ka një traditë të pasur në ikonografi, si edhe në artet e tjera kishtare: muzikë, arkitekturë, skulpturë, qëndisje, poezi etj.

Kjo traditë artistike është bazuar në doktrinën orthodhokse të krishterë të krijimtarisë njerëzore, që është e rrënjosur në dashurinë e Perëndisë për njeriun dhe botën në krijim.

Meqenëse njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe meqenëse Perëndia e deshi kaq shumë njeriun dhe botën, sa që i krijoi, i shpëtoi dhe i lavdëroi ata me anë të ardhjes së Tij në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë, shprehjet artistike të njeriut dhe bekimet dhe frymëzimet e Perëndisë, bashkohen në një krijimtari të shenjtë artistike, e cila me të vërtetë shpreh të vërtetat më të thella të vizionit të krishterë për Perëndinë, njeriun dhe natyrën.

Leggi tutto: Arti Kishtar

Offers and bonuses by SkyBet at BettingY com